Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FSHÉS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Përdorëse me melekuqe, me fije bimësh të tjera a sintetike ose me degë të holla shkurresh që shërben për të fshirë truallin, oborrin, shtëpinë etj. Fshesë melekuqeje (bari, shqope). Fshesa e re fshin më mirë (fj. u.).
2. Aparat i posaçëm elektrik që përdoret për të thithur pluhurin në dhoma e në vende të tjera, për të pastruar mobiliet, raftet me libra, veshjet etj. Fshesë elektrike (me korent, automatike).
3. Tufë kashte me një bisht, që përdoret zakonisht nga farkëtari për të mbledhur zjarrin dhe për ta spërkatur atë me ujë. Fshesë zjarri. Fshesa e farkëtarit.
4. bot. Melekuqe. Mbjellin fshesë. Korrin fshesën.
5. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta që tregojnë lloje të ndryshme bimësh barishtore ose shkurresh etj. Fshesa e butë (lat. Erica scoparia). Fshesa dredhake (lat. Limonium anfractum, Statice anfracta). Fshesa e dunave (lat. Parryella filifolia). Fshesë deti (lat. Phaeophyceae) grup algash me ngjyrë jeshile të errët në kafe. Fshesë e egër (lat. Anthyllis) bimë barishtore ose shkurre e ulët e familjes së bishtajoreve e përhapur në disa vende të Evropës dhe në kontinente të tjera. Fshesë e qershisë tufë e dendur degësh që del në trungun e qershisë e të vishnjës (bujq.).
6. Fshirje me fshesë. I dha (i shkoi) një fshesë dhomës (shtëpisë, oborrit) e fshiu shpejt e shpejt.
✱Sin.: kashtare, netull, shqopë, melekuqe.
♦ E ka bërë fshesë (dikë) mospërf. nuk ka respekt dhe e trajton shumë keq dikë, e ul e s’e përfill fare; e merr nëpër këmbë. I ra fshesa (dikujt a diçkaje) u hoq nga një vend a nga një detyrë dikush, u shkurtua, u largua; u spastrua diçka, u pakësua a u hoq fare; i ra gërshëra. *Bishti i fshesës. Me fshesë të hekurt libr. me ashpërsinë më të madhe, në mënyrën më të rreptë e më të egër; rrënjësisht. Fshesë e re dikush që sapo ka filluar të punojë dhe është shpejt për ta vlerësuar punën e tij; njeri që në fillim mund të punojë mirë, por s’dihet si do të punojë më vonë. Unë për *lisa e ti për fshesa! iron. I vuri fshesën përb. 1. (dikujt). E përzuri, e dëboi; e shkurtoi. 2. (diçkaje). E zhduku fare, e spastroi, e përlau; e fshiu (e zhduku) nga faqja e dheut (diçka); i vuri fugën.
MELAKÚQ,~I m. sh. ~E, ~ET bot. (lat. Sorghum vulgare) Bimë barishtore njëvjeçare, me kërcell të fortë, të hollë, të gjatë, me gjethe si të misrit e me një xhufkë të madhe në majë, që bën kokrra të vogla si meli e në ngjyrë të kuqe dhe që përdoret zakonisht për të bërë fshesa; fshesë. Prodhimi vendas i melakuqit. Fshesa melakuqi.
✱Sin.: melekuqe, mëshesë.
NÉTULL,~A f. sh. ~A, ~AT 1. bot. Bimë e egër barishtore dyvjeçare, që rritet deri në një metër e gjysmë, me gjethe si të lëpjetës, me kërcell të fortë e me lule të vogla e të verdha në formë vileje, fijet e së cilës përdoren për të bërë fshesa.
2. bot. (Myrtus communis) Mërsinë. Ha netulla. Fshesë netulle.
3. krahin. Fshesë. Fshij me netull.
4. Ana e pëlhurës, e endur në mënyrë që të mos i dalin fijet, palë e rrobës. Pres netullën.
✱Sin.: fshesë, mërsinë, palë, melekuqe.
SORGÚM,~I m., bot. Bimë njëvjeçare me kërcell të drejtë e të lartë, me gjethe të gjata e me lule që i përngjajnë misrit, e cila përdoret si ushqim për kafshët, zakonisht e grirë, ndërsa disa lloje përdoren në industri për prodhime të ndryshme; melekuqe. Mbjellin (korrin) sorgumin. U japin sorgum.
✱Sin.: melekuqe, fshesë, farashkë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë