Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABÁK,~UI m. sh. ~Ë, ~ËT 1. arkit. Pllakë e sheshtë katrore ose disk, i vendosur në majën e një kolone midis kapitelit të saj dhe strukturës së mbajtësit të traut a të harkut, që shërben për të siguruar mbajtjen e saj dhe për të mbrojtur zbukurimet figurale të pjesës së sipërme të shtyllës (të kapitelit), që shërbejnë si elemente funksionale dhe estetike. Abak mermeri.
2. mat., vjet. Llogaritës i thjeshtë primitiv, i përbërë nga një copë e vogël dërrase a kartoni, që përdoret për mësimin e numërimit; mjet njehsimi nga kohët e lashta, i përbërë nga gogla të ngjyrosura, të shkuara në disa radhë telash. Abak romak. Abak kinez. Abak japonez. Abak i ndarë në shtylla. Bëj një abak. Numëroj (llogarit) me abak.
4. Tryezë solemne për vendosjen e enëve të çmueshme te romakët e vjetër. Abak druri (plastike). Abak argjendi.
5. Lloj dërrase për lojë.
✱Sin.: numërator, numëratore, njehsor, llogaritës, kalkulator.
ABSHÍS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT mat. Njëra nga dy koordinatat, që shërbejnë për të përcaktuar vendin e një pike në një plan (tjetra quhet ordinatë); bosht horizontal në sistemin e koordinatave. Boshti i abshisave. Sistemi i abshisave. Ul pingulen në boshtin e abshisave.
ABSTRÁKT,~E mb. 1. Që nuk përjetohet ose që nuk ndihet me anë të shqisave, por që del me anë të përgjithësimit mendor; që nuk lidhet me objekte ose pamje të njohura dhe reale, por që është më shumë një shprehje e lirshme ose e përgjithshme e ideve, e ndjenjave ose e përvojave; që del me anë të abstraksionit dhe që mbështetet tek ai; kund. konkret. Mendim abstrakt. Nocion abstrakt. Roman abstrakt. Muzika abstrakte. Puna abstrakte (tek.).
2. Që është i shkëputur nga realiteti, që është shumë teorik dhe i papërcaktuar; që është i vështirë për t’u kapur e për t’u kuptuar. Teori abstrakte. Diskutim abstrakt. Flet në mënyrë abstrakte.
3. filoz. Që nuk lidhet drejtpërdrejt me realitetin konkret, që ekziston vetëm si ide, si koncept ose si formë përgjithshme e jo si diçka e prekshme. Koncept abstrakt. Ide abstrakte.
4. gjuh. Që emërton një cilësi, një tipar ose një veprim të shkëputur nga sendi ose objekti që ka cilësi a tipare ose nga vepruesi; kund. konkret. Emër abstrakt. Kuptim abstrakt. Fjali abstrakte. Ligjërim abstrakt.
5. art. Që ka të bëjë me një stil a shprehje artistike, që nuk përfaqëson drejtpërdrejt realitetin, por që përqendrohet në përdorimin e formave, të ngjyrave dhe të linjave për të shprehur ide ose ndjenja. Arti abstrakt. Pikturë abstrakte. Figura abstrakte. Vija abstrakte.
6. mat. Që nuk shoqërohet me emrin e njësisë së matjes ose të sendeve të numëruara; që ka të bëjë me gjedhe ose struktura që nuk ekzistojnë fizikisht, por që ndihmojnë në kuptimin e fenomeneve reale. Numër abstrakt. Madhësi (shifër) abstrakte. Algjebra si fushë abstrakte e matematikës.
ABSTRAKT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr., kal. 1. Veçoj ose largoj përmes procesit mendimor diçka nga konteksti i saj konkret dhe e trajtoj në një mënyrë më të përgjithshme ose më konceptuale; përgjithësoj tiparet e lidhjet e veçanta të sendeve e të dukurive, bëj abstraksion, bëj përgjithësim. Abstraktoj veçoritë e njëmendësisë. Abstraktoj metodën e punës. Abstraktoj idenë e veprës. Abstraktova mendimet e shprehura në punim.
2. filoz. Nxjerr një ide të përgjithshme duke lënë mënjanë hollësitë ose detajet e veçanta. Abstraktoj një koncept filozofik. Astrakton forma simbolike. Ai ka abstraktuar konceptimin mbi jetën.
3. inf. Veçoj detajet specifike të një sistemi dhe krijoj një strukturë më të përgjithshme. Abstraktoj modele komplekse për t’i bërë ato të kuptueshme ose të thjeshta. Abstraktoj një softuer.
4. mat. Përgjithësoj një koncept duke e thjeshtuar me modele ose simbole. Abstraktoj një rregull matematike. Abstraktoj struktura algjebrike. Abstraktoj rregullat gjeometrike.
5. art. Mënjanoj shprehjen realiste duke krijuar forma simbolike ose të thjeshtëzuara. Abstraktoi figura ekspresioniste. Abstrakton figurën e drurit.
AEROTERRORÍZ/ËM,~MI m. sh. ~MA, ~MAT Sulm terrorist me bomba nga ajri; bombardim me bomba a mjete të tjera luftarake-ajrore në një territor të banuar me njerëz civilë (në një qytet a në një vendbanim tjetër çfarëdo për të frikësuar, për të shqetësuar ose për të dëmtuar apo për të vrarë për qëllime politike, ideologjike, fetare etj. Aeroterrorizëm i paralajmëruar. Dënohet verbalisht aeroterrorizmi. Aeroterrorizëm me rrezikshmëri të lartë.
AFORÍZ/ËM,~MI m. sh. ~MA, ~MAT libr. 1. Thënie, shprehje a fjali e shkurtër, që shquhet me fuqi shprehëse, që përmbledh një mendim të mençur e të përgjithësuar, një mësim a një përvojë nga jeta dhe që përdoret në ligjërime e dije të ndryshme (filozofi, letërsi, politikë, histori, mjekësi etj.). Flet me aforizma. Aforizma të njohur. Autor aforizmash. Aforizëm filozofik. Aforizëm moral. Aforizma intelektualë. Aforizmat politikë.
2. let. Mikrostrukturë gjuhësore-letrare, që shpreh në mënyrë të ngjeshur dhe artistike, shpesh humoristike, një pohim a një mendim të mençur që përmban brenda vetes paradoksin, duke pasur karakter politik, shoqëror, filozofik, etik etj., e duke përdalluar një ton kritik përmes ironisë, sarkazmit, kontrastit, hiperbolës dhe alegorisë. Aforizëm letrar. Përmbledhje aforizmash. Aforizma humoristikë.
AFRÍSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që ka ndjenjë afrie me dikë a me diçka. Marrëdhënie të afrishme.
2. Që ka ngjashmëri me dikë e me diçka. Gjuhë (dialekte, të folme) të afrishme. Kanë plane të afrishme.
3. mat. Që i ruajnë drejtëzat a sipërfaqet paralele si të tilla gjatë shndërrimeve. Shndërrime të afrishme. Gjeometria e afrishme degë e gjeometrisë që merret me vetitë e figurave gjeometrike, të cilat ruhen gjatë shndërrimeve.
✱Sin.: i afërsishëm, i ngjashëm, i përngjashëm, i përafërt, i krahasueshëm.
AJÁR,~II m. sh. ~Ë, ~ËT vjet. 1. Kosh për të matur drithin; masë drithi. Ata e bënin ajar drithin ata matnin me ajar.
2. hist. Taksë drithi si detyrim që fshatarët ta ndanin prodhimin bujqësor me autoritete kohës (me shtetin, me beun, me kishën etj.), të cilin e matnin me ajar.
3. bised. Barazi në peshë, baraspeshë, drejtpeshim; përpjesëtim i barabartë; përputhje e plotë në masë e në kohë. Bëj ajar barrën ndaj barrën në pjesët të barabarta në të dy anët e samarit. Bëj ajar kandarin rregulloj kandarin të peshojë drejt në të dy anët. Bëj ajar sahatin rregulloj orën që të ecë me përpikëri. Bëj ajar ujët përziej në përpjesëtim të përshtatshëm ujë të ngrohtë e të ftohtë.
4. fig. Rregull, ndreqje, pastërti. Bëj ajar peshoj, mat; rregulloj, ndreq. E kam bërë ajar shtëpinë e kam ndrequr, e kam rregulluar.
✱Sin.: babune, buçuk, karroqe, thurimë, kofin, sepse, presek, baraspeshë, drejtpeshim, peshim, barazim, terezi, ndreqje, rregullim, kurdisje.
AKROBATÍZ/ËM,~MI m. sh. ~MA, ~MAT sport. Akrobaci, arti dhe shkathtësia e lëvizjeve dhe e ushtrimeve të vështira dhe të ndërlikuara, që kërkojnë forcë, shkathtësi, drejtpeshim dhe guxim. Akrobatizëm profesional. Akrobatizmi kërkon përkushtim.
AKS,~I m. sh. ~E, ~ET 1. libr. Bosht. Aks rrotullues (në rrotat e mjetet të qarkullimit). Aksi i makinës. Aksi qendror. Aks i rrotullimit (astr.) vijë imagjinare rreth së cilës rrotullohet një trup qiellor. Aksi i planetit. Aksi i tokës. Përgjatë aksit. Rreth aksit.
2. urb. Gjatësi rruge. Aks rrugor. Segmentet e akseve rrugore. Kryqëzimet e akseve rrugore.
3. gjeom., mat. Vijë imagjinare që përshkon një objekt ose një sistem, duke shërbyer si një pikë referimi për simetrinë ose për rrotullimin. Aksi gjeometrik. Aksi horizontal. Aks i koordinatave. Aksi i simetrisë vijë që ndan një figurë në dy pjesë simetrike.
4. mjek. Boshti kurrizor. Aksi i trupit vijë imagjinare që përshkruan drejtimin kryesor të strukturës së trupit ose të një organi.
5. mjek. Akson. Çdo neuron ka vetëm një aks.
AKSELEROGRÁF,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. tek. Mjet a pajisje regjistruese e akselerimit.
2. sizm. Akselerometër që mat dhe regjistron lëvizjet e tokës gjatë tërmetit. Dridhjet e tokës u regjistruan saktë në akselerograf.
AKSÍAL,~E mb. 1. Boshtor, i boshtit, që ka të bëjë me boshtin, që ka të bëjë me boshtin, që shërben si bosht, aksor. Lëvizje aksiale. Simetri aksiale (mat.). Pika aksiale. Forca aksiale (mek.). Struktura aksiale (biol.). Rrjedha aksiale e bimës (bot.). Rrotullim aksial i tokës (fiz., astr.). Kondensator aksial (elekt.). Ide aksiale (art., fig.).
2. mjek. Që ka të bëjë me shtyllën kurrizore, që i përket shtyllës kurrizore, që ka shtyllë kurrizore, i shtyllës kurrizore. Skelet aksial. Strukturë aksiale. Skanim aksial. Imazh aksial.
✱Sin.: boshtor, linear, qendror, kurrizor.
AKSIOMATÍK,~E mb. 1. filoz. Që ndërton, një sistem logjik mbi parime bazë të pranuara si të vërteta pa prova, që ka vetitë e një aksiome; që ka karakterin e një aksiome, që nuk ka nevojë për vërtetim, që pranohet si diçka e ditur ose e vetëkuptueshme. Sistem aksiomatik. Teoria aksiomatike. Parim aksiomatik. E vërtetë aksiomatike. E drejta aksiomatike. Hulumtimet aksiomatike. Marrëdhënie aksiomatike. Qasje aksiomatike. Themele aksiomatike. Në mënyrë aksiomatike.
2. logj., mat. Që përdor rregulla logjike për të nxjerrë teorema dhe përfundime. Sistem aksiomatik strukturë teorike që fillon me një grup aksiomash dhe që përdor rregulla logjike për të nxjerrë teorema dhe përfundime. Logjika aksiomatike. Funksionet aksiomatike. Premisat aksiomatike. Përkufizim aksiomatik. Gjeometria aksiomatike.
✱Sin.: parimor, themeltar, i vetëkuptueshëm, i vërtetë, i ditur, i njohur.
AKSIOMATIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR filoz., kal. 1. Vë bazën e një dijeje përmes strukturimit të një tërësie aksiomash; ndërtoj ose formuloj një teori, një sistem ose një përmbledhje konceptesh mbi bazën e aksiomave. Aksiomatizoj një sistem aksiomash për ekologjinë. Asokohe u aksiomatizuan ligjet e termodinamikës. Aksiomatizoi parimet etike për një teori morale.
2. logj., mat. Ndërtoj një sistem formal teorik e konceptor për të nxjerrë teorema dhe përfundime mbi bazën e aksiomave; procesi i vendosjes së parimeve themelore dhe i marrëdhënieve të tyre në bazë të aksiomave për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm teorik për një fushë studimi ose një sistemi logjik. Logjika moderne u aksiomatizua nga dy matematikanë.
✱Sin.: formalizoj, sistematizoj, themeloj, krijoj, strukturoj.
ALBANÍZ/ËM,~MI m. sh. ~MA, ~MAT gjuh. Fjalë a shprehje me prejardhje shqipe e njohur edhe në gjuhë të huaja. Albanizmat si nocion. Albanizmat në gjuhët fqinje. Albanizmat në rumanishten.
ÁLFA f., spec. Emri i shkronjës së parë të alfabetit grek; përdoret si simbol (α) në matematikë, në astronomi e në fizikë për të shënuar të parin kënd, të parin yll a të parën pikë, një lloj rrezesh e grimcash radioaktive në vargun e emërtimeve të tyre. Këndi alfa (mat.). Rrezet alfa. Thërrmija (grimca) alfa.
ALGJEBRÍK,~E mb., mat. Që ka të bëjë me algjebrën, i algjebrës; që është sipas rregullave të algjebrës. Numër algjebrik. Formulë (shprehje) algjebrike. Veprime algjebrike. Barazim algjebrik. Shprehje algjebrike.
ALGJEBRIKÍSHT ndajf., mat. Në mënyrë algjebrike. Thjeshtim algjebrikisht i funksioneve vijuese. Trajtim algjebrikisht i të dhënave termokimike.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë