Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AFORFÉ mb., drejt. 1. Që paguhet pa llogaritje të saktë, që bëhet me hamendësim ose mbi një mesatare të parallogaritur. Faturë aforfe. Pagesë aforfe. Faturim aforfe. Sigurim aforfe. Tatim (taksim) aforfe. Shumë aforfe.
2. sport. Që vlerësohet si i fituar (një takimin) pa u luajtur fare ose duke u ndërprerë për shkak të qëndrimit jo të parregullt të skuadrës a ekipit që përcaktohet si humbës; i fituar në tavolinë. Fitore aforfe.
✱Sin.: kuturu, paushall, kutrum.
AKÓRD,~II m. sh. ~E, ~ET muz. Harmonizim i tre ose më shumë tingujve që luhen njëkohësisht me lartësi të ndryshme; bashkim i tingujve të luajtur njëkohshëm që krijojnë harmoni muzikore. Akorde të thjeshta. Akorde me katër nota. Akorde të modifikuara. Akorde të hapura (të mbyllura). Luaj disa akorde. Përsërite akordin e parë. Akord tonik akord bazë në një tonalitet të caktuar. Vë në akord përshtat diçka për të arritur përputhje ose harmoni tingujsh. Në akord në përputhje me një tingull të caktuar.
✱Sin.: harmonizim, bashkim, përputhje, harmoni, pajtim, kombinim.
ALEMÁND/Ë,~A f., muz. Lloj kërcimi me muzikë instrumentale, me temp të moderuar, me ka prejardhje gjermane, që është luajtur në oborret mbretërore të vendeve të tjera evropiane.
ÁRAZI [ÁRAZ] ndajf., etnogr. 1. Mënyrë e ngritjes në këmbët e prapme (si cjeptë a dhitë kur rroken a kacafyten me njëri-tjetrin); aras. Ishin ngritur arazi sa nuk kacafyteshin (për njerëzit). U rrokën arazi si gjelat.
2. Duke luajtur një lojë ku caktohet një copë vend si arë e mbjellë, të cilën e ruan njëri, ndërsa të tjerët përpiqen të hyjnë në të. Loja arazi. Loznin arazi.
3. fig. Ngutshëm, nxitueshëm, zhurmshëm, papërmbajtshëm, me rrëmbim, me egërsi, pa zënë vend, ngritur në këmbë, arithi, çarthi. Çohem arazi çohem peshë. Pse jeni ngritur arazi? Ata i bëjnë punët arazi.
✱Sin.: arithi, çarthi, jaraz, skapërthiks, shah, shahthi, qirithi, harbë.
ARKIDÚK/Ë,~A m. sh. ~Ë, ~ËT hist. Titull i lartë fisnikërie, që është përdorur nga familjet perandorake; rang i lartë në hierarkinë aristokrate, që tregon pozitë të veçantë dhe të rëndësishme brenda fisnikërisë evropiane dhe që ka luajtur rol të rëndësishëm në historinë politike dhe ushtarake të Evropës. Autoriteti i arkidukës.
AVÁRË,~T m. vet. sh., hist. Popull nomad me origjinë të përzier turko-mongole, që erdhën nga stepat e Azisë Qendrore dhe që kanë luajtur rol të rëndësishëm në historinë e Evropës gjatë Mesjetës së hershme, duke krijuar një perandori të madhe dhe të fuqishme në Evropën Qendrore dhe Lindore, e cila u shkatërrua në fund të shekullit VIII. Prejardhja e avarëve. Avarët luftarakë. Territoret e avarëve. Lëvizjet e avarëve. Gjuha e avarëve.
BRIXH,~I m. Lojë me letra, me dy çifte lojtarësh përballë njëri-tjetrit, në të cilën në fillim të çdo dore një lojtar (deklaruesi) luan me letrat e veta dhe me letrat e zbuluara të shokut. Loja (tryeza, letrat) e brixhit. Ftesë për të luajtur një brixh. Do të mësojë brixhin. Ishte i dhënë pas brixhit.
BURGJÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Vidhë. Burgji e vogël. Liroi (shtrëngoi) burgjitë. Prodhimi i bulonave dhe i burgjive. Penxheret me hekura, xhamet me burgji, / Të vjen nikoqiri, o me rrush të zi. (folk.).
2. Pjesë e disa veglave të ndryshme që ka trajtën e vidhës dhe që shërben për të lëvizur diçka, për të kurdisur etj.; burmë. Burgjia e llambës me vajguri. Burgjia e orës.
3. krahin. Turjelë e vogël që përdoret për të hapur vrima, për të nxjerrë tapat e shisheve etj.
✱Sin.: burmë, tajë, torrlë.
♦ Ia gjej burgjitë (*vidhat) (dikujt a diçkaje). Ka një burgji (një *vidhë) mangët (dikush). I lëvizin burgjitë (dikujt) keq. shih i janë liruar vidhat (burgjitë) (dikujt). I janë liruar burgjitë (*vidhat) (dikujt). Ia liroi burgjitë (*vidhat) (dikujt). Ka luajtur nga burgjitë (nga *vidhat) (dikush). I kanë shkarë burgjitë (*vidhat) (dikujt). Ia shtrëngoi burgjitë (*vidhat) (dikujt).
CICMÍC,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Lojë me dy lojtarë, të cilët vendosin dhe lëvizin nga nëntë gurë mbi një figure prej tre katrorësh të vizatuar njëri brenda tjetrit e të ndërprerë me vija në mes; nëntësh. Luaj cicmic.
2. Renditja e gurëve të kësaj loje në dy treshe njëra pranë tjetrës, që të hapen e të mbyllen njëkohësisht me një gur. Bëj cicmic.
3. fig. Sjellje e shtirur e veprime dredharake për të mashtruar të tjerët. Cicmice politike. Cicmice që copëtojnë besimin e popullit. Lojëra cicmicësh.
♦ Luan cicmic (me dikë a me diçka) e sjell rrotull dikë a diçka pa i dhënë rrugë, e mban zvarrë duke luajtur me të e nuk i jep zgjidhje; bën një punë sa për të kaluar kohën; e sorollat, e tall dikë; luan cingël (cingëlthi) (me dikë).
DALËMÉNDSH (i, e) mb. I çmendur; i luajtur mendsh, që i ka mendtë majë thanës;. Njeri i dalëmendsh. - Mos je i dalëmendsh?
✱Sin.: i shkalluar, i marrë, i lajthitur, i çartur, i luajtur, i këmbyer, i përprishur, i çakërdisur, i roitur, i ikur, kokëkrisur.
DRAMATÍK,~E mb. 1. let. Që lidhet me dramën, që i përket dramës, i dramës; i shkruar si dramë.Gjini dramatike gjini e letërsisë që përfshin veprat e shkruara për t’u luajtur në skenë. Vepër (pjesë) dramatike. Arti dramatik.
2. Që luan drama ose që vë drama në skenë. Teatër dramatik. Aktor dramatik.
3. muz. Që ka një timbër pak të ashpër; i fortë, i fuqishëm (për zërin e këngëtarëve). Zë dramatik. Tenor dramatik.
4. Që të shkakton vuajtje a dhembje të madhe shpirtërore; që është plot fatkeqësi, plot ngjarje të rënda e tronditëse; që të vë para një prove a një gjendjeje të vështirë, të rëndë e tronditëse; që kërkon forcë morale për t’u kapërcyer. Çast dramatik. Ngjarje dramatike. Në mënyrë dramatike. Ka karakter dramatik. Gjendja ishte dramatike.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë