Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BATANÍJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET Mbulesë e hollë prej leshi a prej pambuku, e ngjeshur dhe me push, zakonisht me ngjyra e me zbukurime, që përdoret për t'u mbuluar; kuvertë, jamulli. Batanije leshi (pambuku). Shtroj (hedh) batanijen. Mbulohem (fle) me batanije. Mbështjell me batanije. I hodhi përsipër batanijen.
✱Sin.: kuvertë, jamulli, plaf, balcë.
DJERSÍT (DJERSÍS) vep., ~A, ~UR 1. jokal. Më dalin djersë, mbulohem me djersë. Djersit shumë. S'para djersit. Djersit kur fle. I djersiti balli. I djersitin duart (këmbët). Të djersish, në do të kesh, se nuk gjendet gjë në shesh. (fj. u.).
2. jokal., vet. v. III Mbulohet me një shtresë të lagët shumë të hollë a me bulëza uji, kur e prekin avujt e nxehtë. Djersitën xhamet (muret). Djersiti gota. Djersiti shkëmbi.
3. jokal., vet. v. III Rrjedh shumë pak, pikon; kullon a lëshon lagështi, qan. Djersit shtamba.
4. jokal., vet. v. III Mugullon, bulon (për barin); sapo fillon të dalë (zakonisht për mustaqet). Paska djersitur bari. I ka djersitur mustaqja.
5. fig., jokal. Punoj shumë, përpiqem së tepërmi për të arritur diçka, derdh mund e djersë në një punë; mundohem, lodhem tepër. Pa djersitur nuk zbukurohet vendi. Duhet të djersitim që ta vëmë punën përpara.
6. kal. E bëj që t’i dalin djersë, i nxjerr djersë. E djersiti kalin. E djersiti bari (ilaçi). - Na djersiti e përpjeta.
7. fig., kal. E lodh shumë dikë, e mundoj tepër, i nxjerr djersë. - Vërtet na djersiti ca, por e mbaruam shpejt.
✱Sin.: djersij, lëmek, dirs, bulon, bulëzon, mundoj.
♦ I djersit *balli (dikujt). S’i ka djersitur *mustaqja (dikujt).
►DJERSÍT/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. Më dalin djersë, mbulohem me djersë. Djersitet shpejt. - Mbuloje, se u djersit!
2. vetv., vet. v. III Mbulohet me një shtresë të lagët shumë të hollë a me bulëza uji, kur e prekin avuj të nxehtë. U djersit gota. U djersitën xhamet (muret).
3. fig., vetv. Punoj shumë; mundohem. - Të djersitemi të gjithë!
4. pës. e DJERSÍT.
✱Sin.: djersitem, lëmekem, dirsem, djersihem, mundohet.
JORGÁN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Mbulesë që bëhet me dy faqe bezeje, atlasi etj., mbushet me pambuk ose me lesh, qepet kryq e tërthor me pe të rrallë dhe përdoret për ta hedhur përsipër kur biem të flemë. Jorgan i ri (i bukur). Jorgan atllasi. Jorgani i nuses. Jorgan fëmijësh. Faqja e jorganit. Çarçafi (këllëfi) i jorganit. Mbulohem me jorgan. Bora është jorgani i bimës. (fj. u.) bora e mbulon dhe e mban ngrohtë bimën.
♦ I bëhem jorgan (dikujt). 1. E mbroj dikë, e marr në mbrojtje, nuk e lë të pësojë gjë a të dëmtohet nga diçka, e ruaj nga ndonjë rrezik; i hedh jorganin; i jap (i bëj) strehë; i bëhem ombrellë. 2. keq. Ia mbuloj të metat e gabimet dikujt, ia fsheh të palarat për ta mbrojtur nga dikush; i bëhem velenxë. M’u bë *plesht në jorgan (dikush). I hedh jorganin. 1. (diçkaje). E mbuloj, e fsheh; e mbyll një çështje që të mos e marrin vesh të tjerët; i vë kapak (kapakun). 2. (dikujt). E marr në mbrojtje dikë, e ruaj; i bëhem jorgan; i jap (i bëj) strehë. Për një *plesht djeg jorganin (dikush). Shqep jorganin e arnon çarçafin (dikush) shih prish bucela (bute) e bën kënaçe (dikush). Shtriji *këmbët sa ke jorganin!
►MASK/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Vë maskë në fytyrë (kur luaj në teatër, kur marr pjesë në një maskaradë etj.).
2. vetv. Ndërroj veshjen, vë mjekër a mustaqe të rreme etj., që të mos njihem. Hajdutët janë maskuar si policë.
3. vetv. Fshihem duke u mbuluar me degë etj. që të mos dukem ose të mos zbulohem nga të tjerët. U maskuan me degë dushku.
4. fig., vetv. Fsheh karakterin e vërtetë ose qëllimet e vërteta, shtirem. Ishte njeri që nuk dinte të maskohej.
5. mjek. Fshihet pas simptomave të një sëmundje tjetër ose nuk ka simptoma të jashtme. Viroza e rrugëve të frymëmarrjes maskohet me viroza të tjera.
6. fin., vetv., vet. v. III Fshihet pas diçkaje tjetër gjendja financiare apo fitimi, mbulohet. Nuk është e lehtë të maskohet fitimi.
7. pës. e MASKÓJ.
✱Sin.: mbulohem, fshihem.
►MBLÍDH/EM jovep., MBLÓDHA (u), MBLÉDHUR 1. vetv., zakon. sh. Grumbullohemi në një vend; afrohemi e bashkohemi diku; vet. v. III bëhet grumbull, tufë etj. U mblodhën shumë njerëz. U mblodhën te sheshi. U mblodh i gjithë fshati. Fëmijët u mblodhën kokë më kokë. U mblodhën pranë vatrës (rreth nënës, në qoshe). U mblodhën pulat (dhentë). Uji u mblodh nëpër gropa. U mblodh shumë dëborë para shtëpisë. Gjethet e rëna u mblodhën në cep. U derdh vaji, s’mblidhet më. (fj. u.). S’mblidhen pleshtat në grusht (s’futen pleshtat në thes). (fj. u.).
2. vetv., vet. v. III Bën mbledhje për të shqyrtuar diçka, për të zgjidhur një çështje etj. (për një organizatë, forum, organ drejtues, njësi prodhimi etj.); zakon. sh. për të gjitha vetat bashkohemi në një vend për një punë a veprimtari; grumbullohemi me rastin e një feste, të një gëzimi etj. U mblodh kongresi (konferenca). U mblodh kryesia (drejtoria). U mblodh kolektivi (klasa). Mblidhemi në klasë (në sallë, në fushë). Mblidhemi një herë në muaj. U mblodhën me rastin e ditëlindjes (e dasmës).
3. bised., vetv. Kthehem në shtëpi (zakonisht në mbrëmje); bashkohem me pjesëtarët e tjerë të familjes dhe rri me ta. Mezi mblidhet në shtëpi. Fëmijët mblidhen herët dhe bien të flenë. Me kë do të mblidhet kur të ikë i biri?
4. vetv. Mbledh gjymtyrët, trupin etj.; edhe fig. zvogëlohem, rrëgjohem, shtrëngohem e strukem (nga të ftohtët, nga sëmundja, nga frika etj.). U mblodh grusht (shuk, lëmsh, kruspull). U mblodh në një qoshe. U mblodh për t’u hedhur. U mblodh e u përmblodh u bë sa një grusht, s’dinte ku të futej, u struk (nga frika etj.).
5. vetv., vet. v. III Tkurret, hyn (për një plaçkë kur laget ose kur lahet). Mblidhet doku (basma, këmisha) nga të larët. Mblidhet shumë (pak). Nuk mblidhet fare.
6. vetv. Mbështillem me diçka, mbulohem nga të gjitha anët me një rrobë etj. U mblodh me pallto. U mblodh me shall.
7. fig., vetv. Bëhem i urtë, shtrohem. Djali (vajza) është mbledhur mjaft. Duke u rritur e duke u mbledhur.
8. fig., vetv. Më përqendrohet në një vend, më bëhet si lëmsh e më shtrëngon, më zë frymën, më mundon (përdoret me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në rasën dhanore). M’u mblodh lëmsh (nyjë) diçka. M’u mblodh (diçka) në grykë (në fyt, në zemër). Iu mblodh inati (zemërimi, mëria, urrejtja).
9. pës. e MBLEDH. Kallinjtë u mblodhën nga makineria.
✱Sin.: grumbullohem, bashkohem, tubohem, përqendrohem, mbështillem, rrudhem, ngushtohet, zvogëlohem, tkurret, hyn, paloset, rrëgjohem, kruspullohem, urtësohem, shtrohem, përmblidhem, bëhem.
♦ M’u mblodh (m’u mbështoll) në *grykë. Iu mblodh (iu mbështoll) *kapistalli (dikujt). Iu mblodhën *këmbët (dikujt). Iu mblodh *laku (dikujt). Iu mblodh (iu mbështoll) *lëmshi (dikujt). Iu mblodh *litari (dikujt).
►MBUL/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Hedh përsipër një rrobë a një mbulesë (kur fle, kur kam ftohtë etj.), mbuloj veten ose një pjesë të trupit; kund. zbulohem. Mbulohem me jorgan (me batanije).
2. vetv. Hedh përsipër diçka që të mos dukem; fshihem duke mbuluar veten me diçka. Mbulohem me kashtë (me gjethe). U mbulua me dhe (me rërë). Mbulohej me perçe.
3. vetv., kryes. v. III Vishet me një shtresë a me diçka tjetër; e mbulon diçka, e zë të gjithë sa e fsheh; mbushet. U mbulua qielli me re. U mbulua mali me borë. U mbuluan fushat me bar. U mbuluan pemët me gjethe. U mbulua me pluhur (me baltë). U mbulua me thinja. Nuk mbulohet (nuk zihet, nuk fshihet) dielli me shoshë. (fj. u.). Nuk mbulohet (nuk zihet) dielli me plisa. (fj. u.).
4. pës. e MBULÓJ. Dielli u mbulua nga retë.
✱Sin.: mërtisem, mbështillem, zihet, vishet, mbushem, maskohem.
►MBËSHT/ÍLLEM jovep., ~ÓLLA (u), ~JÉLLË 1. vetv., vet. v. III Mblidhet si lëmsh ose rreth e rrotull diçkaje; kund. çmbështillet; shtillet. U mbështoll filli (litari). Hardhia u mbështoll rreth pemës. Kungulli i mbështoll përgjatë gardhit.
2. vetv. Mbulohem rreth e rrotull me një rrobë; kund. çmbështillem. Mbështillem me pallto (me triko, me çarçaf, me batanije, me jorgan). Mbështillem me shall. Mbështillu mirë që të mos ftohesh!
3. vetv. Mbledh trupin e bëhem si grusht; mblidhem, kruspullohem. U mbështoll nga të ftohtët (nga frika). U mbështoll si lëmsh.
4. fig., bised., vetv., kryes. sh. Mblidhemi në një vend, grumbullohemi. U mbështollën në shtëpi. E gjithë rinia u mbështoll te sheshi. Iu mbështollën gardh iu mbështollën shtrënguar rreth e rrotull. Iu mbështollën përreth (rreth).
5. fig., bised., vetv. I hidhem dikujt me vrull, i turrem; i përmblidhem (përdoret me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në rasën dhanore). Qentë iu mbështollën egërsirës. Iu mbështoll me të shara.
6. vetv., vet. v. III Ngjizet, zihet, pikset (për qumështin); trashet (për hallvën).
7. pës. e MBËSHTJÉLL.
♦ M’u mbështoll (m’u mblodh) në *grykë. Iu mbështoll (iu mblodh) *kapistalli (dikujt). Iu mbështoll (iu mblodh) *lëmshi (dikujt). *U solla e u mbështolla.
►MËRTÍS/EM jovep., ~A (u), ~UR vetv. 1. Mbuloj fytyrën me perçe (për gratë); mbulohem në fytyrë me diçka. U mërtis nusja me duvak. Ishte mërtisur në zi.
2. Vishem tesha të errëta në shenjë zije, mbaj zi.
3. fig., vet. v. III Mbulohet, vishet, fshihet. Deti mërtisej me mjegull të zezë.
4. fig. Nxihem, sterrohem. Balli iu mërtis trishtueshëm.
5. pës. e MËRTÍS.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë