Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
HÁRT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT Vizatim që paraqet të zvogëluar gjithë sipërfaqen e Tokës ose një pjesë të saj, sipërfaqen e një shteti etj., qiellin, sisteme yjesh ose ndonjë dukuri tjetër të veçantë që lidhet me ta. Hartë gjeografike. Hartë fizike (politike, historike, ekonomike, pyjore, topografike, gjeologjike, arkeologjike, aeronautike, astronomike). Hartë e përgjithshme. Hartë yjore (kozmike). Hartë hapësinore. Hartë detare hartë lundrimi. Hartë rrugore. Hartë ushtarake. Hartë tektonike. Hartë kadastrale. Hartë elektronike. Hartë memece (gjeogr.). Hartë mësimore. Hartë hidrografike. Harta e kullotave. Hartë e ilustruar. Hartë e palosur. Harta e Shqipërisë. Harta e botës. Hartë përmbledhëse. Hartë e përgjithshme. Hartë e vjetër. Hartë me shkallë të vogël. Hartë xhepi. Tregues i hartës. Hedh në hartë.
MEMÉC,~E mb. 1. Që nuk mund të flasë fare, i pagojë. Njeri memec. Grua memece. Që atë ditë mbeti memec.
2. fig. Që mezi i nxjerr fjalët nga goja, që nuk përgjigjet kur e pyesin; shumë i heshtur (për njerëzit). Dëshmitar memec. Në një shoqëri memece.
3. fig. Që është pa njerëz, i tillë ku nuk dëgjohet zë njeriu ose kafshe, ku s’pipëtin asgjë; i shurdhët (për një vend). Shtëpi (rrugë) memece.
4. fig. Që nuk e ka aftësinë për të folur, që nuk mund të flasë, i heshtur (për gjërat). Pikturë memece. Sende memece. Vuajtje memece.
5. gjeogr. Pjesë e emërtimit për një lloj të hartave. Hartë memece hartë pa emra vendesh, që shërben për të ushtruar nxënësit që t’i gjejnë e t’i shënojnë vetë këta emra.
PÁT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. zool. (lat. Anser) Shpend më i madh se rosa, me qafë të gjatë, me sqep të madh, të rrafshët e të verdhë, me këmbë në trajtë të pëllëmbës, që mbahet si shpend shtëpiak ose që rron si shpend i egër në vende me ujë. Patë vendi (e murrme). Tufë patash. Mish (vezë) pate. Mban (rrit) pata. Është (ecën) si patë është i ngjallur e mezi lëviz a mezi ecën, ecën duke u tundur sa andej këtej.
2. Pjesë e parë e emërtimeve për disa lloje të këtij shpendi: Pata e arave (lat. Anser fabalis L.) patë e egër me pendët e kurrizit dhe krahëve në ngjyrë kafe të errët e me vija të çelëta, me sqep të zi në rrëzë e të kuq në majë. Pata ballëbardhë pata e bardhë, ballëbardha. Pata e bardhë (lat. Anser albifrons) patë e egër me pendë të bardha, që në dimër shtegton në vise të ngrohta. Pata belbacuke patë e arave, pata belbë. Pata belbë pata e arave. Patë e detit patë e egër e ujërave të kripura e të ëmbla me krahët dhe shpinën me pupla të zeza dhe barkun të bardhë, me sqep të gjatë e të përkulur, që jeton në koloni nëpër brigje e drurë të lartë e që gjuan peshk deri në 45 m thellësi. Pata e dëborës (lat. Somateria mollissima) rosa e Detit të Veriut. Pata e egër (lat. Anser anser L.) patë me pendë të hirta, me këmbë të kuqe. Pata e egër e zezë (lat. Branta bernicla). Pata gushëkuqe (lat. Branta ruficollis, Anser ruficollis) patë siberiane, me trupin kryesisht bardhë e zi e me gjoksin ngjyrëgështenjë; pata e vogël laramane. Pata këmbëkuqe pata e vogël. Pata kineze (lat. Anser cygnoides). Pata kokëkuqërremë (lat. Chloephaga rubidiceps). Pata krahëkaltër (lat. Cyanochen cyanopterus). Pata krahëshpor (lat. Plectropterus gambensis). Pata kullashe pata e egër. Pata laramane patë gushëkuqe. Pata e leshterikut (lat. Chloephaga hybrid). Pata memece pata e arave. Pata e murrme pata e egër. Pata perandore (lat. Anser canagicus). Pata e përhime pata e egër. Pata rrethverdhë pata e arave. Pata e tundrës (lat. Branta canadensis leucoparera). Pata e vogël (lat. Anser erythropus) patë me gjoks të kuq, me krahë e bark të zi dhe shirita të bardhë rreth qafës, sqepit, syve e deri afër bishtit; pata ballëbardhë, pata këmbëkuqe.
♦ E hëngri *qafën e patës (dikush) përçm. *Pula e botës i duket patë (më e majme) (dikujt). *Pula e huaj i bëhet patë (dikujt) iron. *Patë në gjetkëz njeri me të gjitha të mirat, duke u ushqyer mirë; pulë në grurë (në thekër, në mulli).
SHURDHMEMÉC/E,~JA f. sh. ~E, ~ET Ajo që nuk dëgjon e që nuk mund të flasë, ajo që është shurdhe e memece njëkohësisht.
VÚV/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Ajo që as flet dhe as dëgjon, që është shurdhe e memece, e vuvër. Me atë vuven nuk komunikon dot.
2. fig. Ajo që mezi flet, me zor e nxjerr fjalën nga goja; që nuk e hap gojën kur e pyesin, nuk përgjigjet; gojëlidhur; e heshtur. Është bërë si vuve.
✱Sin.: shurdhmemece, petoshe, enge, gojëlidhur, gojëkyçur, e heshtur.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë