Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
KALLAÚZ,~I m. sh. ~Ë, ~ËT bised. 1. vjet. Njeri që e njeh mirë vendin përreth dhe mund të orientojë dikë duke i treguar se në çfarë udhë duhet të kalojë, pa pasur probleme të rastit; udhërrëfyes. Fëmijët shoqëroheshin (drejtoheshin) nga një kallauz.
2. fig., keq. Njeri që paguhet për të kryer një shërbim keqdashës; avokat i korruptuar i dikujt; spiun. E kapën (e gjobitën) kallauzin.
3. fig. Ndërmjetës për të rregulluar një punë a çështje që kryhet me anë familjariteti a nepotizmi, në interes të ngushtë të dikujt; shkes, mbles. Martesë me kallauz. Fshati që duket s’do kallauz (fj. u.).
4. Çelës kopil, që mund të hapë çdo derë. E hapi derën (portën) me kallauz.
✱Sin.: udhërrëfyes, spiun, shkes, mbles, ndërmjetës, lajmës, kopil.
LÁJMËS,~I m. sh. ~, ~IT vjet. 1. etnogr. Ai që shkonte te njerëzit e vajzës për ta kërkuar nuse për dikë, ai që hynte për të bërë një fejesë; shkues, mblesës, krushqar, mesit. Peshqeshi i lajmësit. Çoi (dërgoi) lajmës. Më parë fejoheshin me lajmës. Në krye të gostisë qëndronte lajmësi.
2. Ai që dërgohej për të thirrur ose për të njoftuar njerëzit në raste gëzimi a hidhërimi, lajmëtar. Lajmësi i fshatit.
✱Sin.: mbles, thirrës, lajmëtar, fjalëtor, kasnec.
♦ *Mish pas lajmësi.
NDËRHÝRËS,~I m. sh. ~, ~IT 1. Ai që shkel me dhunë në një vend tjetër për ta pushtuar ose për të shtypur një lëvizje revolucionare a çlirimtare. Lufta kundër ndërhyrësve të huaj.
2. Ai që ndërhyn si ndërmjetës për punën e një tjetri. E vështruan ndërhyrësin me qortim.
3. Ai që ndërhyn për të marrë fjalën në një mbledhje etj. Dëgjova me vëmendje një numër ndërhyrësish në sallë.
4. drejt. Ai që paraqitet në një çështje gjyqësore për të mbrojtur një interes vetjak ose për të mbështetur njërën palë. Ndërhyrësi kryesor.
5. etnogr. Mesës, mblesëtar.
✱Sin.: shkelës, pushtues, ndërmjetës, mbrojtës, mesës, mbles, mblesëtar, lajmës.
NDËRMJÉTËS,~I m. sh. ~, ~IT 1. Ai që hyn në mes të dy palëve për të arritur një marrëveshje, për të bërë një punë ose për të zgjidhur një grindje. Ndërmjetës tregtar. Ndërmjetës për mosmarrëveshjen (për zgjidhjen e konfliktit). Në rolin e ndërmjetësit. Hyri si ndërmjetës. Ndërmjetës ndërkombëtar. Ndërmjetës financiar. Si ndërmjetës ka një familjar të afërt. Roli i ndërmjetësit. Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve.
2. etnogr. Ai që ndërhyn për të bërë një fejesë; lajmës, mbles. Fejesë pa ndërmjetës. U martua me ndërmjetës. E gjeti nusen me ndërmjetës.
3. etnogr. Ndërmjetës bese ai që shkon të kërkojë besë nga familja e të vrarit për familjen e vrasësit; pajtues gjaqesh.
4. Ai që shërben si bartës, si ndërlidhës a si pikë kalimi në mes të dy sendeve a dy dukurive. Ndërmjetës e përhapës të baktereve. Ndërmjetës për kryqëzimin e pemëve.
✱Sin.: ndërhyrës, sekser, lajmës, shkues, mbles, mesit, mestar, bartës, ndërlidhës, dëshmitar, mesës, i ndërmjetëm, ndërhyrës.
SHKELBÁLTËS,~I m. sh. ~, ~IT vjet., etnogr. Lajmës, shkues. Dërgoi një shkelbaltës. Martesë me shkelbaltës.
✱Sin.: mbles, shkes, mblesëtar, ndërmjetës, krushqar, mesës, mestar, mesit, lyes, kallauz.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë