Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AKROBATÍK,~E mb., sport. 1. Që ka të bëjë me akrobacinë ose me akrobatin, që i përket akrobacisë ose akrobatit, i akrobacisë ose i akrobatit; që është veti e akrobatit, që është i shkathët e i zhdërvjellët. Ushtrime (figura) akrobatike. Elemente akrobatike. Numra akrobatikë. Shkathtësi (shpejtësi) akrobatike. Grup (ansambël) akrobatik. Trup akrobatik. Pilot akrobatik.
2. fig., keq. Që mashtron, që bën dinakëri ose dredhi, që del ose shpëton nga gjendje të vështira me mashtrim e me shkathtësi. Ndërhyrje (veprime) akrobatike. Me mënyra akrobatike.
✱Sin.: i shkathët, i zhdërvjellët, i aftë, i guximshëm, dredharak, dinak, mashtrues, dhelparak.
BATAKÇILLË/K,~KU m. sh. ~QE, ~QET bised. Sjellje e veprim prej batakçiu; dredhi, premtime të rreme ose lajka për t’ia hedhur tjetrit; mashtrim, xhambazllëk. Batakçillëk politik. Bënte batakçillëqe. Pas kësaj gënjeshtre fshihej një batakçillëk i madh. Për të mbyllur me ta ndonjë hesap batakçillëku. E ka paditur për batakçillëk. I jep shkas batakçillëkut.
✱Sin.: mashtrim, blof, dredhi, gënjeshtër, xhambazllëk.
BLOF,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. Mashtrim në lojën me letra për ta bërë kundërshtarin të besojë të kundërtën e gjendjes së vërtetë. Bëri blof. E kishte blof.
2. fig. Fjalë ose veprim që ka për qëllim të ndikojë mbi kundërshtarin, duke e mashtruar me gjëra të paqena; dredhi, premtime të rreme ose lajka për t’ia hedhur tjetrit; veprim mashtrues, mashtrim. Blof i ulët (qesharak). Blof politik (elektoral). Bëri blof. - Mos luaj blofin me mua! Ia zbuluan blofin. E nxjerr blof. Ky nuk është blof.
✱Sin.: mashtrim, dredhi, gënjeshtër, batakçillëk, xhambazllëk, lurtim, njimtim.
BYTHÁM/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT arb. Mashtrim, gënjeshtër.
DALLAVÉR/E,~JA f. kryes. sh. ~E, ~ET bised. Veprim i pandershëm i një njeriu të keq, i cili përpiqet që me rrugë të padrejta e me mashtrime të marrë a të fitojë diçka që nuk i takon, të ngatërrojë të tjerët etj. Bënte dallavere. Fitonte me dallavere. Nuk i shkuan më dallaveret.
✱Sin.: mashtrim, spekullim, allishverish, xhambazllëk.
DRÉDHJ/E,~AI f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur dredhim a kur dridhet diçka; rrotullimi disa herë i dy a më shumë fijeve së bashku për të bërë një fill të vetëm më të trashë e më të fortë; përdredhje; kund. zhdredhje, shpërdredhje. Dredhja e fijeve. Dredhja e telit. Dredhja e gjalmit (e litarit). Dredhja e leshit (e pambukut). Dredhja me furkë. Çikrik dredhjeje. Makina e dredhjes. Reparti i dredhjes.
2. Kthimi dhe rikthimi i diçkaje, duke e lëvizur rreth vetes a rreth një boshti; rrotullim; përdredhje. Dredhje e trupit (e belit). Dredhja e hellit.
3. Dhënia e trajtës së valëzuar diçkaje të drejtë, veprimi për ta bërë dredha-dredha ose valë-valë; veprimi për ta bërë diçka me majë të lakuar, duke e rrotulluar me majat e gishtërinjve; përdredhje. Dredhja e flokëve. Dredhja (përdredhja) e mustaqeve.
4. Rrotullimi i diçkaje rreth gishtit; sjellja rrotull nëpër gishtërinj, mbledhja a mbështjellja si rrotull e një cope letre a diçkaje tjetër të ngjashme me të. Dredhja e letrës. Dredhja e cigares. Dredhja e zinxhirit. Dredhja e tespiheve.
5. Ndërrim i drejtimit. Dredhjet e udhës. Dredhja majtas (djathtas).
6. bis. Hedhje e fjalës gjetiu; dredhi;dredhim; shmangie e përgjigjes së drejtpërdrejtë. Dredhja e fjalës.
7. Dridhja e diçkaje disa herë. Dredhja nga korrenti.
8. fig., bised. Tundja që nga themelet e diçkaje, lëkundja e fortë, tronditje, që të bën të të zërë frika dhe të të hyjnë dridhmat.
9. Kthesë harkore e një rruge, e një lumi etj., lak rruge, bërryl; kthesë e tillë që bën dikush a diçka kur ecën ose kur lëviz.
10. muz., kryes. sh. Lëvizje të lehta të zërit më lart a më poshtë se toni kryesor; ngritje e ulje të vogla të zërit (kur këndojmë); dridhjet e zërit; dridhje. Dredhja e zërit.
11. Diçka e dredhur a e përdredhur. Dredhjet e sustës. Dredhja e kularit.
12. Shakullimë, shtjellë; dredhë. Dredhje ere (bore).
✱Sin.: përdredhje, spërdredhje, tjerrje, shalakatje, vërtitje, dredhim, mashtrim, rrëqethje, dridhmë, lakadredhje, gjarpërim, turrahitje, shakullimë, shtjellë.
DROGÍM,~I m. 1. Veprimi kur drogoj dikë; përdorim i drogës. Drogimi i atletit. Pas drogimit, për disa çaste nuk pa asgjë.
2. fig. Mashtrim a gënjeshtër që i bëhet dikujt. Problemi është drogimi i mendjes. Ky besim, në të vërtetë ishte një drogim për njerëzit. Drogimi nga fajdetë kishte filluar diku lart.
►EKSTRAD/ÓHEM vep., ~ ÓVA (u), ~ÚAR drejt., pës. e EKSTRADÓJ. Duhet të ekstradohet dhe të gjykohet për mashtrim. Personi që do të ekstradohet, është shtetas shqiptar. Të ekstradohen përgjithmonë nga vendi ynë.
FALSIFIKÍM,~I m. sh. ~E, ~ET Veprimi kur falsifikojmë; paraqitja e diçkaje të gënjeshtërt si të vërtetë. Falsifikimi i moshës. Falsifikimi i të dhënave. Merrej me falsifikime.
✱Sin.: shtrembërim, mashtrim.
FJÁL/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. gjuh. Njësia më e vogël e mëvetësishme e gjuhës, që ka kuptim dhe shprehet fonetikisht dhe grafikisht, e formësuar nga ana gramatikore, e cila shënon sende dhe dukuri konkrete (abstrakte) dhe përdoret e veçohet në rrjedhën ligjërimore. Fjalë shqipe. Fjalë e huaj (e huazuar). Fjalë e re (e rrallë, krahinore, e vjetruar). Fjalë e parme (e prejardhur, e përngjitur). Fjalë shënuese (emërtuese, ndihmëse, shërbyese). Fjalë me shumë kuptime. Kuptimi i fjalës. Trajta e fjalës. Theksi i fjalës. Përdorimi i fjalës. Formimi i fjalëve. Prejardhja e fjalës. Çerdhe fjalësh. Rendi i fjalëve në fjali. Mbledhja e fjalëve. Ndaj fjalën në rrokje.
2. Diçka që i thuhet një tjetri; thënie; pohim; bisedë. Fjalë të ngrohta (të ëmbla, të buta, përkëdhelëse). Fjalë të ashpra. Fjalë mashtruese (joshëse). Fjalë me vend. Thuaj një fjalë! Fjala është më e rëndë se plumbi (fj.u.). Zihej (grindej, hahej) me fjalë.
3. Këshillë a porosi që i jepet dikujt; udhëzim, urdhër, vendim. Fjala e tij ishte ligj. Ia dëgjoi (ktheu) fjalën. E çoi në vend fjalën e mësuesit.
4. Premtim a zotim për të bërë diçka; premtim a diçka e thënë. Fjala e dhënë. Fjala e nderit. Fjala dhe vepra. Ka dhënë fjalën. Fjala e burrit, pesha e gurit (fj. u.). Duhet punë e jo fjalë. Vetëm me fjalë s'bëhet gjë.
5. Marrëveshje ndërmjet dy a më shumë njerëzve ose ndërmjet dy palëve; besë. Fjalë burrash. Lidhën fjalën. E lë me fjalë me dikë.
6. Bisedë që bëhet me një tjetër, diçka që thuhet a që tregohet; muhabet. Lërini fjalët! E la fjalën përgjysmë. Meqë ra (erdhi) fjala duke marrë shkas nga biseda, me këtë rast.
7. Diçka e thënë që s'duhet të bisedohet me të tjerë; diçka që thuhet vesh më vesh nga njëri te tjetri; thashetheme. U hap fjala. I nxorën fjalë. Dolën fjalë. Fjala ka këmbë (fj. u.). Doli fjala nga dhëmballa, mori njëzet e shtatë mëhallë (fj. u.).
8. Njoftim, lajm. Dërgoj (çoj) fjalë. Lë fjalë. Pruri fjalë. Erdhi fjala.
9. Fjalim a ligjëratë që mbahet para të tjerëve; pjesë nga ky fjalim; e drejta për të folur, për të shfaqur mendimet përpara të tjerëve. Fjala e hapjes (e mbylljes). Fjala e rastit. E drejta (liria) e fjalës. Mbaj fjalën. Kërkoj fjalën. Ia ndërpreu (ia preu) fjalën.
10. Aftësia për të shprehur diçka me gojë ose me shkrim; të folurit; gjuha, ligjërimi. Forca e fjalës. Mjeshtër i fjalës. Fjala artistike gjuha që përdoret nga një shkrimtar në një vepër letrare; mjeshtëria artistike e të folurit në skenë. Kultura e fjalës. Kujdesi për fjalën. Fjala shqipe tingëllon bukur. Arma e tij ishte fjala.
11. Teksti i një kënge ose i një pjese muzikore. Fjalët dhe muzika.
✱Sin.: llaf, thënie, pohim, bisedë, kuvend, muhabet, udhëzim, urdhër, vendim, premtim, zotim, marrëveshje, besë, thashetheme, njoftim, lajm, të folur, gjuhë, ligjërim, fjalim, porosi, mesele.
♦ Fjalë petake fjalë që zënë vend. Fjalë rrumbullake fjalë që nuk zënë vend. Fjalët i merr era (fj. u.) fjalët s’kanë vlerë po nuk u shoqëruan me vepra. I bën *dredhë fjalës (dikush). Nuk bën dy fjalë bashkë (dikush) është njeri i urtë dhe i dëgjuar, është i pafjalë, s’i ndihet zëri; kund. ka ngrënë plëndës pule (dikush) shak. Bëhet fjalë (për dikë a për diçka) flitet, thuhet diçka; shtjellohet diçka, trajtohet; përmendet dikush a diçka; zihet në gojë (dikush a diçka). Bëj fjalë (për dikë a për diçka). 1. Flas për dikë a për diçka, e përmend; them a trajtoj diçka; e zë në (me) gojë (dikë a diçka). 2. (me dikë). Grindem me fjalë; zihem me dikë për diçka që s’është si duhet; trazoj fjalët; i përpjek fjalët; bëri llafe. I bëj (i çoj) fjalë (dikujt) e njoftoj, i dërgoj një lajm, e lajmëroj për diçka; e thërres; i bëj zë. E bëri me fjalë (dikë) e përfoli dhe e turpëroi, i nxori thashetheme; bëri që të tjerët ta marrin nëpër gojë. E bëj me fjalë (me dikë) merrem vesh për diçka; e lë të bëjmë diçka bashkë; e lë me fjalë; i puq fjalët. S’bën fjalë (dikush) nuk ankohet e nuk kundërshton, pranon ç’t’i japësh etj.; është shumë i urtë. S’e bëj për fjalë (diçka) nuk ia tregoj askujt diçka që nuk duhet thënë, nuk flas me njeri për diçka që duhet mbajtur e fshehtë; s’e bëj për zë. Ta bën fjalën *bosh (dikush). Nuk ia bëj fjalën *dy (dysh) (dikujt). I bën fjalës *themel (dikush). Iu bë *lak (fjala) (dikujt). Nuk i bën *lak (fjalës) (dikush). Bie fjala. 1. (për dikë a për diçka). Flitet, vjen biseda. 2. Ta zëmë, për shembull (shkurt. b.f.); fjala vjen. Bie në një fjalë (me dikë) shih e gjej fjalën (me dikë). S’i bie fjala në *tokë (dikujt). Del nga fjala (del fjale) (dikush) nuk e mban premtimin a zotimin, s’i përmbahet fjalës, gënjen, e dredh; e dredh (e përdredh) fjalën; e ha fjalën; luan nga fjala (luan fjale); kund. e mban fjalën. I kanë dalë fjalë (dikujt) është përfolur, është marrë nëpër gojë, flitet keq për të. Di të gdhendë fjalë është i zoti të gjejë fjalët e bukura; di të parashtrojë fjalët e duhura. Nuk di fjalë (dikush) i bie shkurt e copë; vepron shpejt, nuk e zgjat; është praktik. E dredh (e përdredh) fjalën (dikush). 1. E kthen dhe e stërkthen fjalën, e zgjat shumë muhabetin rreth një gjëje, duke thënë edhe hollësira të panevojshme. 2. Nuk e mban fjalën a premtimin; e ndërron mendimin, flet ndryshe nga ajo që ka thënë më parë; e ha fjalën; del nga fjala (del fjale); kund. e mban fjalën. S’do fjalë pa dyshim, s’ka dyshim, doemos; natyrisht, s’ka pse të diskutohet më tej, mos e zgjat; s’do mend; ta merr (ta pret) mendja; është afër mendjes (mendsh). Me një fjalë shkurt; në mënyrë të përmbledhur; me fjalë të tjera; fundi i fjalës. Fjalë në erë (hava) fjalë të thëna pa u menduar, fjalë boshe; premtime të kota; gjepura. Fjalë ari (e artë) thënie e mençur, e vyer, që peshon. Fjalë burri fjalë me mend; premtim që mbahet; besë. Fjalë të ëmbla e punë të tharta shih fjalë të mira e gurë në trastë (në torbë). Fjalë për fjalë. 1. Pa ndryshuar asgjë nga ajo që është thënë a është shkruar, besnikërisht; plotësisht e me hollësi; duke përmendur a duke përkthyer çdo fjalë veças; një për (më) një. 2. Në kuptim të drejtpërdrejtë; ashtu si e ka thënë a e ka shkruar dikush, pa hequr asnjë fjalë, pikërisht ashtu. Fjalë fluturake thënie a shprehje, zakonisht e figurshme, që përmban një gjykim ose një mendim përgjithësues të spikatur dhe që njihet e përdoret gjerësisht. Fjala e fundit. 1. Arritja më e re dhe më e lartë në një fushë të shkencës, të teknikës ose të kulturës. 2. Mendimi përfundimtar që vendos për diçka; mendimi i fundit. Një fjalë goje... duket shumë e lehtë diçka, por në të vërtetë është e vështirë (për një punë etj.); një llaf goje... Fjalë të mira e gurë në trastë (në torbë) premtim a zotim për të bërë diçka, por që nuk shoqërohet me punë e me vepra ose që nuk zbatohet, mashtrim me fjalë të bukura për ta përcjellë dikë; fjalë të ëmbla e punë të tharta. Me fjalën e parë në çast, menjëherë, me të thënë; me bindje e pa e zgjatur. Me fjalë të tjera ndryshe; më shkurt e më qartë, domethënë; me një fjalë. Fjalë e urtë folk. proverb; shprehje e njohur me kuptim të njësishëm e zakonisht të figurshëm, që përgjithëson një vëzhgim a një vlerësim për dukuritë e ndryshme të jetës, por që, ndryshe nga proverbi, nuk është një fjali e plotë. Fjala vjen për shembull, ta zëmë se është kështu, zëre se..; bie fjala. *Fundi i fjalës. E gjej fjalën (me dikë) merrem vesh me dikë, gjej një gjuhë të përbashkët a pajtohem në mendim me të; kuptohemi; bie në ujdi; bie në va; i ndreq hesapet; i puq fjalët. Sa për t’u gjendur në fjalë sa për të thënë diçka duke folur për gjëra të parëndësishme ose që nuk kanë të bëjnë me çështjen, sa për të marrë pjesë në bisedë. Me një *gjysmë fjale. Gjuhemi me fjalë ngacmojmë (thumbojmë) njëri-tjetrin. E ha fjalën (dikush) e mohon atë që ka thënë, e dredh; nuk e mban premtimin, gënjen; nuk është i besës; ia kthen fjalën (dikujt); kund. e mban fjalën. E hodhi fjalën (për dikë a për diçka) e zuri në gojë dikë a diçka; dha të kuptohet në bisedë se e kishte për dikë a për diçka tjetër, e kishte për të, aludoi; ndërroi bisedë. E hedh fjalën në *pus (dikush). I humbi fjala (dikujt) u habit shumë, u hutua fare sa s’mund të fliste; iu pre goja; iu mpi gjuha. I hyj në fjalë (dikujt) e kuptoj ç’thotë, e rrok çfarë thotë; e marr vesh (dikë). Ç’është ajo fjalë! as mos e thuaj!, si mund të flasësh a të mendosh ashtu!, nuk është ashtu!, s’është e nevojshme ta thuash! (si përgjigje për një kundërshtim të dikujt ose kur ai shprehet se ndihet ngushtë etj.). I jap fjalën (dikujt). 1. E lejoj a e ftoj të flasë (në një mbledhje etj.). 2. I premtoj, e siguroj dikë për diçka. S’ka fjalë e kuvend (për diçka) është shumë e vërtetë, nuk mund të diskutohet për këtë gjë, është e sigurt a e vendosur. I ka fjalët *të prera (dikush). E ka fjalën *pushkë (dikush). I ka fjalët *të shkurtra (dikush). E kapërcen fjalën (dikush) lë me qëllim pa përmendur diçka, i shmanget bisedës; nuk i vjen mirë të flitet për atë gjë. Këmbej (shkëmbej) fjalë (me dikë) zihem me fjalë me dikë, grindem me të; më shan dhe e shaj. Kërkon fjalë dëshiron të grindet, kërkon sherr. Ia kthen fjalën (dikujt). 1. Nuk i bindet dikujt, e kundërshton, nuk bën si thotë ai; i përgjigjet ashpër. 2. shih e ha fjalën (dikush). S’ia kthen fjalën *mbrapsht (dikujt). S’e kthen fjalën *mbrapsht (dikush). E lë me fjalë (me dikë) merrem vesh me të për t’u takuar diku a për të bërë diçka; e vendos me dikë; e bëj me fjalë. Lidh fjalën (me dikë) merrem vesh përfundimisht me dikë për të bërë diçka së bashku; e vendos përfundimisht të bashkëpunoj me të; merrem vesh. Nuk lidh (dot) dy fjalë (bashkë) (dikush) nuk di të flasë rrjedhshëm, i shpreh mendimet me vështirësi; nuk është i zoti i gojës. *Lojë fjalësh. Luan me fjalë (dikush). 1. Flet me fjalë të tilla që fshehin qëllimin e vërtetë, dredhon duke thënë jo atë që duhet; nuk mban qëndrim serioz, nuk e merr me gjithë mend diçka, e quan si lojë. 2. Përdor fjalë të afërta nga tingëllimi e nga kuptimi për të bërë përshtypje tek të tjerët. Ta merr (ta rrëmben) fjalën nga *goja (dikush). E mban fjalën (dikush) e plotëson premtimin, çfarë thotë e bën; është i besës; kund. e ha fjalën; e dredh fjalën; luan nga fjala (luan fjale). Mbeta pa fjalë u çudita shumë, u habita jashtë mase nga diçka e papritur a e pabesueshme; dola nga këmisha; dola nga rrobat e trupit; dola linjës. E mori ferra fjalën u përhap fjala kudo; e morën vesh të gjithë. E ndal diellin me fjalë (dikush) është llafazan i madh, të mbyt me llafe, s’i lë radhë askujt në bisedë; mburret shumë se mund të bëjë çdo gjë, e paraqit veten me fjalë si të plotfuqishëm; mbush pusin me pështymë. Që ta ngas fjalën (llafin)... meqë ra fjala; që të vijoj më tej bisedën aty ku e lamë; kam parasysh që... Më ngjit fjala (me dikë) më shkon muhabeti me dikë, pajtohem në muhabet me të; e dua si shok, është i ëmbël në muhabet dhe më pëlqen të flas me të. T’i përpin fjalët (dikush) të dëgjon me shumë vëmendje; s’i shpëton asgjë nga ato që i thua; është tërë sy e veshë (dikush); s’i shpëton qimja. I përpjek fjalët (me dikë) zihem keqas me fjalë me dikë, grindem e shahem me dikë, i them e më thotë fjalë të ashpra. Prenë fjalën etnogr. caktuan ditën kur do të bëhet martesa; bënë marrëveshje e vendosën afatin për diçka. I puq fjalët (me dikë) pajtohem në mendim, merrem vesh; i rregulloj punët me të; bie në një mendje; e gjej fjalën; e bëj me fjalë. E qep fjalën them fjalë me vend, që nuk m’i rrëzon dot kush. Ta rrëmben fjalën nga goja (dikush) të kupton a ta kap mendimin menjëherë; është shumë i zgjuar; të ndërpret në të folur, nuk të lë të flasësh më tej; ndërhyn në një bisedë dhe e vijon vetë më tej. I shkon (i ecën, i dëgjohet, i zë vend) fjala (dikujt) ia pranojnë mendimin, ia çojnë në vend porositë a ia plotësojnë kërkesat; ka ndikim tek të tjerët, i binden e bëjnë si thotë ai. I shkoi fjala *bosh (dikujt). I tërheq fjalët zvarrë. 1. Flet ngadalë si i vogël. Flet me përtesë. 2. Zgjat dhe zvarrit mbarimin e një pune. I trash fjalët (me dikë) filloj të zihem me fjalë të ashpra me dikë; acarohem edhe më shumë me fjalë, nis të përdor kundër tij fjalë të rënda; i thartoj fjalët. Trazoj fjalët (me dikë) zihem me dikë, prishem me të e grindem me fjalë të ashpra. I thartoj fjalët (me dikë) zihem e keqësohem me dikë, prishem edhe më shumë me fjalë të hidhura kundër tij; i trash (i ashpërsoj) fjalët. (Nuk tha) asnjë *gjysmë fjale (dikush). Ia ushqen fjalën (dikujt). 1. Ia miraton ato që thotë; e nxit të flasë. 2. E lëvdon e i bën qejfin, e përkëdhel më shumë se ç’duhet; e përkrah, pavarësisht e ka mirë a keq. I vë *qokë fjalës. Ia zuri fjalën në *gojë (dikujt).
GËNJESHT/ËR,~RA f. sh. ~RA, ~RAT 1. Fjalë e thënë që s’është e vërtetë; pohim që nuk përputhet me të vërtetën, që shtrembëron a e fsheh me qëllim të vërtetën; rrenë, mashtrim; diçka e paqenë, e trilluar. Gënjeshtër e rëndë (e madhe, e ndyrë). Gënjeshtër me bisht (bised.) gënjeshtër që bie në sy menjëherë. Gënjeshtra me okë. Një thes me gënjeshtra. Thotë (këput) gënjeshtra. Na mbushi me gënjeshtra. S’u besojmë atyre gënjeshtrave. S’i hamë ato gënjeshtra. Doli gënjeshtra në shesh. Gënjeshtra i ka këmbët të shkurtra (fj. u.). Gënjeshtra bën vegshin, por nuk ia vë kapakun (fj. u.).
2. zakon. sh. Premtime, shpresa të kota. E mban me gënjeshtra.
3. Diçka që të gënjen a të bën të gabohesh, diçka e gënjeshtërt; iluzion.
✱Sin.: rrenë, profkë, trillim, përrallë, beshte, mashtrim.
HÉDHJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur lëshoj me forcë a me shpejtësi një send në një drejtim të caktuar zakonisht larg vetes; flakja tutja. Hedhja e bombës. Hedhja e shigjetës (shtizës, diskut). Hedhje me parashutë.
2. fig. Veprimi kur flak diçka tutje si të panevojshme; shtënie, dhënie a vërvitje e diçkaje ose e drithit përpjetë në erë për të ndarë kokrrat nga kashta. Hedhja e fatit vërvitja e fatit. Hedhja e valës në breg përplasja a flakja tutje e valës në breg. Hedhja e drithit (misrit, orizit, fasules).
3. E shtyrë me synim për ta rrëzuar dikë a diçka që qëndron në këmbë; rrëzim përdhe. Hedhja nga shkallët. Hedhja jashtë dritares. Hedhja e tjegullave nga çatia. Hedhja e farës në arë. Hedhja në fund të detit (në pus). Hedhja e grepave për të peshkuar. Hedhja e shtëpisë nga tërmeti rrëzimi i shtëpisë nga tërmeti. Hedhja e lisit për tokë. Shtyrja e dikujt për tokë.
4. Vënie a shtrirja e diçkaje në një vend, për një qëllim të caktuar ose për të mbuluar dikë a diçka. Hedhja e shallit në qafë. Hedhja e xhaketës krahëve. Hedhja e pushkës në krah. Hedhja e jorganit përsipër.
5. Kapërcimi i diçkaje që kërkon përpjekje; kalim a kapërcimi i një pengese. Hedhje e lumit. Hedhja e sëmundjes.
6. Lënie a vënie pa kujdes e pa rregull e sendeve sa andej-këtej. Hedhja e rrobave nëpër dhomë. Hedhja e lodrave nëpër shtëpi. Hedhja e librave grumbull.
7. Shtënie a futje brenda e diçkaje. Hedhja e letrës në kuti. Hedhja e grurit në thes. Hedhja e ujit në gotë. Hedhja e verës në fuçi. Hedhja e gjellës në pjatë. Hedhja e tretësirës në epruvetë.
8. Vënia mënjanë e ushqimeve për t’i ruajtur për një kohë tjetër, për në dimër (zahire) ose në një moment tjetër për një qëllim të caktuar. Hedhja e zahiresë për dimër. Hedhja e bereqetit. Hedhja e gjetheve për bagëtinë.
9. Lëshim a nxjerrje e diçkaje me forcë. Hedhja e ujit me pompë. Hedhja e shkelmave. Hedhja e rrënjëve të bimës. Hedhja e helmit të gjarprit. Hedhja e lastarëve të bimës. Hedhja e rrezeve të diellit.
10. Shtrim a parashtrim i një mendimi ose i një ideje. Hedhja e një fjale. Hedhja e një mendimi parashtrimi i një mendimi.
11. Lëvizje e shpejtë në një drejtim të caktuar (referuar një pjese të trupit). Hedhja e hapit (këmbëve, çapave). Hedhja e flokëve prapa. Hedhja e krahëve në qafë. Hedhja e kokës mënjanë. Hedhja e valles.
12. Dërgim a drejtimi i diçkaje me shumicë e me vrull në një vend të caktuar. Hedhja e trupave në luftë. Hedhja e forcave në betejë. Hedhja e librit në qarkullim. Hedhja e mallrave në treg.
13. Veprimi kur shtie falli. Hedhje e fallit me letra (me filxhanin e kafesë)..
14. Ngarkimi i një gabimi ose i një faji dikujt; mashtrim. Hedhja e gabimit dikujt.
15. Roitje e bletës. Hedhje e bletës.
16. Dështim i pjellës. Hedhje e dy fëmijëve. Hedhje e deles.
17. krahin. Shami koke. Hedhje me lule.
18. krahin. Hi që mbulon thëngjijtë.
✱Sin.: flakje, vërvitje, përflakje, përhedhje, flakëritje, kërcim, shtënie, shtim, shtyrje, shtytje, vënie, grumbullim, derdhje, futje, lëshim, parashtrim, kapërcim, kalim, nxjerrje, qitje, ngarkim, ngopje, përqendrim, vërvitje, vërsulje, mashtrim, shtënie, dështim.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë