Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABÁK,~UI m. sh. ~Ë, ~ËT 1. arkit. Pllakë e sheshtë katrore ose disk, i vendosur në majën e një kolone midis kapitelit të saj dhe strukturës së mbajtësit të traut a të harkut, që shërben për të siguruar mbajtjen e saj dhe për të mbrojtur zbukurimet figurale të pjesës së sipërme të shtyllës (të kapitelit), që shërbejnë si elemente funksionale dhe estetike. Abak mermeri.
2. mat., vjet. Llogaritës i thjeshtë primitiv, i përbërë nga një copë e vogël dërrase a kartoni, që përdoret për mësimin e numërimit; mjet njehsimi nga kohët e lashta, i përbërë nga gogla të ngjyrosura, të shkuara në disa radhë telash. Abak romak. Abak kinez. Abak japonez. Abak i ndarë në shtylla. Bëj një abak. Numëroj (llogarit) me abak.
4. Tryezë solemne për vendosjen e enëve të çmueshme te romakët e vjetër. Abak druri (plastike). Abak argjendi.
5. Lloj dërrase për lojë.
✱Sin.: numërator, numëratore, njehsor, llogaritës, kalkulator.
APROKSIMATIVÍSHT ndajf. Në mënyrë të përafërt, me afërsi, përafërsisht, pak a shumë, në mënyrë aproksimative; hamendshëm. U llogarit aproksimativisht.
✱Sin.: afërsisht, përafërsisht, hamendshëm, hamendas, hamendthi.
ÁRKË,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Kuti e madhe katërkëndëshe, e bërë zakonisht me dërrasa, që shërben për të ruajtur e për të mbartur sende e mallra. Arkë druri (dërrase, hekuri). Arkat e bukëve. Arka birre (qumështi). Arka municioni. Arka e ndihmës së shpejtë. Arka e ushtarit (usht.). Kapaku i arkës. Çelësi i arkës. Hap (mbyll) arkën. Shtie (fut) në arka. Ruaj arkën. Zbukurimet e arkës.
2. etnogr. Orendi katërkëndëshe prej dërrase, me kapak dhe me dry, zakonisht e zbukuruar, që shërbente për të mbajtur rroba dhe pajën e nuses. Arka e nuses arkë druri e zbukuruar me vizatime lulesh shumëngjyrëshe, që shërbente për pajën ose për rrobat e nuses. Arka e pajës (e rrobave). Rrobat e arkës. Mban në fund të arkës. (fj. u.). Arka e peshkut (zool.) guaskë peshku; lupare, vesh peshku.
3. Kasafortë. Fut (vë) paratë në arkë. Mbyll arkën. Arkë parash.
4. ek. Zyrë a vend i posaçëm, ku bëhen pagesat dhe veprime të tjera me të holla. Arka e bankës. Arka e ndërmarrjes. Nëpunësja e arkës. Paguan në arkë. Derdh paratë në arkë.
5. fin. Fondet në të holla që ka si gjendje një shtet, një ndërmarrje, kompani, biznes, institucion etj. Arka e shtetit. Libri i arkës. Gjendje arke. Mbush (zbraz) arkën e shtetit. Mbaj arkën. Mbyll arkën llogarit hyrjet e daljet në të holla për të parë gjendjen e fondeve.
6. bised. Arkivol. Arka e të vdekurit. Të vënça në arkë! mallk. vdeksh!
7. vjet., fin. Ent ku depozitoheshin të hollat e kursyera nga punonjësit, të cilat këta mund t’i tërhiqnin kur të donin. Arka e kursimit. Derdh të holla në arkën e kursimit.
♦ Arkë pa dry (pa çelës) në mëshirë të fatit, pa u mbrojtur, pa e ruajtur kush. Arkë e dry të lidhur si mishi me thoin njëri me tjetrin, të pandarë njëri nga tjetri. Arkë me dry (me shtatë dryna) shih arkë e mbyllur. Arkë e mbyllur ai që e mban të fshehtën e nuk ua thotë të tjerëve; ai që nuk i hapet askujt; varr i mbuluar; qeli pa dritare (e mbyllur). Arka (barka) e Noes libr. mjet a vend shpëtimi nga një rrezik i madh. *Fundi i arkës. Janë arkë e dry shih janë mish e thua. I kallëzoj *fundin e arkës (dikujt). E ka gojën arkë (dikush) shih e mban gojën mbyllur (dikush) nuk nxjerr fjalë nga goja, i ruan mirë të fshehtat. E ka gojën si arka e plakës (dikush) e mban të fshehtë një sekret, nuk ia tregon askujt, është i besës; e fut fjalën në fund të dheut; e hedh fjalën në pus; kund. e nxjerr në pazar të gomarëve (diçka) tall. I nxjerr *fundin e arkës (dikujt). Është *sapun në arkë (dikush). Të vënça në arkë! mallk. vdeksh!
✱Sin.: kuti, sënduk, sandëk, sanak, arkëz, baule, kanavete, kashun, kanistër, sepete, valixhe, kasafortë, kasë, arkivol, arkëmort.
BELÁ,~JA f. sh. ~, ~TË dhe ~RA, ~RAT bised. 1. Punë që sjell të këqija e ngatërresa, vështirësi që sjell shqetësime, diçka e padëshirueshme dhe e mërzitshme; kokëçarje, telash, hall. Bela e madhe (e keqe). Punë me bela. Isha në bela. E ka bela. I ra një bela. E zuri belaja. Ra në bela. E futi në bela. I hapi belara. Shpëtoi nga një bela. S'u hyn belarave. Mezi u bind me njëqind belara. E kërkoi vetë belanë. Këndonte këngën e bejkë belasë. Të thashë dy fjalë, ti mbushe dynjanë, / Rraha për të mirë, po gjeta belanë! (folk.). Me paranë gjen belanë. (fj. u.). Nga badihavaja, të gjen belaja. (fj. u.). Gurë, gurë bëhet një kala, fjalë, fjalë bëhet një bela. (fj. u.). Goja bën kala, goja bën bela. (fj. u.). Po të ishte belaja e mirë, gjithkush e mbillte në bahçe. (fj. u.). Kush i ndez qiri shejtanit, gjen belanë. (fj. u.). Fajin e ka gjuha, belanë e pëson koka. (fj. u.).
2. anat., krahin. Shtrati i pjellës te kafshët. E nxori belanë.
✱Sin.: kokëçarje, telash, hall, sëkëlldi, taksirat, zavall, brengë, hidhërim, kusur, e keqe, shtrëngesë, ngushticë, paçariz, dert, qeder.
♦ M’u bë (më ra) bela (dikush) shih m’u bë barrë (dikush). Ia bëri bela (dikujt) shih ia hodhi (ia shkarkoi) barrën1 (dikujt). I ra barku në bela (dikujt) iron. hëngri e piu mirë e mirë, ka rënë në gjithë të mirat. E blen belanë me *para (dikush). Gjeç belanë! mallk. e pësofsh. Gjeta belanë 1. (me dikë). U ngatërrova keq me dikë, e kam të vështirë me të, më ndezi me të, nuk di si t’ia bëj; më polli (më ndezi) belaja; më polli sherri; më polli djalli bised. 2. Më ra një hall i madh, e pësova keq; më zë një e keqe; më mbeti (m’u var) samari në bark; shkela mbi gjarpërinj. Kërcen *prifti nga belaja tall. Kërkon bela me para (dikush) ua hyn vetë rreziqeve e vështirësive pa u menduar gjatë, nuk i llogarit pasojat, vete drejt një rreziku kot, edhe kur nuk duhet ose kur i kushton. Më polli (më ndezi, më gjeti) belaja (me dikë) kam ndeshur në vështirësi të mëdha me dikë, u ngatërrova keq e gjendem ngushtë në marrëdhënie me të, më ka ndezur me të; gjeta belanë; më polli groshi. Ia qau belanë (dikujt) e rrahu, e dërrmoi; i punoi qindin. E ujit belanë (dikush) nxit dikë për të bërë diçka të keqe; fut dikë në sherr me të tjerët; e acaron gjendjen; fut spica; i fut (i shtie) mizat (dikujt); ia ngre mendjen (dikujt); i futi (i shtiu) xixat (dikujt); kund. i ftohu (i uli, i shoi, i shtroi, i zbuti) gjakrat.
BË/J vep., ~RA, ~RË 1. kal. Përgatit, prodhoj diçka, duke përpunuar një lëndë; ngre a ndërtoj diçka, duke përdorur sende të tjera, pjesë të ndryshme etj.; gatit diçka me punë, me duart e mia ose duke përdorur një vegël, një makinë a një mjet tjetër; kund. zhbëj. Bëj bukë (gjellë, një ëmbëlsirë). Bëj drekën (darkën). Bëj tjegulla (tulla). Bëj gëlqere (qymyr). Bëri raki (verë, birrë). Bën çimento (letër, sheqer). Bën pëlhurë (qilima). Bën këpucë. Bëj çorape. Bën folenë (zogu). Bëj mur. Bëri një qerre (një tryezë). Bëj një fyell. Bënë shtëpi. Bëj një zjarr. Qysh në fillim duhet t'i bënim disa gjëra dhe të zhbënim disa të tjera. Bëj atë që duhet, mos vështro se ç’thuhet. (fj. u.).
2. kal. Krijoj një vepër arti, një vepër shkencore etj.; hartoj, shkruaj, përpiloj. Bëj një vjershë (një këngë). Bëj një roman (një tregim, një dramë, një hartim, një letër, një raport). Bëj një fjalor (një studim). Bëj një vizatim (një pikturë, një karikaturë, një portret). Bëj një monument (një statujë). Bëj një film. Bëj programin. Bëj një plan.
3. kal. Merrem me diçka, kryej një punë a një veprim, veproj; zhvilloj një veprimtari të caktuar politike, ekonomike, kulturore, sportive etj.; zgjidh një çështje, plotësoj një detyrë; kryej; punoj, realizoj. Bëj punë. Bëj detyrën. Bëj rojë. Bëj mësim. Bëj gjimnastikë (stërvitje, ndeshje). Bëj operacion. Bëj kërkime (studime, eksperimente). Bënte tregti. Bënte kontrabandë. Bëri pazarin. Bëj një problem (një ushtrim). Bën xhiro (fin.) shet mallin a qarkullon paratë. Mirë e bëre. - Ç'po bën? S'bën asgjë. Bëj shumë për dikë. Bëj të pamundurën. Bëj çmos. Ka (mbetet) shumë për të bërë. - Ç'bën këtu? - S'ke ç'bën! - Ç'do të bësh nesër? Duhet bërë diçka. S'bën gjë pa pyetur. S'bën gjë tjetër veç... Ç'thotë, bën. - Mendohu mirë, pa bëje. Bën zakonin. Me të parë e me të bërë si të vijë puna, si të shohim kur t'i vijë koha, shohim njëherë e pastaj veprojmë. Me të thënë e me të bërë veproj menjëherë, pa u vonuar. Bëj atë që duhet, mos vështro se ç'thuhet (fj.u.).
4. kal. Hap një vrimë, një gropë etj., çel (duke gërmuar a duke mihur dheun etj.); çaj. Bëj një hendek (një kanal, një llogore, një transhe). Bënë themelet. Bëj gropa. Bënë një vrimë (një pus, një tunel). Bëj qilizmë. Bëj një vijë uji. Bëjnë rrugë. E bëj të ngushtë (të thellë).
5. kal. Organizoj e zhvilloj diçka; marr pjesë në një ngjarje, në një veprimtari a në një punë. Bëj dasmë (festë). Bënë mbledhje. Bëjnë gara. Bënë një kongres (një konferencë). Bënë grevë (demonstratë). Bëjnë komplote (intriga). Bën manovra. Bëri gjyq. Bëri luftë.
6. fig., kal. Ngre, kurdis, vë; i punoj diçka. I bëri pritë (pusi, një grackë). I bëri një lojë (një marifet, një rreng). I bëri hile. Ia bëri me të pabesë. Ia bëri me qëllim (enkas, kastile, për inat). - Mirë ia bëre! - Ta bën prapa krahëve.
7. kal. Lyej diçka me një lëndë; zë diçka me një lëndë; fëlliq, përlyej me diçka, ndot, ndyj. Bëj murin me gëlqere. Bëj këpucët me bojë. Bëj plasat me allçi (me baltë). Bëj bukën me gjalpë. Bëj plagën me jod. Bëj me ilaç. Bëri buzët me të kuq. Bëj me pudër. E bëri me njolla (me pluhur). Bëj mjekrën me shkumë sapuni. I bëri duart me blozë. Bëri flokët me këna. I bëri duart me gjak.
8. kal. Veproj mbi një njeri, mbi një kafshë a mbi një send, duke i lënë një shenjë, një gjurmë, një mbresë etj. I bëri një plagë (një xhungë). I bëj një shenjë në krah (në kurriz). I bëj një të çarë. Bën vijë. Bëj një vijë me laps. I bëj një kllapë drurit. Më bën përshtypje.
9. kal. Kryej një lëvizje; lëviz, zhvendosem në një drejtim, eci drejt një pike, ia mbaj nga... Bëj një lëvizje. Bëj prapa (përpara, djathtas, majtas, anash). Bëj mënjanë (më tutje). Bëj dy hapa. Bëj një rrotullim (një kërcim, një fluturim). Bëj tatëpjetë (nga dera, drejt shtëpisë). Treni bëri përpara. - Nga bëri? Bëj shenjë me dorë. Ia bëj me gisht (me kokë).
10. kal. I nënshtrohem një veprimi; kryej diçka që lidhet me mua, duke iu nënshtruar një veprimi a një procesi; veproj mbi dikë për diçka, ia nënshtroj dikë një veprimi; përpiqem të ndikoj mbi dikë. Bëj banjë (dush). Bëj gargarë. Bëj një fotografi. I bëj një fotografi. Bëj radioskopi. Bëj banja dielli. Bëj rreze (mjek.). I bëj masazh. I bënë tortura e torturuan. I bën lajka. I bëri kërcënime e kërcënoi. I bëj agjitacion. Bëj punë bindëse me njerëzit.
11. kal. I sjell dikujt një pasojë, i shkaktoj diçka; jam shkaktar për diçka, jam shkaku a burimi i një pasoje. I bëri një të mirë (një të keqe). I bëri të zezën. I bëri një padrejtësi. I bën dëm e dëmton. I bën dobi. Të bën kaps. Më bën mirë (keq). Bënë masakra (kërdinë). Bënë zhurmë (shamatë, rrëmujë). E bëri të lumtur. E bëri me inat (më qejf). E bëri me nerva e nevrikosi. E bëri me turp. - Ai ma bëri këtë! - Çfarë i bënë? - Ç'të bën kjo? S'të bën asgjë. - Çfarë po të bëj? - Më bëni ç'të doni! Bën masë (kontakt) (elektr.).
12. kal. E detyroj ose e nxit dikë të kryejë një punë a një veprim; jam shkaku që... (me një folje në mënyrën lidhore). E bëri të flasë (të thotë, të bërtasë, të heshtë, të qajë, të qeshë, të inatoset, të mërzitet). E bëj të mendohet (të besojë). E bëj të lexojë (të mësojë, të punojë, të vijë). E bën të rritet (të zhvillohet). E bëj të përparojë (të ecë, të ngrihet). E bëj të fluturojë. E bën të dërsijë.
13. bised., kal. Pajis me diçka, i jap a i sjell diçka, i siguroj që të ketë diçka, i gjej, i rregulloj. E bënë me shtëpi. E bëri me shkollë (me zanat). E bëri me orë (me biçikletë). I bëri një nuse.
14. kal. I jap dikujt një detyrë, një gradë a një titull, e emëroj, e caktoj në një punë; e quaj, e trajtoj, e paraqit ose e vlerësoj; e marr për... E bëj minator djalin. E bënë kryetar (drejtor, përgjegjës, brigadier). E bëj mik (shok). E bëj timin. E bëj si të shtëpisë. E bëri dhëndër (bir në shpirt). E bëri nënë. E bën veten të zgjuar. Të bën për budalla. E bëjnë të marrë. E bëri (për) qorr. E bënë për të vdekur e quajtën, e kujtuan për të vdekur.
15. kal. E kthej në një gjendje tjetër, e shndërroj; jap një cilësi, një veti a një pamje të caktuar, i jap cilësitë a tiparet e dikujt a të diçkaje tjetër; e paraqit diçka si dua unë a si mendoj unë, duke e ndryshuar. E bëj të butë (të fortë). E bëj të lehtë e lehtësoj. E bëj të bardhë (të zi, të verdhë). E bëj të gjatë e zgjat. E bëj të gjerë e zgjeroj. E bëj të shkurtër e shkurtoj. E bëj të madh e zmadhoj. E bëj të vogël e zvogëloj. E bëj të lëmuar (të rrumbullakët). E bëj pjellor. E bëj të shkathët. E bën qesharak. E bëj qumështin kos (djathë). E bën ujin akull. E bëj mishin qofte. I bëri paratë mall. I bëj qepët varg. I bëj flokët gërsheta. Ia bëri kokën tullë (rrikë) e qethi shumë shkurt. E bëj fillin lëmsh. E bëj zyrë. E bëj shtëpi banimi. E bëri koloni. E bënë rob. Ky kostum të bën të ri. E bëri zakon (ves). E bëri çështje (problem). E bëri mishmash. E bëri monopol e monopolizoi. E bëj flamur e kthej në një simbol. E bëri histori (legjendë) e mori nëpër gojë. E bëri rrëmujë (han, pazar). E bëri lesh e li e pështjelloi, e ngatërroi. E bëri shesh. E bëri gardh e ktheu në një pengesë. E bëri rrafsh (lëmë, lëndinë, bar) e shkatërroi krejt. E bëri thërrime (pluhur, përshesh). E bëri pulë (qengj) e zbuti, e urtësoi, e shtroi, e nënshtroi. Ia bëj të lehtë ia lehtësoj; ia paraqit të lehtë. Ia bëri të mbaruar ia paraqit si të mbaruar një punë. E bën buall diçka e fryn tepër. Ia bëri jetën pus (skëterrë, varr) ia bëri jetën shumë të rëndë, ia nxiu jetën. E bëri ditë e ndriçoi shumë. E bëri natë e errësoi shumë. Bëje ç'të duash!
16. jokal. Pjell, lind; vet. v. III jep prodhim, prodhon, lëshon, nxjerr. Ka bërë dy fëmijë. Bëri vajzë (djalë). Bëri binjakë. Djali ynë sorkadh shullëri, / Lum nëneja që e bëri! (folk.). Bëri viç (lopa). Bëri dy qengja (delja). Bën vezë (pula). Bën qumësht. Bën mjaltë. Bën grurë (ara). Bën farë (kokrra, gjethe, lule, rrënjë). Bën shumë (pak). Sivjet bënë mollët (ullinjtë, qershitë...) prodhuan shumë. S'bëjnë dardhat në shënëndre. (fj. u.).
17. kal., vet. v. III Nxjerr nga vetja, lëshon, jep; jashtëqit. Ullinjtë bëjnë vaj. Bën djersë (lëkura). Bën qelb (plaga). Më bëjnë lot sytë. Bën tym. Bën erë. Bën dritë (xixa, hije). Bën bajga. Bën ujët (nevojën).
18. edhe jokal., kryes. v. III Nxjerr një zë a një tingull, bën një zhurmë të caktuar. Bën mu (lopa). Bën ciu (zogu). Bën be (delja). Bën mjau (macja). Bën guga gugat. Bën çak (bam, plluq). Bëri hi-hi-hi. Bëri oh! Më bën veshi piu. Bën si gjel (si mace, si qen). Bëri çak pushka nuk shkrepi.
19. kal. Nxjerr me punë a me një mënyrë tjetër, siguroj; fitoj. Bëri para (pasuri). E bëjmë bukën vetë. E bëri misrin për gjithë vitin. I bënë drutë për dimër.
20. bised., kal. Shpreh me fjalë, them; përgjigjem. Bën amin (përçm.) pranon pa kundërshtuar, pajtohet me dikë e i shkon pas avazit.
21. bised., kal. I paraqit a i parashtroj dikujt një kërkesë, një lutje etj.; i dërgoj, i jap, i drejtoj. I bëj lutje (kërkesë). I bëj një ftesë. I bëj një urim. I bëj një pyetje. I bëj një letër (një telegram). I bëj një raport. I bëj të fala. Bëj thirrje. Bën urdhër i jep urdhër dikujt.
22. bised., kal. Përgatit duke peshuar a duke i ndarë dhe ia jap dikujt; ndaj. I bëj dy kile mollë (patate, djathë). I bëj dy metra basmë (stof). I bëj pjesë dikujt i ndaj më vete e i jap pjesën që i takon. I bëj një akullore (një konjak, një ëmbëlsirë). E bëri më dysh (më katërsh, në pesë copa).
23. edhe jokal. Jam i zoti ose i aftë të kryej një punë, kam mundësi të kryej një detyrë a të zhvilloj një veprimtari; ia dal mbanë, ia arrij, jam në gjendje të përballoj diçka. E bëj këtë punë. Bën çdo gjë. Nuk e bëri dot. E bëj vetë (me forcat e mia). E bëri mirë e shpejt. Bëj edhe pa të. Bëj edhe pa ngrënë. S'bën njëri pa tjetrin. S'bën dot pa syze. - Ti qofsh si bën!
24. zakon. me moh., jokal. Është në gjendje të punojë, të veprojë a të lëvizë, punon (për organe të trupit të njeriut); kam fuqi, vullnet a dëshirë të kryej një veprim (edhe fig.). S'më bëjnë sytë. S'i bën koka.
25. kal. Përshkoj një rrugë a një vend, kaloj një hapësirë; udhëtoj me një mjet; kryej një punë a një lëvizje (në një masë ose në një numër të caktuar). Bëj një rrugë. Bëj gjysmën e rrugës. E bëj më këmbë (me tren, me biçikletë). Bën pesëdhjetë kilometra në orë. Bën dyqind rrotullime në minutë. Bën katër rrugë në ditë. Bëjnë udhë lopët, shkon edhe ai. (fj. u.).
26. kal. Kaloj një kohë (disa ditë, disa muaj etj.); mbush a plotësoj një kohë; kaloj. Bëj pushimet në plazh. Bëj lejen. Bëri dyzet vjet. Po bën motin. Bëra dy orë që kam ardhur. Bëri ca kohë. Bëri dy muaj në fshat. Bëj dy orë mësim. Bëj një jetë të rregullt. S'e ka bërë muajin. - Bëfshi natën e mirë! (ur.).
27. bised., kal. Kryej një detyrë a një punë në një kohë të caktuar; e përfundoj një punë; ndjek, vijoj; mësoj. Ka bërë shkollë. Studimet i ka bërë në Universitetin e Tiranës. Bëj klasën e parë (vitin e fundit). Bëra një kurs kualifikimi. Bëj praktikën (stazhin). Bëj ushtrinë. Bëri kurbetin. Bëj gjuhë (gjeografi, letërsi...).
28. kal. Formoj diçka me një tjetër a me të tjerë, krijoj një të tërë; vet. v. III përbën a jep një të tërë; del si përfundim, është baras. Bën një të tërë. Bënë një shoqëri. Bëjnë shumicën. Bën rrokje. Njëqind centimetra bëjnë një metër. Njëqind kilogramë bëjnë një kuintal. Shtatë ngjyrat kryesore bëjnë ylberin. Dy dhe dy bëjnë katër.
29. kal., vet. v. III Merr një trajtë tjetër, formon duke u ndryshuar. Bën kthesë (rruga). Bën bërryl (lumi). Bën hark (muri). Bën lak. Bën dredha. Bën rrudha (pala). Bën xhep. E bën numrin shumës (gjininë femërore...). (gjuh.).
30. kal. Merrem vesh a lidhem me dikë për të kryer një punë, lidh; vendos së bashku me dikë për të bërë diçka, vendos. Bënë marrëveshje. Bëri kontratë. Bëri paqe. Bëj miqësi (krushqi). S'bëj pazarllëk. E kemi bërë të nisemi nesër. E bënë me besa-besë lidhën besë. Bëri benë.
31. edhe jokal. Sillem a veproj në një mënyrë të caktuar. Bëj si më thotë zemra. Bëj si më urdhërojnë. Bëj si të duash. Bën me kokën e tij (sipas kokës). E bëri me (pa) dashje. - Si t'ia bëjmë? Bën si në shtëpinë e vet. Bën si fëmijë (si i marrë). Bëj si mik. - Mirë e bëre! Bën mirë të vish. S'bëri keq që erdhi. - Ç'të bësh! S'ke bërë mirë. - Bëj si të bësh! S'di ç'bën. Nuk bën ashtu! nuk është mirë të sillesh ashtu! Bën sikur...shtiret, vepron sikur... - Ç'do të bësh me djalin? - Ç'do t'i bësh djalit? si do të veprosh me djalin? - Ç'do të bësh me syzet? - Ç'do t'i bësh syzet? si do të veprosh me syzet? - Si t'ia bëj hallit?
32. fig., kal. Kryej një veprim që zakonisht lidhet me karakterin, me sjelljen, me qëndrimin e me botëkuptimin e njeriut etj. Bëri trimëri (heroizëm). Bëj sakrifica. Bën mrekulli. Bëri marrëzi. Bëri faj (krim). Bënte turpe. Bëri një budallallëk (një proçkë). Bëri një dredhi. Bënte palaçollëqe. Bëj shaka. Bënte aventura. S'bën lëshime (hatëre, dallavere, hile). Bënë të nëntëdhjetenëntat bënë të gjitha të këqijat. Bën numra (bised.).
33. kal. Më përgatit diçka dikush e ma jep; porosit dikush diçka për mua; kryen një punë për mua, më mbaron një punë. Bëj një palë rroba (një kostum, një pallto) te rrobaqepësi. Bëj një palë këpucë (te këpucari). Bëri flokët u dha formë flokëve te floktari (për gratë).
34. bised., jokal., vet. v. III Kushton, vlen; hyn në punë për diçka, përdoret për diçka; është i përshtatshëm a i vlefshëm. - Sa bën? - Sa para bën? Bënte shtrenjtë (lirë). Bën njëqind lekë. S'bën asgjë. Nuk bën për zyrë. S'bën për të fjetur. Nuk bën për pantallona ky stof. Ky miell bën për petë. S'bënte ai për atë vajzë.
35. jokal., vet. v. III Është mirë, është e lejueshme, lejohet. - A bën të hyj? - A bën ta di? - S'bën kështu! Bën, s'bën... - S'bën ta thuash! - Pse s'bën?
36. jokal., vet. v. III Më nxë, më vjen sipas masës (për rrobat, këpucët etj.). Më bëjnë këpucët (rrobat). S'më bën kapela. S'më bën unaza. S'i bën çelësi kësaj brave. S'i bën kapaku. S'i bën tapa. Ky xham s'i bën.
37. vet.v. III Ka, është (për kohën, për kushtet atmosferike ose të mjedisit); mban një mot i caktuar. Bën ftohtë (nxehtë, vapë). Bën ngricë (acar, ciknë). Bën të ftohtë i madh. Bën butë. Bën thatësirë (lagështi, mjegull, ufëm). Bën erë (furtunë). Bën kohë e mirë (e keqe). Bën diell. Ka bërë dimër. Bën det ka shumë dallgë, ka shtrëngatë në det.
38. kal. Përdoret së bashku me emra (kryesisht prejfoljorë) ose me fjalë të tjera dhe formon togje të qëndrueshme që kanë në përgjithësi kuptimin e foljeve me të cilat lidhen pjesët e dyta të këtyre togjeve. Bëj barazim barazoj. Bënë bastisje bastisën. Bëj be betohem. Bëj çudi çuditem. Bën dashuri dashuron; dashurohet. Bëri deklaratë deklaroi. Bën dritë ndriçon. Bëj durim duroj. Bëj klasifikimin klasifikoj. Bëj krahasimin krahasoj. Bëj krasitje krasit. Bëj kursim kursej. Bëj lajmërimin lajmëroj. Bëj lidhje lidh. Bëj llogari llogarit. Bëj marshim marshoj. Bëj matje mat. Bëj ndreqje ndreq. Bëj ndryshime ndryshoj. Bëj not notoj. Bëj paralajmërim paralajmëroj. Bëj përpjekje përpiqem. Bëj plaçkë plaçkit. Bëj plehërimin plehëroj. Bëj një premtim premtoj. Bëj pritje pres. Bëj qitje qit. Bëj shëtitje shëtit. Bëj shitje shes. Bëj shkelje shkel. Bëj ujitjen ujit. Bëj vëzhgime vëzhgoj. Bëj vrojtim vrojtoj. I bën dredha i dredhon. I bënë gjyqin e gjykuan. I bëj nder e nderoj. Ia bëj ngarkim ia ngarkoj. I bëj qëndresë i qëndroj. I bëj stivë i stivoj. I bëj shërbim i shërbej. Bëj përpara përparoj. Bëj pastrimin pastroj. Bëj bashkë (tok) bashkoj. Bëj gati gatit. Bëj palë palos. Bëj rrafsh rrafshoj. Bëj shesh sheshoj. E bëj të njohur (të ditur) njoftoj.
39. Përdoret si folje gjysmëndihmëse së bashku me një folje tjetër, me kuptimet “nis, zë, filloj, marr të...; përpiqem, matem”. Bëj të ngrihem. Bëj të dal. Bëj të flas. Bëj të marr. Bëj ta kap (ta zë).
✱Sin.: arrij, caktoj, çaj, çel, dal, detyroj, dërgoj, drejtoj, emëroj, fëlliq, filloj, fitoj, formon, gatit, gjej, hartoj, heq, jep, jashtëqit, ka, kaloj, krijoj, kryej, kthej, kurdis, kushton, lejohet, lëshon, lëviz, lidh, lind, lyej, marr, matem, mban, mbaroj, mbush, merrem, mësoj, ndaj, ndërtoj, ndjek, ndot, ndyj, ngre, nis, nxë, nxit, nxjerr, organizoj, pajis, paraqit, parashtroj, përdoret, përfundoj, përgatit, përgjigjem, përlyej, përpiloj, përpiqem, përshkoj, pjell, plotësoj, pranohet, prodhon, punoj, qep, qit, quaj, realizoj, rregulloj, siguroj, sillem, sjell, shitet, shkakton, shkon, shkruaj, shndërroj, shpik, trajtoj, them, udhëtoj, vendos, veproj, vete, vë, vij, vijoj, vlen, vlerësoj, zë, zgjidh, ziej, zhvendosem, zhvilloj.
♦ *Aq më bën! E bëri *akull (dikush). E bëj *alarm (diçka) libr. I bëj *autopsinë (dikujt a diçkaje) libr. Bën *baltë (dikush) tall. S’të bën *baltë (diçka). I bëj *ballë (dikujt a diçkaje). Bëri (dha) *ballë (dikush). Ia bëri *bam (dikush). Nuk ia bën *të bardhë (dikujt). Bën *bark. E bëri *barut (diçka). E bëri (e nxori) *batall (dikë). E bëri (e vuri) *batbat (dikë). Bëj *be. Ia kam bërë *benë (dikujt). Bën *beh (dikush a diçka). E bëj *beh (për diçka). Ia bëj *behun (diçkaje). S’ia bëj *beh (dikujt). Ia bëri *bela (dikujt). Bëj si bëj ia dal mbanë në një farë mënyre, përpiqem dhe arrij diçka me ato mjete a mundësi që kam, ia dal disi; vij rrotull. Bën ç’bën (dhe...) (dikush). 1. Përpiqet sa përpiqet dhe...; merret me diçka sa merret dhe...; vendos më në fund, vepron. 2. Përsërit një veprim herë pas here, një më dy dhe...; sillet nga sillet. Bëj si të bësh rregullohu vetë a bëj sipas kushteve e mundësive që ke, përpiqu t’ia dalësh në krye a ta përballosh diçka si të mundesh. Bërë e pa bërë si të jenë, ashtu siç janë, edhe nëse nuk janë bërë. E bëri *bërllok (dikë a diçka). E bëj *bërnut (diçka). E bëri *bërsi (dikë a diçka). I bën *biografinë (dikujt) keq. Bën *bisht (dikush). I bën *bisht (dikujt a diçkaje). Ia bëri *bletë (dikujt). Ia bëri *bof (dikush). Ta bën *borxh (dikush). E bëj *borzilok krahin. E bëri *brashnjë (dikë) krahin. E bëri (i shpëtoi) në *brekë (dikush) përb. vulg. Bëri *bujë (diçka). E bëri *bujë (diçka). Bëj *bukën. I bëj *buzë (diçkaje). E bëri *byk (diçka a dikë). I bën *cepa (dikujt). E bëri *copë (dikë a diçka). Nuk e ka bërë *çak (dikush). S’bëj *çap (për diçka). Bëj *çare vjet. E bëri *çeçe (dikë a diçka). E bëri *çeço (dikë). E bëri *çerekë (dikë a diçka). Ka shkuar për të bërë *çerepë (dikush) mospër. E bëri (e qiti) *çirak (dikë) vjet. Bëj *çmos. E bëri *çorap (diku a diçka). E bëri çorbë (diçka). Bëj *çudi. E bëj *dalje (diçka) shaka. Bëj *dasmë. E bëri *daulle (dikë) përçm. E bëj *def (dikë). I bëj *derman (dikujt a diçkaje). Bëri *detin (për dikë). E bën (e çon, e hedh) *dëm (diçka a dikë). E bëri ditë (diku). S’i ka bërë *ditët (dikush), edhe mospërf. I bën *djepin (dikujt). S’më bën *dora. S’më bëjnë *duart (për diçka). Ia bëj me *dorë (dikujt a diçkaje) iron. Bën *dredha (dikush). I bën *dredha (dikujt a diçkaje). Bën *dritë (dikush). E bëj *dritë (diçka). Bëj *durim. E bëri për *dyshek (dikë). E bëri *dhallë (diçka). Bëri *emër (dikush). Bëri *epokë (dikush a diçka) libr. Bën *ferk (dikush). E bëri *feta (dikë a diçka). E bëri *fërtele (dikë a diçka). Bën *figurë (dikush) libr. Na bëri *finjë (dikush) keq. Bëj *fjalë (për dikë a për diçka). I bëj (i çoj) *fjalë (dikujt). E bëri me *fjalë (dikë). E bëj me *fjalë (me dikë). S’bën *fjalë (dikush). S’e bëj për *fjalë (diçka). E bëj *fli (dikë a diçka). Bën (ngre, gjen, zë) *fole (diçka). Ia bëri *fora (dikush). E ka bërë *fshesë (dikë) mospërf. E bëri *fugë (diçka). Bëri *furtunë (dikush). E bëri *fushë (dikë). E bëri *fyt (diçka). E bëri *gajde (dikë). Bëj *gallatë (me dikë). S’bën *gëk (as gëk, as mëk) (dikush). E bëri *gërshet (diçka). I bëri *glasën (diçkaje). Ia bëri *gogël (dikujt). Ma bëri *gogol (dikë a diçka). S’më bën (s’më vete) *goja. Të bëfsha (të hapsha) *gropën! mallk. Ia bëri (i hapi) *gropën (dikujt). Bëri *gurgulenë (dikush) bised. Bëri *gjak (dikush). E bëri *gjak (diçka). S’e bëri *të gjatë (dikush). S’ia bëri *të gjatë (dikujt). S’e bëri *gjatë (dikush). Si bëri e gjeti (dikush) e pësoi, vetë e kish fajin. *Gjen pa bën (dikush) keq. Bëri *gjëmën (dikush). Të bëfsha *gjëmën! mallk. Të bën *gjëmën (dikush). Nuk më bëjnë (nuk më punojnë) *gjunjët. Bën *gjumë (dikush). Bëj *gjyq (me dikë). S’bën *hair (dikush). E bëri *hak (dikush). Bëj *hall. Ia bëri *hallall (dikujt) bised. Të bëfsha (të ndafsha, të ngrënça) *hallvën! Ia bëri *haram (dikujt) vjet. Bëri *hatanë (dikush). I bëj *hatrin (dikujt). E bëri *hi (e pluhur) (diçka). I bëj *hije (dikujt). Nuk i bën *hije (askujt). Mos na bëj *hije! shak. Ia bëri me *hile (dikujt). E bëri *hirrë (diçka). Ia bëri *hyrje (dikujt) shaka. bised. Ia bëj *hyzmetin (diçkaje). E bëri për *ibret (dikë). I bën *iso (i mban ison) (dikujt) keq. I bëj *jehonë (diçkaje). Bëj *jetë. E bëri *kacek (dikë). E bëri *kalldrëm (diku) përçm. Ia bëri *kalldrëm (dikujt) thjesht. *Kam të bëj (me dikë). S’më bëjnë *këllqet. Bën *këmbë (dikush). Ka bërë *këmbë (diçka) iron. Nuk më bëjnë *këmbët. Bëri *kiametin (dikush). Ia bëri *koka (dikujt). I ka bërë *kokën (kryet) (dikujt). Bëj *konak (te dikush a diku) vjet. E bëri (e la) *kopan (dikë) bised. Bëri *krah (diçka) iron. E bëj me *krahë (dikë). S’kam bërë *krushqi (me dikë). I ka bërë kryet (*kokën) (dikujt). Bëri *kthesë (dikush) libr. E bëj *kurban (dikë a diçka). I bën (i jep) *lak (dikujt a diçkaje). E bëri *lakër (diçka a dikë). E bëri *lakror (dikë a diçka). Bën *laradashë (dikush). Bën (shkon) *lart (dikush a diçka). E bëri *leckë (rreckë) (dikë). E bëri *legen (dikë). E bëri *legjendë (diçka) libr. E bëri për *lemzë (dikë). E bëri *lepur (dikë). E bëri *lerë (dikë a diçka). E bëri për *lesë (dikë). E bëri *lesh (diku a diçka). E bëri *lëkurë (për në lëkurë) (dikë) bised. E bën *lëmë (dikush). E bëri *lëmë (diçka a diku). Ia bën *lëmë (dikujt). E bëri *lëmsh (diçka). E bëri *lëndinë (diçka). E bëri *lëvere (dikë). E bëri *lëvozhgë (dikë). Bën *ligjin (dikush) keq. E bëri litar (*tërkuzë) (diçka). E bën *livadh (diçka). Bën *lodra (dikush). Bën *lojë (me dikë). Bën (luan) *lojën (e dikujt). E bëri *lolo (dikë). E bëri *lule (dikë). Bëri *llafe (me dikë). E bënë me *llaf. E bëri *lloç (diçka a dikë). E bëri *llum (diçka a dikë). E bëri *të madhe (bëri të madhen) (dikush). I ka bërë *magji (dikujt). Bën *majë (diçka). Ia bëj me *majë (dikujt). E bëri (e zuri) *mat (dikë) libr. Bëj *mend. E bëj me *mend (për diçka). U bëfsh një *mëhallë! ur. Bën *mu (diçka). I bëj *naftën (diçkaje) vulg. Bën *namin (dikush). Bën *naze (dikush). I bën *naze (diçkaje). I bëj *nder (dikujt). S’e bën (më) *nëna (dikë). Si e ka bërë (e ka lindur) *nëna. E bëri *nuse (dikë). Bën *njërën (dikush). S’e bëj për *osh (dikë). E bëri *paçavure (dikë a diçka). Ma bëri *pajë (dikë a diçka). E bëri *palaço (dikë). E bëri *palë (dikë a diçka). Bëj *pallë. E bëri *pambuk (dikë). Ia bëri *paq (dikujt). Sa *para bën! E bëj *pasqyrë (diçka). E bëj *pastërma (diçka) tall. E bëri *patështinë krahin. (dikë a diçka). Bëj *pazar (me dikë). Ia bëri *pe (dikujt). E bëri *pelte. Më bëri *pellg (dikush a diçka). S’të bën për *pesë (dikush). E bëri *pestil (dikë). E bëri *peshk (dikë) bised. Ma bëri (ma la) *peshqesh (dikë a diçka). E bëri *petë (dikë a diçka). Ka bërë (ka çarë) *përpara (dikush). Bën (shkon) *përpjetë (dikush). S’të bën *përse (dikush). S’ia bën dot *përsipër (diçka). E bëri *përshesh (diçka). E bën *përrallë (diçka). Bëj *pjesë. E bëri *pleh (dikë). Shkoi për të bërë *ponica (dikush) iron. Bën (shkon) *poshtë (dikush a diçka). Ka bërë *prapa (dikush). E bëj *problem (diçka) libr. S’bën *prokopi (dikush). Ia bëri *puc (dikujt) krahin. Bëj *qejf. I bën *qejfin (dikujt). E bën *qorr (dikë) keq. Më bëri *qull (dikush a diçka). I bëj *radhë (dikujt). Sa për të bërë *radhën. E bëri *retra (diçka a dikë). E bëri *rezil (dikë) bised. I ka bërë *rradaken (dikujt). bised. E bëri rreckë (*leckë) (dikë). Ia bëj *rrethin (dikujt a diçkaje). E bëj *rreze (diçka). Bën *rrugë (udhë) (diçka). Ia bëri pa *rrugë (dikujt). Bën (mban) *sehir (dikush) keq. Ia bëri *skëterrë (jetën) (dikujt). Më bëjnë *sytë. Ma bën me *sy. E bëj me *shëndet (diçka). E bëri *shi (diçka). I bëj *shurrën (diçkaje) përçm. vulg. Bëj *timen (diçka). Bën udhë (*rrugë) (diçka). E bëri *rrugë (udhë) (dikush). E bëri *sallatë (diçka a dikë). I bëj (i jap) *strehë (dikujt). E bëri *sukull (dikë) krahin. Bëri *shamatë (për diçka) vjet. E bëri për *shkalc (dikë). *Shohim e bëjmë. E bëri *shoshë (diçka). E bëri *shportë (diçka). I bën *shteg (dikujt a diçkaje). Ia bëri *shtëllungë (dikujt). Ia bëri *tetën (dikujt) keq. vulg. E bëri *tërkuzë (litar) (diçka). Bëj *toka (me dikë). Bëri *tufan (dikush). E bëri *tul (dikë) tall. Nuk bën *tutje (dikush). E bëri *tym (diçka). Bëj *theror (dikë a diçka). E bëri *thëngjill (diçka). Bën udhë (*rrugë) (diçka). I bëj (i lëshoj, i hap) *udhë (rrugë) (dikujt). E bëri udhë (*rrugë) (dikush). Bëj *udhë. Më bëri *ujë (dikush a diçka). E bëj *ujë (diçka). E bëri *usta (dikë). Bëj *vaj (për dikë a për diçka). Bën *vaki vjet. Më bën *vapë (dikush) shpërf. Ia bëri *vapën (dikujt). Ia bëri (i hapi) *varrin (dikujt). Të bëfsha *varrin! mallk. E ka bërë *vazhdë (diçka). E bëri për *vdekje (dikë). E bëri (e la) *të vdekur (dikë). Bëri *vend (diçka). Ia bëj *verë (diçka). Më bëjnë (më gënjejnë) *veshët. S’e bëj *veten. Më bëri për *vete (dikush). Sikur e ka bërë *vetë (një fëmijë). Ia bëri *vëng (dikujt). E bëri për *vig (dikë). E ka bërë *vijë (diçka). Më bëri *vrer (dikush a diçka). Bën *xixë (dikush). E bëj *xixë (diçka). Më bëri *xurxull (dikush a diçka). E bëj *xham (diçka). E bëri *zap (dikë a diçka). Bëj *zemër. S’më bën *zemra (për diçka). I bëj *zë (dikujt). S’bën *zë (dikush). S’e bëj për *zë (diçka). E bëri *zhele (diçka a dikë). Bën *zhibla (dikush). E bëri *zhubël (dikë). Bëri *zhurmë (dikush a diçka).
DEFTÉR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. bised. Fletore. Defter shkrimi. Defter shënimesh. Defter bakalli (keq.) regjistër, libër etj. i mbajtur keq; diçka e ndotur dhe e grisur. Defter xhepi bllok shënimesh. Shkënoj në defter. Ua jep me defter diçka ua jep pa të holla në dorë, duke e shënuar shumën a mallin në fletore; ua jep veresie. Çifuti, kur del i falimentuar, hap defterët e vjetër. (fj. u.).
2. hist. Regjistër i kadastrës (në kohën e Perandorisë Osmane). Defteri i sanxhakut.
3. vjet. Fletëthirrje për të shkuar ushtar. Ditën që erdhi defteri,/ Neve zemra zu na theri. (folk.).
4. përmb., bised. Tufë me pesëdhjetë fije letrash cigareje të lidhura së bashku. Defter duhani. Bleu një defter. Iu mbarua defteri.
✱Sin.: fletore, bllok, radhua, radhor, regjistër, fletëthirrje.
♦ Ka dalë nga defteri (dikush) shpërf. nuk është më i aftë për punë a për diçka tjetër, nuk është më i zoti; u plak; nuk mund të mbështetemi më tek ai. Hap defterët e vjetër (dikush) edhe keq. ringjall një çështje (zakonisht të pakëndshme), që është mbyllur më parë, rikujton të kaluarën, kujton hesapet a mëritë e vjetra që ka me dikë; kund. e mbyll defterin (i mbyll defterët). E hoqi (e fshiu, e qiti) nga defteri (dikë a diçka) nuk mbështetet më tek ai, nuk ka më shpresë se mund ta ndihmojë, nuk e llogarit më; nuk e përfill më dikë, nuk kujdeset e nuk bëhet merak më për të; i vuri kryq (dikujt a diçkaje); i hoqi (i vuri) vizë (dikujt a diçkaje); s’e vë (s’e ka) në hesap. E mbyll defterin (i mbyll defterët) (dikush) i jep fund një çështjeje, një problemi etj., nuk merret më me të a nuk flet më për të; nuk e rikujton a nuk i rikthehet diçkaje; kund. hap defterët (e vjetër). S’e vë (s’e fut, s’e ka) në defter (dikë a diçka) mospërf. s’e përfill dikë a diçka, s’i kushton vëmendje; s’e merr parasysh diçka.
HESÁP,~I m. sh. ~E, ~ET bised. 1. Llogari. Hesape të vjetra. Hesapi i shtëpisë. Mban (bën) hesapin. Nuk i doli hesapi. Harxhon pa hesap. Hesapi i shtëpisë nuk del në pazar (fj. u.) a) njeriut nuk i del gjithnjë ashtu siç e ka menduar më parë; b) thuhet edhe për të theksuar se çështjet e brendshme të familjes nuk është mirë të merren vesh nga të tjerët.
2. Leverdi, interes. S’më ka hesap s’më leverdis. I bën gjerat në hesap të tjetrit.
3. bised. Përdoret i shquar në njëjës pas një emri për të shprehur mospërfillje ose përçmim për dikë a për diçka. Budalla (kalama) hesapi. Kungull hesapi. Rrëmujë (gjullurdi) hesapi.
✱Sin.: llogari, leverdi, interes, përçmim, mospërfillje, nënvlerësim.
♦ Bën hesap me *gjethe të prasit (të preshit) (dikush) përb. Bën hesap sa ha *macja në vit (dikush) tall. I bën hesapet pa *hanxhinë (dikush). I bën hesapet në *kalë (majë kalit) (dikush) tall. I bën hesapet *kaluar (dikush). Bën hesap në *krundet (dikush) keq. Bën hesap *shpirtin (xhanin) (dikush). Nuk më del hesapi (llogaria). 1. Nuk kam mundësi të blej a të bëj diçka; nuk e përballoj dot jetesën, nuk kam të ardhura të mjaftueshme; s’ia vlen të paguash aq shtrenjtë. 2. Nuk më ndodh siç e kisha parashikuar, ndodh ndryshe nga ajo që kisha menduar. Për hesapin tim... sipas mendjes sime..., për mua..., sipas meje... I hyn në hesap (dikujt). 1. Përzihet në punët e dikujt, edhe kur nuk i takon. 2. Merr a përvetëson diçka që i takon një tjetri, përfiton në kurriz të një tjetri. Nuk hyn (nuk zihet) në hesap (dikush a diçka) nuk llogaritet fare, s’vlen; nuk të tërheq vëmendjen dhe s’e vlen të merresh me të a ta kesh parasysh. Nuk i jap hesap (*llogari) (askujt). E ka hesapin *të qëruar (dikush). I kërkoj hesap (*llogari) (dikujt). I lau (i qëroi) hesapet (llogaritë) (me dikë) e vrau a e dëmtoi për hakmarrje, për borxhe etj., ia mori hakun, e shpagoi; i ndreqi hesapet. Larje hesapesh (me dikë) keq. vrasje për borxhe, për hakmarrje etj. I ndaj hesapet (llogaritë) (me dikë) ndahem prerë e shkëputem përfundimisht nga dikush; i ndaj lakrat; e ndaj mejdanin; rregulloj borxhet. I ndreqi hesapet (me dikë). 1. E vrau a e dëmtoi dikë për hakmarrje, mori hak kundër dikujt, e shpagoi; i lau (i qëroi) hesapet. 2. U pajtua e u bashkua me dikë, me të cilin ishte në grindje a në armiqësi; e gjeti fjalën. Shkurt hesapi pra, pa e zgjatur, shkurt; është e qartë, s’ka nevojë për hollësira. S’e vë (s’e kam) në hesap (në llogari) (dikë a diçka) nuk e përfill fare, nuk e marr parasysh, nuk e llogarit; e nënvlerësoj, e përçmoj; s’e vë (s’e zë, s’e shtie, s’e fut) në numër; s’e bëj për osh; nuk e vë në shpatull të pulës (dikë); e heq (e fshij) nga defteri; s’e zë (s’e kap) njeri me dorë (diçka). I vjen pas hesapit (për hesap) (dikujt) i leverdis, i intereson që të ndodhë diçka a të flitet kështu, ajo i pëlqen a i bën punë; i bie (i shkon) për shtat; i vjen pas midesë.
HÚMBUR (i, e) mb. 1. Që më ka humbur dhe nuk e di se ku e kam, që e kam lënë diku dhe s'e gjej më; që nuk e llogarit më si timin. Gjë e humbur. Sende (para) të humbura. Gisht i humbur.
2. Që prej shumë kohësh nuk gjendet më në atë vend ku rrinte zakonisht, që është larguar a është zhdukur. Djalë i humbur. E dinin (e quanin) të humbur prej kohësh.
3. Që nuk ka vlerë a nuk ka sjellë ndonjë dobi; që ka shkuar dëm, që nuk është shfrytëzuar fare ose nuk është përdorur mirë a aq sa duhet; kund. i fituar. Punë e humbur. Kohë e humbur. Ditët e humbura. Shpenzime të humbura. Përpjekje të humbura.
4. Që ka dalë me dëme, që ka pësuar dëm në diçka; kund. i fituar. Doli i humbur.
5. Që ka përfunduar me humbje a dështime, që nuk është fituar prej dikujt; kund. i fituar. Betejë (luftë) e humbur. Lojë e humbur.
6. fig. Shumë i hutuar; i shushatur, që nuk është i zoti për asgjë. Njeri i humbur.
7. Që është shumë larg e i veçuar nga qendrat e banuara; që është i panjohur, që është fare i vogël e pa rëndësi; që s'është shkelur prej kohësh prej të tjerëve. Vend (fshat) i humbur. Rrugica të humbura. Edhe në skajin (në këndin) më të humbur.
8. Që është tkurrur a është fishkur nga dobësia; i dobët e i thatë. Me faqe të humbura. I ka sytë të humbur. Me atë trup të humbur.
9. Që është vrarë, që është shkatërruar ose ka dalë jashtë luftimit. Njerëzit e humbur. Forcat e humbura.
10. Që është fare i pafuqishëm, që është shumë i dobët; që po shuhet dalëngadalë, që mezi dëgjohet. Zë (rënkim) i humbur.
11. Që është zhytur thellë në diçka dhe s'di ç'bëhet përreth; shumë i përqendruar. Me vështrim (sy) të humbur. E dëgjonte i humbur.
IMPÚLS,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. Nxitje a forcë e brendshme, që të shtyn për të vepruar ose që të shton dëshirën e zellin për një punë; shtysë, vrull, hov; frymëzim i menjëhershëm dhe i papritur. Impuls i brendshëm. I japin një impuls punës (zhvillimit, luftës, jetës). Mori një impuls të ri.
2. spec. Valë rryme elektrike, e dritës etj., që vjen menjëherë me ndërprerje dhe zgjat pak kohë. Impulse të shpejta (të shkurtra). Impulse mekanike (elektrike). Impulse drite.
3. fiz. Sasia e lëvizjes së një trupi, e barabartë me prodhimin që del nga shumëzimi i masës së këtij trupi me shpejtësinë e tij. Ligji i ruajtjes së impulsit. Llogarit impulse!
4. fiziol. Shtysë nervore që vë në lëvizje një organ të trupit; valë nxitëse që përhapet menjëherë nëpër sistemin nervor. Impulset e zemrës. Impuls nervor. Pikënisje e impulsit. Përçuesi i impulsit. Dobësimi i impulseve. Ka impulse.
✱Sin.: shtysë, forcë, nxitje.
KALÚAR ndajf. 1. Hipur në kalë; kalëshalë, kalthi. Shëtiste kaluar.
2. Kaliqafë, kaliboç; kaluarthi.
3. Duke kaluar (zakonisht më këmbë), kalimthi. E pashë kaluar.
4. fig. Lehtësisht, lehtë e lehtë dhe pa vështirësi; pa shtrëngesa, pa halle; në gjendje pothuajse të mirë. Jetonte (fliste, ishte) kaluar.
✱Sin.: kalthi, kaluarthi, kalëshalë, kaliqafë, kaliboç, lehtësisht.
♦ I bën hesapet kaluar (dikush) mendon se nuk do të ketë vështirësi e shtrëngesa për diçka, i llogarit gjërat shumë i shkujdesur ose shumë i sigurt, pa u shqetësuar, pa përgjegjësi dhe pa u bërë shumë merak, duke menduar se është mirë e në rregull; i sheh punët nga lart; i bën hesapet pa hanxhinë. Është (flet) kaluar (dikush) është mirë për vete e nuk shqetësohet shumë për të tjerët, nuk ua di hallet dhe nuk e vret mendjen për ta; i duket se nuk ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar kur vetë është në një gjendje më të mirë se të tjerët; është (hipur) në kalë; është në shalë të kalit; është në majë të kalit; i ka këmbët në yzengji.
KANDÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Peshore me një bisht metalik të shkallëzuar, ku varet një top i lëvizshëm prej plumbi që vërteton kilogramët dhe me një pjatë ku vendosen sendet që peshohen; peshore; kapan. Topi (bishti) i kandarit; vë (peshoj) në kandar.
2. edhe fig., bised. Masë, karar; maturi. Flet me (pa) kandar.
✱Sin.: peshore, kapan, zigj, karar, masë, maturi.
♦ Aq i peshon kandari (dikujt) mospërf. aq mend ka, aq ia pret, mos iu zemëro shumë; aq i arrijnë litarët (dikujt) tall. E çoi kandarin deri në *bisht (dikush). Më fle kandari (te dikush a te diçka) shih më fle *mendja (te dikush a te diçka). Më ka humbur (më ka ikur) kandari më është dobësuar kujtesa, harroj shpejt, nuk mbaj mend si më parë. Me kandarin (me *peshoren, me balancën) e farmacistit. I kërceu kandari (dikujt) u prek menjëherë e papritur; i hipi inati, u inatos; i hipën, i kërcyen kacabunjtë. *Koqe kandari tall. bised. I mbeti *bishti i kandarit (dikujt) iron. Nuk ngre (nuk çon) kandar (diçka) nuk është me vlerë, nuk ka rëndësi; nuk duhet marrë parasysh; nuk ndikon në punë ose te të tjerët (një fjalë, një mendim etj.); nuk ngre (nuk çon) peshë. S’e ngre (s’e mban) kandari (diçka) është diçka e tepërt a e tepruar; është një budallallëk i madh; është diçka që nuk mund të pranohet në asnjë mënyrë ose që nuk duhet thënë; s’e merr kalemi; s’ta zë dhëmbi. I rri kandar (punës etj.) kujdesem pa pushim, i rri punës mbi kokë; nuk i ndahem.*Rrotë kandari bised. përb. Të than në *bisht të kandarit (dikush). Nuk e vë në kandar (në peshore). 1. (diçka) Nuk e llogarit mirë, nuk a merr parasysh (një punë, një vështirësi etj.). 2. (dikë) Nuk e vlerëson a nuk e çmon, nuk e përfill. 3. (diçka) Nuk e vë në rregull, nuk e rregullon një punë; nuk e çmon e nuk kujdeset për diçka; nuk e vë ujin në zjarr (për diçka). E vë kokën në kandar. 1. Ia hyj një rreziku të madh me vetëdije, e vë jetën në rrezik. 2. Jap siguri të plotë për diçka, përgjigjem me jetën time; e vë kokën në satër; pres kokën (kryet); vë dorën (duart) në zjarr (në prush); shpohem në hundë. Ka ardhur kandari në *bisht.
KONFISKÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që mund të konfiskohet; kund. i pakonfiskueshëm. U kërkua sekuestrimi i sendeve të konfiskueshme. Llogarit pjesën e konfiskueshme të pagës.
KRONOMETR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR Mat a llogarit punën ose kohën me kronometër. Kronometronte garat sportive. Kronometron ditën e punës.
LAPS,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Mjet për të shkruar a për të vizatuar, që përbëhet nga një shufër e hollë prej grafiti ose prej ndonjë lënde tjetër me ngjyrë, e mbështjellë me një mbulesë prej druri; kalem. Laps i zi (i kuq, blu). Laps dyngjyrësh. Laps kopjativ. Laps i fortë (i butë). Laps plumbi. Lapsa me ngjyra. Maja e lapsit. Mprehëse lapsash. Mpreh lapsin. Shkruaj (vizatoj) me laps.
2. Send në trajtën e një gypi të hollë e të zgjatur, që përdoret për qëllime të caktuara. Lapsa mjekësorë.
♦ I bie lapsit (kalemit) e mendoj dhe e shoshit mirë diçka, e llogarit si më del më mirë a si më leverdis; i hyj me laps (me kalem) (diçkaje). I hyj me laps (me kalem) (diçkaje) e mendoj dhe e shoshit mirë, e llogarit si del më mirë; i bie lapsit (kalemit). E ka lapsin (kalemin) *të mprehtë (dikush). Me laps (me kalem) në dorë duke e menduar e duke e shoshitur mirë diçka, duke e llogaritur si del më mirë; në krye të punës a i gatshëm për të vepruar. E mprehu lapsin (kalemin) (dikush) libr. u përgatit mirë për të sulmuar dikë me kritika; iu përvesh mirë dikujt. Me një të rënë të lapsit (të kalemit) shumë lehtë e me nxitim, menjëherë e pa u menduar gjatë, duke vendosur shpejt e pa e gjykuar si duhet (për të vlerësuar dikë a diçka, për të përjashtuar dikë nga puna etj.); me një të rënë të penës (pene). Ia thotë lapsit (kalemit) (dikush). 1. Është i zoti në llogari, di mirë si bëhet hesapi. 2. Është i zoti në punë krijuese me shkrim, shkruan lirisht, ka prirje; e ka lapsin (kalemin) të mprehtë.
LLOGARÍT (LLOGARÍS) vep., ~A, ~UR kal. 1. Numëroj a njehsoj diçka, bëj veprime me numra për të nxjerrë sa kushton diçka ose sa kam për të marrë a për të dhënë, për të gjetur sasinë e diçkaje etj.; bëj llogari. Llogarit me gishta (me numëratore, me shkopinj). E llogariti me laps në dorë. Llogarit me përpikëri (me hollësi). Llogaritën të ardhurat (shpenzimet).
2. E kam parasysh, e përfill; e çmoj, e vlerësoj; e vë në hesap. Me llogaritni edhe mua! Duhen llogaritur të gjithë pjesëtarët e familjes. S’e llogarit fare atë. E llogaritëm mirë djersën e gjithsecilit.
3. fig. Zbërthej e peshoj me mend diçka, mendoj të bëj diçka; bëj veprime me mend për të parashikuar si do ta zgjidh një çështje, kur dhe si do ta kryej diçka, si do të sillem a si do të veproj në disa rrethana etj.; bëj llogari. E kam llogaritur të kthehem brenda javës. S’i llogariti mirë rrethanat. E llogaritën mirë punën.
✱Sin.: njehsoj, numëroj, përllogarit, terezis, përfill, çmoj, vlerësoj, quaj, zë, peshoj.
LLOGARÍTËS,~I m. sh. ~, ~IT 1. spec. Mjet që shërben për të bërë llogaritje. Llogaritësi i topit. Llogaritësi i rrotullimeve. Përdorin llogaritësin.
2. usht. Ushtar i përgatitur, që llogarit me mjete të posaçme të dhënat për drejtimin e zjarrit të artilerisë. Llogaritësi i pikës së vrojtimit. Llogaritësi i togës së drejtimit të zjarrit.
3. vjet. Llogaritar.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë