Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BÍM/Ë,~AI f. sh. ~Ë, ~ËT 1. bot. Dru, shkurre, barishte, lule, kërpudhë a qenie tjetër e këtij lloji, që mbin, rritet e jeton zakonisht e ngulur në një vend, që e merr ushqimin nga toka e nga ajri me rrënjë e me gjethe dhe që shumëzohet me fara ose me lastarë; emër i përgjithshëm për qenie të tilla të gjalla, që rriten në tokë ose në ujë dhe që dallohen nga kafshët, ngaqë nuk lëvizin vetë. Bimët e Shqipërisë. Bimë mjaltëse (helmuese, ngjyruese). Bota e bimëve. Zhvillimi i bimëve. Rrënjët (farat) e bimëve. Mbrojtja e bimëve. Vaj bimësh. Llojet e bimëve. Bima e vonë është për lopë. (fj. u.). Sheh bima bimën e ngjitet përpjetë. (fj. u.). Bora është jorgani i bimës. (fj. u.).
2. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa nga llojet e familjeve të bimëve. Bimë alpine (lat. Plantae alpinae) bimë e përshtatur për mjedise me temperaturë të ulët, edhe me mbulesë bore e me erëra të forta. Bimë barishtore (lat. Leguminosa) bimë pa kërcell a me kërcell të hollë e të shkurtër, me gjethe të njoma, zakonisht të blerta, që nuk drunjëzohet. Bimë bishtajore (lat. Leguminaceae) familje bimësh, kryesisht me bishtaja të mbushura me kokrra (si soja, fasulja, bizelja, batha, qiqra, kikiriku etj.), që përdoren për ushqim. Bimë bujqësore (lat. Plantae agricultura) bimë të dobishme të mbjella në tokë bujqësore. Bimë e butë (lat. Herba mollis) bimë e kultivuar. Bimë e dobishme (lat. Herba utilis) bimë e kultivuar ose e mbirë vetiu, që ka vlera ushqyese, shëruese etj. Bimë e dytë bimë që mbillet e korret pas një bime të mëparshme në të njëjtën stinë. Bimë dyvjeçare (lat. Plantae biennes) bimë që në vitin e parë mbin nga fara dhe rritet, ndërsa në vitin e dytë lulëzon dhe lidh fryte. Bimë të egra (lat. Herba silvestris) bimë që mbijnë vetë. Bimë grunore (lat. Poaceae; Gramineae) bimë barishtore të shumëllojshme të arave, zakonisht njëvjeçare, me kërcell të drejtë e të nyjëzuar, me gjethe të holla e të gjata, që bëjnë kallinj me kokrra të vogla, të cilat bluhen dhe përdoren si ushqim. Bimë industriale (lat. Plantae industriae) bimë që rriten e përdoren për qëllime industriale. Bimë kacavjerrëse (ngjitëse) (lat. Plantae volubilis) bimë që, për të marrë dritë e për t’u zhvilluar, kapen pas një bime tjetër ose ngjiten pas mureve a ndonjë peme me anë të rrënjëve ajrore, të gjembave me majë, të lozeve në majat e gjetheve etj. Bimë kultivuese (lat. Herba cultivata) bimë bujqësore që mbillen në toka bujqësore. Bimë mishngrënëse (lat. Plantae carnivorae) bimë (si lulevesa, lule lagjini etj.), që ushqehen me inde shtazore të insekteve dhe të jovertebrorëve të tjerë, të cilat i kapin dhe u marrin lëndë ushqyese (si azoti etj.). Bimë mjekësore (lat. Herba medicinalis) bimë me veti shëruese; bimë që përdoren për prodhimin e barnave mjekësore. Bimë njëvjeçare (lat. Herba annua) bimë që mbin nga fara, zhvillohet, lulëzon dhe lidh fryte brenda një viti, bimë me cikël zhvillimi njëvjeçar. Bimë pyjore (lat. Arbor) bimë drusore e jodrusore të pyllit. Bimë shumëvjeçare (lat. Plantae perennes) bimë me cikël zhvillimi shumëvjeçar. Bimë ujëse (lat. Plantae aquaticae) bimë që rriten në ujë. Bimë vajore (lat. Plantae Oleiferae) bimë me fryte ose fara që përmbajnë vaj (si soja, kikirikët, luledielli, farat e pambukut, palmat vajore, ulliri, susami etj.). Bimë zbukurimi (lat. Planta ornamentalis) bimë që mbillen për zbukurim.
3. Pjesa a trupi që del mbi tokë nga një farë. Bimë e vogël. Bima e misrit (e grurit). Numri i bimëve për hektarë. Lëshon bimë.
4. Kulturë bujqësore e arave. Bimë pranverore. Bimë shoqëruese. Bimë të hershme (të vona). Bimët e arave. Duket bima që kur mbin. (fj. u.). Duket dita në të gdhirë, bima duket në të mbirë. (fj. u.).
5. fig., bised. Pjellë, pasardhës. S’lanë bimë prapa. Bima e gjirit tënd.
♦ Bimë e keqe përb. njeri (zakonisht fëmijë) pa edukatë, që prish gjithçka e dëmton të tjerët; farë e keqe; pjellë e keqe (e shejtanit).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë