Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
LLÓKM/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT bised. 1. Pjesë e prerë a e shkëputur nga një lloj ushqimi i ngurtë; thelë. Llokmë e madhe (e majme). Llokmë mishi (pjepri). Llokmë portokalli. E ndau në llokma.
2. fig., keq. Diçka e dobishme dhe e çmueshme, që merr dikush zakonisht pa e merituar; përfitim i padrejtë; thelë. I dhanë (mori) një llokmë të mirë. Ishte mësuar me llokma. Nuk ka gjithnjë llokma.
✱Sin.: copë, thelë, përfitim.
♦ Është mësuar me llokmë të madhe dikush - është mësuar me bollëk, me kamje të madhe. Iu pre llokma nuk përfiton më pa të drejtë.
THÉL/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Copë e vogël mishi, pjepri etj., zakonisht e prerë nga e tëra ose nga një pjesë më e madhe. Thelë e madhe (e vogël). Thelë mishi (peshku). Thelë shalqiri (pjepri, molle). Thelë djathi. E bëri thela. E preu në thela.
2. Secila nga pjesët që përbëjnë kokrrën e disa fryteve e që zakonisht mund të ndahen njëra nga tjetra. Thelë portokalli (mandarine). Nuk kishte mbetur asnjë thelë portokalli.
3. E çarë a plasaritje zakonisht në lëkurë, që është bërë me të prerë ose për ndonjë shkak tjetër. I është bërë një thelë në këmbë. I janë bërë duart thela.
4. fig. Pjesë nga një pasuri, nga një fitim etj., që e merr dikush. Mori thelën më të madhe.
✱Sin.: copë, rruazë, llokmë, nuskë, filetë, rriskë, flegër.
♦ U bë thelë e copë (dikush a diçka) shih u bë fërtele (dikush a diçka). U bënë thela për poçe u zunë keq; u vranë e u grinë me njëri-tjetrin; u bënë fërtele. Çon një *pelë e ha një thelë (dikush). Hyn (drejt e) në thela (dikush) ia hyn diçkaje drejtpërdrejt, kap ç’është kryesorja, pa i ardhur rrotull; e kërkon menjëherë atë që do; kërkon menjëherë gjënë më të mirë e më me vlerë; e lë lëngun e hyn në thela. S’është as për *lëng e as për thelë (dikush) keq. Të jep një thelë e të merr (të rrëmben) një pelë (dikush) keq. të jep pak për të të marrë shumë; të jep kusinë e të merr shtëpinë; hedh skortin të zërë troftën; ta merr lopën me gjithë viç. Nuk ka më thela shih s’ka më qofte te daja iron. E lë *lëngun e hyn në thela (dikush). Mbeti (katandisi) kokoshi (kaposhi) një thelë mbeti shumë më pak nga ç’ishte a nga sa duhej; duke hequr pak e nga pak, duke harxhuar pjesë-pjesë etj., u zvogëlua a u pakësua shumë diçka, katandisi fare pak. Thelë mbi bisht diçka e mirë që vjen kur s’e pret e kur nuk je keq; diçka shumë e mirë mbi të zakonshmen; diçka më shumë sesa të takon a mëtim për më shumë; e mirë mbi të mirat; bukë mbi pogaçe. Një thelë sa për një pelë shumë shtrenjtë; diçka e vogël me një çmim shumë të lartë; sa frëngu pulën; kund. për një copë bukë.
VJÁRM/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Mishi i bërë thela, rripe të holla për t’u tharë mbi zjarr dhe që përdoret në dimër për ushqim, pastërma. E griu mishin dhe e bëri vjarme. I thau vjarmet dhe i bëri gati për dimër.
2. fig. Vajzë a grua që është hollake dhe e dobët fizikisht. Ajo grua ishte bërë si vjarme.
✱Sin.: thellë, copë, rruazë, llokmë, filetë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë