Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
LIDHÓR,~E mb. 1. anat. Që shërben për të lidhur a për të bashkuar pjesët e trupit ose të një organi të tij. Indi lidhor.
2. gjuh. Që lidh një fjali të varur përcaktore me një fjali tjetër ose me një gjymtyrë të një fjalie tjetër (për përemrat që, i cili etj.). Përemrat lidhorë.
3. gjuh. Që lidhet me përemra të tillë dhe plotëson kuptimin e një fjalie tjetër (për fjalitë). Fjali lidhore. Mënyra lidhore (gjuh.) një nga mënyrat e zgjedhimit të foljeve në gjuhën shqipe, e cila tregon një veprim a një gjendje që mund, që dëshirohet ose duhet të kryhet a të ndodhë, pasi lidhet me një tjetër.
PERIÓST,~I m. sh. ~E, ~ET anat. Shtresë e indit lidhor vaskular që mbështjell kockat, me përjashtim të kyçeve.
PËRÉM/ËR,~RI m. sh. ~RA, ~RAT gjuh. Pjesë e ligjëratës, zakonisht e ndryshueshme, e cila zëvendëson një emër duke treguar në mënyrë të përgjithshme një qenie, send a dukuri ose shoqëron një emër duke e përcaktuar atë në mënyrë të përgjithshme dhe merr kuptim të caktuar sipas përmbajtjes së ligjërimit. Përemrat vetorë unë, ti, ai, ajo... Përemër dëftor (pronor, lidhor, i pakufishëm, pyetës). Lakimi i përemrave. Trajtat e shkurtra të përemrave në gjuhën shqipe.
SA përem. 1. pyet. Përdoret për të pyetur për sasinë e qenieve, të sendeve a të dukurive (në fjali pyetëse të drejta ose të zhdrejta); në çfarë mase, sasie, përpjesëtimi etj. Sa vjeç je? Sa është ora? Sa kohë ka? Sa lekë kushton? Sa herë në ditë? Save u keni thënë? Prej sa fijesh përbëhet ky kabëll? Sa kohë mban deri atje? Me sa njerëz erdhi? A i patë sa ishin? Nuk i kujtohej sa vjet kishin kaluar. E pyeti sa kilometra rrugë kishin bërë.
2. pacak. Në atë sasi a masë; gjithë. Sa erdhën, aq u larguan. Sa u mbollën, aq zunë. Gjithë sa qenë aty, qeshën. I dha gjithë sa pati. Erdhën sa ishin ftuar. I ra me sa fuqi pati. Sa herë çdo herë, gjithnjë.
3. lidhor. Ajo gjë që; përdoret me kuptim kufizues me parafjalët “nga, me, për”, zakonisht në fjali të ndërmjetme. Nga sa kam parë, janë bërë përparime të mëdha. Me sa duket, nuk do ta përfundojmë sot. Me sa më kanë thënë, zgjidhja do të jetë e afërt. Me sa di unë, ai do të qëndrojë. Me sa kishte marrë vesh, të gjithë do të ishin pjesëmarrës. Për sa folëm... lidhur me atë që folëm.
4. pacak. Përdoret për të shprehur habi, çudi, admirim etj. për sasinë e madhe të qenieve, të sendeve a të dukurive. Sa paskan ardhur! Sa qenkan këtu! Sa vjet u bënë! Sa lot ka derdhur! Sa herë e kam parë!
5. pacak., bised. Disa, ca. U shpërndanë sa andej, sa këndej.
♦ S’të pyet me sa e ke *thekrin (dikush) keq.
TE [TEK para zanoreve] ndajf. 1. Përdoret si fjalë lidhëse ose si ndajfolje lidhore me vlerën e një përemri lidhor me parafjalë për të lidhur dy fjali midis tyre Kujto vendin te ke lerë dhe tek heq (Çajupi).
2. Ku. Ja tek është! Ja tek e ke! Ja tek po vjen. Mendja vete tek nuk vihet.
3. Si, qysh. Si e tek është? Si të bëjmë e tek të bëjmë.
4. Atje ku. Tek nuk të ftojnë, mos shko. Tek nuk të pyesin, mos jep këshilla.
Ç’II lidhor. 1. Përdoret me kuptimin: ai, ajo, ata, ato që (përdoret për të lidhur një fjali të varur kundrinore ose kryefjalore); gjithçka që; çfarë. Mori ç’gjeti. Foli ç’mundi. Ç’u tha, u bë. Dëgjon ç’i thonë. Ç’është e drejtë, është e drejtë.
2. Çfarë, ajo që, sa. Me ç’dukej. Nga ç’kam marrë vesh. Nga ç’dëgjojmë e ç’shohim. Me ç’mbaj mend unë. Më mirë nga ç’e pandehja. Gjithë ç’duhej.
ÇFÁRË pyetës. 1. Përdoret për të pyetur drejtpërdrejt ose tërthorazi për një send, frymor, dukuri, tipar a një veprim të panjohur që duam ta dimë (vendoset përpara foljeve); ç. Çfarë po nxjerr? Çfarë është kjo? Çfarë kërkon prej nesh? Çfarë i thanë atje? Çfarë po ndodh? Me çfarë të vishem? Çfarë u bë?
2. Përdoret për të pyetur për punën a detyrën e dikujt në marrëdhënie me të tjerët, për lidhjet e tij familjare etj. (vendoset përpara foljeve); kush. Çfarë e ke atë djalë? Çfarë e keni atë në institut? Çfarë je ti këtu?
3. Përdoret për të pyetur drejtpërdrejt ose tërthorazi për natyrën, llojin, tiparet a veçoritë e një frymori, sendi, dukurie ose të një veprimi (vendoset përpara emrave në rasën rrjedhore të pashquar); cili, ç’? Çfarë mjeshtërie ka? Çfarë njeriu është? Prej çfarë lënde bëhet fjalë? Me çfarë detyre është ngarkuar? Çfarë kafshësh rriten atje?
4. Përdoret kur kërkojmë të thuhet edhe një herë ajo që s’është dëgjuar a s’është kuptuar mirë. Çfarë? – thuaje edhe një herë, të lutem!
5. Përdoret kur shprehim habi për shkallën e shfaqjes së tipareve të një frymori, sendi, dukurie a veprimi (në fjali thirrmore); ç’, sa. Çfarë dite e bukur! Çfarë guximi! Çfarë pune e madhe që është bërë! Çfarë njeriu i mirë që ishte! U bënë përgatitje e çfarë përgatitjesh!
6. Përdoret në fjali që shprehin habi a pyetje retorike që nënkuptojnë përgjigjet mohuese “asgjë”, “dikush a diçka pa rëndësi” (vendoset përpara foljeve në fjali thirrmore). E çfarë është ai? E çfarë të gjeti? E çfarë të tha? E çfarë fitove? Çfarë ka për t’u çuditur këtu? Çfarë tjetër donte prej meje?
7. Përdoret në fjali thirrmore që shprehin habi ose në fjali mohuese që nënkuptojnë përgjigje pohuese me kuptimin “gjithçka”, “çdo gjë”, “çmos” (vendoset përpara foljeve); ç’. Çfarë nuk i bën dora! Çfarë nuk i tha! Çfarë s’kam parë atje! Çfarë të shihje atje më parë!
8. Përdoret së bashku me pjesëzën “ja” kur dikush fillon të tregojë a të numërojë diçka drejtpërdrejt ose kur e përmbyll tregimin a numërimin (vendoset përpara foljeve). Ja çfarë tha ai. Ja çfarë më tregoi. Ja çfarë më panë sytë. Ja çfarë bleva. Ja çfarë më solli. Ja çfarë duhet të kemi parasysh.
9. Përdoret së bashku me pjesëzën “ja” për të shprehur habi, kënaqësi, zemërim, përçmim etj. Ja çfarë paske bërë! Ja çfarë të gjeti! Ja çfarë do të thotë të jesh kokëfortë!
10. Përdoret në disa togje foljore që shprehin veprimin a gjendjen në mënyrë të theksuar nëpërmjet përsëritjes së foljes. U bë çfarë u bë... U tha çfarë u tha...
11. Përdoret me kuptimin: “atë që, ata që, ato që”; “gjithçka që” kur lidhëza “se” është e nënkuptuar (në krye të një fjalie të varur kundrinore ose kryefjalore, në fjali pyetëse të zhdrejtë). E di unë çfarë do ajo. Mos harro çfarë të thanë! Nuk e di çfarë kërkonte. Të tregon ai çfarë të bësh.
12. lidhor. Përdoret me kuptimin: “ai (ajo, ata, ato) që”; “gjithçka që” (në krye të një fjalie të varur kundrinore ose kryefjalore). Ha çfarë të duash. Çfarë u vendos, të zbatohet.
✱Sin.: ç, cili, kush.
♦ Çfarë nuk i bën *dora! (dikujt). Me çfarë i del *përpara. E di çfarë *monedhe është (dikush) keq. Nuk është *kushedi se çfarë (dikush a diçka).
ÇKAI përem. 1. pyetës. Çfarë, ç’. Çka i tha? Çka deshi? Çka po thotë? Më pyeti çka kisha.
2. lidhor. Që, i cili. Atë çka është e drejtë. Atë çka dinë. Për atë çka u fol. Ajo çka ka ndodhur në atë fshat.
3. lidhor. Ai që... ajo që... Çka është kryesorja. Për çka folëm. Për çka u tha këtu. Ai e di çka e pret.
✱Sin.: çfarë, ç’, që, i cili.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë