Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BRÁZD/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Vijë e gjatë që hapim në arë me plug ose me një vegël tjetër bujqësore, hulli. Brazda e parmendës. Brazdë me shat. Brazda pa kokë hulli pa farë drithi. Ujitje me brazda. Hap (bëj) brazda. Hedh farën në brazdë. Dhe kau i mirë, po s’e shpove, nuk tërheq brazdë. (folk.).
2. Vijë a thellim pak a shumë i gjatë në sipërfaqen e diçkaje; rrudhë. Brazdat e ballit. Brazda e lundrës në ujë. Brazdat e trurit. Trung me brazda në lëkurë.
3. fig. Vijë a rrugë në të cilën ecën ose zhvillohet diçka; gjurma që lë diçka; përshtypje, mbresë e thellë. Brazdë e pashlyeshme. Brazdat e jetës.
✱Sin.: hulli, vijë, vazhdë, zagën, trap, rrudhë, palë, zhubër, zhubël, tutël, mbresë, gjurmë, vragë, efekt.
♦ Ra në brazdë (në hulli) (dikush) erdhi aty ku duhet, mendon a bën atë që duhet; pranoi diçka a u mor vesh me dikë për diçka, u pajtua me të; ra në ujdi; kund. doli nga brazda (nga hullia). Ra në një brazdë (me dikë) u morën vesh; ra në ujdi. Doli nga brazda (nga hullia) (dikush) nuk sillet e nuk bën më si duhet, është shmangur nga rruga e drejtë, nuk vepron mirë, ka shkarë; kund. ra në brazdë (në hulli). I shkon për brazde (dikujt) shih i shkon (i vete) pas avazit (dikujt). E vë (e fut) në brazdë (në hulli) (dikë) e vë në rrugë të mbarë dikë që ka shkarë e sillet a vepron keq, e bëj të sillet mirë. Erdhi në brazdë (në hulli) (dikush) vihet në rrugë të mbarë dikush që ka shkarë e sillet a vepron keq, nis të sillet mirë.
BRÉNG/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Mëllë, bullungë që u del njerëzve e kafshëve; shenja që lë në trupin e tyre. Me duar plot brenga e kallo.
2. Gjurmë plage që mbetet në lëkurë si shenjë nga një prerje etj.; mbresë; shenjë që mbetet si gungë në trup të bimëve, pasi është mbyllur një prerje, një gërvishtje etj. Kishte një brengë në faqe.
3. mjek., veter. Sëmundje e rëndë ngjitëse, zakonisht te të vegjlit, që shfaqet me pezmatimin e grykës, të mukozës së fytit e të hundës; bised. fyti i keq, grykët e bardha, gryka e keqe, gryka e ligë; difteria. E ka zënë brenga. Të daltë brenga në fyt! (mallk.).
BË/J vep., ~RA, ~RË 1. kal. Përgatit, prodhoj diçka, duke përpunuar një lëndë; ngre a ndërtoj diçka, duke përdorur sende të tjera, pjesë të ndryshme etj.; gatit diçka me punë, me duart e mia ose duke përdorur një vegël, një makinë a një mjet tjetër; kund. zhbëj. Bëj bukë (gjellë, një ëmbëlsirë). Bëj drekën (darkën). Bëj tjegulla (tulla). Bëj gëlqere (qymyr). Bëri raki (verë, birrë). Bën çimento (letër, sheqer). Bën pëlhurë (qilima). Bën këpucë. Bëj çorape. Bën folenë (zogu). Bëj mur. Bëri një qerre (një tryezë). Bëj një fyell. Bënë shtëpi. Bëj një zjarr. Qysh në fillim duhet t'i bënim disa gjëra dhe të zhbënim disa të tjera. Bëj atë që duhet, mos vështro se ç’thuhet. (fj. u.).
2. kal. Krijoj një vepër arti, një vepër shkencore etj.; hartoj, shkruaj, përpiloj. Bëj një vjershë (një këngë). Bëj një roman (një tregim, një dramë, një hartim, një letër, një raport). Bëj një fjalor (një studim). Bëj një vizatim (një pikturë, një karikaturë, një portret). Bëj një monument (një statujë). Bëj një film. Bëj programin. Bëj një plan.
3. kal. Merrem me diçka, kryej një punë a një veprim, veproj; zhvilloj një veprimtari të caktuar politike, ekonomike, kulturore, sportive etj.; zgjidh një çështje, plotësoj një detyrë; kryej; punoj, realizoj. Bëj punë. Bëj detyrën. Bëj rojë. Bëj mësim. Bëj gjimnastikë (stërvitje, ndeshje). Bëj operacion. Bëj kërkime (studime, eksperimente). Bënte tregti. Bënte kontrabandë. Bëri pazarin. Bëj një problem (një ushtrim). Bën xhiro (fin.) shet mallin a qarkullon paratë. Mirë e bëre. - Ç'po bën? S'bën asgjë. Bëj shumë për dikë. Bëj të pamundurën. Bëj çmos. Ka (mbetet) shumë për të bërë. - Ç'bën këtu? - S'ke ç'bën! - Ç'do të bësh nesër? Duhet bërë diçka. S'bën gjë pa pyetur. S'bën gjë tjetër veç... Ç'thotë, bën. - Mendohu mirë, pa bëje. Bën zakonin. Me të parë e me të bërë si të vijë puna, si të shohim kur t'i vijë koha, shohim njëherë e pastaj veprojmë. Me të thënë e me të bërë veproj menjëherë, pa u vonuar. Bëj atë që duhet, mos vështro se ç'thuhet (fj.u.).
4. kal. Hap një vrimë, një gropë etj., çel (duke gërmuar a duke mihur dheun etj.); çaj. Bëj një hendek (një kanal, një llogore, një transhe). Bënë themelet. Bëj gropa. Bënë një vrimë (një pus, një tunel). Bëj qilizmë. Bëj një vijë uji. Bëjnë rrugë. E bëj të ngushtë (të thellë).
5. kal. Organizoj e zhvilloj diçka; marr pjesë në një ngjarje, në një veprimtari a në një punë. Bëj dasmë (festë). Bënë mbledhje. Bëjnë gara. Bënë një kongres (një konferencë). Bënë grevë (demonstratë). Bëjnë komplote (intriga). Bën manovra. Bëri gjyq. Bëri luftë.
6. fig., kal. Ngre, kurdis, vë; i punoj diçka. I bëri pritë (pusi, një grackë). I bëri një lojë (një marifet, një rreng). I bëri hile. Ia bëri me të pabesë. Ia bëri me qëllim (enkas, kastile, për inat). - Mirë ia bëre! - Ta bën prapa krahëve.
7. kal. Lyej diçka me një lëndë; zë diçka me një lëndë; fëlliq, përlyej me diçka, ndot, ndyj. Bëj murin me gëlqere. Bëj këpucët me bojë. Bëj plasat me allçi (me baltë). Bëj bukën me gjalpë. Bëj plagën me jod. Bëj me ilaç. Bëri buzët me të kuq. Bëj me pudër. E bëri me njolla (me pluhur). Bëj mjekrën me shkumë sapuni. I bëri duart me blozë. Bëri flokët me këna. I bëri duart me gjak.
8. kal. Veproj mbi një njeri, mbi një kafshë a mbi një send, duke i lënë një shenjë, një gjurmë, një mbresë etj. I bëri një plagë (një xhungë). I bëj një shenjë në krah (në kurriz). I bëj një të çarë. Bën vijë. Bëj një vijë me laps. I bëj një kllapë drurit. Më bën përshtypje.
9. kal. Kryej një lëvizje; lëviz, zhvendosem në një drejtim, eci drejt një pike, ia mbaj nga... Bëj një lëvizje. Bëj prapa (përpara, djathtas, majtas, anash). Bëj mënjanë (më tutje). Bëj dy hapa. Bëj një rrotullim (një kërcim, një fluturim). Bëj tatëpjetë (nga dera, drejt shtëpisë). Treni bëri përpara. - Nga bëri? Bëj shenjë me dorë. Ia bëj me gisht (me kokë).
10. kal. I nënshtrohem një veprimi; kryej diçka që lidhet me mua, duke iu nënshtruar një veprimi a një procesi; veproj mbi dikë për diçka, ia nënshtroj dikë një veprimi; përpiqem të ndikoj mbi dikë. Bëj banjë (dush). Bëj gargarë. Bëj një fotografi. I bëj një fotografi. Bëj radioskopi. Bëj banja dielli. Bëj rreze (mjek.). I bëj masazh. I bënë tortura e torturuan. I bën lajka. I bëri kërcënime e kërcënoi. I bëj agjitacion. Bëj punë bindëse me njerëzit.
11. kal. I sjell dikujt një pasojë, i shkaktoj diçka; jam shkaktar për diçka, jam shkaku a burimi i një pasoje. I bëri një të mirë (një të keqe). I bëri të zezën. I bëri një padrejtësi. I bën dëm e dëmton. I bën dobi. Të bën kaps. Më bën mirë (keq). Bënë masakra (kërdinë). Bënë zhurmë (shamatë, rrëmujë). E bëri të lumtur. E bëri me inat (më qejf). E bëri me nerva e nevrikosi. E bëri me turp. - Ai ma bëri këtë! - Çfarë i bënë? - Ç'të bën kjo? S'të bën asgjë. - Çfarë po të bëj? - Më bëni ç'të doni! Bën masë (kontakt) (elektr.).
12. kal. E detyroj ose e nxit dikë të kryejë një punë a një veprim; jam shkaku që... (me një folje në mënyrën lidhore). E bëri të flasë (të thotë, të bërtasë, të heshtë, të qajë, të qeshë, të inatoset, të mërzitet). E bëj të mendohet (të besojë). E bëj të lexojë (të mësojë, të punojë, të vijë). E bën të rritet (të zhvillohet). E bëj të përparojë (të ecë, të ngrihet). E bëj të fluturojë. E bën të dërsijë.
13. bised., kal. Pajis me diçka, i jap a i sjell diçka, i siguroj që të ketë diçka, i gjej, i rregulloj. E bënë me shtëpi. E bëri me shkollë (me zanat). E bëri me orë (me biçikletë). I bëri një nuse.
14. kal. I jap dikujt një detyrë, një gradë a një titull, e emëroj, e caktoj në një punë; e quaj, e trajtoj, e paraqit ose e vlerësoj; e marr për... E bëj minator djalin. E bënë kryetar (drejtor, përgjegjës, brigadier). E bëj mik (shok). E bëj timin. E bëj si të shtëpisë. E bëri dhëndër (bir në shpirt). E bëri nënë. E bën veten të zgjuar. Të bën për budalla. E bëjnë të marrë. E bëri (për) qorr. E bënë për të vdekur e quajtën, e kujtuan për të vdekur.
15. kal. E kthej në një gjendje tjetër, e shndërroj; jap një cilësi, një veti a një pamje të caktuar, i jap cilësitë a tiparet e dikujt a të diçkaje tjetër; e paraqit diçka si dua unë a si mendoj unë, duke e ndryshuar. E bëj të butë (të fortë). E bëj të lehtë e lehtësoj. E bëj të bardhë (të zi, të verdhë). E bëj të gjatë e zgjat. E bëj të gjerë e zgjeroj. E bëj të shkurtër e shkurtoj. E bëj të madh e zmadhoj. E bëj të vogël e zvogëloj. E bëj të lëmuar (të rrumbullakët). E bëj pjellor. E bëj të shkathët. E bën qesharak. E bëj qumështin kos (djathë). E bën ujin akull. E bëj mishin qofte. I bëri paratë mall. I bëj qepët varg. I bëj flokët gërsheta. Ia bëri kokën tullë (rrikë) e qethi shumë shkurt. E bëj fillin lëmsh. E bëj zyrë. E bëj shtëpi banimi. E bëri koloni. E bënë rob. Ky kostum të bën të ri. E bëri zakon (ves). E bëri çështje (problem). E bëri mishmash. E bëri monopol e monopolizoi. E bëj flamur e kthej në një simbol. E bëri histori (legjendë) e mori nëpër gojë. E bëri rrëmujë (han, pazar). E bëri lesh e li e pështjelloi, e ngatërroi. E bëri shesh. E bëri gardh e ktheu në një pengesë. E bëri rrafsh (lëmë, lëndinë, bar) e shkatërroi krejt. E bëri thërrime (pluhur, përshesh). E bëri pulë (qengj) e zbuti, e urtësoi, e shtroi, e nënshtroi. Ia bëj të lehtë ia lehtësoj; ia paraqit të lehtë. Ia bëri të mbaruar ia paraqit si të mbaruar një punë. E bën buall diçka e fryn tepër. Ia bëri jetën pus (skëterrë, varr) ia bëri jetën shumë të rëndë, ia nxiu jetën. E bëri ditë e ndriçoi shumë. E bëri natë e errësoi shumë. Bëje ç'të duash!
16. jokal. Pjell, lind; vet. v. III jep prodhim, prodhon, lëshon, nxjerr. Ka bërë dy fëmijë. Bëri vajzë (djalë). Bëri binjakë. Djali ynë sorkadh shullëri, / Lum nëneja që e bëri! (folk.). Bëri viç (lopa). Bëri dy qengja (delja). Bën vezë (pula). Bën qumësht. Bën mjaltë. Bën grurë (ara). Bën farë (kokrra, gjethe, lule, rrënjë). Bën shumë (pak). Sivjet bënë mollët (ullinjtë, qershitë...) prodhuan shumë. S'bëjnë dardhat në shënëndre. (fj. u.).
17. kal., vet. v. III Nxjerr nga vetja, lëshon, jep; jashtëqit. Ullinjtë bëjnë vaj. Bën djersë (lëkura). Bën qelb (plaga). Më bëjnë lot sytë. Bën tym. Bën erë. Bën dritë (xixa, hije). Bën bajga. Bën ujët (nevojën).
18. edhe jokal., kryes. v. III Nxjerr një zë a një tingull, bën një zhurmë të caktuar. Bën mu (lopa). Bën ciu (zogu). Bën be (delja). Bën mjau (macja). Bën guga gugat. Bën çak (bam, plluq). Bëri hi-hi-hi. Bëri oh! Më bën veshi piu. Bën si gjel (si mace, si qen). Bëri çak pushka nuk shkrepi.
19. kal. Nxjerr me punë a me një mënyrë tjetër, siguroj; fitoj. Bëri para (pasuri). E bëjmë bukën vetë. E bëri misrin për gjithë vitin. I bënë drutë për dimër.
20. bised., kal. Shpreh me fjalë, them; përgjigjem. Bën amin (përçm.) pranon pa kundërshtuar, pajtohet me dikë e i shkon pas avazit.
21. bised., kal. I paraqit a i parashtroj dikujt një kërkesë, një lutje etj.; i dërgoj, i jap, i drejtoj. I bëj lutje (kërkesë). I bëj një ftesë. I bëj një urim. I bëj një pyetje. I bëj një letër (një telegram). I bëj një raport. I bëj të fala. Bëj thirrje. Bën urdhër i jep urdhër dikujt.
22. bised., kal. Përgatit duke peshuar a duke i ndarë dhe ia jap dikujt; ndaj. I bëj dy kile mollë (patate, djathë). I bëj dy metra basmë (stof). I bëj pjesë dikujt i ndaj më vete e i jap pjesën që i takon. I bëj një akullore (një konjak, një ëmbëlsirë). E bëri më dysh (më katërsh, në pesë copa).
23. edhe jokal. Jam i zoti ose i aftë të kryej një punë, kam mundësi të kryej një detyrë a të zhvilloj një veprimtari; ia dal mbanë, ia arrij, jam në gjendje të përballoj diçka. E bëj këtë punë. Bën çdo gjë. Nuk e bëri dot. E bëj vetë (me forcat e mia). E bëri mirë e shpejt. Bëj edhe pa të. Bëj edhe pa ngrënë. S'bën njëri pa tjetrin. S'bën dot pa syze. - Ti qofsh si bën!
24. zakon. me moh., jokal. Është në gjendje të punojë, të veprojë a të lëvizë, punon (për organe të trupit të njeriut); kam fuqi, vullnet a dëshirë të kryej një veprim (edhe fig.). S'më bëjnë sytë. S'i bën koka.
25. kal. Përshkoj një rrugë a një vend, kaloj një hapësirë; udhëtoj me një mjet; kryej një punë a një lëvizje (në një masë ose në një numër të caktuar). Bëj një rrugë. Bëj gjysmën e rrugës. E bëj më këmbë (me tren, me biçikletë). Bën pesëdhjetë kilometra në orë. Bën dyqind rrotullime në minutë. Bën katër rrugë në ditë. Bëjnë udhë lopët, shkon edhe ai. (fj. u.).
26. kal. Kaloj një kohë (disa ditë, disa muaj etj.); mbush a plotësoj një kohë; kaloj. Bëj pushimet në plazh. Bëj lejen. Bëri dyzet vjet. Po bën motin. Bëra dy orë që kam ardhur. Bëri ca kohë. Bëri dy muaj në fshat. Bëj dy orë mësim. Bëj një jetë të rregullt. S'e ka bërë muajin. - Bëfshi natën e mirë! (ur.).
27. bised., kal. Kryej një detyrë a një punë në një kohë të caktuar; e përfundoj një punë; ndjek, vijoj; mësoj. Ka bërë shkollë. Studimet i ka bërë në Universitetin e Tiranës. Bëj klasën e parë (vitin e fundit). Bëra një kurs kualifikimi. Bëj praktikën (stazhin). Bëj ushtrinë. Bëri kurbetin. Bëj gjuhë (gjeografi, letërsi...).
28. kal. Formoj diçka me një tjetër a me të tjerë, krijoj një të tërë; vet. v. III përbën a jep një të tërë; del si përfundim, është baras. Bën një të tërë. Bënë një shoqëri. Bëjnë shumicën. Bën rrokje. Njëqind centimetra bëjnë një metër. Njëqind kilogramë bëjnë një kuintal. Shtatë ngjyrat kryesore bëjnë ylberin. Dy dhe dy bëjnë katër.
29. kal., vet. v. III Merr një trajtë tjetër, formon duke u ndryshuar. Bën kthesë (rruga). Bën bërryl (lumi). Bën hark (muri). Bën lak. Bën dredha. Bën rrudha (pala). Bën xhep. E bën numrin shumës (gjininë femërore...). (gjuh.).
30. kal. Merrem vesh a lidhem me dikë për të kryer një punë, lidh; vendos së bashku me dikë për të bërë diçka, vendos. Bënë marrëveshje. Bëri kontratë. Bëri paqe. Bëj miqësi (krushqi). S'bëj pazarllëk. E kemi bërë të nisemi nesër. E bënë me besa-besë lidhën besë. Bëri benë.
31. edhe jokal. Sillem a veproj në një mënyrë të caktuar. Bëj si më thotë zemra. Bëj si më urdhërojnë. Bëj si të duash. Bën me kokën e tij (sipas kokës). E bëri me (pa) dashje. - Si t'ia bëjmë? Bën si në shtëpinë e vet. Bën si fëmijë (si i marrë). Bëj si mik. - Mirë e bëre! Bën mirë të vish. S'bëri keq që erdhi. - Ç'të bësh! S'ke bërë mirë. - Bëj si të bësh! S'di ç'bën. Nuk bën ashtu! nuk është mirë të sillesh ashtu! Bën sikur...shtiret, vepron sikur... - Ç'do të bësh me djalin? - Ç'do t'i bësh djalit? si do të veprosh me djalin? - Ç'do të bësh me syzet? - Ç'do t'i bësh syzet? si do të veprosh me syzet? - Si t'ia bëj hallit?
32. fig., kal. Kryej një veprim që zakonisht lidhet me karakterin, me sjelljen, me qëndrimin e me botëkuptimin e njeriut etj. Bëri trimëri (heroizëm). Bëj sakrifica. Bën mrekulli. Bëri marrëzi. Bëri faj (krim). Bënte turpe. Bëri një budallallëk (një proçkë). Bëri një dredhi. Bënte palaçollëqe. Bëj shaka. Bënte aventura. S'bën lëshime (hatëre, dallavere, hile). Bënë të nëntëdhjetenëntat bënë të gjitha të këqijat. Bën numra (bised.).
33. kal. Më përgatit diçka dikush e ma jep; porosit dikush diçka për mua; kryen një punë për mua, më mbaron një punë. Bëj një palë rroba (një kostum, një pallto) te rrobaqepësi. Bëj një palë këpucë (te këpucari). Bëri flokët u dha formë flokëve te floktari (për gratë).
34. bised., jokal., vet. v. III Kushton, vlen; hyn në punë për diçka, përdoret për diçka; është i përshtatshëm a i vlefshëm. - Sa bën? - Sa para bën? Bënte shtrenjtë (lirë). Bën njëqind lekë. S'bën asgjë. Nuk bën për zyrë. S'bën për të fjetur. Nuk bën për pantallona ky stof. Ky miell bën për petë. S'bënte ai për atë vajzë.
35. jokal., vet. v. III Është mirë, është e lejueshme, lejohet. - A bën të hyj? - A bën ta di? - S'bën kështu! Bën, s'bën... - S'bën ta thuash! - Pse s'bën?
36. jokal., vet. v. III Më nxë, më vjen sipas masës (për rrobat, këpucët etj.). Më bëjnë këpucët (rrobat). S'më bën kapela. S'më bën unaza. S'i bën çelësi kësaj brave. S'i bën kapaku. S'i bën tapa. Ky xham s'i bën.
37. vet.v. III Ka, është (për kohën, për kushtet atmosferike ose të mjedisit); mban një mot i caktuar. Bën ftohtë (nxehtë, vapë). Bën ngricë (acar, ciknë). Bën të ftohtë i madh. Bën butë. Bën thatësirë (lagështi, mjegull, ufëm). Bën erë (furtunë). Bën kohë e mirë (e keqe). Bën diell. Ka bërë dimër. Bën det ka shumë dallgë, ka shtrëngatë në det.
38. kal. Përdoret së bashku me emra (kryesisht prejfoljorë) ose me fjalë të tjera dhe formon togje të qëndrueshme që kanë në përgjithësi kuptimin e foljeve me të cilat lidhen pjesët e dyta të këtyre togjeve. Bëj barazim barazoj. Bënë bastisje bastisën. Bëj be betohem. Bëj çudi çuditem. Bën dashuri dashuron; dashurohet. Bëri deklaratë deklaroi. Bën dritë ndriçon. Bëj durim duroj. Bëj klasifikimin klasifikoj. Bëj krahasimin krahasoj. Bëj krasitje krasit. Bëj kursim kursej. Bëj lajmërimin lajmëroj. Bëj lidhje lidh. Bëj llogari llogarit. Bëj marshim marshoj. Bëj matje mat. Bëj ndreqje ndreq. Bëj ndryshime ndryshoj. Bëj not notoj. Bëj paralajmërim paralajmëroj. Bëj përpjekje përpiqem. Bëj plaçkë plaçkit. Bëj plehërimin plehëroj. Bëj një premtim premtoj. Bëj pritje pres. Bëj qitje qit. Bëj shëtitje shëtit. Bëj shitje shes. Bëj shkelje shkel. Bëj ujitjen ujit. Bëj vëzhgime vëzhgoj. Bëj vrojtim vrojtoj. I bën dredha i dredhon. I bënë gjyqin e gjykuan. I bëj nder e nderoj. Ia bëj ngarkim ia ngarkoj. I bëj qëndresë i qëndroj. I bëj stivë i stivoj. I bëj shërbim i shërbej. Bëj përpara përparoj. Bëj pastrimin pastroj. Bëj bashkë (tok) bashkoj. Bëj gati gatit. Bëj palë palos. Bëj rrafsh rrafshoj. Bëj shesh sheshoj. E bëj të njohur (të ditur) njoftoj.
39. Përdoret si folje gjysmëndihmëse së bashku me një folje tjetër, me kuptimet “nis, zë, filloj, marr të...; përpiqem, matem”. Bëj të ngrihem. Bëj të dal. Bëj të flas. Bëj të marr. Bëj ta kap (ta zë).
✱Sin.: arrij, caktoj, çaj, çel, dal, detyroj, dërgoj, drejtoj, emëroj, fëlliq, filloj, fitoj, formon, gatit, gjej, hartoj, heq, jep, jashtëqit, ka, kaloj, krijoj, kryej, kthej, kurdis, kushton, lejohet, lëshon, lëviz, lidh, lind, lyej, marr, matem, mban, mbaroj, mbush, merrem, mësoj, ndaj, ndërtoj, ndjek, ndot, ndyj, ngre, nis, nxë, nxit, nxjerr, organizoj, pajis, paraqit, parashtroj, përdoret, përfundoj, përgatit, përgjigjem, përlyej, përpiloj, përpiqem, përshkoj, pjell, plotësoj, pranohet, prodhon, punoj, qep, qit, quaj, realizoj, rregulloj, siguroj, sillem, sjell, shitet, shkakton, shkon, shkruaj, shndërroj, shpik, trajtoj, them, udhëtoj, vendos, veproj, vete, vë, vij, vijoj, vlen, vlerësoj, zë, zgjidh, ziej, zhvendosem, zhvilloj.
♦ *Aq më bën! E bëri *akull (dikush). E bëj *alarm (diçka) libr. I bëj *autopsinë (dikujt a diçkaje) libr. Bën *baltë (dikush) tall. S’të bën *baltë (diçka). I bëj *ballë (dikujt a diçkaje). Bëri (dha) *ballë (dikush). Ia bëri *bam (dikush). Nuk ia bën *të bardhë (dikujt). Bën *bark. E bëri *barut (diçka). E bëri (e nxori) *batall (dikë). E bëri (e vuri) *batbat (dikë). Bëj *be. Ia kam bërë *benë (dikujt). Bën *beh (dikush a diçka). E bëj *beh (për diçka). Ia bëj *behun (diçkaje). S’ia bëj *beh (dikujt). Ia bëri *bela (dikujt). Bëj si bëj ia dal mbanë në një farë mënyre, përpiqem dhe arrij diçka me ato mjete a mundësi që kam, ia dal disi; vij rrotull. Bën ç’bën (dhe...) (dikush). 1. Përpiqet sa përpiqet dhe...; merret me diçka sa merret dhe...; vendos më në fund, vepron. 2. Përsërit një veprim herë pas here, një më dy dhe...; sillet nga sillet. Bëj si të bësh rregullohu vetë a bëj sipas kushteve e mundësive që ke, përpiqu t’ia dalësh në krye a ta përballosh diçka si të mundesh. Bërë e pa bërë si të jenë, ashtu siç janë, edhe nëse nuk janë bërë. E bëri *bërllok (dikë a diçka). E bëj *bërnut (diçka). E bëri *bërsi (dikë a diçka). I bën *biografinë (dikujt) keq. Bën *bisht (dikush). I bën *bisht (dikujt a diçkaje). Ia bëri *bletë (dikujt). Ia bëri *bof (dikush). Ta bën *borxh (dikush). E bëj *borzilok krahin. E bëri *brashnjë (dikë) krahin. E bëri (i shpëtoi) në *brekë (dikush) përb. vulg. Bëri *bujë (diçka). E bëri *bujë (diçka). Bëj *bukën. I bëj *buzë (diçkaje). E bëri *byk (diçka a dikë). I bën *cepa (dikujt). E bëri *copë (dikë a diçka). Nuk e ka bërë *çak (dikush). S’bëj *çap (për diçka). Bëj *çare vjet. E bëri *çeçe (dikë a diçka). E bëri *çeço (dikë). E bëri *çerekë (dikë a diçka). Ka shkuar për të bërë *çerepë (dikush) mospër. E bëri (e qiti) *çirak (dikë) vjet. Bëj *çmos. E bëri *çorap (diku a diçka). E bëri çorbë (diçka). Bëj *çudi. E bëj *dalje (diçka) shaka. Bëj *dasmë. E bëri *daulle (dikë) përçm. E bëj *def (dikë). I bëj *derman (dikujt a diçkaje). Bëri *detin (për dikë). E bën (e çon, e hedh) *dëm (diçka a dikë). E bëri ditë (diku). S’i ka bërë *ditët (dikush), edhe mospërf. I bën *djepin (dikujt). S’më bën *dora. S’më bëjnë *duart (për diçka). Ia bëj me *dorë (dikujt a diçkaje) iron. Bën *dredha (dikush). I bën *dredha (dikujt a diçkaje). Bën *dritë (dikush). E bëj *dritë (diçka). Bëj *durim. E bëri për *dyshek (dikë). E bëri *dhallë (diçka). Bëri *emër (dikush). Bëri *epokë (dikush a diçka) libr. Bën *ferk (dikush). E bëri *feta (dikë a diçka). E bëri *fërtele (dikë a diçka). Bën *figurë (dikush) libr. Na bëri *finjë (dikush) keq. Bëj *fjalë (për dikë a për diçka). I bëj (i çoj) *fjalë (dikujt). E bëri me *fjalë (dikë). E bëj me *fjalë (me dikë). S’bën *fjalë (dikush). S’e bëj për *fjalë (diçka). E bëj *fli (dikë a diçka). Bën (ngre, gjen, zë) *fole (diçka). Ia bëri *fora (dikush). E ka bërë *fshesë (dikë) mospërf. E bëri *fugë (diçka). Bëri *furtunë (dikush). E bëri *fushë (dikë). E bëri *fyt (diçka). E bëri *gajde (dikë). Bëj *gallatë (me dikë). S’bën *gëk (as gëk, as mëk) (dikush). E bëri *gërshet (diçka). I bëri *glasën (diçkaje). Ia bëri *gogël (dikujt). Ma bëri *gogol (dikë a diçka). S’më bën (s’më vete) *goja. Të bëfsha (të hapsha) *gropën! mallk. Ia bëri (i hapi) *gropën (dikujt). Bëri *gurgulenë (dikush) bised. Bëri *gjak (dikush). E bëri *gjak (diçka). S’e bëri *të gjatë (dikush). S’ia bëri *të gjatë (dikujt). S’e bëri *gjatë (dikush). Si bëri e gjeti (dikush) e pësoi, vetë e kish fajin. *Gjen pa bën (dikush) keq. Bëri *gjëmën (dikush). Të bëfsha *gjëmën! mallk. Të bën *gjëmën (dikush). Nuk më bëjnë (nuk më punojnë) *gjunjët. Bën *gjumë (dikush). Bëj *gjyq (me dikë). S’bën *hair (dikush). E bëri *hak (dikush). Bëj *hall. Ia bëri *hallall (dikujt) bised. Të bëfsha (të ndafsha, të ngrënça) *hallvën! Ia bëri *haram (dikujt) vjet. Bëri *hatanë (dikush). I bëj *hatrin (dikujt). E bëri *hi (e pluhur) (diçka). I bëj *hije (dikujt). Nuk i bën *hije (askujt). Mos na bëj *hije! shak. Ia bëri me *hile (dikujt). E bëri *hirrë (diçka). Ia bëri *hyrje (dikujt) shaka. bised. Ia bëj *hyzmetin (diçkaje). E bëri për *ibret (dikë). I bën *iso (i mban ison) (dikujt) keq. I bëj *jehonë (diçkaje). Bëj *jetë. E bëri *kacek (dikë). E bëri *kalldrëm (diku) përçm. Ia bëri *kalldrëm (dikujt) thjesht. *Kam të bëj (me dikë). S’më bëjnë *këllqet. Bën *këmbë (dikush). Ka bërë *këmbë (diçka) iron. Nuk më bëjnë *këmbët. Bëri *kiametin (dikush). Ia bëri *koka (dikujt). I ka bërë *kokën (kryet) (dikujt). Bëj *konak (te dikush a diku) vjet. E bëri (e la) *kopan (dikë) bised. Bëri *krah (diçka) iron. E bëj me *krahë (dikë). S’kam bërë *krushqi (me dikë). I ka bërë kryet (*kokën) (dikujt). Bëri *kthesë (dikush) libr. E bëj *kurban (dikë a diçka). I bën (i jep) *lak (dikujt a diçkaje). E bëri *lakër (diçka a dikë). E bëri *lakror (dikë a diçka). Bën *laradashë (dikush). Bën (shkon) *lart (dikush a diçka). E bëri *leckë (rreckë) (dikë). E bëri *legen (dikë). E bëri *legjendë (diçka) libr. E bëri për *lemzë (dikë). E bëri *lepur (dikë). E bëri *lerë (dikë a diçka). E bëri për *lesë (dikë). E bëri *lesh (diku a diçka). E bëri *lëkurë (për në lëkurë) (dikë) bised. E bën *lëmë (dikush). E bëri *lëmë (diçka a diku). Ia bën *lëmë (dikujt). E bëri *lëmsh (diçka). E bëri *lëndinë (diçka). E bëri *lëvere (dikë). E bëri *lëvozhgë (dikë). Bën *ligjin (dikush) keq. E bëri litar (*tërkuzë) (diçka). E bën *livadh (diçka). Bën *lodra (dikush). Bën *lojë (me dikë). Bën (luan) *lojën (e dikujt). E bëri *lolo (dikë). E bëri *lule (dikë). Bëri *llafe (me dikë). E bënë me *llaf. E bëri *lloç (diçka a dikë). E bëri *llum (diçka a dikë). E bëri *të madhe (bëri të madhen) (dikush). I ka bërë *magji (dikujt). Bën *majë (diçka). Ia bëj me *majë (dikujt). E bëri (e zuri) *mat (dikë) libr. Bëj *mend. E bëj me *mend (për diçka). U bëfsh një *mëhallë! ur. Bën *mu (diçka). I bëj *naftën (diçkaje) vulg. Bën *namin (dikush). Bën *naze (dikush). I bën *naze (diçkaje). I bëj *nder (dikujt). S’e bën (më) *nëna (dikë). Si e ka bërë (e ka lindur) *nëna. E bëri *nuse (dikë). Bën *njërën (dikush). S’e bëj për *osh (dikë). E bëri *paçavure (dikë a diçka). Ma bëri *pajë (dikë a diçka). E bëri *palaço (dikë). E bëri *palë (dikë a diçka). Bëj *pallë. E bëri *pambuk (dikë). Ia bëri *paq (dikujt). Sa *para bën! E bëj *pasqyrë (diçka). E bëj *pastërma (diçka) tall. E bëri *patështinë krahin. (dikë a diçka). Bëj *pazar (me dikë). Ia bëri *pe (dikujt). E bëri *pelte. Më bëri *pellg (dikush a diçka). S’të bën për *pesë (dikush). E bëri *pestil (dikë). E bëri *peshk (dikë) bised. Ma bëri (ma la) *peshqesh (dikë a diçka). E bëri *petë (dikë a diçka). Ka bërë (ka çarë) *përpara (dikush). Bën (shkon) *përpjetë (dikush). S’të bën *përse (dikush). S’ia bën dot *përsipër (diçka). E bëri *përshesh (diçka). E bën *përrallë (diçka). Bëj *pjesë. E bëri *pleh (dikë). Shkoi për të bërë *ponica (dikush) iron. Bën (shkon) *poshtë (dikush a diçka). Ka bërë *prapa (dikush). E bëj *problem (diçka) libr. S’bën *prokopi (dikush). Ia bëri *puc (dikujt) krahin. Bëj *qejf. I bën *qejfin (dikujt). E bën *qorr (dikë) keq. Më bëri *qull (dikush a diçka). I bëj *radhë (dikujt). Sa për të bërë *radhën. E bëri *retra (diçka a dikë). E bëri *rezil (dikë) bised. I ka bërë *rradaken (dikujt). bised. E bëri rreckë (*leckë) (dikë). Ia bëj *rrethin (dikujt a diçkaje). E bëj *rreze (diçka). Bën *rrugë (udhë) (diçka). Ia bëri pa *rrugë (dikujt). Bën (mban) *sehir (dikush) keq. Ia bëri *skëterrë (jetën) (dikujt). Më bëjnë *sytë. Ma bën me *sy. E bëj me *shëndet (diçka). E bëri *shi (diçka). I bëj *shurrën (diçkaje) përçm. vulg. Bëj *timen (diçka). Bën udhë (*rrugë) (diçka). E bëri *rrugë (udhë) (dikush). E bëri *sallatë (diçka a dikë). I bëj (i jap) *strehë (dikujt). E bëri *sukull (dikë) krahin. Bëri *shamatë (për diçka) vjet. E bëri për *shkalc (dikë). *Shohim e bëjmë. E bëri *shoshë (diçka). E bëri *shportë (diçka). I bën *shteg (dikujt a diçkaje). Ia bëri *shtëllungë (dikujt). Ia bëri *tetën (dikujt) keq. vulg. E bëri *tërkuzë (litar) (diçka). Bëj *toka (me dikë). Bëri *tufan (dikush). E bëri *tul (dikë) tall. Nuk bën *tutje (dikush). E bëri *tym (diçka). Bëj *theror (dikë a diçka). E bëri *thëngjill (diçka). Bën udhë (*rrugë) (diçka). I bëj (i lëshoj, i hap) *udhë (rrugë) (dikujt). E bëri udhë (*rrugë) (dikush). Bëj *udhë. Më bëri *ujë (dikush a diçka). E bëj *ujë (diçka). E bëri *usta (dikë). Bëj *vaj (për dikë a për diçka). Bën *vaki vjet. Më bën *vapë (dikush) shpërf. Ia bëri *vapën (dikujt). Ia bëri (i hapi) *varrin (dikujt). Të bëfsha *varrin! mallk. E ka bërë *vazhdë (diçka). E bëri për *vdekje (dikë). E bëri (e la) *të vdekur (dikë). Bëri *vend (diçka). Ia bëj *verë (diçka). Më bëjnë (më gënjejnë) *veshët. S’e bëj *veten. Më bëri për *vete (dikush). Sikur e ka bërë *vetë (një fëmijë). Ia bëri *vëng (dikujt). E bëri për *vig (dikë). E ka bërë *vijë (diçka). Më bëri *vrer (dikush a diçka). Bën *xixë (dikush). E bëj *xixë (diçka). Më bëri *xurxull (dikush a diçka). E bëj *xham (diçka). E bëri *zap (dikë a diçka). Bëj *zemër. S’më bën *zemra (për diçka). I bëj *zë (dikujt). S’bën *zë (dikush). S’e bëj për *zë (diçka). E bëri *zhele (diçka a dikë). Bën *zhibla (dikush). E bëri *zhubël (dikë). Bëri *zhurmë (dikush a diçka).
DÁMK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Shenjë që mbetet në lëkurën e një njeriu a të një kafshe nga një sëmundje, nga një plagosje etj.; shenjë që u bëhet kafshëve, drurëve etj. në lëkurë për t'i dalluar nga të tjerët; shenjë në trungun e një druri nga një goditje. Damkat e sëmundjes. Fytyrë (trup) me damka. U vuri nga një damkë deleve. Preu drurët me damkë.
2. Vegël e posaçme prej metali, që përdoret për të shënuar a për të damkosur. I damkosi me damkë. E skuqi damkën në zjarr.
3. fig. Njollë e turpshme që i vihet dikujt a diçkaje për ta poshtëruar, për ta dënuar përpara të tjerëve; njollë e keqe që i vë vetes dikush me sjelljen e vet e me veprimet që bën; nam i keq. I vunë damkën e tradhtarit (e spiunit).
✱Sin.: shenjë, mbresë, vulë, dangë, njollë.
♦ Është me damkë (dikush) është i njohur nga të gjithë si i keq, ka fituar nam shumë të keq; iu vu bala (dikujt). I vuri damkën (dikujt) e njollosi, e poshtëroi para të tjerëve; i vuri njollë.
EFÉKT,~I m. sh. ~E, ~ET libr.1. Pasojë a rrjedhim që vjen nga një shkak; ndikimi a dobia e diçkaje. Efekt i fuqishëm (i dobët). Efekt qetësues. Efektet anësore. Efekti serrë. Efekti i mjedisit ku jeton. Efekt i padëshiruar. Bari (ilaçi) i bëri efekt.
2. Përshtypje a mbresë që lë diçka. Nuk shkakton asnjë efekt. Nuk i bëri efekt fare këshilla.
3. zyrt. Qëllim, pikësynim. Kategoritë e punonjësve për efekt të deklarimit. Për efekt të llogaritjes së kontributeve. Bëhet për efekt të kategorizimit.
✱Sin.: pasojë, rrjedhim, ndikim, dobi, përshtypje, mbresë, qëllim, pikësynim.
GJÚRM/Ë,~AI f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Shenjë që lë shputa e këmbës së njeriut ose thundra a putra e kafshëve; shenjë mbi diçka nga prekja nga një goditje, nga diçka që lëviz a që rrëshqet etj. Gjurmë të reja. Gjurmë këmbësh. Gjurmë kali. Gjurmët e rrotave. Shkoi pas gjurmëve. Gjurma e kërmillit.
2. Shenjë, njollë etj., që ngel mbi sipërfaqen e diçkaje nga prekja e një lënde ose nga shtypja e një sendi; diçka që ka mbetur në sipërfaqe prej një lënde. Gjurmët e gishtave. Gjurmët e goditjeve. Gjurmët e lagështirës. Gjurmë gjaku. Gjurmët e avionëve reaktivë. Mbledh këmbët për të fshehur gjurmët bëj gjoja sikur tërhiqem ose sikur pendohem për të fshehur veprimet e këqija.
3. kryes. sh. Shenja të veçanta, që dëshmojnë se diçka ka qenë a gjendet aty; shenja a dëshmi të mbetura nga diçka e së kaluarës; pasojat e një veprimi, e një dukurie etj.; shfaqje e jashtme e diçkaje; gërmadhë; rrënoja. Gjurmët e mineralit. Gjurmët e ujit. Gjurmët e qytetërimit ilir. Gjurmët e tërmetit. Gjurmët e sëmundjes. Gjurmët e lodhjes. Unë them “ja ujku”, ti kërkon gjurmët (kur ke ujkun, mos i kërko gjurmët!) (fj. u.) kërkon të fshehësh diçka që duket fare qartë; kërkon të vërtetën jo aty ku ajo duket qartë, por aty ku ajo mbulohet e errësohet.
4. kryes. sh., fig. Frytet e një veprimtarie; përshtypje, mbresa; rruga ose shembull i mëparshëm që ndiqet nga dikush. La gjurmë në shkencë (në histori). Në gjurmët e rilindësve. E drejtë e gjurmës (etnogr.) e drejtë kalimi vetëm për këmbësorë. E ndjek (e marr) gjurmën mbrapsht e nis keq një punë a diçka tjetër.
5. kryes. sh., bised. Gjurmashka. Një palë gjurmë.
6. Masë gjatësie sa shputa e këmbës, këmbë. Është dhjetë gjurmë.
7. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta që tregojnë lloje bimësh. Gjurmë mushke (lat. Tussilago farfara) bimë barishtore njëvjeçare, që rritet në vende të lagështa dhe përdoret si bimë mjekësore; thundërmushkë. Gjurmë e ujkut zhabinë.
✱Sin.: fërkem, dire, trivë, vragë, mbresë, tragë, vazhdë, ravë, pasojë, përshtypje.
♦ Bie në gjurmë (të dikujt a të diçkaje) e zbuloj dikë a diçka, mësoj se ku ndodhet, e diktoj; i gjej gjurmët (dikujt a diçkaje); i marr gjurmën (dikujt a diçkaje); i bie në erë (dikujt a diçkaje); kund. humbas gjurmët (e dikujt a të diçkaje). I gjej gjurmët (dikujt a diçkaje) shih bie në gjurmë (të dikujt a të diçkaje). I humb (i mbulon, i fsheh) gjurmët (dikush) i mbulon të gjitha shenjat për të mos u zbuluar një veprim që ka kryer, fsheh çdo shenjë, çdo të dhënë etj. që mund ta zbulonte; nuk ia gjen (dot) këmbët (dikujt). I humbi gjurma (dikujt a diçkaje) nuk duket më asgjëkund, nuk është më, nuk gjendet më; i humbi traga; iu shua ylli. Humbas gjurmët (e dikujt a e diçkaje) nuk jam më në gjendje ta ndjek më tej, nuk e di më ku është, shkëputem nga lidhjet me dikë a me diçka; humbas tragën; kund. bie në gjurmë. E kërkoj në gjurmë të kalit (dikë a diçka) e kërkoj gjithandej, nuk lë vend pa kërkuar. Lë gjurmë (të thellë). 1. (diçka). Bën përshtypje (të thellë) diçka; nuk kalon pa u ndier; kujtohet. 2. (dikush). Lë prapa punë e vepra të mira, lë një shembull të mirë për t’u ndjekur; lë mbresa; lë tragë. I marr gjurmën (dikujt a diçkaje) e mësoj se ku ndodhet sipas shenjave që ka lënë, e diktoj se ku është; e ndjek pas për ta zbuluar; bie në gjurmë (të dikujt a të diçkaje); i bie në erë. Ndjek gjurmët (e dikujt) veproj sipas shembullit të dikujt, vijoj punën a veprën e tij, bëj si ai; eci nëpër rrugën që ka shkelur ai; shkel në gjurmët (e dikujt); shkoj (eci) pas gjurmëve (të dikujt). E ndjek gjurmë për gjurmë (gjurmë pas gjurme) (dikë a diçka) shkoj pas dikujt, e ndjek këmba-këmbës e bëj si ai; e ndjek diçka pa iu ndarë; e ndjek në çdo hap; e ndjek hap pas hapi; e ndjek hap për (më) hap. Shkel në gjurmët (e dikujt) shih ndjek gjurmët (e dikujt). Të shkelsha gjurmën! mallk. vdeksh! E shkel në gjurmë (dikë) e do, e respekton shumë dikë; e ka mbi krye e sipër. Sa shkëmben gjurmën (dikush) shumë ngadalë, me hapa të vegjël, sa nuk takon gjurma gjurmën. Shkoj (eci) pas gjurmëve (të dikujt) shih ndjek gjurmët (e dikujt). (U zhduk, humbi) pa lënë gjurmë (dikush a diçka) nuk dihet fare se ku gjendet, nuk dihet se ç’është bërë; u zhduk pa lënë asnjë shenjë, s’mbeti asgjë prej tij a prej saj; nuk i duket (i humbi) boja (diçkaje); s’i duket (s’i gjendet) binaja (dikujt a diçkaje).
HÍJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Hapësirë e errët a me fare pak dritë pas një trupi, që nuk lë të kalojnë nëpër të rrezet e diellit ose të një burimi tjetër drite; mungesë drite ose errësirë jo e plotë pas dikujt a diçkaje që e zë dritën; faqja e errët e trupit në anën e kundërt të ndriçimit të tij. Hija e drurëve (e lisit, e fikut, e arrës). Hija e reve. Në hije të shtëpisë (të mullarit). Bën (lëshon) hije. I bën hije. Hija e njeriut në tokë. Hija e trupit (e kokës, e dorës, e gishtërinjve). Hija e aeroplanit. Hija e një trupi në mur. Gjatësia e hijes. Drejtimi i hijes. Teatër (shfaqje) me hije në perde. E ndiqte pas si hije. Hije e plotë (e gjatë, e shkurtër).
2. Vend me pak dritë, me mungesë të pjesshme të dritës ose gjysmerrësirë, ku zakonisht nuk bien rrezet e diellit, vend që s'e rreh dielli. Hije e madhe (e dendur, e lehtë). Vend (rrugë) me hije. Koni i hijes së një planeti. Gjysmërruzulli i zhytur në hije. Ana në hije e Hënës. Ka hije. Vë në hije. Rri (shtrihet, futet, hyn) në hije. Rritet në hije. Mat temperaturën në hije. Hija e mbrëmjes (e natës). Në hijen e bodrumit (e pusit). Lisit shihi hijen, njeriut shihi mendjen. (fj. u). Njeriu matet me mençurinë dhe dijen e tij, ndërsa një objekt me funksionin që ai jep ose ofron.
3. Figurë e paqartë e një njeriu ose e diçkaje tjetër në errësirë, pamje e turbullt e dikujt ose e diçkaje në errësirë a në mjegull. Hije e turbullt. Hija e një njeriu. Hija e një shtëpie. Dukej një hije. Lëviznin disa hije.
4. Njollë e errët në diçka, pjesë e errët rreth diçkaje. Hijet e faqeve (e fytyrës). I ka sytë me hije. E ka lëkurën me hije.
5. tek. Figurë e errët që duket në një pjesë të trupit (figura e kockave, e zemrës etj.), kur e shohim me një aparat; vendi ku duket kjo figurë. Hija e mushkërive. Hija e kockave në grafi.
6. art. Njollë e errët a vija që tregojnë pjesët më pak të ndriçuara në një pikturë. Hije e thellë (e lehtë). Dritë dhe hije.
7. fig. Vend i mënjanuar që nuk bie në sy; vend i qetë larg telasheve e kokëçarjeve; pozitë shoqërore pa rëndësi, pa nderime e pa lavdi. Zuri një hije. U struk në një hije. E kaloi (e shkoi) jetën në hije. Doli nga hija.
8. fig. Diçka që ia ul a ia errëson vlerat e meritat e një njeriu, diçka që krijon një dyshim për sjelljen ose për qëndrimin e dikujt, që ia prish a ia njollos emrin e mirë; njollë. I hodhi një hije krijoi një dyshim për të. Bie një hije mbi të. Kjo ngjarje i la një hije. Kishte një hije në biografi.
9. fig. Pamje e një njeriu a e një sendi, ajo që na bie në sy në tërësinë e tipareve të një njeriu a të një sendi dhe na krijon një përshtypje të caktuar; shprehje e gjendjes shpirtërore të trishtuar a të shqetësuar në fytyrën a në sytë e njeriut. Hije e zymtë (e frikshme). Ka hije të rëndë. Mori një hije tjetër. Ka ndërruar hije. Ishte në hije të babait kishte pamjen si i ati, i ngjante t’et. I ra një hije e zezë në fytyrë. Shtëpia kishte hije të keqe (të zezë).
10. Pamje e një njeriu shumë të dobësuar e të tretur nga një sëmundje etj. Ishte bërë hija e vetvetes ishte dobësuar shumë. I ka mbetur vetëm hija është tretur fare, është bërë kockë e lëkurë.
11. fig. Pamje e bukur dhe e mirë e diçkaje; të qenët i hijshëm; hijeshi, bukuri; pamje, dukje. Hija e vashave. Hija e vendit. Duket gjithë hije. Ka marrë hije dhëndri. I ka rënë hije burri. I bëj hije diçkaje e zbukuroj, e bëj të hijshme. I kanë hije rrobat i rrinë bukur rrobat, i shkojnë mirë. Nuk i ka hije të flasë kështu nuk është e hijshme, nuk është mirë të flasë kështu. Shtat e hije, mend asnjë fije. (fj. u.) i bukur dhe i hijshëm, por pa mend në kokë.
12. fig. Vegim i diçkaje, që i duket një njeriu me fantazi të sëmurë sikur e sheh me sy; fantazmë; xhind. Hije e ligë. Hijet e rënda. Hijet e natës. Hija e t’et. Besonte se e ndiqnin (e kishin zënë, e kishin shkelur) hijet. I doli (iu shfaq) hija e të vrarit. I rëntë hija! (mallk.) Vjen si hije vjen befas, vjen papritur.
13. fig. Shfaqje a shëmbëlltyrë e dobët e diçkaje; mbresë e vogël a gjurmë e parëndësishme e diçkaje; gjurmë, përjetim. Hija e së vërtetës. Hije dëshpërimi (trishtimi, shqetësimi, dyshimi). Hije gëzimi. Hijet e së kaluarës. La hije diku a në diçka.
✱Sin.: errësirë, gjysmerrësirë, njollë, pamje, gjurmë, hijeshi, bukuri, dukje, pamje, vegim, vegulli, haluçinacion, fantazmë, shfaqje, shëmbëlltyrë.
♦ U bë hije (dikush). 1. shih u bë kockë e lëkurë (dikush). 2. U përpoq të fshihej që të mos e shihte njeri, u zhduk nga sytë (nga turpi, nga frika etj.). 3. shih tund (luan) derën (dikush). Iu bë hije (dikujt). 1. U lidh ngushtë me një njeri dhe nuk i ndahet asnjëherë; e ndjek hap pas hapi dhe i shërben me besnikëri; iu qep, iu ngjit. 2. E mbron shumë dikë; i bëhet mburojë. Jam bërë me hije dyshoj për gjithkënd e për çdo gjë, më ka hyrë dyshimi a më ka zënë mosbesimi ngaqë më kanë ndodhur ngjarje të papritura e të pakëndshme, ngaqë ma kanë hedhur e ma kanë punuar etj.; ia kam frikën dikujt a diçkaje edhe kur nuk e di ç’do të ndodhë. I bëj hije (dikujt). 1. E vë dikë brenda në një vend, e mbyll diku; e strehoj; vë në hije (dikë).2. I shërbej me shumë besim një njeriu, i shërbej verbërisht, shkoj pas tij symbyllur. 3. Ia ul vlerën dikujt me meritat a me punën time, bëj që të tjerët të mos ia njohin vlerat, ta çmojnë më pak e ta largojnë vëmendjen nga ai. Mos na bëj hije! shaka. mos na mërzit, mos na bezdis. Nuk i bën hije (askujt) nuk pengon asnjeri dikush, nuk i nxjerr pengesa askujt; nuk prish punë. Nuk bën hije në diell (dikush) është njeri fare pa rëndësi; nuk e përfill askush, është i lënë mënjanë, sikur s’është i gjallë. Bën hije mbi dhe (dikush) keq. është, sa gjendet; është gjallë, sa rron; rron pa kryer ndonjë punë të dobishme, s’ka vlera e nuk vepron mbi askënd e mbi asgjë. Nuk i bën hije (as) vetes (dikush) është i pazoti për të bërë një punë, nuk është i zoti për asgjë; as për vete s’është. I ra një hije (dikujt) u zbukurua; ka marrë një pamje të këndshme e të veçantë; i ra një nur. I ra një hije e zezë (dikujt) u mërzit a u inatos keq, u bë i vrazhdë; u err, u zymtua; bëhet zemërak e kërcënues. Fshihet pas hijes së gishtit (dikush) tall. mundohet më kot të mbulojë një të keqe që ka bërë, përpiqet më kot t’i fshehë të metat e gabimet, mbrohet me mjete e mënyra të dobëta; fshihet pas gishtit; fshihet prapa hostenit. Fshihet nën hijen e shuplakës (dikush) tall. shih fshihet pas hijes së gishtit (dikush). Fshihet pas hijes së vet (dikush) shih fshihet pas hijes së gishtit (dikush) tall. I ha hijen (dikujt). 1. Bëj që dikush të mos jetë më; e zhduk, e shfaros. 2. E mposht dikë, e mund, e vë përpara dhe e thyej. 3. Mbijetoj, jetoj më shumë se një tjetër, e përcjell dikë nga kjo jetë. Hedh hijeI (dikush a diçka) rritet, zhvillohet; lartësohet me trup; hedh (lëshon) shtat; hedh (lëshon) bojë. Hedh hijeII (mbi dikë a mbi diçka) krijon një dyshim të keq për dikë a për diçka, e paraqit jo mirë; e fsheh, e bën të turbullt, të errët a të paqartë për të mos u dukur siç është; i hedh hije (dikujt a diçkaje). I hedh hije (dikujt a diçkaje) shih hedh hijeII (mbi dikë a mbi diçka). Hijet e bardha euf. etnogr. xhindet, fantazmat; hijet e liga. Hijet e liga etnogr. xhindet, fantazmat; hijet e bardha euf. Ka frikë nga hija e vet (dikush) është shumë frikacak, nuk ka fare guxim, trëmbet nga gjithkush e nga gjithçka; nuk guxon t’ia hyjë një pune a të ndërmarrë diçka; është shumë i druajtur e nuk ka fare besim te vetja. Hije lisi dikush që ka të gjitha të mirat; ai që u bën nder të gjithëve, tek i cili shkojnë të gjithë; kund. hije shtogu. Hije shtogu dikush a diçka që s’ka vlerë, i padobishëm, pa asnjë rëndësi; kund. hije lisi. I ka hije (diçka) i shkon, i përshtatet, i vete, e hijeshon; i ka lezet. S’i ka hije (dikujt) nuk është mirë që sillet a që vepron ashtu, nuk i shkon për moshën a për detyrën që ka; s’ka lezet (për dikë); s’i bie (s’i shkon) për shtat. Nuk ka hije lisi (për dikë) nuk ka vend të rehatshëm (që e dëshiron shumë); nuk gjendet një vend i qetë për të. Ka hije të rëndë (dikush) është shumë serioz, ka pamjen që të bën t’i druhesh e të mos guxosh t’i afrohesh; ka pamje a qëndrim të egër. Pastë hijen e vet! (dikush) keq. 1. Qoftë atje ku është! (për një të vdekur kur e përmendim). 2. Qoftë ai që është, nuk dua të jem si ai a të kem të njëjtin fat; s’dua t’ia di për të. Kërkon hije në bahçe të tjetrit (dikush) iron. është shumë dorështrënguar e përfitues, është njeri zemërngushtë e lakmitar; përpiqet të kursejë edhe në diçka pa ndonjë vlerë të madhe; nxjerr dhjamë nga pleshti; mjel (edhe) morrin iron. I la hijen (dikujt) iron. u largua dikush papritur, shpejt e fshehtas prej dikujt; iku e nuk e gjen dot më dikë, me të cilin mbetet diçka pa zgjidhur; i la opingat (në dorë). E la në hije. 1. (diçka). Nuk e zbuloi e nuk e ndriçoi; e la të paqartë diçka; e la në errësirë2; e la në mjegull; e la në tym; e la zhyt. 2. (dikë). Nuk e përmendi a nuk e përfilli shumë dikë, nuk e vuri në dukje, nuk e la të shfaqet; nuk ia vari shumë; e la në errësirë; i vuri (i hodhi) lerë (dikujt a diçkaje); i hodhi gurë (dikujt). I lë hije të zezë (dikujt a diçkaje) e njollos dikë, e përlyen, e poshtëron; e bën me turp, i jep nam të keq, e turpëron; i hedh baltë. Lëshon hije pa dalë dielli (dikush) tall. e bën diçka para kohe, nxiton e bën një punë të papjekur; nuk i mendon mirë gjërat, është i nxituar. Më marrsh hijen! mallk. vdeksh!; më marrsh të keqen! Mori hijen *përposhtë (dikush) mospërf. Matet me hijen e mëngjesit (e mbrëmjes) (dikush) keq. e vlerëson veten më shumë se sa është në të vërtetë, i duket vetja i madh, e mburr veten dhe nënvlerëson të tjerët; kërkon më shumë nga sa vlen; matet me hijen e vet. Matet me hijen e vet (dikush). 1. keq. shih matet me hijen e mëngjesit (e mbrëmjes) (dikush) keq. 2. I vlerëson drejt aftësitë e mundësitë e veta, është i vetëdijshëm për vlerat që ka; i peshon mirë gjërat sipas fuqisë së vet, pa u mburrur, pa u rrëmbyer e pa u ngutur; tregohet aq sa është. E mban nën hijen e vet (dikë) kujdeset shumë për dikë dhe e mbron; e ka nën kujdes e nën mbikëqyrje të vazhdueshme. E mbaj në hije të hostenit (dikë) e ruaj me kujdes e me merak të madh; kujdesem shumë e për çdo gjë për dikë; e mbaj me të gjitha të mirat; e mbaj në pëllëmbë të dorës. Mbeti në hije. 1. (diçka). Nuk u sqarua a nuk u ndriçua mirë, nuk u zbulua, mbeti e errët, e paqartë. 2. (dikush a diçka). Nuk i kushton askush vëmendje, është si i harruar e i shpërfillur, nuk e vlerëson e nuk kujdeset askush për të; është lënë mënjanë. Pret *ftoin (kumbullën) për t’i lëshuar (për t’i bërë) hije kungullit (dikush) keq. Rri në hije (dikush) nuk do të duket, nuk do të shfaqet, rri i tërhequr e i padukur, nuk del haptas e nuk do që të bjerë në sy; nuk përzihet në një çështje; rri mënjanë. Rron (është) në hijen (e dikujt) keq. 1. Është nën mbrojtjen e dikujt, dikush kujdeset për të dhe e mbron. 2. Është nën sundimin e dikujt; drejtohet nga dikush. Të shkel hijen (prapa) (dikush). 1. Është shumë i shpejtë, nxiton a vrapon shumë shpejt e të arrin; s’të ndahet hap pas hapi; nuk ia shkel (dot) hijen (prapa) (dikujt). 2. Është shumë i aftë e i zoti për të bërë diçka; të merr gjak në vetull. Nuk ia shkel (dot) hijen (prapa) (dikujt) është shumë i shpejtë, nxiton a vrapon shumë shpejt e s’e zë dot asnjeri; të shkel hijen (prapa) (dikush). I trembet hijes së vet (dikush) keq. shih ka frikë nga hija e vet (dikush). E vë në hije (dikë) e fut brenda në një vend, e mbyll diku; e strehoj; e marr nën kujdes, përkujdesem për të; e vë në hije të rigonit. E vë në hije të rigonit (dikë) e marr nën kujdes dikë, përkujdesem shumë për të; keq. tregoj kujdes të tepruar e vëmendje të madhe për një njeri që nuk e meriton; i bëj hije (dikujt); e vë në hije. Vret *barkun në hije (dikush) iron. Të vraftë (të shkeltë) hija! mallk. vdeksh!
IMPRESIONÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur impresionoj ose kur impresionohem.
2. Mbresim; përshtypje. Impresionim i fortë.
✱Sin.: përshtypje, mbresë.
INCIZÍM,~I m. sh. ~E, ~ET spec. 1. Veprimi kur incizoj ose kur incizohet. Incizimi i zërit. Incizim me magnetofon. Incizim në disqe gramafoni. Aparat incizimi.
2. Ajo që është e regjistruar në një shirit magnetofoni a në një disk gramafoni për t’u riprodhuar; zë, këngë, pjesë, fjalim, melodi etj. e incizuar. Incizime të reja. Incizimet e muajit.
3. Mbresë që mbetet në një vend të prerë pak në sipërfaqe, shenjë nga prerja që është bërë në një send; zbardhje. Incizime unazore. Incizim në forme T-je. Gjerësia (madhësia) e incizimit. Në vendin e incizimit.
4. Vijë e thellë që bëjmë kur gdhendim ose kur skalitim diçka në dru etj. Incizime të bukura. Incizime në dru. Qeramikë me incizime.
✱Sin.: regjistrim, prerje, zbardhje, mbresë.
KUJTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Shfaqja në mendje ose sjellja ndëmend e një ngjarjeje, e një ceremonie etj.; përmendje.
2. Tërësia e gjërave që mbajmë mend; kujtesë; mbresë. Kujtime të bukura (të hidhura). Po shkruante kujtimet.
3. Dikush që nuk jeton më, por ka kryer punë me vlera të rëndësishme, prandaj meriton të kujtohet me nderim e respekt. Rron kujtimi i tij. I përjetshëm qoftë kujtimi i dëshmorëve!
4. Diçka e rëndësishme dhe me vlerë, që na ka mbetur në kujtesë. Ua ka lënë kujtim fëmijëve. Nuk i harroj kujtimet.
✱Sin.: përmendje, përshtypje, kujtesë, mbresë.
LË vep., LÁSHË, LËNË kal. 1. Nuk e marr diçka nga vendi ku është, nuk ia ndryshoj vendin, nuk e heq, nuk e shkëput, nuk e nxjerr a nuk e luaj prej atje; nuk e marr me vete dikë a diçka kur iki ose e harroj diku, largohem pa të. Nuk e lanë misrin në arë. E lanë kashtën në lëmë. E la çelësin në bravë. I ka lënë qetë në zgjedhë. Ia la frerin në gojë. E la shulin në derë. Ia lanë plumbin në trup. La disa degë pa i prerë. I la fëmijët në shtëpi (tek e motra, në Elbasan). Ia ka lënë nënës vajzën që ta rritë. Nuk i kujtohej ku e kishte lënë çantën (çadrën, letërnjoftimin). - Lëre aty tek është!
2. Vendos diku në një mënyrë të caktuar një gjë që e kam në dorë ose që e kam marrë a sjellë nga një vend; e vë. I la arkat përpara dyqanit. - Lëri pjatat (gotat) mbi tryezë. - Lëri në vend të pastër! E la drejt (shtrembër, varur, shtrirë, më këmbë). E la mbështetur pas murit.
3. Më hiqet diçka nga trupi, më mbetet diçka nga vetja diku; humb. Delet e lanë leshin nëpër ferra. I la pendët (një shpend) i ranë pendët, mbeti pa pupla. E la krahun në luftë. I la këpucët nëpër shkëmbinj iu prishën a iu shkatërruan këpucët nëpër shkëmbinj. E la bishtin në akull (dhelpra) iu këput bishti, i mbeti bishti në akull. I la paratë në bixhoz.
4. edhe fig. I jap diçka një tjetri për ta ruajtur a për ta përdorur, i dorëzoj; i besoj një detyrë, i ngarkoj një punë a i jap një porosi, një këshillë etj. Ia la çelësin fqinjës. I la një porosi (një fjalë). Ia la amanet. I la emrin. U zhduk pa lënë drejtimin. Ia lë barrë dikujt ia ngarkoj një punë. Ia lë në besë dikujt ia besoj. E ka lënë me të shkruar (me gojë).
5. edhe fig. Ia jap dikujt si trashëgim, bëj që ta ketë ai (një pronë, një pasuri etj.); bëj që diçka ta ketë a ta gëzojë një pasardhës. Ia ka lënë babai (gjyshi). Na e kanë lënë të parët tanë. Na ka lënë dy vepra të shquara. I ka lënë emër të mirë dikujt. I la nam të keq.
6. bised. Ia shes një gjë dikujt (zakonisht me një çmim të përshtatshëm për të), ia jap dikujt. Ia la për pesëdhjetë lekë. - Nuk e lë më lirë?
7. Lëshoj; kund. mbaj. S’e lë pushkën (lopatën, librin) nga dora. E mban fort, s’e lë të bjerë (të rrëzohet).
8. edhe fig. Bëj një shenjë a një gjurmë diku; bëj një përshtypje të caktuar, shkaktoj një pasojë. I la shenjë (njollë) në faqe. La gjurmë. La mbresa të mira (të thella, të këqija). I la një damkë familjes.
9. Ndaj mënjanë diçka dhe e ruaj për ta përdorur më vonë; heq mënjanë, vë mënjanë; e ruaj për një tjetër. Kishte lënë para mënjanë. I la në arkën e kursimit. I la për dimër (për dasmë). I la për darkë. - T’i lëmë për nesër. Ia la mollët vëllait. Ua linte shokëve pjesët më të mira.
10. I jap mundësi dikujt të bëjë diçka, nuk e pengoj të bëjë një punë; i jap pëlqimin për një punë; lejoj; kund. ndaloj. E lë të shkojë (të kalojë, të niset, të hyjë, të dalë). E lanë të fliste sa deshi. - Lëre ta shohë! - Lëre të flejë! E la ta bënte vetë. Nuk e lë të pijë raki (duhan). I lë dorë (fushë, shesh) të lirë e lejoj të veprojë lirisht. I ka lënë kohë ka pasur kohë. Nuk e lë sëmundja (mosha). Nuk lë asnjë shkelje. Ka lënë shumë raste të tilla. Rëra e lë ujin të kullojë. Xhami e lë dritën të hyjë.
11. E mbaj diçka, nuk e nxjerr jashtë, nuk e përjashtoj; e ruaj siç është, nuk e heq; e lejoj të vijojë; kund. heq. E lanë në rendin e ditës. Ia lanë emrin në listë. Lanë në antologji pjesët më të bukura. E la jashtë diçkaje nuk e përfshiu. Ia lanë bursën. E lë me ato mendimet e veta.
12. bised. E caktoj diçka për një kohë të përshtatshme, i caktoj një afat; e shtyj për më vonë diçka; heq dorë përkohësisht nga diçka për ta bërë në një kohë tjetër. La takim me dikë. - E lëmë në orën gjashtë? - Aksionin e kemi lënë ditën e diel. Dasmën e lanë për në tetor. E lanë mbledhjen për nesër. La një provim për në vjeshtë. - E lëmë për një herë tjetër! Punën e sotme mos e lër për nesër. (fj. u.).
13. Liroj diçka, e lë të lirë një vend që të rrijë ose të kalojë dikush a diçka. - Lëri pak vend! E la të lirë kalimin. I lë një shteg (një vrimë). I la një dritare (një dalje). I lënë një grykë sipër.
14. Braktis një punë, nuk e përfundoj, e ndërpres; heq dorë përkohësisht a përfundimisht nga diçka; e pres përgjithnjë, nuk e vijoj më tej; ndahem a largohem për ca kohë a përgjithnjë nga dikush a nga një vend. Nuk e la punën (mësimin, studimin). E la stërvitjen (lojën). E ka lënë shtetësinë. E la rakinë (duhanin) nuk e pi më. E la gjiri i iku qumështi, nuk ka më gji për t’i dhënë fëmijës (për një grua që ka fëmijë në gji). I ka lënë gënjeshtrat (thashethemet). E la zinë nuk mban më zi. I la vezët pula nuk bën më vezë, i preu vezët. - Lëri këto, dëgjo ç’të them! La rrugën kryesore dhe mori nga e djathta. I ka lënë miqtë (prindërit, shokët). E la vendlindjen. Nuk e lë vendin e rojës. - Mos e lër vetëm! Na la përgjithnjë vdiq. Na la gjuhëtari i madh Idriz Ajeti. Na ka lënë prej kohësh a) ka ikur prej kohësh; b) ka kohë që ka vdekur. Nuk e kanë lënë shpresat shpreson ende për diçka. Ka lënë dy fëmijë vdiq dhe i kanë mbetur dy fëmijë. Nuk ka lënë njeri (pas vetes) ka vdekur dhe nuk ka asnjë fëmijë a pasardhës.
15. bised. Ndaj (bashkëshortin). E la burrin (gruan, të fejuarin, të fejuarën).
16. vet. v. III (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. kallëzore) edhe fig. Nuk më punon më një pjesë e trupit, s’kam më fuqi ose aftësi trupore a mendore. E la dora (këmba). E ka lënë fuqia (shëndeti). E kanë lënë sytë (veshët) nuk shikon (nuk dëgjon) më. E la kujtesa.
17. bised. E vë dikë në një detyrë, në një punë etj., e ngarkoj të bëjë diçka, e caktoj; e mbaj a e lejoj në një punë, në një detyrë etj., nuk e heq, nuk e përjashtoj, nuk e ndërpres, nuk e pushoj; kund. heq. E kanë lënë roje dikë. E lanë portier. sport. E lanë në punë (në shkollë, në zanat). E lanë si drejtor.
18. Ia ruaj diçkaje a dikujt gjendjen e mëparshme kur largohem, nuk ia prish e nuk ia ndryshoj gjendjen, nuk e luaj; nuk e prek, nuk e trazoj. E la dhomën siç ishte. E la shtëpinë rrëmujë. E la punën të ngatërruar. I la gati (stivë). E la derën (dritaren) hapur (mbyllur). E la ushqimin pa ngrënë (pa prekur). E la duke punuar (duke lexuar, mbi libra). E la zgjuar (në gjumë). E la të sëmurë (të shëndoshë, të mërzitur). E la në pritje. E la të qetë. E la në të vetën (në të tijën) nuk e kundërshtoi dikë. - Lëre në punën e tij!
19. edhe fig. Bëj që të jetë a të bjerë në një gjendje të caktuar (kryesisht të keqe a të vështirë), ia krijoj vetë një gjendje të tillë, i krijoj kushte të rënda a i shkaktoj një të keqe, duke ia marrë, duke ia prishur a duke ia zhdukur diçka; e bëj të përjetojë diçka të rëndë. E la pa gjumë. E la pa bukë (pa ujë, pa rroba, pa shtëpi, pa qerre, pa kalë, pa para). E la pa ngrënë (pa pirë, pa folur). E la pa gjë. S’i la gjë. E la lakuriq (zhveshur, zbathur). E la pa njeri (pa vëlla, pa motër, pa baba). E la të vrarë. E la vetëm. E la pa sy e verboi. E lë pa fuqi një urdhër (një ligj). libr. e shfuqizon. E la si të ngrirë (si hu). E la në gjendje të keqe (thatë, në vështirësi, në baltë, në llucë, në zall). E la punën përgjysmë. E la të habitur.
20. edhe fig. I dal përpara dikujt, e kaloj, e kapërcej, e tejkaloj. E la prapa (në rrugë, në vrapim). E la pas në mësime.
21. Përdoret me mohim në grupe fjalësh me folje të tjera, kur veprimi duhet të ndodhë patjetër. Nuk e lëmë pa kryer do ta kryejmë medoemos. - Mos e lër pa ardhur! hajde patjetër! Nuk e lë pa shkuar do të shkojë doemos. Nuk e lë pa i folur do t’i flasë patjetër.
22. si pj. Përdoret në mënyrën urdhërore kur flasim për diçka, të cilën nuk duam ta zëmë në gojë. - Lëre, ç’ka për të thënë më vonë! - Lëre, lëre se ç’e ka gjetur!
✱Sin.: humb, humbas, dorëzoj, besoj, ngarkoj, jap, jap, shes, lëshoj, vë, caktoj, mënoj, shtyj, liroj, braktis, shkreh, ndërpres, ndahem, largohem, shtyj, lejoj, kaloj, kapërcej.
♦ Kë të *zë e kë të lë. E *lagu s’e lagu (bishtin dhelpra). Ia la *bajgat (dikujt) tall. vulg. E la në *baltë (dikë). Ia la *barrën (dikujt). La *bishtin (dikush). E la *në bisht (dikë). La *boshllëk (dikush a diçka). Na la *bukën (dikush). E la në një *cep (diçka). Nuk e lë të bëjë *çap (dikë). S’ta lë dalë (dikush). Ia la në *daltë (dikujt). E la në *diell (dikë). Më la në *djep (dikush). E lë në *dorë (të dikujt). Ia lë në *dorë (dikujt). E la pas *dore (dikë a diçka). S’e lë (s’e lëshoj) nga *dora (diçka). E la *drita (dikë). E la *dyshekun (dikush). La *emër (dikush). E la në *errësirë (dikë a diçka). La eshtrat (*kockat) (diku). E ka lënë *fiqiri (dikë). E lë me *fjalë (me dikë). E la pa *frymë (dikë). S’i la *fytyrë (dikujt). E la *gisht (dikë). I la *glasën (dikujt) mospërf. bised. Më la *gojëhapur (dikush a diçka). E la *gojëthatë (dikë). Nuk lë *gur mbi gur (dikush). Më kanë lënë (më lëshuan) *gjunjët. Më lë pa *gjumë (dikush a diçka). Lë *gjurmë (të thellë) (diçka a dikush). E la në *hava (dikë a diçka). E lë në *heshtje (diçka). I la *hijen (dikujt) iron. E la në *hije (diçka a dikë). E la jatakun (*shtratin, krevatin) (dikush). E la *kalli (dikë). La *kaptinën (dikush) bised. Më lanë (m’u prenë) *këllqet. Më kanë lënë *këmbët. Lë *kockat (për dikë a për diçka). La *kockat (eshtrat) (diku). Lë *kokën (kryet) (për dikë a për diçka). Sa të lësh *kokën. E la (e bëri) *kopan (dikë) bised. E la pas *krahëve (dikë a diçka). E la krevatin (*shtratin, jatakun) (dikush). E la *kripë (dikë). Lë kryet (*kokën) (për dikë a për diçka). Ia la në *kurriz (në shpinë) (diçka). E la *lakuriq (dikë). I lë *lamtumirën (dikujt). E la (e hodhi) në *ledh (dikë). E la *lehe (diçka). Lë *leshtë keq. Lë *lëkurën (për dikë a për diçka). Ia la *lëpendrat në dorë (dikujt) iron. E la në *llucë (dikë). Nuk ta lë *mangët (dikush). *Merr e lër. Më lë *mbresë (dikush a diçka). E lë (e hedh) pas *mendsh (dikë a diçka). La *mendtë (e kokës) (dikush). E lanë (e lëshuan) *mendtë (dikë). E la pa *mend (dikë). La *mendjen (pas dikujt a pas diçkaje). Të lësh *mendjen (pas dikujt a diçkaje). E ka lënë *mendja (dikë). E la në *mes (diçka). Nuk ta lë *metë (dikush). E la në *mezhdë (dikë) keq. Lë *mënjanë (dikë a diçka). E la në *mjegull (diçka). E ka lënë *mortja (dikë) përçm. E ka lënë *moti (dikë) iron. La *nam (dikush). Nuk ta lë për *nesër (dikush). Lëre mos e nga (mos pyet)! iron. shumë keq, sa s’ka ku të shkojë më tej; mos pyet! E la *ngrehur (diçka). I la *opingat (dikujt) iron. E lë pas (*prapa) (dikë a diçka). Ia la *pendët në dorë (dikujt) iron. Ma la (ma bëri) *peshqesh (dikë a diçka). E lë *pezull (dikë a diçka). E la *pirg (dikë). I la *potkonjtë (dikush). E lë *prapa (pas) (dikë a diçka). Ia la *puplat (në dorë) (dikujt) iron. E la *pykë (dikë). Ia la (ia vari) në *qafë (për qafe) (dikujt). Nuk më lë *të qetë (dikush a diçka). E la *qull (diçka a dikë). E la në *qull (dikë). Lë *rrashtën (për dikë a për diçka). I lë *rrikën (dikujt). E la *rrogoz (dikë). La *rruazën (diku). I la rrugë (*udhë) (diçkaje). E la në *rrugë (në udhë) (diçka). E kanë lënë (e kanë lëshuar) *sendet (dikë). Lë *sytë (pas dikujt a pas diçkaje). S’i la *sy e faqe (dikujt). E lë *shajak (punën etj.) (dikush). E la *shakull (dikë). E la *shëndeti (dikë). Na la *shëndetin (dikush). I lë *shëndetin (dikujt). Lë *shteg (për diçka). I lë një *shteg (dikujt). Ia la *shtupë (dikujt). Ia la *shuk (diçka). Na la *shurdh (të shurdhër) (dikush). Na la të shurdhër (*shurdh) (dikush). E la *top në vend (dikë). E la *trokë (dikë). E kanë lënë *trutë (dikë). E la *presh në diell (dikë). E kanë lënë *trutë (dikë). E la *thes në vend (dikë). (Sa) të lësh *thonjtë. E la në udhë (në *rrugë) (diçka). E kanë lënë (e kanë lëshuar) *sendet (dikë). Ia lë (ia dorëzoj) *stafetën (dikujt) libr. Ia la në shpinë (në *kurriz) (diçka). E la *tagjinë (dikush) tall. E la në *terr (dikë a diçka). E la *trashë (diçka). E kanë lënë *trutë (dikë). E la në *tym (diçka). E la *thatë (dikë). (Sa) të lësh *thonjtë. I la *udhë (rrugë) (diçkaje a dikujt). Na la *uratën (dikush a diçka). E la *vakëf (diçka). E kanë lënë jashtë *valles (dikë). E lë *varur (dikë a diçka). E la (e bëri) *të vdekur (dikë). E la në *vend (dikë). S’ia lë (s’ia lëshon) *vendin (dikujt). I lëshoj *vendin (dikujt). E kanë lënë *veshët (dikë). Më la pa *veshë (dikush). E la (e ndali, e mbajti) *vrapin (diku). E la me *xanxë (dikë). E la *zbuluar (dike a diçka). Më la (më lëshoi) *zemra. E la *zhyt (diçka). (Të qeth, të kreh) e t’i lë *morrat brenda (dikush). (U zhduk, humbi) pa lënë *gjurmë (dikush a diçka). E la në *zall (dikë). Më la (më lëshoi) *zemra. E lë *zvarrë (diçka). E la *zhyt (diçka).
MBISHTÝPJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Shtypje përtej normës ose mbi masën e lejuar, mbitrysni. Bombola me mbishtypje që mund të jenë të rrezikshme për njeriun.
2. Shkrim a figurë që është shtypur duke lënë një shenjë a mbresë përsipër (zakonisht mbi pullat e postës a mbi kartëmonedhat). Boja e mbishtypjes. Pulla me mbishtypje kokëposhtë. Ato pulla kanë si mbishtypje një myhyr të rrumbullakët me germa arabe.
MBRÉS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Shenjë që mbetet në lëkurë nga një plagë, nga një gërvishtje etj. vrajë. Mbresë plage. Mbresa e djegies. Mbresa e lisë (e ulcerës) në lëkurë. Mbresë thike. Mbresa e sëpatës në dru.
2. Gjurmë që lë diçka në sipërfaqen e një sendi; tragë, shenjë. Mbresa e vulës. Mbresat e këmbëve në borë. Mbresat e gishtërinjve.
3. fig. Gjurmë që na lë në ndërgjegjen tonë diçka që shohim a dëgjojmë, diçka që përjetojmë dhe që zakonisht ruhet për një kohë të gjatë; përshtypje. Mbresë e fortë (e gjallë, e thellë, e paharruar, e pashlyeshme). Mbresë e hidhur. Mbresat e para. Mbresa të çastit. Na la mbresa të thella. Nuk i la asnjë mbresë. Kishte një mbresë pasigurie.
♦ Më lë mbresë (dikush a diçka) më bën përshtypje (zakonisht të mirë), më ngulitet e nuk e harroj; më lë gjurmë.
MONUMENTÁL,~E mb. 1. Që lidhet me monumentin ose me monumentet, i monumentit ose i monumenteve. Studionte në degën e pikturës monumentale.
2. Që është jashtëzakonisht mbresëlënës, që të lë mbresë me përmasat e veta të mëdha ose me madhështinë e vet; madhështor, i mahnitshëm, i mrekullueshëm. Vepër korale monumentale. Ndërtesë (urë) monumentale. Përpjekjet monumentale të miqve tanë.
3. Që ka rëndësi e vlerë të madhe historike, kulturore, artistike etj. për të kaluarën e një populli a të një vendi. Kontributi monumental i shkrimtarit në kulturën shqiptare. Punime që kanë mbetur monumentale për historinë e vendit. Qendër monumentale. Pikturë (skulpturë, tablo) monumentale. Pasuri monumentale (art.) që shquhet me përmasat e veta të mëdha; që shprehet në trajta shumë të mëdha e përgjithësuese. Kompozim monumental (fig.) i shquar, me rëndësi a me vlerë të madhe; madhështor.
4. Jashtëzakonisht i madh. Vepra të një rëndësie monumentale.
✱Sin.: madhështor, i jashtëzakonshëm, i mahnitshëm, i mrekullueshëm.
MURRÍZ,~I m. sh. ~A, ~AT 1. bot. (lat. Crataegus monogyna) Shkurre e egër me shumë degë e me gjemba, me gjethe të vogla me majë të mprehtë dhe me lule të bardha, që bën kokrra të kuqe me lëng, të cilat mund të hahen ose të përdoren në mjekësi. Kokrrat e murrizit. Lule murrizi. Lëng murrizi. Murrizi i kuq ushinth. I hyri një gjemb murrizi. Thuri gardhin me murriz. Ishte plot murriza e driza. Gjithkujt murrizi i vet i duket i njomë (fj. u., iron.) thuhet kur dikush lavdëron tepër gjërat e veta, fëmijët e vet a punën e vet, edhe kur nuk e meritojnë.
2. Kokrrat që bën kjo shkurre. Mbledh murriza. Hanë zogjtë murriza.
♦ Iu bë buka murriz (dikujt) nuk i shkon buka poshtë, i mbeti buka në grykë nga frika ose nga diçka tjetër. E bën murrizin *hardhi (dikush). Fshiji *buzët për murrizi (pas murrizit)! iron. Fshiji *mustaqet për murrizi (pas murrizit) iron. Kërkon *këmbë për murriz (dikush). Më mbeti murriz në zemër (diçka) më ka prekur thellë, më është ngulitur, më ka lënë mbresë të thellë që nuk e harroj dot; më mbeti gozhdë në zemër.
NÁK/ËL,~LA f. sh. ~LA, ~LAT 1. Parandjenjë, diçka që na rri në mendje; fiksim. Më bëhet nakël. Më rri nakël në mendje më rri mendja aty, e kam gozhdë, më bëhet merak. Me sa duket i ka ngelur fiksim apo nakël, siç i thonë andej nga Shkodra.
2. Lodra. Mos më bëj nakla mua mos më luaj në fjalë.
3. Mbresë, përshtypje.
NDJESÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Mbresa që mbetet nga një ndijim, përshtypja e një ndijimi nga bota e jashtme. Ndjesia e të ftohtit. Kam një ndjesi. Ndjesia e pranisë.
2. Ndjenjë; aftësia për të ndier; kund. pandjesi. Ndjesi të holla (të fuqishme). Ndjesi universale. Ndjesi eterike. Ndjesi artistike. Ndjesi e hollë. Ndjesi lehtësimi. Ndjesi e bukur (e ëmbël). I lindi një ndjesi. E rrëmbeu një ndjesi.
✱Sin.: mbresë, ndijim, ndjenjë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë