Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
OGRÍSHT/E,~JA f. sh. ~E, ~ET bot. (lat. Lactuca serriola) Bimë e egër barishtore, një- a dyvjeçare, deri në dy metra e lartë, me gjethe të dhëmbëzuara thellë, të mëdha afër fundit e më të vogla lart, me lule të verdha që dalin nga korriku deri në shtator, me pjesët e saj që lëshojnë lëng si qumësht kur këputen, që rritet në djerrina e toka gurishtore, që ka vlera ushqyese dhe mjekuese; qumështore e egër; marule e egër. Gjethet e ogrishtes. Në anë të arës kishin mbirë plot ogrishte.
SALLÁT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. bot. Bimë barishtore njëvjeçare e llojeve të ndryshme, me gjethe të mëdha të gjelbra, që hahen të gjalla me vaj, me uthull e me kripë. Sallatë e njomë. Sallatë marule. Mbjell sallatë. Blej dy tufa sallatë.
2. Ushqim i ftohtë, i përgatitur zakonisht me perime të gjalla a të ziera, të grira e të marinuara me vaj, me uthull e me kripë. Sallatë jeshile sallatë vetëm me gjethe të gjelbra e me qepë të njoma. Sallatë e përzier. Sallatë me ullinj. Sallatë me tranguj (me patate, me lakra). Sallatë me vezë të ziera. Sallatë ruse patate, karota e fasule të ziera, të cilave u hidhet sipër salcë e bardhë me vezë. Përgatiti peshk me sallatë.
3. fig. Gjë e ngatërruar, e bërë lëmsh; grumbull gjërash pa lidhje ndërmjet tyre, çorbë. Na e bëri çdo gjë sallatë. Ia bëri mendjen sallatë.
4. bot. Pjesë e parë e emërtimit të pathjeshtë për një lloj alge. Sallatë deti algë me gjethe të blerta e të valëzuara që rritet në det.
♦ Ma bëri kokën (mendjen) sallatë (dikush) më trullos, më bëri që të mos marr vesh çfarë thuhet a çfarë ndodh; ma prishi mendjen; ma bëri kokën (mendjen) dhallë. E bëri sallatë. 1. (diçka) shih e bëri copë (copë e çikë, copë e thërrime) (diçka). 2. (dikë) shih e bëri copë-copë (dikë). Grin sallatë (dikush) thjeshtligj. flet shumë e kot, llap kot, flet e s’e dëgjon njeri; grin lakra thjeshtligj.; flet në erë; i bie legenit thjeshtligj.; rreh ujë në havan.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë