Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
MARK/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Vendos një shenjë për ta dalluar, e bëj me shenjë, shenjoj. Markoj territorin.
2. sport. Mbroj kundërshtarin në lojërat me top, mbuloj. Mbrojtësi po markonte mesfushorin kundërshtar. Duhet ta kishte markuar më mirë flokëverdhin që të mos e bënte dot golin.
3. biol., mjek. Tregon praninë e diçkaje, e një karakteristike kimike ose fizike në ADN.
4. gjuh., vet. v. III Tregon klasën a funksionin gramatikor ose semantik të një fjale, si për shembull mbaresat e zgjedhimit të foljeve, mbaresat e lakimit të emrave etj.; e bën një element gjuhësor më të dallueshëm sesa një tjetër. Markon zanoren.
MARKÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që mund ta markoj; që mund të markohet; kund. i pamarkueshëm. Përdor një aplikacion që është plotësisht i personalizueshëm dhe i markueshëm. Zgjedh një emër domeni që është i markueshëm. Ambalazhet duhet të jenë lehtësisht të identifikueshme, të markueshëm e të etiketueshëm. Ai është vështirësisht i markueshëm kur e ka topin në këmbë.
MBUL/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. I vë diçkaje përsipër një pëlhurë, një mushama, një kapak etj. për ta mbrojtur ose për ta ruajtur; i hedh dikujt përsipër një rrobë a një mbulesë (kur fle, kur ka të ftohtë etj.); kund. zbuloj. Mbuloj tryezën. Mbuloj fëmijën (të sëmurin). Mbuloi supet me shall. E mbuloi me kapak. Mbuloj me batanije (me mushama). E mbuloi me jorgan. Si të shtrosh, ashtu të mbulojnë. (fj. u.).
2. I hedh çatinë një ndërtese; vë tjegullat etj. në çati. Mbuloi shtëpinë (kasollen). Mbuloj me tjegulla (me kashtë, me beton).
3. Lyej sipërfaqen e një sendi me diçka; i hedh diçka përsipër ose e vesh me diçka, e mbështjell; kryes. v. III i bie a i rri përsipër një shtresë prej diçkaje, e zë të gjithë sipërfaqen e vendit a të sendit, sa nuk duket më; vjen a del me shumicë sipër diçkaje sa e fsheh të gjithë, e mbush. E mbuloj me bojë vaji (me llak, me një shtresë dylli). E mbulon një cipë (një push i hollë). Bora mbuloi malet. Blerimi (bari) mbuloi fushat. Arat i mbuloi uji. Orenditë i mbuloi pluhuri. Mbuloj me dhe (me rërë, me baltë). Mbuloj zjarrin me hi. Luginën e mbuloi mjegulla. Ia mbuluan varrin me lule. E mbuluan thinjat.
4. Fut në dhe një të vdekur, e varros. E mbuluan me nderime të mëdha. E mbulofshin të gjallët (mallk.).
5. Fsheh një send me diçka, e zë me diçka që të mos duket. Mbuloj sytë me duar. E mbulonin fytyrën me perçe. Retë mbuluan diellin.
6. fig. Përpiqem në mënyra të ndryshme të fsheh një faj, një gabim ose një të metë, e fsheh; e mbyll, i jap fund pa e zgjidhur. Donte ta mbulonte fajin (krimin). S’i mbulon dobësitë (të metat) e veta. Mbulojnë qëllimet e vërteta. Mbulonin gabimet e njëri-tjetrit. E mbuloi me fjalë (me fraza) të bukura. E mbuluan atë çështje.
7. E mbush plot me diçka, i jap me shumicë; e pllakos, e mbyt (edhe fig.). E mbuloi me të puthura. E mbuloi me para (me të gjitha të mirat). E mbuloi me të shara. E mbuluan me lavdi. E mbuluan lotët. I mbuloi varfëria. E mbuluan hallet (punët). E mbuloi frika. E mbuloi turpi.
8. usht. I bëhem dikujt mburojë a mbështetje në një luftim; e mbroj me zjarr që të mos dëmtohet nga armiku, e ndihmoj me zjarr. Mbuluan veprimet e batalionit. E mbuloi me artileri (me top, me mitraloz, me zjarr).
9. sport. Përshkoj një largësi (në garat e vrapimit, të notit, të çiklizmit etj.) brenda një kohe të caktuar; bëj. E mbuloi largësinë për 13 minuta e 10 sekonda.
10. sport. Mbroj kundërshtarin në lojërat me top; markoj.
11. fin. Siguroj mjetet e nevojshme financiare për të përballuar një shpenzim a detyrim; përballoj, shlyej. Mbuloi borxhin. I mbuloi shpenzimet vetëm pjesërisht. I mbuloi humbjet. Mbulon nevojat e kompanisë. Të ardhurat u përdorën për të mbuluar ndërtimet e reja.
12. zyrt. Kam nën varësi a drejtoj një sektor pune. Mbulon një fushë të gjerë veprimtarie. Secili përgjigjet për sektorin që mbulon.
✱Sin.: mërtis, plaf, mbështjell, mbush, varros, mbroj, fsheh, maskoj, pllakos, përshkoj, përballoj, heq, vesh, zë.
♦ Mbuloi *balta baltën përb. E ka mbuluar *bari (dikë). E mbuloi me *dafina (dikë). E mbuloi *dobiçin (dikush) bised. I mbulon (i humb, i fsheh) *gjurmët (dikush). E mbuloj (e fsheh) në *hi (diçka). Të mbulofshin *të mirat! ur. E ka mbuluar (e ka zënë) *pluhuri (diçka). Ia ka mbuluar varrin *bari (dikujt). Si më *shtron të mbuloj.
PËRSHENJ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. I vë shenjë, shenjoj, markoj. Përshenjon objektet paraardhëse ose pasardhëse.
2. Shenjoj kufirin e diçkaje; kufizoj. Përshenjojnë zonat e peshkimit.
3. Tregoj. Teshat e bardha si bora kanë përshenjuar gjithnjë pastërti e prestigj social.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë