Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BULLËND/ËR,~RA f. 1. Ujë i ngrohtë me kripë për të larë këmbët pas një udhëtimi të lodhshëm. Vuri këmbët në bullëndër.
2. Llumi që kullon nga një lëng në fundin e një ene etj., llurbë; lëng i trashë e i papastër; mbeturinë, fundërri. Bullëndra e enëve. Bullëndra e finjës. Bullëndër mielli. Bullëndër vaji.
3. Ushqim i qullët, gjellë si qull; llapërçinë. Nuk e vë njeri në gojë bullëndrën.
4. fig., keq. Njeri krejt i pavlerë ose i dëmshëm për shoqërinë; llumi i njerëzve; fundërri.
✱Sin.: llurbë, mbeturinë, fundërri, llum, llurbëtirë, gërdhomë, lëngjerë, llapërçinë, llapëtyrë, lluburdinë, llomështi, zgjyrë, rrëmbythje.
LLÚRB/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Baltë e qullët në vende a në rrugë të shkelura, llucë; llumi i trashë që krijohet nga mbeturinat e ndryshme të ujërave; borë e shkelur e gjysmë e shkrirë; vend me baltë a me llum të tillë. Llurba e kanaleve (e gjirizeve). Udhë me llurbë. Ra në llurbë.
2. Fundërria që kullon nga një lëng në fundin e një ene, llum. Llurbë vaji. Llurba e kafesë. Ka zënë llurbë.
3. Gjellë e squllët dhe jo e shijshme, që është zier shumë. Llurbë patatesh. Nuk hahej ajo llurbë. Fasulet ishin bërë llurbë.
4. Ushqim si qull i trashë që përdoret për kafshët. Llurba e derrave.
5. fig., mospërf. Grua shumë e shëndoshë e me mishra të varur. Nuk ecte dot llurba. Kishte marrë për grua një llurbë.
✱Sin.: llubatë, llucë, batak, llum, fundërrinë, mbeturinë, llapërçinë, llapëtyrë, llurbëtirë, lluburdinë, bullëndër, cik.
LLURBËTÍR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Baltë e llurbët; borë e llurbët; vend me llurbë.
2. Llum, llurbë në fund të enës. Llurbëtira e vajit (e verës). Llurbëtira e kafesë. U bë llurbëtirë u trazua.
3. Diçka e lëngshme, që është e turbullt dhe pa shije. Pinte një llurbëtirë të keqe.
4. Ushqim i llurbët që përdoret për kafshët. Llurbëtirë kafshësh.
5. Gjellë e llurbët dhe jo e shijshme. Nuk e ha dot atë llurbëtirë. Vezë e llurbët vezë e zier pak, që është e qullët brenda.
6. Llum plage. Nga plaga i kulloi llurbë për ditë të tëra.
7. fig., keq. Fundërria e njerëzve; diçka krejt e pavlefshme ose e dëmshme; llum. Llurbëtira e shoqërisë.
✱Sin.: turbullirë, lluburdinë, llurbë, llucë, fundërri, fundërrinë.
TURBULLÍR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Të qenët i turbullt; pjesa e turbull e ujit a e një lëngu tjetër, ujë i turbullt a diçka tjetër e turbullt; lluburdinë. Kulloi turbullira në fund. Kanë rënë turbullirat e lumit. Ajo ishte turbullirë, jo raki. I iku turbullira u kthjellua.
2. Kohë e keqe me re a me mjegull, kohë e trazuar, kohë e turbullt. Ka qenë turbullirë sot. Tërë javën turbullirë ka bërë.
3. Gjë e paqartë, diçka që mezi duket, diçka e turbullt. Dukej një si turbullirë atje tutje.
4. fig. Gjendje shpirtërore e shqetësuar, mungesë qetësie shpirtërore; gjendje e qetësuar e organizmit kur nuk flemë mirë, kur nuk hamë me rregull, kur jemi të sëmurë etj.; çrregullim në një organ të trupit. Turbullirë nervore (mendore). Turbullirë në të parë. Kam një turbullirë në stomak.
5. kryes. fig. Lëvizje e paorganizuar e një grupi të veçantë, që bëhet për të shprehur pakënaqësinë ndaj regjimit në fuqi dhe që sjell pështjellim; trazirë. Turbullira politike. Turbullira të brendshme (të reja). Periudhë me turbullira. Bënë (shkaktuan) turbullira.
6. fig. Rrëmujë, çrregullim me zhurmë. U bë pak turbullirë në klasë. Bëri turbullirë.
✱Sin.: lluburdinë, mjegull, tym, mjegullnajë, trazirë, rrëmujë, errësirë, çrregullim, gjullurdi, zallahi.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë