Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABONÍM,~I m. sh. ~E, ~ET ek. Marrëveshje ose kontratë për të marrë një shërbim, një botim ose një produkt në mënyrë të rregullt, zakonisht për një periudhë të caktuar kohore dhe kundrejt një tarife; parapagesë për një shërbim ose një blerje. Abonim për një revistë (gazetë, program radio a televizion). Abonim për shërbime digjitale. Abonim për telefon (energji elektrike). Anulim i abonimit. Abonim për shërbime utilitare. Shërbimi i abonimit.
✱Sin.: pajtim, parapagim, abone.
ABON/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR ek., jokal., edhe kal. Bëj parapagimin për diçka, paguaj përpara për të marrë në mënyrë të rregullt një shërbim a një blerje, për një kohë të caktuar dhe me pagesë periodike; pajtoj. Abonoj për gazetën (për revistën). Abonoi për programin e stërvitjes fizike.
✱Sin.: parapaguaj, pajtoj.
ABORDÁZH,~I m. sh. ~E, ~ET det. Mënyrë a manovër e vjetër luftimi në det mes anijesh në afërsi, ku luftuesit përleshen trup me trup në kuvertë me mjete të ftohta (çengela) ose të zjarrta; ndeshje e papritur e dy anijeve me qëllim pushtimi. Anije abordazhi. Luftim abordazhi. Urë abordazhi. Piratët përgatitën një abordazh.
ABROG/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR drejt., kal. Hedh poshtë një ligj, një vendim, një rregullore, një urdhër në mënyrë zyrtare, e bëj të pavlefshëm ose të papërdorshëm një akt ligjor të mëparshëm. Abrogoj një ligj (një dispozitë ligjore). Kuvendi abrogoi Ligjin e Punës. Abroguan vendimin e Këshillit shkencor. Abroguan urdhrin e komisionit.
✱Sin.: shfuqizoj, prapësoj, asgjësoj, pezulloj, anuloj.
ABSOLÚT,~E mb. 1. Që është i pavarur dhe i pandryshueshëm, që është i përhershëm, që nuk kushtëzohet nga diçka tjetër, që është diçka që ekziston ose qëndron më vete ose vetvetiu, që nuk krahasohet me diçka tjetër; kund. relativ. Shifër absolute. Madhësi absolute. Vlerë absolute. Ide absolute (filoz.). Fryma absolute. Identiteti absolut. Mosha absolute (gjeol.). Shkalla sipërore absolute (gjuh.). Shpejtësi absolute (fiz.). Lartësi absolute. Mbretëri absolute. Autokraci absolute. Pushtet absolut.
2. Që është i plotë e tërësor, që nuk varet nga rrethana a kushte, që nuk ka asnjë përjashtim a kufizim. Epërsi absolute. Njësimësi absolute. Qetësi absolute. Liri absolute. Drejtësi absolute. Mungesë (pamundësi) absolute. Temperaturë absolute (fiz.). Amnezi absolute (mjek.). Kampion absolut (sport.) sportist që ka fituar mbi kundërshtarët e tjerë në ndeshjet e një lloji të caktuar sporti. Zero absolute (fiz.). Shumicë absolute shumicë që e kalon gjysmën e tërësisë së numëruar, shumicë dërrmuese.
3. Që është i sigurt, i qartë, i padyshimtë, i prerë, i padiskutueshëm ose i pakontestueshëm; që nuk lëshon pe. Gjykim absolut. E vërteta absolute (filoz.). Substanca absolute (filoz.). Logjikë absolute. Vendim absolut. Nevojë absolute. Në mënyrë absolute.
4. Që nuk zbaton asnjë ligj, që nuk njeh asnjë kufizim, që ushtron pushtet të plotë, që e mban në dorë gjithë pushtetin; tiranik, despotik. Mbretëri absolute. Pushtet absolut. Sundim absolut. Mbret absolut. Sundimtar absolut.
5. gjuh. Që është i pavarur nga pjesët e tjera të fjalisë, që qëndron më vete. Ndërtim sintaksor absolut.
✱Sin.: i plotë, i tërësishëm, i sigurt, i palëkundur, i pakushtëzuar, i padyshimtë, i pakufizueshëm, tiranik, despotik, autokratik.
ABSOLUTÍSHT ndajf., libr. Në mënyrë absolute, pa përjashtim, pakufizueshëm, plotësisht, krejt. Absolutisht i drejtë (i domosdoshëm, i nevojshëm). Absolutisht i gabuar (i papranueshëm).
✱Sin.: plotësisht, pakufizueshëm, pakontestueshëm.
ABSTRAKSIONÍST,~I m. sh. ~Ë, ~ËT art. Ai që krijon e që mendon në mënyrë abstrakte; ai që u përmbahet parimeve të abstraksionizmit në artet figurative, në muzikë, në filozofi, në shkencë etj.; pasues e zbatues i abstraksionizmit. Abstraksionist i njohur. Abstraksionist në fushën e artit.
ABSTRAKSIONÍST/E,~JA f. sh. ~E, ~ET Ajo që krijon e që mendon në mënyrë abstrakte; ajo që u përmbahet parimeve të abstraksionizmit në artet figurative, në muzikë, në filozofi, në shkencë etj.; pasuese e zbatuese e abstraksionizmit. Ishte abstraksioniste e vërtetë.
ABSTRÁKT,~E mb. 1. Që nuk përjetohet ose që nuk ndihet me anë të shqisave, por që del me anë të përgjithësimit mendor; që nuk lidhet me objekte ose pamje të njohura dhe reale, por që është më shumë një shprehje e lirshme ose e përgjithshme e ideve, e ndjenjave ose e përvojave; që del me anë të abstraksionit dhe që mbështetet tek ai; kund. konkret. Mendim abstrakt. Nocion abstrakt. Roman abstrakt. Muzika abstrakte. Puna abstrakte (tek.).
2. Që është i shkëputur nga realiteti, që është shumë teorik dhe i papërcaktuar; që është i vështirë për t’u kapur e për t’u kuptuar. Teori abstrakte. Diskutim abstrakt. Flet në mënyrë abstrakte.
3. filoz. Që nuk lidhet drejtpërdrejt me realitetin konkret, që ekziston vetëm si ide, si koncept ose si formë përgjithshme e jo si diçka e prekshme. Koncept abstrakt. Ide abstrakte.
4. gjuh. Që emërton një cilësi, një tipar ose një veprim të shkëputur nga sendi ose objekti që ka cilësi a tipare ose nga vepruesi; kund. konkret. Emër abstrakt. Kuptim abstrakt. Fjali abstrakte. Ligjërim abstrakt.
5. art. Që ka të bëjë me një stil a shprehje artistike, që nuk përfaqëson drejtpërdrejt realitetin, por që përqendrohet në përdorimin e formave, të ngjyrave dhe të linjave për të shprehur ide ose ndjenja. Arti abstrakt. Pikturë abstrakte. Figura abstrakte. Vija abstrakte.
6. mat. Që nuk shoqërohet me emrin e njësisë së matjes ose të sendeve të numëruara; që ka të bëjë me gjedhe ose struktura që nuk ekzistojnë fizikisht, por që ndihmojnë në kuptimin e fenomeneve reale. Numër abstrakt. Madhësi (shifër) abstrakte. Algjebra si fushë abstrakte e matematikës.
►ABSTRAKT/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR libr. 1. vetv. Largohem, me anë të të menduarit, nga veçoritë konkrete të sendeve, të objekteve e të dukurive duke i përfytyruar ato në mënyrë abstrakte, bëj abstraktim, përgjithësoj, thjeshtoj. Abstraktohem nga e veçanta. Prirem të abstraktohem dhe të përqendrohem në parimet e përgjithshme.
2. pës. e ABSTRAKTÓJ. U abstraktuan konceptet filozofike bazë.
ABSTRAKT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr., kal. 1. Veçoj ose largoj përmes procesit mendimor diçka nga konteksti i saj konkret dhe e trajtoj në një mënyrë më të përgjithshme ose më konceptuale; përgjithësoj tiparet e lidhjet e veçanta të sendeve e të dukurive, bëj abstraksion, bëj përgjithësim. Abstraktoj veçoritë e njëmendësisë. Abstraktoj metodën e punës. Abstraktoj idenë e veprës. Abstraktova mendimet e shprehura në punim.
2. filoz. Nxjerr një ide të përgjithshme duke lënë mënjanë hollësitë ose detajet e veçanta. Abstraktoj një koncept filozofik. Astrakton forma simbolike. Ai ka abstraktuar konceptimin mbi jetën.
3. inf. Veçoj detajet specifike të një sistemi dhe krijoj një strukturë më të përgjithshme. Abstraktoj modele komplekse për t’i bërë ato të kuptueshme ose të thjeshta. Abstraktoj një softuer.
4. mat. Përgjithësoj një koncept duke e thjeshtuar me modele ose simbole. Abstraktoj një rregull matematike. Abstraktoj struktura algjebrike. Abstraktoj rregullat gjeometrike.
5. art. Mënjanoj shprehjen realiste duke krijuar forma simbolike ose të thjeshtëzuara. Abstraktoi figura ekspresioniste. Abstrakton figurën e drurit.
ABSÚRD,~E mb., libr. 1. Që nuk ka kuptim, që është i palogjikshëm, që është në kundërshtim me arsyen dhe me realitetin, që është i çuditshëm ose i pamundur për t’u kuptuar ose për t’u besuar. Mendim (gjykim) absurd. Ide absurde. Situatë absurde. Vendim (qëndrim) absurd. Veproj në mënyrë absurde. Bisedë absurde. Sjellje absurde. Është ide absurde për t’u menduar ose për t’u besuar.
2. filoz. Që e konsideron jetën si të pakuptimtë ose me kuptim jo të qartë, që lidhet me idenë se mund të ofrojë shpjegimin e duhur ose të pranueshëm të jetës ose të botës. Diskutimet absurde rreth jetës. Kundërshtimet e teorisë absurde.
3. art. Që ka të bëjë absurdin si lëvizje artistike e shekullit XX, që i përket absurdit dhe absurdizmit. Letërsi absurde. Vepër absurde. Dramë absurde. Pikturë absurde. Piktor absurd. Shkrimtarët absurdë. Teatër modern absurd.
✱Sin.: i pakuptimshëm, i pakuptueshëm, i paarsyeshëm, i palogjikshëm, i çuditshëm.
ABUZÍV,~E mb. Që përdor ose që shfrytëzon në mënyrë të padrejtë, të paligjshme ose të tepruar forcën, autoritetin, ndikimin ose pushtetin. Pushtet abuziv. Praktika abuzive në biznes. Sjellje abuzive.
✱Sin.: shpërdorues, keqpërdorues, abuzues.
ABUZIVÍSHT ndajf. Në mënyrë abuzive. U soll abuzivisht.
ABUZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. Përdor në mënyrë të palejueshme, të padrejtë, të dëmshme ose të pamoralshme një të drejtë, një mundësi, një autoritet ose një besim të dhënë. Abuzoj përgjegjësinë. Abuzoi mikpritjen. Abuzuan mirësjelljen e tij. Mos abuzo mirësinë e tij!
2. kal. Prirem për të përdorur diçka në mënyrë të paligjshme. Abuzoj besimin. Abuzoi durimin e tij. Abuzoi pushtetin. Abuzoj pozitën. Abuzon detyrën (të drejtën). Abuzoi vendin e punës. Abuzoj mjete financiare.
3. jokal. E kaloj masën, e teproj (në të pirë, në të ngrënë etj.), keqpërdor. Abuzon me ushqimet (me pijet, barnat etj.). Abuzoj me shitje-blerje. Abuzonte me naivitetin e dëlirësinë e tjetrit.
4. kal. Sillem ose veproj paligjshëm ndaj dikujt a diçkaje; kaloj kufijtë e pranueshëm në sjellje ose në përdorimin e diçkaje. Abuzoj pronën publike. Abuzoj mjedisin. Abuzon paratë e familjes.
✱Sin.: shpërdor, shpërdoroj, keqpërdor, keqpërdoroj, teproj, dëmtoj.
ABUZÚAR (i, e) mb. I shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme ose i përdorur keq nga dikush a nga diçka. Besim i abuzuar. Njeri i abuzuar. Përvojë e abuzuar.
✱Sin.: i shpërdorur, i shpërdoruar, i keqpërdorur, i dëmtuar.
ABUZÚES,~I m. sh. ~, ~IT Ai që përdor dikë a diçka në mënyrë të padrejtë ose të palejueshme, shpërdorues. Abuzues i vendit të punës. Abuzues me kohën. Abuzues pozite. Abuzues me të drejtat e grave. Abuzues i ujit të pijshëm (me energjinë elektrike). Abuzues me barna (me ushqime, me pije të ndaluara).
✱Sin.: shpërdorues, keqpërdorues.
ABUZÚES/E,~JA f. sh. ~E, ~ET Ajo që përdor dikë a diçka në mënyrë të padrejtë ose të palejueshme, shpërdoruese. Abuzuese e autoritetit. Abuzuese me kohën. Abuzuese e fëmijës.
✱Sin.: shpërdoruese, keqpërdoruese.
ACALLÉPS vep., ~A, ~UR vjet., kal. 1. Ndryshoj formën ose strukturën e një objekti etj. Acalleps hekurin. Tërmeti e acallepsi urën. Acallepste ecjen (trupin).
2. Shtrembëroj një të vërtetë; paraqes një fakt, një gjendje, një situatë në mënyrë të pasaktë ose të ndryshuar qëllimisht. Acalleps faktet e njohura. Acallepsi ndodhinë. Acallepsi të dhënat historike (dokumentet arkivore).
3. Shtrembëroj a shëmtoj fytyrën; ngërdhesh buzët. Acallepsa turinjtë. Acalleps fytyrën. Acallepsi surratin. - Mos acalleps çehren! Kishte acallepsur sytë.
4. bised. Përdor ose shqiptoj gabim fjalët, duke ndryshuar formën e tyre të saktë. Acallepste fjalët. Acalleps shkronjën e parë të fjalës.
✱Sin.: shtrembëroj, ndryshoj, tjetërsoj, shëmtoj, deformoj, devijoj, manipuloj.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë