Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
MATSHMËRÍ,~A f. Të qenët i matshëm; mundësia për të matur diçka. Matshmëria e dijes. Ka instrumente që ofrojnë matshmëri. Për këtë ka matshmëri me instrumente teknologjike.
PAMÁTSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që nuk mund t’i përcaktosh dot madhësinë, vëllimin a përmasat; kund. i matshëm. Trashësi e pamatshme. Segment i pamatshëm.
2. Që ka përmasa shumë të mëdha sa nuk t’i rrok syri, i pamasë, i pafund, i pakufishëm; kund. i matshëm. Oqean i pamatshëm. Hapësirë e pamatshme.
3. fig. Shumë i madh, i pakufishëm, i pamasë. Hidhërim i pamatshëm. Ka merita të pamatshme.
✱Sin.: i panjehsueshëm, i papërcaktueshëm, i pamasë, i pamatë, i pacak, i paskaj, i pafund, i pakufishëm.
TABÉL/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Pllakë me shkrime a me shenja të posaçme, e cila shërben për të treguar vendin ku ndodhesh, ku mbërrin, drejtimin e lëvizjes etj. Tabela e sheshit (e repartit) “N”. Tabela rrugore. Tabelat e dyqaneve. Tabela e shkollës (e spitalit, e portit, e aeroportit).
2. Pllakë dërrase, mermeri, xhami, metali, pleksiglasi etj., e vendosur diku, që shërben për qëllime të caktuara. Tabela e zezë (mësimore) dërrasa e zezë. Tabelat e basketbollit (sport.) dërrasat ku janë vendosur koshat në lojën e basketbollit.
3. Stendë, në të cilën jepen njoftime të ndryshme për punonjësit, për nxënësit, për rezultatet e arritura etj. Tabelë nderi vend i posaçëm në klasë, në shkollë, ku vendosen emrat dhe fotografitë e nxënësve më të dalluar. E kanë nxjerrë në tabelën e nderit.
4. Pasqyrë përmbledhëse, që përmban një varg elementesh, numrash, emrash etj., të ndarë në shtylla ose të renditur sipas rregullave të caktuara. Tabela matematike (mat.) tabela përmbledhëse me vlera e me përfundime të zgjidhura për problema e funksione të caktuara. Tabela e klasifikimit (sport.). Tabela e reshjeve. Tabela e orarit të trenave. Tabela e çmimeve. Tabela e shumëzimit (e pjesëtimit, e mbledhjes, e zbritjes) (mat.). Tabelë elektronike. Tabelë e kufizimit të shpejtësisë. Tabela periodike e elementeve. Tabela e Mendelejevit (kim.) tabela që grupon të gjitha elementet kimike, të renditura sipas numrit të protoneve ose numrit atomik. Tabelë kubimi (pyllt.) tabelë që përcakton vëllimin e drurëve pyjorë sipas parametrave të matshëm (diametër e lartësi). Tabelë ujore (bujq.) sipërfaqe e ujit tokësor ose niveli i poshtëm, në të cilin toka është e ngopur me ujë. Tabelë e qitjes (usht.) stendë e palëvizshme (ndonjëherë edhe rrotulluese ose e lëvizshme vertikalisht ose horizontalisht), zakonisht me rrathë nga 1-10, mbi të cilën qëllohet me armë nga njëfarë largësie, nën masa të rrepta sigurie.
✱Sin.: pllakë, stendë, pasqyrë.
♦ E ka bërë tabelë qitjeje (dikë) libr. e kritikon a e sulmon vazhdimisht, e godet vazhdimisht; e ka vënë (e ka) në shenjë (në shënjestër).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë