Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AGONÍST,~I m. sh. ~Ë, ~ËT sport. 1. Sportist (mjeshtër) i arteve luftarake (marciale); atlet. Agonist i shkathët.
2. Luftëtar, garues në sportet luftarake dhe në garat kalorësiake në Greqinë e lashtë.
3. mjek., fiziol. Muskul që kryen kryesisht lëvizje specifike; kund. antagonist. Muskul agonist.
✱Sin.: sportist, atlet, garues.
ALEBARDIÉR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT hist. Luftëtar me alebardë. Rojet mbretërore ishin alebardierë. Alebardieri ishte pjesë e trupës ceremoniale.
BESNÍK,~E mb. 1. Që e mban besën e dhënë; që e mban deri në fund zotimin ose që nuk i shmanget asnjëherë detyrës së marrë përsipër; që ndjek pa u lëkundur një tjetër me të cilin është lidhur nga një ideal a nga një qëllim i përbashkët; që nuk tradhton; që nuk i ndryshon ndjenjat dhe qëndrimin kundrejt dikujt a diçkaje, që e ruan deri në fund dashurinë për të ose që e ndjek dhe e mbron atë deri në fund, i besuar; kund. i pabesë. Luftëtar (ushtar, shok, mik) besnik. Shoqe besnike. Grua besnike. Rojë besnike. Doli besnik. Bir besnik i popullit. I qëndroj (i rri, i mbetem) besnik. Më foli si shok i vjetër e besnik. Qeni është një kafshë besnike. Njeriu besnik gjen shok e mik. (fj. u.).
2. Që e pasqyron diçka me vërtetësi e përpikëri, që nuk largohet nga e vërteta, që përputhet plotësisht me diçka tjetër, që mund t’i besohet; i përpiktë. Përkthim (riprodhim, përshkrim) besnik. Kopje besnike. Pasqyrë besnike e diçkaje. Historian besnik. Pasqyrim besnik i realitetit. U qëndron besnik porosive të të atit.
3. Besimtar; që ndjek me përpikëri ritet dhe kërkesat e një feje.
✱Sin.: i besuar, besar, besëtar (besatar), besimtar, besëmirë, shtyllak, i përpiktë, i ngushtë.
♦ *Qen besnik (rojë) (i dikujt) përb.
BILBÍL,~II m. sh. ~A, ~AT 1. zool. (lat. Erithacus luscinia; Luscinia megarhynchos; Sylvia luscinia) Zog i vogël shtegtar me pupla të përhime në bark dhe të murrme te krahët, që njihet si këngëtari më i mirë ndër gjithë zogjtë. Zë bilbili. Kënga e bilbilit. Foleja e bilbilit. Fabula e bilbilit dhe e thëllëzës. Këndon si bilbil. O bilbil ta bëra benë, / Në ta gjetsha dot folenë.... (folk.). Nga një thellësirë, ta dëgjova zërin, / Ti ishe bilbil, më dole thëllëzë. (folk.). Fëmija është bilbili i shtëpisë. (fj. u.). Nuk këndon bilbili kur i vë galën (sorrën) pranë (në kuvli). (fj. u.). Bilbili te kafazi nuk këndon nga qejfi, po nga marazi. (fj. u.). Nuk vishet korbi me pendët e bilbilit. (fj. u.). Kur hyn sorra në trëndafil, i duket vetja bilbil. (fj. u.).
2. zool. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje të këtij zogu. Bilbil kallmishtash (i kallmishtave) (lat. Acrocephalus arundinaceus) një nga zogjtë këngëtarë më të përhapur, që dallohet nga bilbili i zakonshëm për nga gjatësia e trupit dhe mënyra si këndon. Bilbil kënete (i kënetave) (lat. Cettia cetti) zog i vogël këngëtar i viseve me klimë të butë a të ngrohtë. Bilbil uji (i ujit) (lat. Alcedo atthis) shpend me këmbë pa membranë, që kridhet në ujëra të cekëta dhe ecën në fund të tyre për të gjuajtur; bilbil peshkatar.
3. Mjet i vogël me një pip, të cilit i fryjmë për të nxjerrë fërshëllimë. Bilbil druri. Bilbili i gjyqtarit të lojës (i policit, i rojës). Bilbil fëmijësh. Fërshëllima e bilbilit. Lugë me bilbil. I ra (i fryu) bilbilit. - Bjeri bilbilit të mblidhen!
4. fig., poet. Trim; luftëtar. Nëpër shekuj krahëndritur / Trembëdhjetë bilbilat vijnë. (folk.).
♦ U bë bilbil (dikush) u ndreq, u bë si duhet, sillet mirë (për njerëz që nuk kanë qenë të rregullt); u bë lule; u bë nuse. Kur të bëhet laraska bilbil kurrë, asnjëherë; kur të bëhet grerëza bletë; kur të këndojë sorra si bilbili. Bilbil gjyzari figurë e përrallave popullore: bilbil me zë shumë të bukur, që paraqitet sikur bën çudira; fig. këngëtar me zë të bukur. (Është) bilbil nga goja (dikush) flet lirshëm e bukur, është i zoti i gojës; e ka gojën bilbil. Bilbil në kafaz njeri i mirë e i zoti, që i ka të gjitha për të jetuar, por nuk ka liri; është pa liri e pa shpresë. E ka gojën bilbil (dikush) shih është bilbil nga goja (dikush). I ka veshët bilbil (dikush) dëgjon shumë mirë, është i mprehtë nga veshët; i ka veshët pipëz. Më këndojnë bilbilat iron. kam shumë halle a telashe e nuk di ç’të bëj; më zien (më mizëron) koka; më këndojnë dyzet gjela (mbi kokë).
BI/R,~RI m. sh. ~J, ~JTË 1. Fëmija mashkull kundrejt prindërve të vet, djalë. Bir i vetëm. Bir shqiptari. Atë e bir. Nënë (mëmë) e bir. Bir punëtori (fshatari). Bir në shpirt djalë i birësuar, bir i qasur. Biri im i dashur! Im bir. I biri biri i tij ose i saj. - Eja, bir i nënës! E shoqja e të birit. Bir, o djalë i vetëm, / Babai më s’ka tjetër. (folk.). Si babai dhe i biri, kungull dhe bostan çairi. (fj. u.). Biri i birit-drita e syrit. (fj. u.). I foli të birit, të vërë mend e reja. (fj. u.).
2. edhe fig. Djalë a burrë në lidhje me vendin e lindjes ose me shtresën e vet shoqërore; lart. djalë a burrë luftëtar, që është fryt i një lëvizjeje të madhe shoqërore a që është i lidhur me mish e me shpirt me vendin e me popullin e vet. Bir i fshatit tonë. Bir besnik i popullit të vet. Bir i Shqipërisë. Bir i malësisë. Bijtë e Devollit.
3. Djalë a burrë kundrejt një të moshuari, që e thërret me dashuri si djalin e vet. - Eja, more bir! - Afrohu, biro!
4. kryes. sh. Pasardhësit e drejtpërdrejtë, brezi i ri, bijtë. Bir pas biri. Etër dhe bij.
5. zool. Pjellë mashkull e drejtpërdrejtë e një kafshe. Demat (hamshorët) bij.
✱Sin.: djalë, çun, zog.
♦ Si i *ati dhe i biri. E bëj bir për shpirt (dikë) e birësoj. Bir pas biri shih brez pas brezi. Biri i botës (i biri i botës) përçm. shih burri i botës përçm. I biri i mutit bised. përçm. vulg. njeri shumë i lig; qen bir qeni; bisht qeni përb. Biri (*djali) plangprishës libr. bibl. *Bot e bir (bot e bot). *Djalli (dreqi) me të birin bised. Dreqi (*djalli) me të birin bised. S’ka bir nëne... s’ka asnjë njeri të aftë, s’është askush i zoti për të përballuar diçka shumë të vështirë; s’ka burrë nëne... Biri i njerkës fëmijë i përkëdhelur e i mbajtur mirë, fëmijë i trajtuar ndryshe nga të tjerët; fëmijë i llastuar. Bir Selman i nënës, ç’të të qaj më parë thuhet për dikë që është në gjendje të keqe ekonomike a që nuk është mirë nga mendtë; s’ka ku të vejë më keq. Një *hiç bir hiçi përb. S’njeh as *babë e as bir (dikush) keq.
BLINDËSHPÚES,~I m. sh. ~, ~IT usht. 1. Armë për shpimin e objekteve të blinduara. U qëllua me blindëshpues.
2. Luftëtar i pajisur me armë blindëshpuese. Një blindëshpues për çdo grup luftimi.
DÉNJË (i, e) mb. Që e meriton plotësisht të jetë a të quhet i tillë, që i ka të gjitha cilësitë për një detyrë, për një nderim etj.; kund. i padenjë. Pjesëtar i denjë. Vend i denjë. Vepër e denjë. Luftëtar (burrë) i denjë. I denjë për atë detyrë. Kjo s’është e denjë për ty. Mendimet e denja kalisin zemrën e burrit dhe nuk i tremben dritës së ditës. (fj. u.). Nuk është e thënë që një kapele luksoze të mbulojë gjithnjë një kokë të denjë. (fj. u.).
DJÁL/Ë,~I m. sh. DJÉM, DJÉMTË 1. Fëmijë mashkull deri në moshën e pjekurisë, në moshë të re, zakonisht i pamartuar; njeri shumë më i ri në moshë kundrejt një më të vjetri, ai që quhet prej dikujt si i ri; ai që s'e ka përvojën e duhur a që nuk është i rrahur në jetë; ai që s’është pjekur ende. Djalë i vogël (i ri, i bukur). Djalë trim (punëtor, i urtë, azgan). Djalë i prapë. Djemtë e klasës. Veshje për djem. Lindi djalë. Është ende djalë. - Ti, djalë, mos u rrëmbe! - Dëgjomëni mua, or djem! Pleqtë qajnë halle, djemtë heqin valle (fj.u.).
2. Fëmijë mashkull kundrejt prindit të vet, i biri i dikujt; vet. sh. brezi pasardhës, pasardhësit, bijtë. Djali i vogël (i madh, i mesëm). Djali ynë. Djalë i vetëm. Djali i parë (i dytë). Djali i shtëpisë. Djalë burri djalë i gjetur, thjeshtër. Djali i pleqërisë djali më i vogël, me të cilin zakonisht bashkëjetojnë prindërit në pleqëri. Djalë i gjetur thjeshtër. Djalë në (për) shpirt bir për shpirt, djalë i birësuar. Nënë (shtëpi) pa djalë. Ka dy djem e një vajzë. Martoi djalin. Rri te djali. Erdhi me djalin. E kam si djalin tim. Shqiptari kur jep fjalën ther djalën (fj.u.). Djali i pleqërisë – shtylla e shtëpisë. (fj. u.). Ç’e do mallin, ç’e do gjënë, kur s’ke djemtë për të qenë. (fj. u.). Shite kalin e mëso djalin. (fj. u.). Dil, moj nëne, dil, / Dil e bëj sehir, / Se ç’të solli djali, / Një thëllëzë mali. (folk.). Në daltë djalë, të na rrojë, në daltë çupë, të të rrojë. (fj. u.). Djali na u trashëgoftë! / Nusja me hair na qoftë! (folk.). Këto të mira do t’i gëzojnë djemtë tanë. Babë pas babe e djalë pas djali brez pas brezi.
3. Qytetar i denjë i një vendi a i një populli ose pjesëtar aktiv i një organizate, i shoqërisë etj., që është rritur e edukuar në të dhe që mbron interesat e tyre; bir. Djemtë e Shqipërisë (e popullit, e fshatit, e malësisë).
4. fig. Njeri trim, i zoti e luftëtar; burrë, trim. Djemtë e maleve. Djalë për kokën e djalit. Kush është djalë, në fushë të mejdanit duket (fj .u.).
♦ Djalë pas djali shih brez pas brezi. Djalë (*çun) mamaje iron. Djali (biri) plangprishës bibl. i penduari; ai që i ka kuptuar thellë gabimet që ka bërë ndaj dikujt. E do si djalin e shemrës (dikë) iron. nuk e do fare, e urren, s’e duron dot; (e do) si zjarrin në gji iron.; e do si prushin në gji iron.; e ka prush në gji; e do si kripën në sy iron.; e ka kripë në sy; nuk e sheh dot me sy; e ka halë në sy. Djali pa lerë e djepi blerë iron. thuhet kur bëhet diçka para kohe, kur dikush vepron pa pasur mjetet a kushtet e nevojshme, kur nuk ka siguruar ende gjënë më kryesore; peshku në det e tigani në zjarr. *Nusja e djemve euf. Vajti djali te *dhaskali edhe iron.
DYFÉK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT [DYFÉK,~U m. sh. DYFÉQE, DYFÉQET] vjet. 1. Armë zjarri me tytë të gjatë që mbahet në krah dhe që mund të qëllojë duke i nxjerrë fishekët një nga një ose në mënyrë gjysmautomatike; pushkë. Dyfek gjahu çifte. Tyta (qyta) e dyfekut. Rripi i dyfekut. Dyfek me gjalmë. Qëlloi me dyfek. Bolenë e zeza Bolenë, /Ç’e pate për fis dyfeknë. (folk.). Dyfeku i mirë ja kërcet, ja pëlcet. (fj. u.). Kur bien topat, s’dëgjohen dyfekë. (fj. u.). Dyfeku pa fishekë tremb dy veta. (fj. u.).
2. bised.Njeri a luftëtar i pajisur me këtë armë, ushtar i armatosur.- Sa dyfekë bëheshin? Nxori nga një dyfek për derë. Iu shtua edhe një dyfek. Gryk’ e Kuçit, grykë e keqe, / Njëmijë e treqind dyfeqe. (folk.). Mikun e mirë e ke edhe për dyfek, edhe për byrek. (fj. u.).
3. E shtënë me armë dhe krisma e saj; kjo armë si simbol i luftës e i qëndresës; luftë e armatosur. Nisi (krisi, plasi) dyfeku. Dyfek habertar (vjet.) e shtënë që lajmëronte se kishte ndodhur diçka e rëndësishme (zakon i vjetër i shqiptarëve). Vlonte dyfeku. Bëri dyfek me dikë luftoi. Hodhi dyfek shtiu. Shkëmbyen ca dyfekë.
4. Largësi sa mund të arrijë e të vrasë plumbi i kësaj arme. Një dyfek larg.
5. bised. Grindje, përçarje. I futi dyfekun shtëpisë i futi grindjen, përçarjen shtëpisë.
♦ Aq i hedh dyfeku mospërf. aq ia pret (ia rrok) mendja. (Është bërë) për t’i rënë me dyfek (me *pushkë, me kobure) (diçka). I ka rënë dyfeku nga dora (dikujt) përb. ka humbur guximin e trimërinë, është lëshuar a është dorëzuar para dikujt; është nënshtruar. I duket hunda dyfek (dikujt) keq. i duket vetja trim; është mendjemadh e u kërcënohet të tjerëve. Dyfek (*pushkë) me çark (dikush) mospërf. Dyfek i lagur (*pushkë e lagur) mospërf. Dyfek (*pushkë) pas lufte. Dyfek pa lloz (dikush) njeri në një gjendje që s’mund të bëjë gjë fare, që ka mbetur pa mjetin më të nevojshëm për të vepruar; njeri që s’ka fuqi e s’është më i rrezikshëm. Dyfek i plasur (*pushkë e plasur) (dikush). Ia futi (ia vuri) këmbët në *rrip të dyfekut (dikujt). E hodhi dyfekun (dikush) keq. shih i dorëzoi (i dha, i hodhi, i lëshoi) armët. S’e la dyfekun varur (dikush) iron. thuhet për dikë që ka vdekur në moshë të madhe; s’la armët varur. S’më lënë *topat të dëgjoj dyfekët (pushkët). Sa një *nishan dyfeku. Plasi Muçoja për dyfek! tall. thuhet për dikë që ka dëshirë a që mezi ka pritur për t’u ngritur në pozitë, për të komanduar etj., vdiq për pak pushtet. Qan dyfeku për zot. 1. Është vrarë dikush, e ka lënë armën pa zot dhe e ndiejmë humbjen e tij. 2. iron. Përdoret kur armën e mban dikush që është frikacak. *Rrip dyfeku (daulleje) përb. Shkreh (zbraz) dyfekun (*pushkën) që në sup (dikush). E shkrepi dyfekun (dikush) më në fund vendosi për diçka ose e bëri diçka, e ndau mendjen dhe veproi; ia bëri bam! I shtie (i rreh) dyfeku *lart (dikujt) iron. I vuri (i ktheu) dyfekun *(pushkën) (dikujt).
DYFEKMBÁJTËS,~I m. sh. ~, ~IT hist. Luftëtar i armatosur me pushkë; pushkatar.
FLAKËHÉDHËS,~I m. sh. ~, ~IT usht. Luftëtar i përgatitur për të përdorur flakëhedhësen e për të luftuar me të. Flakëhedhës guximtar.
FLAMURTÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Ai që mban flamurin e një njësie ushtarake ose në një demonstratë, në një manifestim sportiv etj., flamurmbajtës. Flamurtari i togës (i brigadës). Flamurtarët e ekipeve të olimpiadës.
2. fig. Ai që u prin të tjerëve në një punë a në një veprimtari; ai që qëndron në ballë të luftës për një çështje të madhe a për një ideal, mbrojtës i shquar dhe i zjarrtë, luftëtar i madh; flamurmbajtës. Flamurtar i arsimit kombëtar. Flamurtar i demokracisë.
3. hist. Kreu që drejtonte bajrakun në bazë të kanuneve; bajraktar. Kullat e flamurtarit. Flamurtarët e malësisë.
4. etnogr. Krushku që mbante flamurin kur shkonin të merrnin nusen. Flamurtari u printe dasmorëve.
✱Sin.: flamurmbajtës, bajraktar.
FYTYRËVRÁRË mb. 1. Që ka në fytyrë shenja të një goditjeje a të një sëmundjeje. Luftëtar fytyrëvrarë.
2. Që ka shenja lodhjeje, mundimi a vuajtjeje në fytyrë, që është i vrarë në fytyrë. Plak fytyrëvrarë.
✱Sin.: çehrevrarë, turivrarë, i vrenjtur, fytyrëvrenjtur.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë