Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DALLASHÍTJ/E,~A f., bised. 1. Veprimi kur dallashitim diçka.
2. Punë e ngatërruar; ngatërresë. Biseda u bë një dallashitje, ku secili fliste për gjë tjetër. U futën në një dallashitje ligjore që zgjati me vite.
✱Sin.: ngatërrim, pështjellim, prishje, çorganizim, mbrapshtim, tollovitje, çatrafilim.
MBRAPSHTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi dhe gjendja kur mbrapshtoj dikë a diçka ose kur mbrapshtohem. Mbrapshtimi i çdo lëshimi.
2. Prapësi, mbrapshti. E quajti një mbrapshtim të pashoq. Ç’të përbashkët ka drejtësia me mbrapshtinë? Bënte mbrapshtime. Sjell mbrapshtime.
PRAPËSÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Të qenët i prapë, sjellje e prapë; veprim i keq, punë e mbrapshtë. Prapësitë e fëmijës. Nuk bën prapësi.
2. Fjalë e keqe. Nuk thotë prapësi. Nuk nxjerr prapësi nga goja.
3. Mungesë përparimi e mbarësie në diçka, mbrapshti. Filloi (nisi) prapësia.
4. Fatkeqësi, e keqe; kund. mbarësi. Sjell (ndjell) prapësi. E ndiqnin prapësitë. Nuk iu ndanë prapësitë.
5. sh. ~RA, ~RAT Lloje të ndryshme prapësish. Prapësirat e tij nuk kanë të sosur.
✱Sin.: mbrapshti, prapështi, mbrapshtim, e prapë, xanxë, djallëzi, e keqe, tersllëk, fatkeqësi.
PRAPËSÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur prapësoj ose kur prapësohem.
2. Kthim prapa, tërheqje, zmbrapsje. Prapësimi i fëmijëve. Prapësim për të tretën herë i aplikimit për tenderim.
3. Largimi i diçkaje të keqe.
4. Ndryshim i mendjes për diçka.
5. Pendim për kryerjen e diçkaje.
6. Çrregullim, ngatërrim a keqësim i diçkaje.
7. drejt. Diçka që thuhet në kundërshtim me atë që është pohuar më parë; rrethanë që hedh poshtë kërkesën e anës paditëse. Raste prapësimi. Bëri një prapësim. Parashtroi prapësimet e tij.
✱Sin.: zmbrapsje, prapsje, mbrapshtim, tërheqje, kthim, prapakthim.
PRAPËTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET Prapësim, mbrapshtim.
TËRHÉQJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprim (punë) që kryen një kafshë pune (ka, buall, kalë etj.), një mekanizëm a një mjet duke zhvendosur një objekt. Tërheqja e parmendës nga qetë. Tërheqja e karrocës (e qerres) nga qetë. Tërheqja e vagonëve nga lokomotiva.
2. Zhvendosje e diçkaje forcërisht drejt ose pas vetes. Tërheqja e raftit. Tërheqja e çantës së bagazhit.
3. Marrje parash të depozituara në bankë; marrje e diçkaje që të takon. Tërheqja e të hollave. Tërheqje e pagës. Tërheqja e diplomës. Tërheqja e një formulari.
4. Kthim në rrugën e mëparshme; prapakthim, pendim. Tërheqja e padisë.
5. usht. Zhvendosje e trupave në mënyrë të organizuar nga një vijë më e përparuar në një vijë tjetër më prapa për t’i ruajtur nga kundërshtari ose për qëllime të tjera taktike; zmbrapsje. Tërheqje e trupave. Tërheqja dhe sulmi.
6. fiz. Rëndesë; forca tërheqëse e një trupi a e një grimce. Tërheqja molekulare. Ligji i tërheqjes. Forca tërheqjeje. Fusha e tërheqjes. Qendra e tërheqjes.
7. fig. Joshje, pëlqim, simpati. Tërheqje e ndërsjellë mes tyre.
8. mjek. Tendosje, zgjatje tej mase e muskulit. Tërheqje muskulore, tërheqje damari.
9. sport. Garë midis dy sportistëve a dy skuadrave se cila tërheq më shumë litarin. Tërheqje litari.
10. Marrje në konsideratë, dëgjim. Tërheqja e mendimit të shumicës.
11. Lënie në mes e një veprimi të ndërmarrë; mosvazhdim; ndërprerje, mënjanim. Tërheqje nga gara.
12. Bërje e një vije a e një shenje; heqje. Tërheqja e një drejtëze (e një vije).
13. Marrje a nxjerrje e dikujt nga vendi ku është. Tërheqja e kufomës. Tërheqja e të plagosurve (e viktimave) u bë gjatë armëpushimit.
14. Shkrepje e një arme zjarri. Tërheqja e këmbëzës së automatikut.
15. Zgjim interesi, ngjallje kërshërie. Tërheqja e vëmendjes së publikut.
16. Marrje mbrapsht e diçkaje. Tërheqja e mallrave të skaduara nga kompania furnizuese.
✱Sin.: zmbrapsje, stepje, heqje, ndukje, tendosje, thithje, atraksion, joshje, miklim, ngashënjim, tundim, dashuri, prapësim, mbrapshtim, prapakthim, kapitullim, marrje, rëndesë.
ZMBRÁPSJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur zmbraps dikë a diçka; zbythje, tërheqje. Zbrapsja e kalit. Forca e zmbrapsjes. Zmbrapsja e armikut. Zmbrapsja e sulmeve. Pësoi një zmbrapsje. Ishte një zmbrapsje dramatike, të cilën vendi duhet ta kapërcejë. Mbronte zmbrapsjen e shokëve. Nuk e kuptoj këtë zmbrapsje.
2. fig. Prapësim, shfuqizim, mbrapshtim, anulim. Zmbrapsje nga frika. Zmbrapsja nga e vërteta. Kishte lajmëruar për zmbrapsjen e urdhrit të dhënë. Zmbrapsja e nishaneve do të thoshte se familja e vajzës nuk pranonte fejesën.
✱Sin.: prapsje, mbrapsje, sprapsje, prapësim, thyerje, tërheqje, mbrapshtim, zbythje, shpërbythje, shfuqizim, tërheqje, anulim.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë