Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
MBI- fjalëform. Përdoret si parashtesë për të formuar emra, mbiemra e folje që shënojnë:
1. Send, dukuri, cilësi, veprim etj. që është, që lëviz a që zhvillohet sipër diçkaje, në sipërfaqen ose në pjesën e sipërme të saj; p.sh. mbibishtëz, i mbidheshëm, mbifushë, mbikalim, mbikrah, mbilëkurë, mbishartesë, mbishkrim, mbishkruaj, mbitokësor, i mbiujshëm, mbivetull etj.
2. Send, dukuri, cilësi, veprim etj. që i shtohet diçkaje tjetër dhe e rrit atë; p.sh. mbiharxhim, mbishtesë, mbishtresë, mbishtresohet, mbitaksë etj.
3. Send, dukuri, cilësi, veprim etj. që qëndron sipër të tjerëve, ngrihet më lart se ata ose i kapërcen ata; p.sh. mbidialektor, mbiklasor, i mbinatyrshëm, mbinjeri, mbinjerëzor, mbisundon, mbishtetëror etj.
4. Send, dukuri, cilësi, veprim etj. që ka përmasa më të mëdha a forcë më të madhe se të tjerët ose që është në sasi më të madhe se zakonisht; p.sh. mbiçmoj, i mbifuqishëm, mbingacmim, mbingopje, mbingroh, i mbinxehur, mbivlerësoj etj.
5. Send, dukuri, cilësi, veprim etj. që del nga një tjetër, që lidhet a ka të bëjë me të etj.; p.sh. mbiemër, mbiemëroj, mbifitim, mbijetoj, mbikëqyr, mbikohë, mbipunë, i mbiquajtur, mbivlerë etj.
MBIKALÉS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT Mbikalim.
NËNKALÍM,~I m. sh. ~E, ~ET Rrugë nën një kryqëzim rrugësh a nën hekurudhë, për kalimin e automjeteve a të këmbësorëve, nënkalesë; kund. mbikalim. Nënkalim me korsi të dedikuara për autobusët. Nënkalimet në atë rrugë ishin të shumta. Ky nënkalim e lehtëson shumë trafikun në qytet. Nënkalim nëntokësor me dy korsi.
SIPËRKALÍM,~I m. sh. ~E, ~ET ndërt. Mbikalim; mbikalesë. U përurua sipërkalimi mbi segmentin dytësor të autostradës.
ÚR/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Mbikalim prej druri, prej betoni, prej guri etj. mbi një lumë a mbi një rrjedhë tjetër uji. Urë e varur urë që mbështetet në litarë çeliku. Urë me harqe. Këmbët e urës. Mos u bëj urë e vig, të kalojë sipër i mirë e i lig. (fj. u.). Kur s’ka urë, edhe vau është i mirë. (fj. u.).
2. Diçka e ngjashme në trajtë harku, që shërben kryesisht për të lidhur dy gjëra a për të lidhur dy pjesë. Ura e syzeve (e vinçit). Ura e supit (anat.). Ura e këmbës (anat.) pjesa e thelluar e shputës së këmbës. Urë dhëmbësh pllakë që mban dhëmbët e vënë duke i lidhur me dy dhëmbë të shëndoshë. Ura e violinës copëz dërrase në trupin e veglës, mbi të cilën mbështeten telat.
3. fig. Ndërlidhje që vendoset ndërmjet dy palëve, ndërmjet dy anëve etj. për të arritur diçka; diçka që lidh dy anë. Urë pajtimi. I preu urat me dikë. Shërben si urë kalimi.
4. sport. Përkulja që merr trupi i ngritur hark, kur mbështetemi me duar e me kokë prapa. Bëri urën.
5. spec. Kullë në anije ose në disa makina, ku qëndrojnë për të vrojtuar a për të drejtuar. Ura e komandimit.
6. Kulmar. Ura e çatisë.
7. Pjesa e poshtme e parmendës, e cila mbështetet në tokë.
8. Druja e poshtme e zgjedhës së qeve.
♦ Bëhem urë e gurë lodhem e robtohem në punë, përpiqem me të gjitha fuqitë për të përballuar vështirësitë e jetës e për të fituar diçka; i qëndroj me këmbëngulje e me durim çdo pune të rëndë a çdo vështirësie; bëhem copë (copë e gojë, copë e thërrime). Iu bë urë (e vig) (dikujt) iu përul, iu nënshtrua plotësisht dhe e lë të bëjë çdo gjë me të, ia pranon çdo kërkesë, urdhër a dëshirë pa e kundërshtuar kurrë dhe me bindje të plotë e me përulësi; i zgjati (i shtriu) qafën; iu bë baltë (e pluhur). Bëri një urë në det (dikush) i bëri një të mirë të madhe dikujt; u lidh me dikë (zakonisht për t’u fejuar a për t’u martuar ose për të lidhur miqësinë me një tjetër). Bën urë me gëzhdalla (dikush) iron. ndërmerr një punë pa e ditur si bëhet ose pa pasur mjetet e nevojshme; me fjalë është i zoti të bëjë gjithçka; mbush pusin me pështymë (me gjilpëra); e mat detin me lugë; e than detin me lugë; e korr livadhin me gërshërë. Hedh (ngre) një urë (ura) krijoj mundësi për t’u lidhur a për t’u afruar me dikë ose për të bashkuar dy gjëra, bëj një hap drejt afrimit; bëj një hap miqësor e mirëkuptimi, afrohem me dikë. Është (ka mbetur) (ende) tek ura (dikush) iron. nuk ka ndryshuar fare, ka ngelur me të vjetrën a ka mbetur prapa të tjerëve; nuk ka marrë vesh se ç’bëhet përreth dhe nuk ka mësuar nga zhvillimet e reja; mbeti në bisht (në bisht të urës, te bishti i urës). *Këmba (këmbëza) e urës. Mbeti në *bisht (në bisht të urës, te bishti i urës) (dikush) përçm. Mbeti te *këmbëza e urës (dikush). I pres urat (me dikë) i këput lidhjet me dikë, nuk jap e nuk marr më me të, nuk dua të kem të bëj më me të; i prish curlet. Nuk i shkon kali (gomari) në urë (dikujt) nuk ia arrin qëllimit, nuk i del ashtu si e kishte parashikuar; nuk ia hedh dot dikujt, nuk i ecën me dikë a për diçka; nuk i shkon kali (gomari) në udhë. Urë mbi gurë njeri i fortë, trim dhe i paepur; dru arre; lis i lartë. Urë kalimi mjet a mënyrë për të arritur në një gjendje tjetër, për të lidhur dy gjëra të ndryshme etj. Urë pa këmbë mospërf. njeri jo i sigurt e i paqëndrueshëm, njeri pa themel, të cilit nuk mund t’i zësh besë, tek i cili nuk mund të mbështetesh. Urë pa qemer diçka jo shumë e qëndrueshme dhe e pasigurt, diçka e dobët, që s’mund t’i besosh, që s’të mban a që mund të shembet lehtë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë