Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BASTÁRD,~E mb. 1. biol. Që ka dalë nga kryqëzimi i dy llojeve ose i dy racave të ndryshme dhe që ka humbur cilësitë e mira të paraardhësve. Kalë bastard. Qen bastard.
2. përb. I zvetënuar, që ka humbur gjithë vetitë e mira, që është përdhosur e është çoroditur; i prishur, i bastarduar, i përçudnuar. Njeriu bastard. Bij bastardë të vendit të vet.
3. spec. I përzier me diçka tjetër, që ia prish cilësinë e ia ul vlerën, jo i pastër; që ka cilësi të këqija, i keq. Llaç bastard. Duhan bastard. Verë bastarde.
4. keq. Që ka lindur jashtë martese, i jashtëligjshëm, dobiç, kopil. Fëmijë bastard.
✱Sin.: i zvetënuar, i prishur, i bastarduar, i shthurur, i përdhosur, i përçudnuar, i ndyrë, jashtëligjshëm, i paligjshëm, jashtëligjor, ilegal, dobiç, kopil.
GËLQÉR/E,~JA f. 1. Lëndë e ngurtë me ngjyrë të bardhë, që del kur djegim gurin gëlqeror, lëng i bardhë dhe i trashë, që përftohet duke shuar me ujë gurin gëlqeror të djegur në furrë dhe që përdoret për të lyer muret e ndërtesave, për të gatuar llaçin etj.; qereç. Gëlqere e pashuar (e gjallë). Gëlqere e shuar (e shurdhuar). Gëlqere kokërr (pluhur). Gëlqere hidraulike përzierje e gëlqeres me rërë e me çimento, që ka vetinë të ngurtësohet edhe në ujë. Llaç me gëlqere. Furrë gëlqereje. Gropë gëlqereje. Sherbet (qumësht) gëlqereje lëng i hollë me gëlqere që përdoret për të lyer muret, pemët etj. Ujë gëlqereje ujë që ka kulluar pasi është tretur në të një sasi e vogël gëlqereje dhe që shërben për të forcuar disa lloje frutash përpara se t’i bëjmë reçel. Djeg gëlqeren. Shuaj gëlqeren. Lyej (zbardh) me gëlqere. Vë (mbaj, forcoj) në gëlqere. Vë në ujë gëlqereje.
2. si mb., edhe fig., I bardhë; i zbehtë.
♦ U bë gëlqere në fytyrë (dikush) u zbeh shumë, u zbardh në fytyrë, i iku gjaku (nga sëmundja, nga frika etj.); u bë çarçaf në fytyrë.
HARMÓÇ,~III m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Llaç i shkoqur, i përzier me mbetje të mureve të shkatërruara.
2. Hurdhë përroi; vend i gërryer a gropë e vogël në shtratin e një përroi; pellg me llum.
3. fig. Njeri i trashë nga mendja, i pagdhendur dhe i pasjellshëm.
✱Sin.: llaç, pellg; i pagdhendur, i pasjellshëm, i trashë.
KÓV/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Enë cilindrike prej teneqeje a prej lënde plastike me një dorezë, që përdoret për të nxjerrë ujë nga pusi, për të mbartur llaç a gëlqere etj.; sasia e ujit, e llaçit etj. sa nxë kjo enë. Kovë me ujë. Një kovë llaç.
2. tek. Enë e tillë metalike si pjesë e lëvizshme e ekskavatorit. Kova e ekskavatorit. Mbush (zbraz) kovën.
♦ *Pus pa kovë keq. Bie shi me kova bie shumë shi.
LEDH,~II m. sh. ~E, ~ET 1. Vend i ngritur buzë arave ose anës shesheve, udhëve, hendeqeve etj., mezhdë, trap. Ledhi i arës (i livadhit, i rrugës, i hendekut). Ledhet e llogoreve. I pengojnë edhe ledhet. Ecte nëpër ledh (ledh më ledh). Mbroheshin pas ledhit. I prishën ledhet e i bashkuan arat.
2. Pendë dheu që bëhet për të penguar ujërat, sfrat. I bënë ledhe të larta lumit. U çanë ledhet nga ujërat.
3. Rrip i ngushtë are; lehe. Ledhet e perimeve. Dy ledhe misër.
4. hist. Mur i trashë guri i një kalaje a qyteze. Ledh i lartë (i gjatë).
5. Mur guri pa llaç, që bëhet në toka të pjerrëta për të mos shkarë dheu. Brezare me ledhe. Kala me ledhe të forta.
6. fig. Pengesë, gardh; prag. I vuri (iu bë) ledh diçkaje. E hodhi (e kapërceu) ledhin.
✱Sin.: trap₁, stom, mezhdë, presë₁, pendë, tallabak, lehe, lidhak, mur, pengesë, gardh, prag.
♦ Iu bë ledh (diçkaje) shih iu bë gardh (diçkaje). E kapërceu (e hodhi) ledhin (dikush) shih e kapërceu (e hodhi) gardhin (dikush). E la (e hodhi) në ledh (dikë) e braktisi, nuk i dha asnjë ndihmë; e la (e nxori) në mes të katër rrugëve (të katër udhëve). I vë ledh (diçkaje) shih i vë gardh (diçkaje). Zuri ledh (dikush) vuri pasuri, u bë i pasur; e zuri ledhi (dikë) iron.; i zuri bishti dhjamë (dikujt). Zuri ledhin (dikush) përb. shih zuri përruan (dikush) përb. E zuri ledhi (dikë) iron. i ra në dorë papritur një pasuri si trashëgim, u bë papandehur i pasur; i eci mbarë, e ndihmoi fati; zuri ledh (dikush).
LIDH vep., ~A, ~UR 1. kal. Bashkoj skajet e një filli, të një litari etj. ose skajet e fijeve të ndryshme e i shtrëngoj së bashku nyjë; bëj nyjë në një fill; var a kap diçka në trup ose në një vend tjetër, duke bashkuar e duke shtrënguar fijet a rripat që ka; kund. zgjidh, çlidh. Lidh perin (spangon, litarin, telin). Lidh fjongon (lidhëset e këpucëve). Lidh përparësen. Lidh kravatën (shallin). E lidh nyjë (komb, fjongo, pisk), E lidh fort (shtrënguar).
2. kal. Shtrëngoj ose kap pas një sendi dikë a diçka me litar, me zinxhir etj. që të mos luajë a të mos largohet prej andej; i kap e i shtrëngoj dikujt duart a këmbët me litar, me zinxhir etj.; kund. zgjidh. Lidhi qenin (lopën, viçin). E lidhi pas shtyllës (pas pemës). Lidh domatet nëpër hunj. E lidh me litar (me zinxhir, me tel). Ia lidhën duart (këmbët). E lidhën me hekura (me pranga).
3. kal. Mbledh bashkë disa gjëra dhe i shtrëngoj me pe, me tel, me litar, me rrip etj.; bëj tufë diçka dhe e shtrëngoj me pe, me spango, me rrip etj.; e mbështjell diçka në shami dhe i shtrëngoj nyjë skajet e kësaj; mbështjell foshnjën me shpërgënj e me dizgje; kund. zgjidh. Lidh duajt e grurit. Lidh preshtë (qepët) në tufa. I lidh flokët prapa. Lidh grykën e thesit. Lidh bukën në shami. Lidhi djalin në djep. E lidhi foshnjën kopanec. Lidhte cigare. bised. dridhte cigare.
4. kal. Mbështjell një pjesë të trupit, një plage etj. me një rrip pëlhure a me diçka tjetër; kund. zgjidh. Ia lidhën këmbën (dorën, gishtin) e vrarë. Ia lidhën sytë ia zunë sytë me një rrip pëlhure.
5. kal. Bashkoj fletët e një libri etj., i kap e i shtrëngoj me diçka dhe i mbështjell me kapakë. Lidh librat (fletoret, blloqet). E ka lidhur bukur albumin.
6. kal. I kap mirë sendet njëri me tjetrin; i ngjit a i bashkoj fort pjesët e diçkaje, e bëj më të fortë a më të qëndrueshme diçka; jokal., vet. v. III bashkohet e ngjit mirë, kap, mban. Lidh gurët e themelit. Murin e ka lidhur me llaç. Plehu e lidh tokën. Tullat kanë lidhur mirë.
7. bised., kal. E vë një kafshë pune në zgjedhë a në karrocë për ta tërhequr; mbrej. Lidh qetë. Lidh kalin në karrocë.
8. spec., kal. Mbërthej a bashkoj një pjesë me një pjesë tjetër ose me tokën, me një send etj.; mbyll, kyç. Lidh në qark të shkurtër (fiz.). E lidh me tokën (elektr.) e tokëzoj. E lidh me rrjetin. (elektr.).
9. kim., kal. Bashkoj grimcat e një elementi kimik me ato të një tjetri dhe i ndryshoj gjendjen e tij të lirë (në kiminë joorganike); bashkoj një element kimik me një tjetër (në kiminë organike). Lidh kimikisht.
10. jokal., vet. v. III. Formon frytin, bën kokrra; zë bukë (për pemët, drithërat e bimët e tjera). Lidh pema (rrushi, shega). Lidh kalli gruri. Kanë lidhur arrat. Ka lidhur bukë misri (gruri). Lidhi boçe pambuku. Lidhën domatet. I lidhën kokrrat. Sa lule çelin, të gjitha nuk lidhin. (fj. u.).
11. fig., kal. I rreshtoj e i thur mirë fjalët, i shpreh qartë e rrjedhshëm mendimet; e hartoj bukur diçka, duke i arsyetuar gjërat mirë e qartë. Lidh mendimet (fjalët). S'di të lidhë as dy fjalë nuk di të flasë e të shprehë qartë mendimet. E ka lidhur mirë atë letër.
12. kal. Vë në marrëdhënie ose bashkoj me rrugë a me një mjet ndërlidhjeje dy qendra të ndryshme, dy qytete etj., që janë larg njëri prej tjetrit. E lidh me telefon (me radio). E lidhi me Prishtinën.
13. fig., kal. Afroj dy vetë ose dy palë, i vë në marrëdhënie të ngushta e të drejtpërdrejta, i bashkoj; vet. v. III e bashkon, e afron diçka a dikë me një tjetër. E lidhi me shokë të mirë. Lidhi jetën me të u martua me të. - Ç’e lidh me të? - S’e lidh asgjë me mua.
14. fig., kal. Bëj një marrëveshje me dikë; bashkohem me dikë për një veprimtari të caktuar; vendos marrëdhënie të afërta me dikë. Lidhën kontratën. Lidhën besën (fjalën, kuvendin). Lidhën krushqi. Lidhën miqësi u bënë miq. Lidhën fejesë u fejuan.
15. fig., kal. E vë në marrëdhënie të ngushta a të pandara me diçka; përcaktoj se me kë a me se ka të bëjë diçka ose nga varet. Fjalën e lidh me veprën. Lidh mësimin me punën (me jetën). Lidh teorinë me praktikën. Veprimet e tij i lidhin me shkaqe (me ndikime) të ndryshme.
16. fig., bised., kal. I jap një rrogë a një pension që ta ketë përgjithmonë (sipas një rregulli), i caktoj. I lidhën rrogë dikujt. I kanë lidhur pension pleqërie.
17. fig., bised., kal. E pengoj dikë të merret me diçka a të veprojë, nuk i jap mundësi që të shkojë e të largohet nga vendi ku jeton a punon; nuk e lë diçka të zhvillohet. E kanë lidhur fëmijët. E ka lidhur puna është i zënë me punë dhe s'mund të vejë gjëkundi. Ia ka lidhur duart (krahët) nuk e lë të lirë të veprojë, i është bërë pengesë e pakapërcyeshme. Ia ka lidhur këmbët a) dikujt nuk e lë të shkojë gjëkundi; b) diçkaje po ia pengon zhvillimin, nuk e lë të zhvillohet.
18. fig., vjet. I bëj magji dikujt për ta penguar që të ketë marrëdhënie me një femër; i bëj magji për diçka (sipas besimeve popullore); kund. zgjidh. Kujtonte se e kishte lidhur magjistarja. Besonin se orët lidhnin e zgjidhnin.
19. fig., bised., kal. E ndërpres a e pres fare një ushqim, nuk e ha a nuk e pi më diçka. E ka lidhur rakinë e ka prerë rakinë, nuk e pi më. Lidhnin mishin (vjet.). E ndërpritnin mishin për një kohë të caktuar (gjatë kreshmëve). Lidhnin kreshmët (fet.) nuk hanin mish e bulmet gjatë kreshmëve.
20. fig., bised., kal. Nuk e lë dikë të gjejë rrugëdalje për të përligjur a arsyetuar diçka, e zë ngushtë dikë, ia mbyll gojën; e bëj të ngecë. E lidhi me fjalë. E ka lidhur keq.
✱Sin.: bashkoj, shkrij, leqoj, shtrëngoj, zë, kapërthej, kap, mbledh, zgjedhoj, ngjis, mbështjell, vendos, bashkohet, mban, mbreh, mbërthej, arrestoj, prangos, mbyll, kyç, shënon, rreshtoj, thur, shpreh, hartoj, afroj, i caktoj, pengoj, ndërpres, pres.
♦ Di të lidhë edhe *gurë (dikush). *Korr e nuk (e mos) lidh (dikush). E lidh me *be (dikë). I ka lidhur (i ka mbledhur) *dengjet (dikush). (Është bërë) për ta lidhur në *djep (dikush). Lidh (kryqëzon) *duart (dikush). I lidh *duart (dikujt). Lidh *fjalën (me dikë). E lidh në *gisht (diçka). Ia lidh *gjuhën (dikujt). Iu lidh (iu pre) *gjuha (dikujt). Lidh *jetën (me dikë). E ka lidhur *kalin (dikush). Ia lidhi (ia zuri) *këmbët (dikujt a diçkaje). Ia lidh *kryet (diçkaje). S’kam lidhur (s’kam vënë) *kurorë (me dikë) tall. Ia lidh *lart (dikush) iron. E lidh lekun me *ushkur (dikush) tall. Lidh *macen (kur ha bukë) (dikush) tall. Lidha *mendjen (për diçka). Lidh (vë) *mish. E lidhi *qesen (dikush). I ka lidhur *telat (me dikë). Nuk e lidh dot *thesin (dikush). S’di të lidhë (as) *ushkurin (dikush) bised. Lidh e zgjidh (vetë) (dikush) bën si do vetë, nuk pyet njeri; vendos vetë; bëhet ashtu siç thotë a siç do ai; ka (në dorë) edhe gurin edhe arrën; bën ligjin. As të lidh e as të zgjidh (dikush) të mban me shpresa e nuk të mbaron punë, të mban me fjalë; nuk thotë as jo e as po për diçka; as të fal e as të vret. Të lidh e të zgjidh (dikush) është i zgjuar e i shkathët; është i zoti i gojës; ta rrëmben fjalën nga goja; të ha në dritë të syrit; të merr gjak në vetull.
►LÍDH/EM jovep.,~A (u), ~UR 1. vetv., vet. v. III Bashkohen vetë skajet e një filli, litari etj. ose skajet e fijeve të ndryshme, ngatërrohen, shtrëngohen e bëhen nyjë; i kapen lidhëset diçkaje në një verigë etj.; kund. zgjidhet, çlidhet. U lidh peri. U lidhën fijet (lidhëset). U lidh nyjë (komb).
2. vetv., vet. v. III Kapet pas një druri a një sendi tjetër, mblidhet rreth tij. Është lidhur mirë hardhia (rrushi) në pemë. Është lidhur fort trëndafili i egër pas gardhit.
3. vetv., vet. v. III Kapet mirë një send me një tjetër; ngjitet, bashkohet fort; kapen mirë pjesët e diçkaje dhe kjo bëhet më e fortë ose më e qëndrueshme; kap, mban. Gurët e themelit u lidhën mirë. Muri lidhet më mirë me llaç. Toka lidhet kur plehërohet.
4. spec., vetv., vet. v. III Mbërthehet a bashkohet me një pjesë tjetër ose me tokën; mbyllet, kyçet. U lidh qarku (fiz.).
5. kim., vetv. I bashkohen grimcat (një elementi kimik) me ato të një tjetri dhe ndryshon gjendja e tij e lirë. Lidhen kimikisht. Hidrogjeni lidhet me oksigjenin dhe jep ujin.
6. vetv. Hyj në marrëdhënie me dikë a me diçka me anë të një mjeti ndërlidhjeje; vet. v. III bashkohet me rrugë a me mjete ndërlidhjeje me një qendër, me një qytet tjetër etj. Lidhem me telefon (me radio). Të gjitha fshatrat lidhen me rrugë automobilistike.
7. fig., vetv. Afrohem me dikë, hyj në marrëdhënie të ngushta e të drejtpërdrejta, bashkohem. U lidhën bashkë për gjithë jetën. U lidhën me martesë u martuan.
8. fig., vetv. Bëj një marrëveshje me dikë; bashkohem me dikë për një veprimtari të caktuar. U lidhën me besë (me besa-besë, me fjalë). U lidhën me kusht vunë bast.
9. fig., vetv., vet. v. III Ka marrëdhënie të ngushta a të pandara me diçka; bashkohen gjëra a çështje si të ishin pjesë të një të tëre; ka të bëjë me diçka a me dikë ose varet prej saj a prej tij. Teoria lidhet me praktikën. Shkolla lidhet me jetën. Këto gjëra lidhen ngushtë. Kjo lidhet me shkaqe (me rrethana, me kushte) të caktuara.
10. fig., bised., vetv. Jepem shumë pas dikujt a diçkaje, nuk shkëputem dot prej tij a prej saj dhe kjo më pengon të merrem me diçka tjetër. U lidh me fëmijët. Është lidhur shumë me punën. - Mos u lidh pas tij!
11. fig., vetv. Më zihet goja, zihem ngushtë në një bisedë me dikë dhe hesht, ngec. U lidh keq.
12. fet., vetv. Kryqëzoj duart, të djathtën mbi të majtën, kur qëndrojmë më këmbë për t’u falur. Lidhem për namaz.
13. pës. e LIDH.
✱Sin.: shkrihet, mbështillem, shtrëngohem, bashkohem, ngatërrohen, çiftohem, ajkoset, kapet, ngjitetçimentohet, mbërthehet, mbyllet, kyçet, afrohem, shkrihem, miqësohem, rreshtohem, zihem, jepem, truhem.
♦ S’di si (nga) lidhet *gomari (dikush) mospërf. S’di nga lidhen *qetë (dikush). U lidh pas *bishtit (të dikujt) keq. Është i lidhur *bisht më bisht (me dikë) përb. S’lidhet as për *bishti e as për krye (dikush). M’u lidhën *duart. Iu lidh në *fyt (diçka). Iu lidh (iu pre) *goja (dikujt). M’u lidh në *grykë. Iu lidh (iu pre) *gjuha (dikujt). Nuk lidhet (nuk ngulet) në një *hu (dikush). S'lidhet *inat (me dikë). M’u lidhën *këmbët. Nuk lidhet lehtë (dikush). 1. Është vështirë ta bindësh a ta detyrosh të bëjë diçka; nuk dorëzohet a nuk e bën dot për vete. 2. S’e kap dot në fjalë, o është i zgjuar, o e dredh fjalën. Iu lidh në *fyt (diçka). Iu lidh në *grykë (diçka). Nuk lidhet (nuk thyhet) në *kuvend (dikush). S’lidhet në *mullar (dikush). M’u lidh *nyjë (jeta). As lidhet e as zgjidhet (dikush) qëndron në të tijën, s’ndyshon fare qëndrim, mbahet fort në atë që thotë, që mendon a që di vetë dhe s’pranon asgjë tjetër; është shumë kokëfortë, nuk ia ndërron dot mendjen a sjelljen.
LLAÇ,~II m. sh. ~RA, ~RAT 1. vet. nj. Lëndë ndërtimi që bëhet duke përzier rërën me gëlqere të shuar e me ujë dhe që përdoret për të ngritur mure e për t’i suvatuar. Llaç me çimento. Llaç çimentoje. Llaç asfalti. Llaç për mur (për suvatim). Mur me (pa) llaç. Sita (kova) e llaçit. Bëj (gatuaj, përziej) llaçin. Shtroj llaçin. I hodhi llaç.
2. vet. sh. Lloje të ndryshme të kësaj lënde. Llaçra industrialë për muratura dhe suvatime.
3. vet. sh. Copëza të shumta nga ky material. Ai kthehej nga puna i ngalluar me llaçra e bojëra.
4. vet. nj. Baltë e hollë që krijohet kryesisht gjatë dimrit në rrugët e pashtruara; llucë, lloç. Udhë gjithë llaçi.
✱Sin.: lloç, horasan, qereç.
LLOÇ,~II m. 1. Baltë e qullët dhe e hollë që të ngjitet në këpucë e në rroba, llucë; borë e shkelur dhe e përzier me baltë.
2. Llaç.
♦ E bëri lloç. 1. (diçka). E prishi fare një punë, i ngatërroi keq gjërat. 2. (dikë). E rrahu shumë; e bëri pelte. E bëri lloç për gardh (dikë) e qortoi a e shau rëndë, s’i la gjë pa thënë; e poshtëroi, e njollosi; s’i la sy e faqe (dikujt); e bëri leckë (rreckë); e bëri për në bythë të qenit.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë