Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
GÓJ/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Organ në pjesën e poshtme të fytyrës, që ka nofullat, dhëmbët, gjuhën, buzët dhe që shërben për të ngrënë, për të pirë, për të marrë frymë e për të folur; hapësira e këtij organi nga dhëmbët deri te gryka; organ i ngjashëm në gjallesat e tjera. S’kam vënë gjë në gojë nuk kam ngrënë gjë fare. Mendon vetëm për gojën (fig.) e ka mendjen vetëm për të ngrënë. Goja tret (edhe) malet (fj. u.). Shpjer gojën te buka e jo bukën te goja (fj. u.) përpiqu, puno që të sigurosh atë që duhet.
2. Buzët. Cepat e gojës. / bised. Dhëmbët. Jam mirë nga goja i kam dhëmbët të gjithë të shëndoshë. Ka vënë gojën. E ka gojën fushë i kanë rënë të gjithë dhëmbët.
3. bised. Pjesëtar i familjes; frymë, vetë (për të ngrënë). Ka gjashtë gojë për të ushqyer.
4. Organ i të folurit te njeriu; fig. ky organ, si shprehës e kumtues i mendimeve dhe i ndjenjave; gjuha; të folurit. Hape gojën! Fol! Mbylle (kyçe, mbaje) gojën! Mos fol!
5. Diçka e rrumbullakët a e ngjashme si ky organ. Goja e shpellës (e furrës).
6. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa bimë. Gojë asllan lulegojë. Gojë ujku lulegojë.
✱Sin.: buzë, dhëmbë, kafshatë, frymë, vetë, të folur, gjuhë, filiqe, grykë, fole, gojëz, syth, sqep, tytë, zdërre, kamare, shkarpë, gllup.
♦ *Arrë në gojë. Me *barkun te goja (te buza). Bëhem *copë (copë e gojë). U bë goja e botës (dikush) u bë turpi i botës, e tallin dhe e përqeshin të gjithë; u bë beja e dheut; iu nxi faqja; u bë gazi i botës. (U bëra) si *gjuha në gojë. S’më bën (s’më vete) goja s’e them dot diçka të rëndë, fyese etj. ose diçka tjetër që s’më pëlqen mua, nuk kam dëshirë a më vjen zor ta them diçka; s’dua të flas. Më ra goja (copë) fola shumë e vazhdimisht për diçka, po s’ma vuri veshin njeri; i fola dikujt pareshtur për një gjë, ia përsërita shumë herë për t’i mbushur mendjen për diçka etj., po ai s’më dëgjoi; u lodha së foluri për të njëjtën gjë; më vajti (më shkoi) goja (buza) te veshi (prapa veshit); më vajti goja prapa qafës; më zuri gjuha (goja) lesh; më ra gjuha përtokë. Ra (hyri) në gojë (të dikujt) e përflet dikush për keq, e përgojon; e merr (e mban) nëpër gojë (dikush). S'i bie gjuha në gojë (dikujt) keq. nuk pushon së foluri; s’i mbyllet (s’i rri) goja. Për *bukën e gojës. I buron (i nxjerr, i rrjedh) goja *mjaltë (dikujt). *Copë e gojë (copë e çikë, copë e trokë). S’e çeli *birën e gojës (dikush) përb. Çele gur gojën! iron. nuk flet fare dikush, rri gojëkyçur; s’e hap gojën; fol o gur fol, o mur! Më doli *shkumë (nga goja). I derdhi (i treti) *plumbin në gojë (dikujt) përb. (Ia di) sa *dhëmbë e dhëmballë ka në gojë (dikush). I do dardhat në gojë (dikush) iron. është dembel, nuk merret me asnjë punë; hajde bukë të të ha, hajde ujë të të pi tall.; është shtromë të fle, shtymë të bie. E do në gojë (dikush) keq. do që t’ia bëjnë gati gjithçka e të mos lodhet vetë, e do të gatshme çdo gjë, është dembel i madh; e do qofte; e do në tepsi. Një *fjalë goje... Flet me pesë gojë (dikush) mospërf. është llafazan i madh, nuk pushon së foluri; s’i pushon goja (dikujt). S’kam futur (s’kam vënë, s’kam shtënë) gjë në gojë nuk kam ngrënë gjë fare, jam esëll; jam i uritur. S’i futet *gjuha në gojë (dikujt). Me një gojë të gjithë njëherësh; njëzëri; me një zë. Gojë më gojë. 1. Duke ia thënë a duke ia treguar njëri-tjetrit me gojë; duke kaluar nga njëri brez në tjetrin me gojë a me të treguar, në mënyrë gojore; goja-gojës; gojë pas goje. 2. Vetëm për vetëm, pa qenë i pranishëm tjetërkush (kur flasim a bisedojmë me dikë); sy për (më) sy. Gojë pas goje goja-gojës; gojë më gojë. Me gojë të lan e me dhëmbë të çan (dikush) shtihet si i mirë, por të bën të keqen; është hipokrit; (është) mësallë me dy faqe. Gojët e liga (e këqija) keq. ata që flasin keq për dikë a për diçka ose merren me thashetheme; keqdashësit. Me gojë mbyllur pa folur fare, pa thënë asnjë fjalë, gojëmbyllur, gojëkyçur; pa marrë pjesë a pa ndërhyrë në një bisedë; i heshtur. Në gojë të ujkut (të qenit) në rrethana shumë të rrezikshme, para një rreziku të madh; në mes të armiqve të egër; në një gjendje të rëndë. Me *grurë në gojë (dikush) keq. Si *gjuha në gojë. Me *gjysmë goje. Sa i hëngri goja sa mundi, sa deshi, shumë, sa kish për të thënë deri në fund (kur dikush shan a qorton një njeri). Të ngrëntë goja *mjaltë! ur. S’më hahet goja nuk përtoj të flas a t’i them dikujt për një punë; nuk humbas gjë. Ç’ha goja e njeriut çdo gjë, të gjitha të mirat. Hanë në gojë të njëri-tjetrit shih pjekin bukë në një çerep, edhe keq. E hapi (e çeli) gojën (dikush). 1. Filloi të flasë, thotë diçka; tregon çka di; kund. e mbylli (e kyçi, e mbërtheu, e qepi) gojën. 2. Nuk rri pa folur; merr guximin të thotë a të kërkojë diçka; e ngriti zërin; e hapi tytën bised.; kund. e mbylli (e kyçi, e mbërtheu, e qepi) gojën. I hap (i çel) gojën (dikujt) i jap shkas tjetrit për të folur; e mësoj keq, i lë shteg që të kërkojë gjëra të tepërta që nuk i takojnë; i hap syrin; kund. ia mbyll (ia zë) gojën. S’e hap gojën (dikush) është i heshtur, nuk ndihet; është i urtë e i mbyllur në vetvete; nuk thotë asnjë fjalë, nuk flet fare; s’bëhet i gjallë; s’bën gëk (as gëk as mëk); çele gur gojën! iron.; kund. s’e mbyll gojën. E ka hapur (shumë) gojën (dikush) ka filluar ta teprojë me fjalë, thotë gjëra që s’duhen thënë a kërkon gjëra që s’i takojnë; nuk i kontrollon fjalët; përflet e shan shumë; e ka zgjatur gjuhën. Hap gojën e shikon qiellin (dikush) është dembel i madh e pret që gjithçka t’ia bëjnë gati të tjerët, nuk lëviz vetë, por pret t’i vijë çdo gjë vetiu. Iu hap (iu çel) goja (dikujt) ka filluar të flasë pa druajtje, ka marrë guximin të flasë a të kërkojë diçka; iu hap gryka. S’i hapet goja (dikujt) nuk ka oreks, nuk ka dëshirë për të ngrënë. I hoqi (i preu) *bukën e gojës (dikujt). S’e heq (s’e lëshon) nga goja (dikë a diçka) flet shumë për të, e përmend a e kujton vazhdimisht për të mirë, flet gjithmonë shumë mirë, me dashuri e me nderim, e lavdëron shumë; nuk e harron kurrë së përmenduri; e mban në gojë; e ka në gojë; i mbeti (i ngeli) goja (te dikush a te diçka); i mbeti (i ngeli) në gojë (dikush a diçka). I hoqi (i preu) *kafshatën e gojës (dikujt). E humbi gojën (dikush). 1. Humbi të folurit, u bë memec, nuk flet dot; i iku goja1. 2. Pushoi së foluri për diçka, nuk flet më; nuk ndihet, se e kupton që s’ka të drejtë ose nuk guxon; i iku goja2 (dikujt). I iku goja (dikujt). 1. Nuk flet dot më, bë memec; e humbi gojën1; kund. i erdhi goja. 2. U nguros (nga frika etj.); s’ka ç’të thotë a s’ka të drejtë të flasë më; e humbi gojën2; kund. i erdhi goja. Është *bilbil nga goja (dikush). Është *brisk nga goja (dikush). Është *çotë nga goja (dikush). Është gojë e bark (dikush) është hamës i madh, ha shumë; mendon vetëm për të ngrënë, e ka mendjen vetëm tek e ngrëna. Është *shpatë nga goja (dikush). Është me *shpirt në gojë (dikush). Është (i zoti) i gojës (dikush) di të flasë bukur, të mbrojë veten a të bindë të tjerët; është i rrjedhshëm në të folur; i punon goja (dikujt); i pret goja (brisk) (dikujt); i pret gjuha (brisk) (dikujt); është i gjuhës. I jep gojës (dikush). 1. Ushqehet mirë, nuk kursen për të ngrënë, ha sa do e çfarë do. 2. Nuk e përmban veten në të folur, flet shumë e pa u ndalur; s’i pushon goja (dikujt); s’e mbyll gojën; s’i pushon gjuha (dikujt). Ia dha *llokum (në gojë) (dikujt). Ka gojë (dikush). 1. keq. Flet mbarë e prapë, përdor fjalë të rënda, fyese etj.; është gojëprishur; ka gjuhë; ka llapë (të madhe). 2. (diçka). Dëshmon haptas për diçka, tregon qartë, flet vetë (për gjëra që duken sheshit). S’ka gojëI (dikush). 1. Është fjalëpakë, është i heshtur. 2. Është i urtë e nuk kundërshton, nuk kthen fjalë; bindet shpejt. 3. Nuk shan e nuk grindet me fjalë. S’ka gojëII (dikush) keq. s’i bie atij të flasë, se nuk është në rregull për vete; s’ka të drejtë të kërkojë diçka, se nuk i takon; e preu gojën; e ka (e mban) gojën të mbyllur. E kam në gojë (dikë a diçka). 1. E përmend a e kujtoj vazhdimisht për të mirë, flas gjithmonë shumë mirë për të; flas vazhdimisht për të njëjtin njeri a për të njëjtën gjë; e mbaj në gojë; s’e heq (s’e lëshoj) nga goja; më mbeti (më ngeli) goja2; më mbeti (më ngeli) në gojë (dikush a diçka). 2. Gati sa s’e them diçka, e kam në mend a e di, por s’po mundem ta shpreh, ta kujtoj, ta tregoj a ta përcaktoj si duhet; e kam në majë të gjuhës; më erdhi në dhëmbë (dikush a diçka). E ka gojën *ajkë (dikush). E ka gojën *arkë (dikush). E ka gojën si *arka e plakës (dikush). E kam gojën *baltë. E ka gojën *behar (dikush). E ka gojën *bilbil (dikush). E ka gojën (gjuhën) *brisk (dikush). E ka gojën për *bukë (dikush). E ka gojën *çorap (dikush). Ka gojë të ëmbël (dikush) është gojëmbël, është fjalëmbël. E ka gojën *të ëmbël (dikush). E ka gojën *fushë (dikush). E ka gojën *të hapur (dikush). E ka gojën *hudhër (dikush) keq. E ka gojën *kamare (dikush) përçm. E ka (e mban) gojën *të kyçur (dikush). E ka gojën (gjuhën) *të lëshuar (dikush). E ka gojën *llokum (dikush). E ka (e mban) gojën *të mbërthyer (dikush). E ka (e mban) gojën *të mbyllur (dikush). E ka gojën *mjaltë (huall) (dikush). E ka gojën *të prishur (dikush) keq. E ka gojën *sheqer (dikush). E ka gojën *shpellë (dikush). E ka gojën *të shthurur (dikush) keq. E ka gojën *thanë (dikush). E ka gojën *uthull (dikush). Ia lag gojën (dikujt) i jap fare pak për të pirë a për të ngrënë; njom (lag) gojën (dikush); njom (lag) grykën (dikush); njom (lag) fytin (dikush); njom (lag) gurmazin (dikush). M’u lag *gjuha në gojë. Laje (pastroje) gojën! iron. shih veten tënde e matu mirë para se të flasësh për dikë, nuk je i denjë as për ta zënë me gojë emrin e tij, s’ke të drejtë morale të flasësh për të; je larg vlerave të dikujt. Sa për të larë gojën iron. sa për të thënë se e bëra, sa për të shkuar radhën (kur ftojmë dikë, kur japim një këshillë etj.). E la me *gisht në gojë (dikë). Më la me gojë hapur (dikush a diçka) më çuditi shumë, më shtangu, më mahniti dikush me atë që thotë a që bën ose diçka e papritur, e pabesueshme a që s’ta merr mendja, një pamje mbresëlënëse etj.; më shastisi; më la gojëhapur. I lëngëzon goja (dikujt) shih i lëshon (i shkon) goja lëng (dikujt). Lëshon *barut nga goja (dikush). Ia lëshoi *frerin gojës (gjuhës) (dikush). S’e lëshon (s’e heq) nga goja (dikë) e do dhe e lëvdon shumë, flet vazhdimisht për të; e mban në gojë. E ka lëshuar gojën (dikush) shih e ka lëshuar gjuhën (dikush). I lëshon goja *jargë (dikujt). E lëshon gojën në *jonxhë (dikush) iron. I lëshon (i shkon) goja *lëng (dikujt). E lëshon gojën si në urov (dikush) keq. flet pa menduar, flet si t’i vijë për mbarë; nuk i vë fre gojës. Lëshon *tufan nga goja (dikush) keq. Iu lidh (iu pre) goja (dikujt) shih iu lidh (iu pre) gjuha (dikujt). Të lumtë goja! ur. rrofsh e paç veç të mira!; ashtu qoftë! (kur dikush këndon bukur, bën një urim a thotë një fjalë të mirë). Një *llaf goje... E merr (e mban) nëpër gojë (dikë a diçka) flet lloj-lloj fjalësh për dikë a për diçka, flet poshtë e përpjetë e si të mundë për të, e përflet, e përgojon; ra (hyri) në gojë (të dikujt); e ka hapur (shumë) gojën (dikush); e ka zgjidhur gjuhën (dikush); dëgjohet nëpër botë (dikush). Ta merr (ta rrëmben) fjalën nga goja (dikush) është shumë i zgjuar e i mprehtë, të merr vesh menjëherë, ta kap shpejt mendimin, e kupton shumë shpejt ku e ke fjalën. Të merr *kafshatën e gojës (dikush). Ta merr kafshatën nga goja (dikush) është shumë i shkathët dhe ta bën diçka shpejt e pa pasur mundësi të mbrohesh; s’e kap dot dikë a s’i shpëton dot atij. E ka marrë këmbën në gojë (dikush) e ka pësuar rëndë, i ka hyrë e liga, s’ka gjasa për t’u përmirësuar; e ka marrë ferra uratën. Ndan *kafshatën e gojës (e fundit) (me dikë). Mbaj gojën! mos fol më!; përmbahu! (i thuhet dikujt që është duke përdorur fjalë të rënda ose që të shan a të kërcënon). E mban në gojë (dikë a diçka) e përmend a e kujton vazhdimisht për të mirë, flet gjithmonë shumë mirë për të; e lavdëron shumë; e ka në gojë1; i mbeti (i ngeli) goja2 (për dikë a për diçka); i mbeti (i ngeli) në gojë (dikush a diçka); s’e heq (s’e lëshon) nga goja. S’i mban goja *arra (dikujt) keq. E mban gojën *mbyllur (dikush). I mban goja erë *qumësht (dikujt). Mbeta (ngela) me *gisht në gojë. I mbeti (i ngeli) goja (dikujt). 1. Nuk flet dot më, e ndërpreu të folurit; ngeci. 2. (për dikë a për diçka). Thotë a kërkon vazhdimisht dikë a diçka (kur zakonisht nuk e dëgjojnë a nuk ia plotësojnë dëshirën); e mban në gojë (dikë a diçka); e ka në gojë1 (dikë a diçka); s’e heq (s’e lëshon) nga goja (dikë a diçka); i mbeti (i ngeli) në gojë (dikush a diçka). I mbeti (i ngeli) në gojë (dikush a diçka) e përmend vazhdimisht, e thotë shpesh, vetëm për atë flet; e mban në gojë (dikë a diçka); e ka në gojë1 (dikë a diçka); i mbeti (i ngeli goja)2 (për dikë a për diçka); s’e heq (s’e lëshon) nga goja (dikë a diçka). Mbes pa gojë nuk flas dot një fjalë nga çudia, nga gëzimi, nga lumturia etj., s’di ç’të them nga habia, mahnitem, shtangem, ngrij; mbes me gojë hapur; mbes gojëhapur; më pritet goja. I mbeti (i rri) goja *çark (dikujt) iron. Mbes me gojë hapur çuditem shumë, shtangem, mahnitem me atë që bën a që thotë dikush, me diçka të papritur, të pabesueshme a që s’ta merr mendja, me një pamje mbresëlënëse etj.; shastisem; mbes gojëhapur; mbes pa gojë; më pritet goja. Mbeta me gojë thatë s’kam ngrënë dot asgjë, kam mbetur pa ngrënë; nuk kam as të ha; s’kam asgjë; mbeta gojëthatë. E mbylli (e kyçi, e mbërtheu, e qepi) gojën (dikush). 1. Heshti, pushoi së foluri, nuk flet më; i vuri kyçin gojës; iu pre goja (dikujt); e shkurtoi (e preu) gjuhën; e mban (e shtrëngon) gjuhën prapa dhëmbëve (ndër dhëmbë); e mbylli grykën; i qepi buzët; (nuk tha) asnjë gjysmë fjale; kund. e hapi (e çeli) gojën. 2. E ruajti një të fshehtë; nuk ia tregoi askujt ato që dinte; e rrudhi (e mblodhi) gojën; kund. e hapi (e çeli) gojën. Ia mbyll (ia zë) gojën (dikujt). 1. E bëj dikë të heshtë, të mos flasë; e zë ngushtë me fjalë sa nuk di ç’të thotë a nuk mund të kundërshtojë; ia mbyll (ia zë) gojën me shtupë; ia zë frymën; ia lidh gjuhën. 2. E heq qafe dikë duke i plotësuar diçka sa për ta kënaqur; ia plotësoj kërkesën dhe s’ka më arsye të ankohet; ia mbyll (ia zë) grykën keq.; kund. i hap (i çel) gojën. S’e mbyll gojën (dikush). 1. S’pushon së foluri, flet shumë e pa pushuar, është llafazan i madh; dërdëllit gjithë kohën; s’i mbyllet (s’i rri) goja (dikujt); s’i pushon goja (dikujt); nuk i rri gjuha (në vend, rehat, prapa dhëmbëve) (dikujt); i mbeti (i rri) goja çark (dikujt) iron.; kund. s’e hap gojën. 2. S’pushon së kërkuari diçka a së mbrojturi një mendim, nuk hesht; këmbëngul. S’i mbyllet (s’i rri) goja (dikujt) nuk rri dot pa folur; flet shumë, është llafazan i madh, s’pushon së foluri; s’e mbyll gojën (dikush); s’i pushon goja; nuk i rri gjuha (në vend, rehat, prapa dhëmbëve); i mbeti (i rri) goja çark iron. Ia mbyll (ia zë) gojën me shtupë (dikujt) nuk e lë dikë të flasë fare, e detyroj të heshtë, do apo nuk do ai; ia mbyll (ia zë) gojën1. I merret goja (dikujt). 1. Belbëzon; mezi flet e nuk i shqipton fjalët mirë; i është trashur gjuha. 2. Nuk di ç’të thotë, e ndien veten ngushtë, s’ka fjalë për të kundërshtuar. Ndan *kafshatën e gojës (e fundit) (me dikë). E ndreqi (e drejtoi, e rregulloi) gojën (dikush) foli mirë, i ndreqi fjalët, i zgjodhi mirë fjalët; tani thotë atë që duhet, flet si duhet; kund. e prishi (e ndyu) gojën. Më ngeci (më mbeti) në gojë (diçka) shih më ngeci (më mbeti) në grykë (diçka). Të ngrin *gjuha në gojë. S’ma nxë goja nuk dua ta them diçka, nuk e them dot, s’më bën zemra ta them (diçka të keqe a të turpshme); s’ma thotë goja. Si ta nxë goja! si mund ta thuash një gjë të tillë!, si nuk të vjen zor të përdorësh këto fjalë!, si nuk ke turp të flasësh kështu! Nxjerr *bukën e gojës. Nxjerr *kafshatën e gojës. Nxjerr *lerë nga goja (dikush). Nxjerr *myk nga goja (dikush). Nxjerr *sheqer nga goja (dikush). I nxori *shkumë (nga goja) (dikujt). Nxjerr *shyta (nga goja) (dikush). Njom (lag) gojën pi diçka ose ha fare pak (zakonisht pemë); ia lag gojën (dikujt); njom (lag) grykën; njom (lag) fytin; njom (lag) gurmazin. Me plot gojën. 1. Me gjithë zemër e me bindje, jo sa për të shkuar radhën; duke qenë i vetëdijshëm plotësisht, me siguri, pa asnjë farë dyshimi. 2. Pa druajtje, pa frikë, pa asnjë ngurrim, fare lirisht. E preu gojën (dikush). 1. Është në agoni, po vdes e nuk flet dot. 2. Nuk flet më për diçka a nuk kërkon më asgjë; s’ka gojë (të flasë, të kërkojë); e shkurtoi (e preu) gjuhën. I pret goja (brisk) (dikujt) shih i pret gjuha (brisk) (dikujt). I pret goja (gjuha) *hekur (dikujt). E prishi (e ndyu) gojën (dikush) filloi të flasë mbarë e prapë, të përdorë fjalë të rënda a të ulëta; ia prishi qejfin dikujt me fjalë, u shpreh kundër një dëshire a një kërkese; u grind me të duke përdorur lloj-lloj fjalësh të rënda; kund. e ndreqi (e drejtoi, e rregulloi) gojën. Iu pre (iu lidh) goja (dikujt). 1. Nuk flet dot më; mbeti pa gojë (dikush); e mbylli (e kyçi, e mbërtheu, e qepi) gojën (dikush); iu pre gjuha; i humbi fjala nga goja. 2. Ngriu në vend, shtangu nga frika, nga habia, nga një ndjenjë e fuqishme etj.; mbeti me gojë hapur (dikush); iu mpi gjuha. I punon goja (dikujt) flet lirisht e bukur, flet rrjedhshëm e pa vështirësi; i pret goja (brisk); i pret gjuha (brisk); është (i zoti) i gojës (dikush). S’i pushon goja (dikujt) flet shumë, është llafazan i madh; s’e mbyll gojën (dikush); s’i mbyllet (s’i rri) goja; i jep gojës (dikush); e ka gojën kamare (dikush) tall.; e ka gjuhën të gjatë (dikush; flet me pesë gojë (dikush) mospërf. Ta rrëmben *fjalën nga goja (dikush). I rrjedh goja (dikujt) shih është (i zoti) i gojës (dikush). E rrudhi (e mblodhi) gojën (dikush) e mblodhi veten që të mos thotë fjalë të rënda a të pahijshme, nisi t’i matë mirë fjalët; nuk e hapi gojën për të folur; e mbylli (e kyçi, e mbërtheu, e qepi) gojën. Më shpëtoi (më shkau, më rrëshqiti) goja thashë pa dashje diçka që nuk duhej ta thosha, më shpëtoi një fjalë që nuk duhej thënë; më shkau (më rrëshqiti) gjuha; më hëngri gjuha. Shpie gojën te buka përpiqem vetë për të siguruar atë që duhet, nuk e pres prej dikujt tjetër; luaj këmbët. Me *shpirt në gojë (ndër dhëmbë). Ia shtrëngoi *frerin gojës (gjuhës) (dikush). E ka shthurur gojën (dikush) keq. flet ç’t’i vijë, nuk e kontrollon veten kur flet; përdor gjithfarë fjalësh të ndyra, flet larë e pa larë, është gojëndyrë; s’i vë fre gojës (gjuhës); e ka lëshuar gjuhën. S’tregohet (s’rrëfehet) me gojë (diçka) është diçka shumë e madhe, shumë e rëndë, e habitshme a e jashtëzakonshme etj.; s’e tregon a s’e përshkruan dot sa e tillë është. I treti (i derdhi) *plumbin në gojë (dikujt) përb. M’u tha gojaI (për diçka) shih m’u tha buza (për diçka). M’u tha gojaII s’e thashë diçka që duhej ta thosha, nuk e tregova diçka që duhej ta tregoja; ndenja pa folur kur duhej të flisja patjetër, më mirë të kisha folur; pse heshta!; m’u tha gjuha. T’u thaftë goja! mallk. mos folsh dot më!; qofsh i mallkuar! (kur dikush thotë diçka të keqe a të kobshme, kur ndjell fatkeqësi, kur mallkon a është ogurzi etj.); t’u thaftë gjuha! Si s’m’u tha goja keq. ç’pata që e thashë diçka, nuk duhej të flisja a ta tregoja diçka, më mirë të mos kisha folur, pse s’heshta!; si s’m’u tha gjuha. Thaj gojën rri pa ngrënë; kursej shumë, ia heq gojës ushqimin; thaj barkun; thaj zorrën. Ia thau gojën (dikujt) nuk i dha gjë të hante, e la pa ngrënë për një kohë të gjatë; ia thau barkun; ia thau zorrën. Iu tha *pështyma në gojë (në fyt) (dikujt). S’ma thotë goja (diçka) është aq e keqe, aq e rëndë, aq e pështirë etj. sa nuk e përmend dot, më vjen keq a më vjen rëndë ta them; s’ma nxë goja. Më vajti goja prapa *qafës. Më vajti (më shkoi) goja (buza) te *veshi (prapa veshit). I vuri *kyçin (drynin) gojës (dikush). I vë *fre gojës (gjuhës). I vuri *gardh gojës (dikush). Ka vënë gojë (dikush) ka zënë e flet shumë për të tjerët, ka filluar të mbajë nëpër gojë të tjerët; ka zënë të përdorë fjalë të rënda, të ulëta etj., ka zënë të flasë mbarë e prapë; e ka lëshuar gojën; e ka lëshuar gjuhën. I vuri *kanxhën gojës (dikush). I vuri *kyçin (drynin) gojës (dikush). Nuk i vë *masë gojës (dikush). I vuri *pehriz gojës (dikush). I vuri *shtupën gojës (dikush). I vuri *tapën gojës (dikush). I erdhi goja (dikujt). 1. Po mëson të flasë, po shqipton fjalët e para (kryesisht për fëmijët); kund. i iku goja. 2. U qetësua, e mblodhi veten e filloi të flasë; kund. i iku goja. Ç’t’i vijë për goje si të mundë, pa e kontrolluar veten, pa kujdes e pa përgjegjësi, pa i peshuar fjalët. Do vrarë me *bukë në gojë (dikush). I zbërthej gojën (gjuhën) (dikujt) e bëj të flasë, e detyroj t’i thotë të gjitha ç’di; ia zgjidh gojën (gjuhën); i zbërthej dhëmbët. Ia zuri fjalën në gojë (dikujt) nuk e la të fliste më tej, ia preu fjalën, e bëri të heshtë. E zë në (me) gojë (dikë a diçka) e përmend, e kujtoj; flas për të; bëj fjalë (për dikë a për diçka). Më zuri goja *bar. Më zuri goja *erë. Më zuri goja (gjuha) *lesh. Zihet në gojë (dikush a diçka) përmendet, flitet për dikë a për diçka; bëhet fjalë (për dikë a për diçka).
LLOKÚM,~I m. sh. ~E, ~ET [LLOKUM/E,~JA f. sh. ~E, ~ET] 1. Ëmbëlsirë e butë që bëhet me niseshte e me sheqer ose edhe me arra a me bajame dhe që ndahet në copa të vogla me trajta të ndryshme; një copë prej kësaj ëmbëlsirë. Llokum me arra (me bajame). Llokum bajamesh llokum që bëhet me brumë bajamesh të shtypura. Kuti me llokume. Llokumin pse është i ëmbël e hanë gjënë e mirë e duan pikërisht se është e tillë. Nuk hamë çdo ditë llokume nuk mund të kemi çdo ditë festa e dëfrime. Llokumja e hasmit (e armikut) e ka helmin brenda (të mbetet në fyt) armiku të merr me të mirë e të josh për të të dëmtuar; mos u beso lajkave e premtimeve të armikut!
2. fig. Ajo që është shumë e dashur dhe e ëmbël.
3. spec. Copë e vogël nga një lëndë plasëse e butë. Llokum dinamiti. Vuri një llokum në vrimën e shkëmbit.
4. si mb., fig. Që është i butë; që është i majmë. Tokën e kemi llokum. Mishi ishte llokum.
5. si mb., fig. Që ta bëjnë gati të tjerët; i përgatitur. E do llokum çdo gjë.
6. si ndajf. Shumë (me mbiemrat i ëmbël, i butë). I ëmbël llokum. Llokum i butë.
✱Sin.: dudë, i butë, i majmë.
♦ Ia dha llokum (në gojë) (dikujt) ia bëri gati çdo gjë, ia krijoi të gjitha lehtësitë dikujt që ai vetë të mos mundohet fare; ia dha në pjatë; ia dha në tabaka; ia dha në tepsi. E ka gojën llokum (dikush) flet mirë e butë, është gojëmbël, është gojëmjaltë; e ka gojën sheqer; nxjerr sheqer nga goja; i buron (i nxjerr, i rrjedh) goja mjaltë (dikujt).
NGJÍTSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që ka vetinë të ngjitet pas sendeve të tjera; që është si lëng i trashë, i cili nuk rrjedh lirisht; ngjitës, veshtullor. I ngjitshëm si zamkë. Llokum i ngjitshëm. Mjalti është i ngjitshëm.
2. Që mund të ngjitet a të bashkohet me diçka tjetër. Lëndë plastike e ngjitshme. Ky material nuk është i ngjitshëm.
SHEQÉR,~I m. 1. Substancë e ëmbël në trajtë kristalesh të vogla zakonisht të bardha e të tretshme lehtë në ujë, që nxirret nga një lloj panxhari ose nga një lloj kallami (sukrozë) dhe që përdoret gjerësisht në industrinë ushqimore, sidomos në përgatitjen e ëmbëlsirave; kund. zeher. Përftimi i sheqerit. Nuk i hedh sheqer kafesë. Paketimi dhe përpunimi i sheqerit. Një lugë sheqer. Sheqer për diabetikët. Akullorja kishte shumë sheqer. Liker me përmbajtje sheqeri. Importimi i sheqerit. Ëmbëlsirë pa sheqer. Shurupi i sheqerit.
2. biol. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme të kësaj substance ose mënyra të ndryshme të përpunimit të saj. Sheqer drusor produkt i përftuar nga përpunimi me ngrohje i drusë që shndërrohet në sheqer. Sheqer dytësor lloj sheqeri kristalor me ngjyrë kafe të verdhë që përdoret në industrinë përpunuese ushqimore. Sheqer i djegur karamel. Sheqer i kuq sheqer i parafinuar ose i rafinuar pjesërisht. Sheqer i lëngët shurup sheqeri. Kallam sheqeri përdoret si emërtim për një lloj ëmbëlsire me sheqer që ka formën e një kallami pak të përkulur. Mollë sheqeri një lloj ëmbëlsire me mollë e cila vishet me sheqer të djegur.
3. Lëndë organike e ëmbël, që gjendet në nektarin e luleve, në tulin e frutave etj.; fruktozë. Sheqeri i fiqve (i rrushit, i mjaltit). Kumbull sheqeri (bot.) një lloj kumbulle që bën kokrra të rrumbullakëta, të verdha e shumë të ëmbla.
4. Pjesë e dytë e emërtimeve të pathjeshta për disa bimë. Panxhar sheqeri (lat. Beta vulgaris saccharifera, B. vulgaris altissima, B. Vulgaris) panxharsheqeri, rapa, rrepa e sheqerit. Kallam sheqeri (lat. Saccharum officinarum) bimë me origjinë nga Azia, kërcelli i së cilës shërben për të prodhuar sheqer.
5. mjek. Pjesë e dytë e emërtimit të pathjeshtë për një sëmundje. Sëmundja e sheqerit sëmundje e shkaktuar nga tepria e glukozës, diabeti.
6. si mb. edhe fig. Që është shumë i ëmbël, mjaltë. Mollët janë sheqer. E ka gojën sheqer.
7. si ndajf. Në një shkallë shumë të lartë, shumë; kund. pak. Ishte sheqer i ëmbël. Çarçafët i kishte sheqer të bardhë.
✱Sin.: i ëmbël, mjaltë, fruktozë.
♦ Nuk ra sheqeri në *ujë. E hëngri shapin për sheqer (dikush) shih e hëngri (e mori) sapunin për djathë (dikush). (Është) *mjaltë e sheqer (mjaltë e qumësht) (dikush). E ka *mjaltë e sheqer (mjaltë e qumësht) (me dikë). E ka gojën sheqer (dikush) është gojëmbël; nxjerr sheqer nga goja; i buron (i nxjerr, i rrjedh) goja mjaltë (dikujt); e ka gojën të ëmbël; e ka gojën llokum. Kërkon sheqer e kripë në ujë (dikush) tall. kërkon diçka të pamundur, që nuk mund të ndodhë a nuk mund të bëhet; kërkon qumësht nga delja shterpë; kërkon qumësht nga cjapi; kërkon dhallë të thartë në kollozhek. E lyen me sheqer (diçka) përpiqet ta zbukurojë e ta fshehë thelbin e keq të diçkaje, duke përdorur fjalë të ëmbla ose mënyra joshëse; e sheqeros. Ndaj *shapin nga sheqeri. Nxjerr sheqer nga goja (dikush) është gojëmbël; e ka gojën sheqer; i buron (i nxjerr, i rrjedh) goja mjaltë (dikujt); e ka gojën të ëmbël; e ka gojën llokum. Nxjerr sheqer nga ujët e detit (dikush) shih nxjerr mjaltë nga guri (dikush). *Top sheqeri.
SUXHÚK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT gjell. 1. Zorrë bagëtish të imëta të mbushura me mish të grirë, me mëlçi të grira e me erëza dhe të ndara në copa të vogla që hahen zakonisht të pjekura ose të skuqura, kole. Suxhuk i tymosur. Poqi një suxhuk në skarë. Bënë suxhukë për dimër. Skuqi suxhuk me vezë për mëngjes.
2. Llokum në trajtë të rrumbullakët e i mbushur me arra. Blej një suxhuk. Kishin marrë me vete dhe suxhukë.
✱Sin.: llukanik, kolloface, kole, kurmagjak.
TEPSÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Enë e madhe dhe e sheshtë prej bakri ose prej alumini, në trajta të ndryshme (të rrumbullakët, katrore, drejtkëndëshe), me buzë të ngritura rreth katër-pesë gisht, që shërben për të pjekur në furrë a në saç bukë, mish, lakrorë, byrekë, bakllava e gatesa të tjera; sini, tabaka, tavë. Tepsi e madhe (e vogël, e thellë). Tepsi bakri (alumini). Tepsia e bukës tepsi që vihet mbi një fron dhe që shërben si tryezë buke. Një tepsi me mish (me petulla). Një tepsi me grurë. Vuri bukën dhe pjatën në tepsi. Vallja e tepsisë (etnogr.) valle që luhet duke i rënë tepsisë si daulle.
2. Gatesë e pjekur në këtë enë; gatesë a diçka tjetër sa nxë kjo enë. U vuri para një tepsi bakllava (mish). Sonte kemi tepsi kemi gatesa në tepsi (pite, fli, kryelanë). Hëngrën një tepsi të tërë hëngrën shumë. Një plakë me një tepsi në krye (gjëzë: gozhda). Një tepsi me filxhanë farfuri (gjëzë: qielli me yjet).
✱Sin.: çarki, kuze, haronë, lëngjerë; mesore, rrethatore, sini, tabaka, tavë, gatesë.
♦ E do në tepsi (dikush) shih e do në gojë (dikush). Hedh valle në tepsi (dikush) tall. bën diçka edhe kundër dëshirës së tij; bën si do me të; e tall e luan me të sa të duash. Ia dha në tepsi (në tabaka, në pjatë) (dikujt) ia mbaroi një punë të gjithë vetë, nuk e la të lodhet a të mundohet; ia bëri diçka krejt gati, që ta ketë a ta marrë pa bërë asnjë përpjekje; ia dha llokum (në gojë). Ç’ka në *bardhak e hedh në tepsi (në çanak) (dikush). E luan në tepsi (dikë) keq. e mundon shumë, e sorollat, e sfilit; e sjell vërdallë; luan cingël (cingëlthi) (me dikë); e luan në tel; e luan në tagar keq. Luan vallen në tepsi (dikush) e hedh vallen shumë bukur, është valltar i zoti, mund të luajë vallen edhe në një vend të ngushtë. Të than tepsinë (tavën) (dikush). 1. Ha çdo gjë, përlan gjithçka që i vë përpara; është hamës i madh. 2. bised. Të vjedh çdo gjë, s’të lë gjë pa marrë. (Thotë) *gogla në tepsi (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë