Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BINJÁK,~U m. kryes. sh. ~Ë, ~ËT 1. Secili nga dy djemtë që lindin njëkohësisht nga e njëjta mëmë. Lindi binjakë. Janë binjakë. Nënë e dy binjakëve. Më bëre binjakë, / Ndaj më qenke tretur, / Çupën ke në sisë, / Djalin ke nën sqetull. (folk.).
2. Kalli misri që përbëhet nga katër a pesë kallinj të vegjël të ngjitur së bashku; vëllezër. Kallinjtë e misrit rrallë bëhen binjakë.
3. Dash me dy palë brirë; ballaban.
4. fig. Frymor a send që i ngjan shumë një tjetri dhe që është i lidhur ngushtë me të. Binjakë të historisë.
5. vet. sh. i shquar, astrol. Një nga dymbëdhjetë yjësitë e zodiakut; shenjë e horoskopit për të lindurit nga 22 maji deri më 21 qershor.
✱Sin.: dyjar, dynjak, çiftar, dyshe, vëllezër.
♦ Të bëhet binjak pas bythe (dikush) bised. të qepet e nuk të ndahet, të ndjek pas ngado, të mërzit shumë; të bëhet rrodhe. I bën delja binjakë (dikujt) i ka punët për së mbari, është në rregull me gjithçka; e ka në terezi, nuk i mungon asgjë; i pjell edhe kau; i pjell edhe mushka; i pjell kokoshi (këndesi). Binjakë (*vëllezër) siamezë iron. Shpirti *binjak.
MBRAPSHT ndajf. 1. Nga ana e prapme, nga ana që nuk duket, jo nga e mbara; kund. mbarë. E veshi mbrapsht. E ktheu bluzën mbrapsht. E ke këmishën mbrapsht.
2. Praptas; andej nga ka ardhur dikush, prapa. Eci mbrapsht. Shkonte (tërhiqej) mbrapsht. Ekipi u kthye mbrapsht.
3. Duke ia kthyer pas në shenjë mospranimi, pa e pranuar dikë a diçka. Ia ktheu dhuratën mbrapsht.
4. Duke iu përgjigjur dikujt. Ajo më shkroi dhe unë ia ktheva e-mailin mbrapsht.
5. Shtrembër, keq, jo ashtu si duhet; jo mbarë, së prapthi; ters; kund. mbarë. Flet (punon, mendon) mbrapsht. Rri mbrapsht e fol drejt. (fj. u.). E filloi (e bëri) mbrapsht (një punë). Më doli mbrapsht. Gjithçka vinte mbrapsht. Ia mori për mbrapsht atë që i tha.
6. Duke bërë prapësi, në mënyrë të prapë, si i prapë, si rrugaç. Sillej (vepronte) mbrapsht.
♦ I ka hipur kalit mbrapsht (së prapthi) (dikush) e ka nisur keq një punë, nuk e ka nisur për së mbari; sillet keq e me inat. S’ia kthen fjalën mbrapsht (dikujt) nuk e kundërshton, e dëgjon dhe i bindet, nuk i thotë jo. S’e kthen fjalën mbrapsht (dikush) e mban fjalën a premtimin e dhënë, atë që thotë, e bën; nuk e ha fjalën; nuk ndërron mendje. E ktheu mbrapsht (diçka). 1. E përmbysi dhe e bëri rrëmujë; e ktheu përmbys. 2. Nuk e pranoi diçka që ia kishte dërguar dikush. I mori mbrapsht (fjalët) (dikush) e pranoi se foli gabim, i tërhoqi ato që tha; u pendua.
PRÁPTHI (së) ndajf. 1. Nga ana e prapme; mbrapsht; kund. së mbari. E ktheu së prapthi. I mbathi këpucët së prapthi.
2. Në drejtim të kundërt me ecjen ose me mënyrën e zakonshme për kryerjen e një veprimi. Ecën së prapthi. E lexon fjalën së prapthi.
3. fig. Jo ashtu siç duhet a siç është rregulli, shtrembër, mbrapsht; kund. së mbari. E ka filluar punën së prapthi. I bën të gjitha së prapthi.
✱Sin.: mbrapsht, shtrembër, ters.
♦ I ka hipur kalit së prapthi (*mbrapsht) (dikush). E ktheu së prapthi (diçka). 1. E bëri rrëmujë diku, i luajti nga vendi a i përmbysi të gjitha gjërat. 2. E keqkuptoi a e keqinterpretoi dikush një fjalë a një bisedë, duke e marrë në të kundërtën e saj; e mori së prapthi. E mori së prapthi (diçka) nuk e kuptoi ashtu si duhet; e keqkuptoi një fjalë a një bisedë; e ktheu së prapthi; e mori nga këmbët. Ta vesh këmishën së prapthi (dikush) ta hedh e të mashtron; është shumë i shpejtë dhe i shkathët; është për t’i qitur (për t’i nxjerrë) sytë; të merr kokrrën e melit (para gjelit).
PRUSH,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Grumbull thëngjijsh të ndezur, por pa flakë; copa druri që janë djegur në zjarr e që kanë mbetur si thëngjij të ndezur; thëngjill i ndezur, gacë. Prush dushku (lisi, ahu, gështenje, thane, druri, qymyri). Prushi i mangallit. Dushku bën prush të mirë. E poqi në prush. I qeshtë buza në prush! (mallk.) u djegtë!
2. Puçrra të vogla, si të kuqërreme që u dalin fëmijëve zakonisht nga vapa; vapore, prushkurrize. E ka kurrizin tërë prush.
3. bised. Nxehtësi e lartë që ka dikush kur është i sëmurë; zjarrmi, ethe. Ka prush.
4. fig. Ndjenjë e fuqishme që të rrëmben; dëshirë e zjarrtë. Prushi i dashurisë. Me prush në gji.
5. përmb. Thekët e sixhadesë, të velenxës etj. Velenxë me prush.
6. si mb., fig. Që duket sikur lëshon shkëndija; i gjallë e i papërmbajtur në punë, në luftë etj.; i zjarrtë, zjarr. Është prush. I ka sytë prush.
✱Sin.: shpuzë, zjarr, purrë, thëngjill, gacë, prushërimë, prushkurrize, vapore, zjarrmi, zjarr, thek, i zjarrtë, plot, ethe, ndjenjë, dëshirë, i gjallë, i papërmbajtur, i nxehtë.
♦ U bë prush në fytyrë (dikush) shih u bë flakë në fytyrë (dikush). Ra në prush (dikush) ra në një rrezik të madh, mund ta pësojë keq, mund të digjet. Më digjet zemra prush (për dikë) e dua shumë dikë, përvëlohem për të; më ka zënë malli shumë për të; më digjet zemra flakë. (E do) si prushin në gji (dikë) iron. shih (e do) si zjarrin në gji (dikë) iron. Iku nga prushi e ra në gaca (dikush) shih iku nga shiu e ra në breshër (dikush). E ka hellin në prush (dikush) i ka punët për së mbari, është në rregull nga gjithçka; e ka vënë çdo gjë në terezi; nuk i mungon asgjë. E ka kokën në prush (dikush) është në rrezik të madh, mund ta pësojë keq; (është) me kokë (me krye) në torbë (në thes, në trastë). E ka prush në gji (dikë) shih e do si zjarrin në gji (dikë). I ka sytë prush (dikush) është i gjallë e i papërmbajtur, digjet për të bërë diçka; i lëshojnë (i nxjerrin) sytë shkëndija. E ka zemrën prush (dikush) shih e ka zemrën zjarr (dikush). Me *kokë në prush. *Kusia mbi prush e thëllëza në fushë tall. Sa të marrë prush për pak kohë, pa ndenjur shumë, jo gjatë, një çast. I ngrohet *vatra edhe pa prush (dikujt). Nxjerr prush me këmbët e maces (dikush) keq. përpiqet të bëjë një punë me dinakëri për të pasur përfitime për vete, nuk i futet ballazi; përdor si mashë dikë tjetër; i nxjerr gështenjat (nga zjarri) me duart e botës. (Përpëlitem) si *veza në prush. (Përpëlitem) si *zorra në prush. Piqet (digjet) në prush (dikush) është gati të bëjë gjithçka për dikë a për diçka; jep edhe jetën për të; hidhet në flakë; hidhet në zjarr. Prush i gjallë njeri i mbushur me forca e dëshira të zjarrta, i ndezur për të bërë diçka të vështirë a të rrezikshme, me plot energji. Me prush në gji me frymëzim e me një dëshirë të madhe, duke u djegur për të bërë diçka të mirë; me zjarrin e zemrës. Prush përdhe (përtokë, në hi) fare të vegjël, të parritur e zakonisht pa përkrahje (për fëmijët). Qesh (kërcen) në prush (dikush) tregohet i gëzuar nga e keqja, por ai e di se ç’heq; kërcen prifti nga belaja. Rri mbi prush jam në një gjendje të vështirë, të keqe a të rrezikshme; rri mbi thëngjij. (E bëri) *rrush e prush (diçka). *Saç pa prush. Vë dorën (duart) në prush (në *zjarr) (për dikë).
PËR pj. 1. Përdoret para një emri a mbiemri në rasën emërore a kallëzore për të shprehur një vlerësim (në kuptimin si). Mbahej për i ditur (për trim). E njihte për njeri të mirë. E mbanin për burrë të mençur.
2. Përdoret zakonisht si fjalëz përforcuese me emra asnjanës në rasën rrjedhore, në shprehje ndajfoljore me kuptime të ndryshme. Vjen (për) së shpejti. E pa (për) së largu. E vëzhgonte (për) së afërmi. E mati për së gjati (për së gjeri). E lexoi (për) së dyti. E pa (për) së pari. E ruajti (për) së gjalli. E ktheu (për) së mbari.
3. Përdoret për të ndërtuar paskajoren e foljeve. Shkuan për të punuar. Ishin të vendosur për të luftuar. Kemi të gjitha kushtet për t’u mbrojtur.
ROB,~III m. sh. ~, ~TË bised. Njeri; pjesëtar i familjes, njeri i shtëpisë, frymë (si njësi numërimi). Robtë e shtëpisë. Bëhemi shumë rob. Si i ke robtë? Nuk e di rob i gjallë nuk e di askush. Robi i do të gjitha. Rob Zoti njeri i pafajshëm, që sheh punën e vet e nuk ndihet; njeri për së mbari, njeri i mirë. As rob, as korb asnjeri, askush.
SHEST/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. Përcaktoj planin a mënyrën e kryerjes së një pune, mendoj diçka, rregulloj, ndreq, vë për së mbari; ideoj, skicoj. Shestoj një punë. Shestoi një dredhi. Shestoi diçka me vete. I shestoi mirë e mirë punët e veta.
✱Sin.: ideoj, skicoj, vijëzoj, përvijoj, ravijëzoj, planifikoj, projektoj, sendërgjoj, synoj, ujdis, bluaj.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë