Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►ANDRALLÓS/EM jovep., ~A (u), ~UR bised. 1. vetv. Mbytem nga andrallat, bie në telashe; më vjen mendja rrotull nga kokëçarjet. Andrallosem shpesh. Andrallosem për pasojat.
2. vetv. Më merren mendtë, më vjen koka vërdallë, trullosem, shastisem. Në turma njerëzish andrallosem keq. Andrallosem nga bubullima.
3. pës. e ANDRALLÓS.
✱Sin.: trullosem, hutohem, shastisem, habitem, vërdallosem, turbullohem.
►ASFIKS/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Më ndalet frymëmarrja, më zihet fryma, ngulfatem, mbytem. Asfiksohem në ujë.
2. pës. e ASFIKSÓJ. U asfiksua nga mungesa e oksigjenit. Asfiksohem nga tymi i zjarrit.
✱Sin.: mbytem, ngulfatem.
►FUNDÓS/EM jovep., ~A (u), ~UR vetv. 1. Zhytem në fund të detit, të liqenit etj.; bie e kridhem diku sa të mos dukem; kridhem thellë. Fundosem në ujë (në baltë, në rërë). U fundos menjëherë.
2. v. III Ulet poshtë, humbet, vithiset. U fundos toka.
3. fig. Bie në një gjendje të vështirë, nga ku nuk mund të dal lehtë; shkoj drejt rënies së plotë; pësoj një dështim a humbje të rëndë. Ishte fundosur nga kritikat.
4. pës. e FUNDÓS.
✱Sin.: mbytem, zhytem, fundohem, vithisem, ulem, groposem.
►KACAMBÝT/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. Kapem për fyti me dikë duke u përpjekur të mbytim njëri-tjetrin; kacafytem. U kacambytën për hiçgjë.
2. vetv. Luftoj duke u përleshur trup më trup dhe duke përdorur të gjitha forcat; kacafytem.
3. fig., vetv. Zihem a grindem shumë keq me dikë; përlahem.
4. pës. e KACAMBÝT.
✱Sin.: kacafytem, përlahem, mbytem, fytafytem, kërlesh.
LAK,~U m. sh. LÉQE, LÉQET 1. Rrethi a unaza që bëhet kur shkojmë njërën anë të një litari, të një filli a të një teli në shqekëz ose kur e lidhim syth dhe që mund të ngushtohet a të zgjerohet sipas nevojës; litari a filli me këtë lidhje, që përdoret për të zënë kafshë të egra a shpendë ose për të lidhur diçka etj. Laku i litarit (i gjalmit, i telit). Lak lepuri. Lak derrash. Lak zogjsh. Laku i rrjetës. Në trajtë laku. E zuri (e kapi) me lak. I hodhi lakun. Ra (mbeti) në lak. E bëri litarin (fillin) lak. E lidhi lak. E zgjidhi lakun. I vuri lakun në qafë. Futi kokën në lak.
2. fig. Gjendje e vështirë që krijohet me dredhi e me keqdashje për të dëmtuar a për të asgjësuar dikë; rrethanë a gjendje e përgatitur me dinakëri nga dikush, në të cilën s’kemi nga t’ia mbajmë; grackë, kurth. I ngriti lak. E futi (e shtiu) në lak. Ra në lak.
3. kryes. sh. Litari i samarit, litari i kafshëve të ngarkesës; pjesë e litarit të samarit, që lidhet hark dhe që shërben për të mbajtur ngarkesën ose për të vënë këmbët njerëzit; litar për të lidhur një kafshë. Leqet e samarit. Leqet e kalit (e mushkës...). Laku i lopës. Laku i dhisë. E ngarkoi në leqe. Vuri këmbët në leqe.
4. Send a pjesë e diçkaje, që ka trajtën e një harku ose të një vije të përkulur; hark; kthesë, bërryl. Laku i kularit. Lak druri. Laku i fytit. Laku i hundës. Laku i tabanit të këmbës. Laku i hënës. Leqet e hajatit qemerët e përkulur të hajatit. Lak bore borë e grumbulluar si hark. Laku i rrugës. Laku i lumit. Prapa lakut. Gjarpri bën leqe. Ka dhënë (ka marrë) lak dega (dërrasa, trari) është përkulur, është epur. Guri nuk jep lak nuk përkulet, nuk epet.
5. kryes. sh. Rrip lëkure i hollë e i dredhur, me të cilin qepin opingat. Opinga me leqe. E mbërtheu me leqe. U këput laku.
6. Harku i lahutës, që bëhet me qime kali. Laku i lahutës. I bie lahutës me lak.
7. Qafë mali a kodre e harkuar; vend me shumë të përpjeta e të tatëpjeta njëra pas tjetrës. Laku i malit. Kaluan lak më lak.
8. kryes. sh. Dredha të njëpasnjëshme të një udhe që gjarpëron në të përpjeta e të tatëpjeta; udhë me dredha të tilla, lakore. Udhë me shumë leqe. Kaluan leqet e vështira.
9. kryes. sh. Dy dejtë në dy anët e gropës që ndodhet në pjesën e përkundërt të gjurit, gilcat. Leqet e këmbëve.
10. Nyja e gishtave; pjesa ku përkulet gishti. Leqet e gishtave. Çdo gisht ka tre leqe.
✱Sin.: rreth, unazë, thyesë, hallkë, syth, ilik, sy, syçkë, gojë, gojëz, filiqe, lakth, rrumbullak, kthesë.
♦ Iu bë lak (fjala) (dikujt) e preu të folurit, do që t’i thotë diçka dikujt, por s’ia thotë dot, ngeci e nuk flet dot më; i ngeci (i mbeti) fjala në grykë. M’u bë lak në fyt (në grykë). 1. shih m’u bë (një) lëmsh (në grykë). 2. (diçka). Më ka zënë shumë ngushtë (një borxh a një e keqe tjetër). U bë lak e leqe (dikush) keq. shih e uli kurrizin (shpinën) (dikush) përb. I bën (i jep) lak (dikujt a diçkaje) i shmanget a i dredhon një pune; i bën bisht. Nuk i bën lak (fjalës) (dikush) e mban fjalën, nuk dredhon, e bën atë që thotë; është njeri i besës; flet (është) pa leqe. E bënë lak e trak (dikë) e goditën keq, e lanë pa ndjenja; e bënë lëkurë ujku (dikë) keq. Nuk i bën zemra lak (dikujt) nuk trembet fare dikush, nuk ka frikë; nuk stepet nga frika; s’i trembet (s’i friket) syri. Ra në lak (dikush) ra në një gjendje të vështirë a të rrezikshme të përgatitur me dredhi e me keqdashje prej dikujt; ra në grackë; ra në kurth; e futi kokën në lak. I dridhen leqet e këmbëve (dikujt) shih i dridhen gjunjët (dikujt). I drejtë si laku (dikush) iron. shih i drejtë si drapri iron. Flet (është) pa leqe (dikush) është njeri i drejtë, nuk dredhon; nuk i shtrembëron gjërat, e thotë haptas të vërtetën, është i çiltër; nuk bën hile; nuk i bën lak (fjalës). E fryu në lak të këmbës (dikë) e rrahu shumë; ia bëri kurrizin më të butë se barkun (dikujt); i nxori rripa nga lëkura (dikujt). E fut kokën në lak bie vetë në një gjendje të vështirë a të rrezikshme, që ma ka përgatitur dikush me dredhi e me keqdashje; bie në lak; i vë lak fytit. E futi (e zuri) në lak (dikë). 1. E vuri në atë gjendje të vështirë a të rrezikshme, që ia kishte përgatitur me dredhi e me keqdashje; e shtiu (e futi) në grackë; e shtiu (e futi) në kurth; kund. ia hoqi (ia zgjidhi) lakun (dikujt). 2. shih e shtiu (e futi) në lak1 (dikë). *Fyt e lak. Me *gjak e me lak. I hodhi (i vuri) lakun në qafë (në grykë) (dikujt) e vuri në një gjendje shtrëngimi të rreptë, e detyroi me forcë për të bërë diçka; e zuri shumë ngushtë dikë, e detyroi të bëjë një gjë me zor dhe shpejt; i hodhi (i vuri) litarin në qafë (në grykë); i vuri thikën në grykë (në fyt); i vuri shkelmin në fyt (në grykë). Ia hoqi (ia zgjidhi) lakun (dikujt) e nxori nga një gjendje e vështirë e pa shpresë, e shpëtoi nga një rrezik; ia preu lakun; ia preu litarin; ia hoqi hallkën; kund. e futi (e zuri) në lak (dikë). Të heq lakun e opingës (dikush) shih të vjedh hundën midis (në mes të) syve (dikush). E ka në *lak (diçka) e ka gati në të mbaruar; e ka diçka gati në të përfunduar; e ka në vijë (i ka punët në vijë) (dikush). E kam lakun (litarin) në *fyt. E kam lakun në qafë (në grykë) shih e kam litarin në qafë (në grykë). E kam litarin në qafë (në grykë) jam në një gjendje shumë të rëndë e të vështirë, jam shumë ngushtë para diçkaje që duhet bërë shpejt e patjetër; e kam kokën në gërshërë; e kam ashklën në thua. Me lak e me gjak. 1. Me shumë mundime, me vuajtje të mëdha; me përpjekje të jashtëzakonshme; me thonjtë e duarve. 2. Me këmbëngulje të madhe, me çdo kusht; me kokëfortësi, pa asnjë lëshim; me dhunë, me mënyra e me mjete të ashpra, me forcë; me të egër, me terror; me gjak e me lak. Në lak e në gjak. 1. Shumë, jashtëzakonisht. 2. Me të shpejtë. Me lak në qafë. 1. Në një vështirësi shumë të madhe a në shtrëngesë, sa s’di ç’të bëj; me litar në qafë (në grykë). 2. Shtatzënë, me barrë (për gratë). E lanë (e lëshuan) leqet e këmbëve (dikë). 1. Nuk mbahet dot më në këmbë (nga një sëmundje, nga pleqëria, nga lodhja etj.). 2. shih i dridhen gjunjët (dikujt). Merr lak (diçka). 1. Shtrembërohet, përkulet, lakohet; dredhon. 2. Shmanget nga rruga e vet, nuk ecën më mirë e drejt, merr drejtim tjetër, lakon. Iu mblodh laku (dikujt) shih iu mblodh litari (dikujt). Ngarkon *vezë në lak (dikush). Ia preu lakun (dikujt) e nxori dikë nga një gjendje e vështirë, e shpëtoi nga një hall i madh; ia preu litarin; ia hoqi (ia zgjidhi) lakun. Shkojnë *gjak e lak. Shkojnë lak e gjak shih shkojnë gjak e lak. E shtiu (e futi) në lak (dikë). 1. Ia arriti qëllimit që ta bëjë për vete, e afroi dhe e bindi që ta donte a ta dëgjonte; e shtiu (e futi) në thes. 2. shih e futi (e zuri) në lak1 (dikë). Ia shtrëngoi lakun (dikujt) ia mblodhi keq, e detyroi të bëjë si thotë ai, ia ngushtoi mundësitë që të kundërshtojë a të mos bindet; ia mblodhi (ia shtrëngoi) rripat; ia shtrëngoi hallkën. I vuri leqe (dikujt) shih i vuri njollë (dikujt). I vë lak fytit e vë veten në një shtrëngim të fortë a në një vështirësi të madhe; futem vetë në një rrezik jete; e fut kokën në lak. Më vjen lak më përzihet, më vjen për të vjellë; më duket sikur po mbytem. E zë *lepurin në lak.
►MBÝT/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. Vdes ngaqë më zihet fryma, kur më shtrëngojnë fort grykën, kur s’ka ajër, kur jam i zhytur brenda në ujë etj.; vet. v. III ngordh ngaqë i zihet fryma, kur i shtrëngojnë fytin, kur është e zhytur në ujë etj. (për kafshët). U mbyt një njeri. U mbytën dy dhi. U mbyt në lumë (në pus). Ndihmë, se u mbyt!
2. vetv. Mezi marr frymë a mezi e kapërcej ushqimin ngaqë më pengon diçka në fyt. I shkoi uji (buka) ters dhe u mbyt.
3. vetv., vet. v. III Fundoset (për një mjet lundrimi etj.); zhytet krejt në ujë a në një lëng tjetër. U mbyt anija (lundra, trapi). U ça dhe u mbyt.
4. vetv., vet. v. III Mbulohet krejt me ujë a me diçka tjetër, përmbytet. U mbytën arat. U mbyt oborri në baltë. U mbyt në lot (në djersë).
5. fig., vetv., vet. v. III Mbushet plot me diçka që vjen a del me shumicë, përmbytet; edhe veta I kam diçka me shumicë ose me tepri. U mbyt tregu me pemë. U mbytëm me portokalle.
6. fig., vetv. Kam shumë punë, detyrime etj. sa s’i mbaj dot; jam shumë i zënë me diçka. U mbytën në punë. U mbytën me mbledhje. Ishte mbytur në borxhe. U mbyt duke mësuar mëson shumë e pa pushim. Ku të mbytem? (s’kam ku të mbytem) s’kam ku të futem, s’di ku të vete që të shpëtoj nga një hall i madh, nga një turp etj.
7. fig., vetv. Zhytem, futem thellë. U mbyt në mendime.
8. fig., vetv., vet. v. III Shuhet, fashitet, s’duket a s’ndihet më. U mbyt zhurma. Iu mbyt shkëlqimi.
9. pës. e MBYT.
✱Sin.: prridhem, furem, vritem, therem, fundosem, mekem, asfiksohem, përmbytem, shtypem, shuhem, fikem, fashitet, asgjësohet, mposhtem, nënshtrohem, ngopet, dendet, dërrmohem, mundohem, zhytem.
♦ I janë mbytur *gjemitë (dikujt) iron. Mbytet në *va (dikush).
►NGULFÁT/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. Mbërthehem, kyçem, drynohem; zhytem duke ia zënë frymën vetes; mbys veten duke u varur në litar. Lopa u ngulfat me litarin e vet. E ngulfati veten në litar.
2. vetv. Më shkon keq kafshata, thërrimja a uji, duke ma zënë frymën; më mbetet buka në fyt. Mos qesh kur je duke ngrënë se ngulfatesh.
3. vetv. Më mbyt gazi, tymi etj. Rruga u ngulfat prej makinave. U ngulfat me një shishe mjalti.
4. vetv. Ndrydhem.
5. pës. e NGULFÁT.
✱Sin.: kyçem, drynohem, mbytem, ngulatem, prridhem.
►RIPËRTÝP/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv., vet. v. III E kthen ushqimin nga stomaku dhe e përtyp për së dyti (për disa kafshë, si lopa, dhia, delja etj.). Ripërtypet lopa.
2. vetv. Sjell e përsjell në mend, bluaj me mend. Dhe përtypem, ripërtypem, me fjalët e mia mbytem.
3. pës. e RIPËRTÝP. Ripërtypen të njëjtat gjëra prej vitesh.
✱Sin.: mbllaçitet, përtypem.
SHTREMBËR ndajf. 1. Jo në vijë të drejtë, me dredha a me lakime, jo drejt; kund. drejt. E ka bërë shtrembër vijën. E ka sjellë murin shtrembër.
2. Pak pjerrtas, jo pingul, jo drejt, prirur pak në njërën anë; me trup të shtrembëruar; kund. drejt. E nguli shtrembër shtyllën. E vari shtrembër fotografinë. Rri (ecën) shtrembër.
3. Jo në drejtimin e duhur, jo në vendin a në drejtimin e vet; në njërën anë, anash, pjerrtas; kund. drejt. Vajti gozhda shtrembër. Shkoi sharra shtrembër. Më shkoi dora (thika, gërshëra) shtrembër. Më shkon (më vete) buka (uji) shtrembër më shkon një thërrime buke (a një pikë ujë) në kanalin e frymëmarrjes dhe më bën të kollitem fort a të mbytem. E ka vënë kapelën shtrembër. I vuri shtrembër drutë. Shikon pak shtrembër. I vajti goja shtrembër.
4. fig. Në mënyrë jo të drejtë, jo drejt; në mënyrë të gabuar; në mënyrë jo të ndershme; keq, jo mirë; kund. drejt. Flet (mendon) shtrembër. I kupton (i merr) shtrembër gjërat. Vepron shtrembër.
♦ I heq kau shtrembër (dikujt) iron. është plakur dhe nuk i ecën shëndeti si në rini; nuk ka më fuqi; s’i bën këmba e dora. I kanë ikur *plepat shtrembër (dikujt) keq. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt! të themi të vërtetën pavarësisht nga dëshira a nga interesi ynë; ta vlerësojmë dikë a diçka ashtu siç është edhe pse nuk e duam; kija inatin e foli hakun! (dikujt). E sheh shtrembër (dikë) nuk e do, nuk e pëlqen; e ka inat ose dyshon për të; e sheh me sy të shtrembër; e sheh me sy të keq (të lig).
►TËRTHOR/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv., vet. v. III Azdiset, harliset. Ishin tërthoruar degët e pjergullës.
2. vetv. Rri shtendosur, rri shtrirë, shtrihem. Ishte tërthoruar në kolltuk.
3. vetv. Ngatërrohem në litar; mbytem (gjëja, njeriu). Qenka tërthoruar mushka (lopa); (edhe fig.) Iu tërthoruan punët.
4. pës. e TËRTHORÓJ.
✱Sin.: azdisem, harlisem, shtendosem, shtrihem, ngatërrohem, mbytem.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë