Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
HABITÓR,~E mb. 1. Që na habit; çuditës. Ka disa mekanizma që ngjallin edhe efekte habitore. Ishte një peizazh habitor.
2. gjuh. Që shpreh a shënon diçka, të cilën e japim si të papritur, si të çuditshme a si gjë që na habit, çuditëse (për fjali). Fjali habitore. Mënyra habitore një nga mënyrat e foljes në gjuhën shqipe, e cila shpreh një veprim a një gjendje që kryhet ose ngjet papritur dhe ngjall habi.
✱Sin.: habitës, çuditës, mahnitës.
MAGJÉPSSH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që të magjeps, magjepsës. Është një libër i magjepsshëm që të mban pezull. Kishte ëndrra të magjepsshme.
✱Sin.: magjepsës, mahnitës, i mrekullueshëm.
MAGJÉPSËS,~E mb. 1. Që ka fuqi magjike për të magjepsur dikë ose diçka; kund. çmagjepsës. Ata pinë ujë nga burimi magjepsës.
2. Që të mahnit, që të mrekullon, që të magjeps. Ujëvarë më magjepsëse nuk kishte parë ndonjëherë. Bukuri magjepsëse. Rrezet magjepsëse të hënës. Sy magjepsës. Zë magjepsës. Tregim magjepsës.
✱Sin.: mahnitës, i mrekullueshëm, joshës, hipnotizues.
MAGJIPLÓTË mb. Që të tërheq a të rrëmben me fuqi të jashtëzakonshme, që të josh plotësisht si me magji, që të magjeps tërësisht. Fytyrë (pamje) magjiplotë. Buzëqeshje (bukuri) magjiplotë. Çele zërin magjiplotë! Dëgjoj tingujt magjiplotë të këngës.
✱Sin.: magjepsës, joshës, mahnitës, i mrekullueshëm.
MAHNÍTSH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që të shkakton habi apo kënaqësi shumë të madhe, që të mrekullon, që të lë me gojë hapur, mahnitës. Pamje (bukuri) e mahnitshme e maleve. Pikturë e mahnitshme. Sy të mahnitshëm. Njeri me forcë të mahnitshme. Shkencëtar me mendje të mahnitshme. Përparime (ndryshime) të mahnitshme. Zhvillime të mahnitshme të teknologjisë. Ka një durim të mahnitshëm.
✱Sin.: mahnitës, magjepsës, i mrekullueshëm, i habitshëm, i çuditshëm, magjik.
STALAKTÍT,~I m. sh. ~E, ~ET Shtyllë konike prej karbonati të kalciumit, që varet me majë tatëpjetë nga kubeja e disa shpellave; formohet nga avullimi i ujit gëlqeror që futet nga sipër në kubenë e shpellës dhe shpeshherë maja e tij bashkohet me atë të stalagmitit. Stalaktitet janë pjesë e rëndësishme e ekosistemit të shpellave. Stalaktitet përbëjnë një habitat natyror të përshtatshëm për shumë specie që jetojnë në shpella. Stalagmitet dhe stalaktitet kishin krijuar një peizazh mahnitës.
STÉP/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT gjeogr. Vend i gjerë fushor pa drurë, me bimësi të varfër barishtore dhe me klimë të thatë. Disa lloje bimësh e kanë të vështirë të jetojnë në klimën e thatë të stepës. Përpara tyre u shpalos peizazhi mahnitës i stepave livadhore. Zona e stepave është e pasur me shumë lloje kafshësh. Dhelpra e stepës është një specie që jeton në habitatet e hapura dhe të thata natyrore të stepës.
STILIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. I jap tiparet dalluese të një stili të caktuar; imitoj stilin, veçoritë e gjuhës, të mjeteve shprehëse të një shkrimtari, të një mjedisi a epoke për të arritur një efekt të caktuar.
2. Përpunoj një krijim ose një punim artistik, duke i ruajtur disa tipare themelore a veçori dalluese. Ai e stilizoi fjalimin e tij duke përdorur fjalë dhe figura të veçanta. Kompozitori krijoi një këngë duke stilizuar vijën melodike të një kënge të vjetër. Kishin stilizuar veshjet popullore në shfaqjen e radhës. E stilizuan vallëzimin me disa lëvizje të reja e të hijshme.
3. Paraqit diçka në skulpturë ose në pikturë, duke e thjeshtuar si zbukurim. Stilizoi siluetën e skulpturës. E kishte stilizuar në një portret mahnitës.
ÇUDIBËRËS,~E mb. 1. Që bën punë a vepra të jashtëzakonshme e mahnitëse, që bën çudira. Njeri çudibërës. Aparat çudibërës. Mendjet më çudibërëse të njerëzimit.
2. Që ka ndikim të jashtëzakonshëm ose forcë të veçantë, i mrekullueshëm. Ilaç çudibërës. Ujë çudibërës. Mjekime çudibërëse. Përfytyrohet sikur ka veti çudibërëse. Qumështi i saj është çudibërës.
3. fet. Që ka forcë vepruese të mbinatyrshme. Fuqi çudibërëse. Vinin dervishët më çudibërës. Ti je një Zot çudibërës.
✱Sin.: mahnitës, i mrekullueshëm, i jashtëzakonshëm.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë