Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ANTIMATERIALÍST/E,~JA f. sh. ~E, ~ET pol., filoz. Ajo që është kundër materializmit; ajo që i kundërvihet materializmit; kund. materialiste. Ligjërata e antimaterialistes.
DOKTRÍN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT libr. Teori shkencore a filozofike; tërësia e parimeve teorike të një shkence a të një dege të saj. Doktrinë materialiste. Doktrinë idealiste. Doktrinat filozofike (politike).
IDEALÍST/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. filoz. Ajo që ndjek dhe mbron pikëpamjet e filozofisë idealiste, pasuese e idealizmit; kund. materialiste. Idealiste e shquar.
2. Ajo që udhëhiqet në jetë nga ideale të larta, nga synime fisnike dhe lufton për to deri në vetëmohim; ajo që ka qëllime të larta në jetë dhe nuk tërhiqet nga interesat vetjakë. Idealiste e madhe (e shquar, e kulluar).
3. keq. Ajo që nuk e kupton jetën drejt, ashtu siç është, por e zbukuron dhe e idealizon, që ka prirje të ëndërrojë dhe s’është në gjendje të veprojë në përputhje me realitetin. Është idealiste. Vepron si idealiste.
MATERIALÍST,~E mb. 1. Që vepron kryesisht me qëllimin që të ketë përfitim material; që beson se të pasurit para dhe pasuri është kuptimi i jetës; kund. idealist. Është shumë materialist.
2. filoz. Që ka të bëjë me materializmin, që përputhet me parimet e materializmit, që mbështetet në materializëm, që përshkohet nga materializmi; që përkrah dhe mbron parimet e materializmit; që mban qëndrim prej materialisti; kund. idealist. Botëkuptim (koncept, shpjegim) materialist. Filozofi (metodë) materialiste. Dialektika materialiste. Dijetar materialist.
MATERIALÍST,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Ai që vepron duke u nisur kryesisht nga përfitimi material; ai që beson se të kesh para dhe pasuri është gjithçka në jetë.
2. filoz. Ithtar i filozofisë materialiste, pasues i materializmit. Materialist dialektik. Materialist metafizik. Materialistët e shekullit XVII e XVIII. Pikëpamjet e materialistëve.
MATERIALÍZ/ËM,~MI m. 1. Besimi se të kesh para dhe pasuri është gjithçka në jetë; kund. idealizëm.
2. filoz. Doktrina se materia fizike është realiteti i vetëm dhe se gjithçka, duke përfshirë mendimin, ndjenjën, mendjen dhe vullnetin, mund të shpjegohet duke iu referuar materies dhe fenomeneve fizike; kund. idealizëm. Materializmi dialektik filozofia e marksizëm-leninizmit, që bazohet në kuptimin materialist të botës objektive dhe në metodën dialektike të njohjes së saj. Materializmi historik pjesë përbërëse e filozofisë marksiste-leniniste, dija mbi ligjet e përgjithshme të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, zbatimi i materializmit dialektik në studimin e historisë së shoqërisë e të dukurive të jetës së shoqërisë. Materializmi vulgar rrymë filozofike e mesit të shek. XIX, e cila njihte si realitet të vetëm materien, por i thjeshtëzonte parimet themelore të materializmit. Materializmi mekanik një nga drejtimet e filozofisë materialiste paramarksiste që mbiçmonte lëvizjen mekanike dhe përpiqej t’i shpjegonte të gjitha dukuritë e natyrës e të shoqërisë me ligjet e mekanikës.
TEORÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Përgjithësim mendor i përvojës, që lind nga praktika, që pasurohet e vërtetohet në praktikë e që pasqyron dukuritë thelbësore dhe ligjet e zhvillimit të natyrës, të shoqërisë e të mendimit; dije e fituar nga jeta dhe e përgjithësuar, që zbulon shkaqet e thella të sendeve e të dukurive, si edhe lidhjet e marrëdhëniet ligjësore ndërmjet tyre. Teori shkencore. Lidhja e teorisë me praktikën. Shkëputja e teorisë nga praktika. Konceptoj (krijoj, ndërtoj, përpiloj, zhvilloj, zbatoj, mbështes, mbroj, përmbys) një teori.
2. Tërësi e parimeve, e tezave dhe e përgjithësimeve, që formojnë një shkencë a një degë të saj, bazat e përgjithshme të një shkence; tërësi e rregullave dhe e ligjeve, që janë të domosdoshme për të njohur thellë një mjeshtëri, një art etj.; shkencë që ka si objekt studimin e këtyre parimeve, rregullave e ligjeve. Teori e makinave. Teori e muzikës (e letërsisë, e kompozimit, e përkthimit). Teori e gjuhës. Teori e pilotimit. Teori e informacionit. Teori e komunikimit.
3. Tërësi e ligjeve shkencore, që shërbejnë si bazë për një parim të përgjithshëm dhe që shpjegojnë një fakt a një dukuri; mënyrë se si e shpjegon dikush një fakt, një dukuri, etj. në bazë të këtyre ligjeve e të këtij parimi; sistem pikëpamjesh për diçka; tërësi e organizuar idesh, konceptesh abstrakte e zbatuar në një lëmë të caktuar; doktrinë, sistem, tezë. Teori materialiste. Teori idealiste reaksionare. Teoria atomike e ndërtimit të lëndës. Teoria darviniste e evolucionit. Teori e kaosit (fiz.). Teoria e mbivlerës (ek.). Teoria e relativitetit (fiz.).
4. Gjykim a përfytyrim abstrakt, që pranohet në parim dhe nuk merr parasysh praktikën; trajtim i diçkaje në një plan shumë të përgjithshëm abstrakt. I pranueshëm vetëm në teori. Në teori ashtu është, po duhet vërtetuar edhe në praktikë. Flet vetëm në teori. Teoria e artit për art. Kishte teorinë e tij për punën (për jetën, për dashurinë). Teoria dhe praktika. Teoria – e menduara dhe e thëna (e shprehura), praktika – e vërtetuara, e realizuara. Lidhja e teorisë me praktikën.
5. kryes. sh. keq. Fjalë e gjykime të kota, që nuk ndihmojnë punën, fjalë boshe e mendime që nuk sjellin dobi; spekulim. Lëri teoritë! Mjaft me teori! Këto janë teori (profka). Në teori 1. duke e parë çështjen në mënyrë abstrakte, në parim, në mënyrë abstrakte, në letër, teorikisht. 2. keq. në mënyrë të parealizueshme.
✱Sin.: doktrinë, sistem, tezë, hipotezë, spekulime.
VETËQÉNI/E,~A f., libr. 1. Qenia e materies, tërësia e sendeve dhe e dukurive që ekzistojnë pavarësisht nga ndërgjegjja, karakteri parësor i materies kundrejt ndërgjegjes (sipas filozofisë materialiste). Vetëqenia e materies.
2. Qenia dhe jetesa si diçka më vete, qenia e mëvetësishme, mëvetësi. Vetëqenia e përsosja e gjuhës shqipe. Kombet mbrojnë vetëqenien.
✱Sin.: mëvetësi, pavarësi.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë