Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FÚNDIT (i, e) mb. 1. Që është në fund a në skajin më të tejmë të një vargu ose të një radhe frymorësh, sendesh, dukurish etj.; që vjen pas gjithë të tjerëve; kund. i parë. Vagoni i fundit. Rreshti i fundit. Shtëpia e fundit. Stacioni i fundit.
2. Që ka mbetur në fund e një i vetëm, pasi janë larguar ose janë harxhuar gjithë të tjerët. Leku i fundit. Fisheku i fundit.
3. Që ndodhet në fund të një vendi të thelluar, të një ene etj. Shtresa e fundit.
4. Që shënon mbarimin e një kohe të caktuar; që nga ana kohore kryhet në fund të një vargu ngjarjesh, veprimesh, punësh a dukurish; që shënon cakun kohor kur dikush a diçka mbaron së qeni e nuk vijon më tej. Dita e fundit e javës. Viti i fundit i shekullit. Perandoria e fundit.
5. Që ka të bëjë me kohën më të afërt përpara çastit kur flasim, që sapo është bërë e ka ndodhur; më i ri. Kohët e fundit. Zbulimet e fundit. Të rejat e fundit. Prodhimi i fundit.
6. Që është para vdekjes, që e thotë në çastin para vdekjes. Në çastin e fundit. Dëshira e fundit.
7. Më i lartë; më i rëndë. Masa e fundit. Dënimi i fundit.
8. Përfundimtar; vendimtar. Qëllimi i fundit. Grushti i fundit.
9. fig. Që ka më pak vlerë ose rëndësi; që është më i prapambetur se të tjerët. Njeriu (më) i fundit.
✱Sin.: fundor, i fundmë, i prapmë, i pasmë, i prapsëm, i sprasëm, i mbramë, i pastajmë, përfundimtar, vendimtar.
♦ *Banesa e fundit lart. *Barku i fundit. Në *dorë të fundit (diçka). I *dorës së fundit. *Fisheku i fundit. *Fjala e fundit. Deri në *frymën e fundit. *Guri i fundit. I heq *gurin e fundit (dikujt a diçkaje). Është në *grahmat e fundit. I jap *dorën e fundit (diçkaje). Dha *frymën e fundit (dikush). Dha *grahmën e fundit (dikush). I jap *lamtumirën e fundit (dikujt). Luaj *asin e fundit. Luaj (hedh) *gurin e fundit. Luaj *letrën (kartën) e fundit. Ndan *kafshatën e fundit (e gojës) (me dikë). I *orës së fundit. Ka shkuar (ka vajtur) në *pikë të fundit. *Vrima (bira) e fundit e kavallit përçm.
MBRÁM/Ë (i), ~E (e) mb. 1. I fundit. Erdhi çasti i saj i mbramë. Është në pikën e mbrame të fuqisë. Iku edhe dasmori më i mbramë. Nuk është hera e parë e as e mbrame që po ju shoh. Fjalën e mbrame mos e qit të parën. (fj. u.).
2. Që është më i vogli në moshë ndër motra e vëllezër; më i ri se një tjetër në familje, fis etj.; kund. i madh. Ajo tokë i përket vëllait të mbramë.
3. Që ndodhet në pjesën e pasme të diçkaje, i pasmë. Rrotat e mbrame të makinës.
✱Sin.: i fundit, i vogël, i pasmë.
SHTEG,~U m. sh. SHTÍGJE, SHTÍGJET 1. Vend i ngushtë i hapur në një gardh, në një ledh a në një mur, nëpër të cilin mund të kalohet në anën tjetër. Shteg i ngushtë. Hap një shteg. Gjeti një shteg dhe doli. Kaloi nëpër shteg. Mbyll (zë) shtegun.
2. Udhë e ngushtë këmbësore në mal a në pyll për njerëzit e për kafshët; udhë e ngushtë, e vështirë dhe zakonisht jo shumë e rrahur ose e panjohur, nëpër të cilën depërtojmë ose arrijmë diku; vend i ngushtë në rrugët e kalimit të kafshëve të egra, i përshtatshëm për të zënë pritë. Shteg i ngushtë. Shtigje malore. Shteg i parrahur. Shteg kalimi. Shtigjeve të luftës. Shteg pa krye. I doli (i erdhi) gjahu në shteg. Ruaj shtegun. E priti në shteg. I njeh të gjitha shtigjet. I zunë shtigjet nga mund të kalonte armiku.
3. fig. Rrugë e vështirë dhe zakonisht e panjohur për të arritur një qëllim; mënyrë e stërholluar për të dalë nga një gjendje e vështirë a e padëshirueshme ose për të zgjidhur një çështje të ngatërruar; rrugëdalje. I vetmi shteg. Pa shteg pa rrugëdalje. Shtegu i shpëtimit. Çajmë shtigje të reja. Ecim nëpër shtigje të panjohura. E gjeti në shteg. E nxori (e qiti) në shteg e ndihmoi për të gjetur rrugën e daljes a të zgjidhjes.
4. fig. Pikë e dobët ku mund të goditet më me lehtësi kundërshtari; vend a rast i volitshëm që e kërkojmë dhe e gjejmë vetë a na del përpara; shtrungë. Ia gjeti shtegun. I erdhi (i doli, i ra) në shteg. E zuri (e kapi) në shteg.
5. Vija e drejtë që formohet kur i krehim flokët duke i ndarë në mes a në anë, shtegth; pjesa e ballit midis vetullave. Shtegu i flokëve. Shtegu i ballit. Vija e shtegut.
6. krahin. Udhë, udhëtim, rrugë. Bëj shteg bëj rrugë. Një shteg shkonte ai, një shteg i vëllai. Kush ka shteg, s'ka mot të lig. (fj. u.) kush ka rrugë për të bërë, nuk pyet për mot të keq; ai që synon të arrijë pa tjetër një qëllim, nuk do t'ia dijë për vështirësitë.
7. krahin. Herë, radhë; vakt. Shtegu i mbramë hera e fundit. Atë shteg shkoi ai në mulli. Hante një pulë në shteg. Atij shtegu e lanë me aq. Kur vjen shtegu.
♦U bë gardhi shteg u hoq pengesa, u hap udha për të bërë diçka të ndaluar; u lehtësua puna për diçka. I bën shteg (dikujt a diçkaje) nuk e pengon dikë për të bërë diçka; e lë të lirë diçka që të ndodhë; i hap rrugën dikujt a diçkaje; i hap (i çel) shtegun. Bën shteg në gardhin e tjetrit (dikush) ndërhyn në punët e tjetri dhe e dëmton atë; i bën dëm dikujt. S’më bën rruga shteg (për diku) nuk vij dot, nuk kam mundësi të vij. Ma pruri (ma nxori) në shteg (fjalën) (dikush) e solli bisedën atje ku desha unë, ma krijoi mundësinë të them atë që dua. I ra në shteg (dikujt) doli aty ku e donte dikush (në bisedë, në veprime etj.), erdhi në një gjendje që e priste dikush, i doli aty ku i duhej; i doli në shteg. Çaj (hap) shtigje shih çaj rrugën (i pari). Çart *gardhin e mbyll një shteg (dikush). Çel (hap) shtigje të reja jam nismëtar në një veprimtari të rëndësishme e të panjohur, bëj diçka të re që nuk e kanë bërë të tjerët; çel (hap) rrugë të reja. Më doli (më erdhi) lepuri në shteg më shkon mirë puna, më ecën mbarë diçka; më erdhi fati përpara; më erdhi një rast i mirë, që mezi e prisja; më erdhi në shteg (dikush a diçka). I doli në shteg (dikujt) i dha rast dikujt që ta sulmojë e ta godasë ose të nxjerrë një përfitim prej tij, i doli aty ku e donte; i ra në shteg. Ia di mirë shtegun (shtigjet) (diçkaje) e di si ka nisur, si është zhvilluar a si mund të zgjidhet, ia di anën; e njoh mirë, me të gjitha lehtësitë e vështirësitë. Ia gjeti shtegun. 1. (diçkaje). Gjeti mënyrën a anën për të bërë diçka, për të zgjidhur një çështje etj.; shfrytëzoi një rast, ia gjeti mundësinë; ia gjeti çelën; gjeti vend (dikush). 2. (dikujt). Zbuloi një dobësi të dikujt ose një rrethanë të favorshme për ta goditur a për t’i bërë keq atij; e zuri në shteg (dikë); ia gjeti vaun; ia gjeti cekën. I hap (i çel) shtegun (dikujt a diçkaje) (hap (çel) shtegun (për dikë a për diçka) i krijon mundësinë e rrethanat të veprojë dikush a të ndodhë diçka, i heq pengesën e parë; i bën lëshime, i jep rastin a i heq pengesat dikujt që të bëjë si do vetë; lë shteg; i hap rrugën; i hap (i çel) portën (diçkaje); kund. ia mbyll shtegun. E ka *dellin e marres në shteg të ballit (dikush) keq. Lë shteg (për diçka) (i lë shteg) (diçkaje). 1. Të bën të dyshosh diçka. 2. Lejon që të ndodhë a të bëhet diçka, jep mundësi që të kryhet diçka; i hap (i çel) shtegun (diçkaje) (hap (çel) shtegun (për diçka); i hap portat (diçkaje). I lë një shteg (dikujt) i krijoj një mundësi (për të shpëtuar, për të ndrequr një gabim etj.), i lë një rrugëdalje. Mban shtegun e ariut (dikush) keq. pret rastin e volitshëm për t’i bërë keq dikujt, mendon të keqen për dikë. Ia mbyll shtegun (dikujt a diçkaje) i heq çdo mundësi dikujt për të vepruar a diçkaje për të ndodhur, e ndalon a i vë një pengesë të pakapërcyeshme, e pengon; ia zë shtigjet; ia mbyll rrugën; i mbyll derën (dyert); kund. i hap (i çel) shtegun (dikujt a diçkaje); (hap (çel) shtegun) (për dikë a për diçka). Ngadalë *beg se nuk ka shteg! tall. Ia ngushtoj shtegun (diçkaje) ia kufizoj mundësinë që të ndodhë a të zhvillohet, ia vështirësoj përparimin, ia bëj më të vështirë zhvillimin e mëtejshëm. E nxori në shteg (dikë) e ndihmoi për të dalë nga një vështirësi, i tregoi dikujt rrugën a i dha një zgjidhje. Ma solli në shteg. 1. (dikë). Ma nxori në vend të volitshëm për ta vrarë, për ta goditur a për t’i bërë një të keqe tjetër; ma solli në grykë të pushkës. 2. (diçka). Ma pruri fjalën aty ku më leverdis mua; më krijoi të gjitha rrethanat që të përfitoj ashtu siç dua. Shtigje të rrahuara (të shkelura) shih rrugë (udhë) e rrahur (e shkelur). Shteg më shteg shih rrugë e pa rrugë. Thur *livadhin e lë shtegun hapur (dikush). Më erdhi *lepuri në shteg. Më erdhi në shteg. 1. (dikush). Më erdhi në vend të volitshëm për ta vrarë, për ta goditur a për t’i bërë një të keqe tjetër; më erdhi lepuri në shteg; më erdhi në shtrungë; më erdhi në grykë të pushkës. 2. (diçka). Më erdhi rasti më i volitshëm që e prisja për të bërë diçka, m’u krijua mundësia më e mirë; u krijuan rrethana të përshtatshme për mua, e kam unë në dorë tani; më erdhi lepuri në shteg; më erdhi në shtrungë. E zuri në shteg (dikë) shih ia gjeti shtegun2 (dikujt). Ia zuri shtigjet (dikujt a diçkaje) nuk i la dikujt asnjë mundësi që të bënte diçka; mori masa që më parë që ta ndalojë a ta pengojë diçka; ia mbylli shtegun.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë