Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BLI,~RI m. sh. ~RË, ~RËT bot. 1. (lat. Tilia europaea; Tilia Cordata) Dru me trup të lartë e të drejtë me gjethe si zemër e të dhëmbëzuara anës, me lule të verdha të mbledhura në tufë dhe me erë të mirë; lulet e këtij druri që përdoren për çaj, krahin. llukë; lëvore e brendshme e blirit që përdoret si spango ose për të thurur litarë. Bli i butë. Bli i egër. Lule (gjethe) bliri. Era e blirit. Çaj (mjaltë) bliri. Litar (dru) bliri. Nën hijen e blirit. E lidhi thesin me bli. Trupin e kishte të drejtë dhe lëkurën të pastër si të një bliri të bukur e të drejtë. Kur lulëzon bliri. I bërë me lëvore bliri. Seç të gjeta prapa blirit, / Erë e bukur e trëndafilit! (folk.).
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa nga llojet e këtij druri. Bliri fletëgjerë (lat. Tilia platyphyllos) Lloji më i përhapur në Shqipëri, me kurorë pak a shumë piramidale, i lartë deri në tridhjetë e pesë metra, që mbillet për zbukurim. Bliri fletëvogël (lat. Tilia cordata) dru i bukur, i lartë pesëmbëdhjetë deri njëzet metra e me diametër deri në një metër. Bliri fletësermtë (lat. Tilia tomentosa) dru i lartë deri njëzet e pesë-tridhjetë metra, me kurorë të dendur, me gjethe të rrumbullakëta ose vezake të zgjeruara e me sythe më të vogla se llojet e tjera.
SQÚK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT Pula që ngroh vezët dhe çel; klloçkë, kllukë, llukë. Nëpër oborrin e fermës kishin dalë dy squka me zogj. U largua me shpejtësi, si squkë e trembur.
♦ Ra squkë (dikush). 1. shih zuri shtratin (dikush). 2. tall. Heshti e nuk kundërshton më, nuk ndihet më (nga frika ose nga që nuk ka të drejtë); e mbylli sqepin mospërf.
VÉZ/Ë,~AII f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Kokërr me madhësi të ndryshme, e rrumbullakët e pak e zgjatur, me një cipë të hollë a me një lëvozhgë të fortë, që e pjellin femrat e shpendëve dhe të disa kafshëve të vogla, si: të peshqve, të disa zvarranikëve, të disa kandrrave etj. Vezë pule (pëllumbi). Vezë qefulli (blini). Vezë breshke (gjarpri). Vezët e fluturave (e mizave). E bardha (e verdha) e vezës. Vezë syze vezë e skuqur pa u rrahur, duke ia ruajtur të verdhën të paprishur. Bën (pjell) vezë. Ngroh vezët. Që në vezë (fig.) që në fillim, që në çastin kur sapo ka lindur e nis të zhvillohet diçka. Më mirë një vezë sot se një pulë mot. (fj. u).
2. Pjesa e parë e emërtimeve për lloje të ndryshme vezësh. Vezë inkubacioni vezë e prodhuar nga pula riprodhuese, me cilësi të veçanta, që plotëson kushtet për t'u vendosur në inkubator ose në klloçkë për të çelur zogj. Vezë peshku kokërr e vogël me madhësi të ndryshme, e rrumbullakët e pak e zgjatur, me një cipë të hollë, që e pjellin femrat dhe që pllenohet me spermën e peshkut. Vezë pluhur masë pluhurore në ngjyrë të kuqërremtë, e përftuar nga tharja e vezëve në tharëse me zbrazëti.
3. biol. Qelizë seksuale femërore e një qenieje, prej së cilës zhvillohet një organizëm i ri. I janë tharë vezët nuk lind a nuk pjell më. Vezët e femrës. Vezët e gruas.
✱Sin.: ve, farë, llukë, boçë, putargë, ikër.
♦ U bë vezë (dikush). 1. U mblodh shuk; u kërrus nga sëmundja a nga pleqëria; u bë grusht. 2. U tremb, u frikësua shumë. Ku bën dreqi vezë shumë larg, në një vend të shkretë; ku ha pula gurë; në anë të dynjasë. (Bën) si *pula kur i vjen veza (dikush). I bën vezë edhe gjeli (edhe këndesi, edhe kaposhi) (dikujt) i ecën mbarë çdo gjë, i ka punët shumë mirë; i ka të gjitha të mirat, i vjen e mira edhe nga nuk e pret; i pjell edhe gjeli (edhe këndesi, edhe kaposhi); i pjell edhe mushka; i pjell edhe viçi; i vjen e mira te dera. E bën vezën *deve (dikush). Nuk bën vezë të kuqe (dikush) iron. nuk është kushedi se çfarë, s’ka vlera të veçanta, nuk bën çudira. Sa ka dalë nga veza (dikush) mospërf. sapo ka lindur, është ende i njomë e nuk e njeh jetën, është i mitur e i papjekur; është ende i pazhvilluar nga trupi ose nga truri; është në shpërgënj; është filiz (i ri); i ka buzët me qumësht. S’ka dalë nga *lëvozhga (e vezës) (dikush) mospërf. S’ka dalë nga veza (dikush) mospërf. është shumë i ri ende, s’di gjë nga jeta, s’e njeh fare jetën, është i papërvojë; s’ka dalë nga lëvozhga (e vezës); s’ka dalë nga shpërgënjtë. E do vezën *të qëruar (dikush). Ecën mbi vezë (dikush). 1. Ecën ngadalë, pa zhurmë e me shumë kujdes, ecën lehtë ose me ngathtësi të madhe. 2. Ka shumë kujdes kur bën diçka, i ruhet të mos dëmtojë a të mos prishë asgjë në një punë; është shumë i matur e i vëmendshëm; ecën mbi gjemba. Iu ftohën vezët (dikujt) tall. vulg. u plak e iu shterën fuqitë, nuk ka më fuqi për të bërë seks. Gjen *qime në vezë (dikush). *Gjel mbi vezë. Jam (si) mbi vezë nuk e ndiej veten të qetë, kam frikë se mos bëj ndonjë dëm a mos prish ndonjë punë; pres me frikë ç’do të ndodhë a si do të vejë diçka, jam në ankth; rri (si) mbi gjëmba. Ta jep vezën pa të verdhë (pa të kuqe) (dikush) është shumë i zoti e i shkathët; është shumë dinak e i djallëzuar dhe ta hedh kur të duash; të bën atë që s’ta pret mendja; e merr vezën në bark të pulës (të sorrës). Kërkon *qimen në vezë (në përpeq) (dikush). Kërkon vezë në hell (dikush) iron. shih kërkon qiqra në hell (dikush). Nuk e lë vezën të ftohet (dikush) është i nxituar, nuk duron e nuk pret kohën e duhur për diçka, ngutet. E merr vezën në bark të pulës (të sorrës) (dikush) është shumë i zoti, i shkathët e i gjallë; është dinak; ta hedh a të vjedh pa e ndier; ta jep vezën pa të verdhë (pa të kuqe). Mëson veza pulën! iron. i jep këshilla një tjetri dikush që di më pak ose që ka më pak përvojë se ai; i tregon babait arat. Ngarkon vezë në lak (dikush) kërkon të bëjë një punë pa mend në kokë, ia hyn një pune të pamundur pa e kuptuar; është i marrë; bën litar me rërë. I ngeci veza kryq (dikujt) ka një hall të madh që s’po e zgjidh dot, e ka zënë belaja me dikë a me diçka, ka ngecur keq e s’ia del dot; i ngeci sharra në gozhdë; i zuri sharra në gozhdë; i ra sëpata në gur; i ngeci plori. Ka ngordhur ajo *pulë (që bënte ato vezë). Ngroh vezë (dikush) tall. rri kot e nuk punon, është dembel e shumë i plogët; e merr një punë shumë ngadalë; ngrohet (theket) në diell; nxjerr (çel) zogj. E njoh që në vezë (dikë) e njoh shumë mirë, e kam njohur qysh sa ka lindur; (e njoh) me dhëmbë e (me) dhëmballë. (Përpëlitem) si veza në prush shih (përpëlitem) si zorra në prush. Piqet veza në *rërë. Qeth *leshtë e vezës (dikush) thjeshtligj. Rruan vezë (dikush) tall. bën një punë të kotë, bën diçka që s’është e nevojshme; tund (luan) derën; dredh (tund zinxhirin); numëron qimet e postiqes; numëron (heq) tespihet; kruan thonjtë; prashit (mih) në ujë. E skuq *të verdhën e vezës dy herë (dikush) keq. Më shtrëngoi veza kam nevojë të ngutshme, kam një hall që s’pret; jam shumë ngushtë e s’duroj dot më pa e bërë diçka; më erdhi veza (për të pjellë). Shumë *pula e pak vezë. Vezë me dy të verdha (të kuqe). 1. Njeri me vlera të shumta; me pasuri të madhe. 2. Diçka shumë e rrallë, gjë e rrallë. Vezë kllukë. 1. Njeri shëndetlig e i dobët, që sëmuret shpesh ose që preket shpejt nga sëmundjet; njeri i pafuqishëm. 2. mospërf. Njeri i plogët, që rri diku si i fjetur, që s’bën asgjë. Vezë në kulaç (në mes të kulaçit) njeri i rrethuar nga të gjitha të mirat, në bollëk e në mirëqenie; ai që nuk e prish gjakun për asgjë, ngaqë vetë është në gjendje shumë të mirë; rehat, pa punuar; pjergull në fik (të bardhë); pulë në grurë (në thekër, në mulli). Vezë e prishur përb. njeri pa vlerë e i keq, të cilit nuk ke dëshirë t’i rrish afër; njeri që nuk bën asgjë të dobishme, që nuk i hyn në punë askujt dhe asgjëje. Si vezët e qyqes shih si zogjtë e korbit (e qyqes). Vezë pa të verdhë keq. njeri pa vlera. Më erdhi veza thjeshtligj. e ndiej veten shumë ngushtë, kam një punë të ngutshme e s’jam gati, s’kam nga t’ia mbaj; jam në çastin e fundit kur duhet të marr një vendim a të kryej një punë dhe s’po mundem; e kam pisk; më shtrëngoi veza. Të vjedh vezët nën klloçkë (dikush) është vjedhës i regjur e i shkathët; nuk e kap dot në hile; të vjedh hundën midis (në mes të) syve; të heq (të merr) opingat nga këmbët.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë