Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABORIGJÉN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Banor i parë i përhershëm i një vendi të caktuar, zakonisht me prejardhje e lidhje të lashta me atë zonë, vendës. Aborigjenët e Australisë. Aborigjenët amerikanojugorë. Aborigjen i moshuar.
✱Sin.: vendës, rrënjës, anas, autokton, indigjen, vendali.
ADAPTÓR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT tek. Pajisje për lidhje të dy elementeve të papërputhshme ndërsjelltas, pajisje përshtatëse, përshtatës. Adaptor për rrymën alternative. Adaptor për rrymën njëdrejtimshe.
✱Sin.: përshtatës, adaptues.
ADERÉNC/Ë,~A f. 1. libr. Përkatësi, përfshirje ose anëtarësim në një lëvizje, në një shoqatë, në një parti, në një organizatë etj.; dobësi për diçka; aderim, anëtarësim.
2. Ngjitje, lidhje, kohezion midis dy materialeve ose dy sipërfaqeve. Aderenca e bojës në mur. Aderenca e gomave në asfalt.
3. mjek. Dëgjueshmëri, njëzëshmëri, besnikëri në respektimin e normave, të rregullave, të porosive, të rekomandimeve (mjekësore etj.). Aderencë midis mjekut dhe pacientit. Aderenca ndaj mjekimit.
4. mjek. Procesi i lidhjes ose i ngjitjes së një substance apo materiali me një sipërfaqe tjetër, ngjitje, bashkim. Aderencë e pleurës së mushkërive. Aderenca e zorrëve.
ADEZIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. Bashkim, pranim ose anëtarësim në një parti, në një grup, në një organizatë ose në një shoqatë. Adezion në Partinë Popullore. Adezion në Shoqatën për Mbrojtjen e Mjedisit.
2. Lidhje e fortë midis koncepteve, ideve ose njerëzve. Adezion miqësor.
3. fiz., kim. Ngjitje ose bashkëngjitje e dy sipërfaqeve të ndryshme përmes forcave fizike ose atyre kimike; forcë tërheqëse ndëratomike ose ndërmolekulare me origjinë elektromagnetike që vepron ndërmjet grimcave fqinje të trupave të përbërë nga materie të ndryshme. Adezioni i molekulave të ujit me molekulat e pagurit plastik ku gjendet uji. Adezion i molekulave (i atomeve). Adezion i dy trupave fizikë. Adezion i bojës. Adezion i betonit. Adezion i pllakave në mur.
4. biol., mjek. Ngjitje e qelizave ose ngjitje e indeve biologjike me njëri-tjetrin në një sipërfaqe etj. Adezion i bimëve (shartim). Adezion i pllakave të gjakut.
✱Sin.: ngjitje, bashkëngjitje, lidhje, shartim.
ADEZÍV,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Lëndë ose material përdoret për të bashkuar ose për të ngjitur dy ose më shumë sipërfaqe, duke krijuar një lidhje të fortë midis tyre; lëndë që ka veti ngjitëse, veti bashkuese. Bleu adeziv. Kishte disa lloje adezivësh. Adeziv i përshtatshëm. Adeziv për ngjitjen e metalit (drurit, plastikës, qelqit, tekstilit etj.).
✱Sin.: ngjitës, bashkues, lidhës.
ADRÉS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Vendi i banimit ose i qëndrimit të dikujt.
2. Shënim mbi një zarf ose mbi një dërgesë postare, që tregon emrin e marrësit dhe vendbanimin e plotë të tij; shënimi i plotë i vendit ku banon zakonisht ose ku ndodhet përkohësisht një njeri, ku gjendet një institucion etj., drejtim. Adresë përpiktë (e plotë). Adresa e re (e vjetër). Adresa e dërguesit. Adresë e postës elektronike. Zyra e adresave. Libri i adresave. Jap (lë) adresën. I marr (i kërkoj) adresën. Ia di adresën. Gaboj adresën.
3. Drejtim. Në adresë të dikujt në drejtim të dikujt, për dikë; në lidhje me dikë. Pa adresë pa drejtim të caktuar. Ai ka humbur adresën ai ka humbur mendjen. Kritikë pa adresë.
✱Sin.: vendbanim, vendqëndrim, drejtim, orientim.
♦ Nuk i dihet adresa (dikujt) nuk duket gjëkundi, u zhduk fare, s’e dimë ku është, s’gjendet dot; i humbi zëri; humbi si gjilpëra në fund të bunarit (dikush); u tret si kripa në ujë (dikush); u zhduk (humbi) pa lënë gjurmë (dikush). Më harroi adresën (dikush) shaka. nuk kujtohet më për mua, s’më vjen a s’më shkruan më; nuk është dukur më, më ka harruar për fare; më harroi derën. Ngatërron (gabon) adresë (dikush) iron. nuk drejtohet atje ku duhet; s’janë për mua ato që thotë a që kërkon; nuk i drejtohet atij që ka lidhje me çështjen.
AFÉR/Ë,~AII f. sh. ~A, ~AT Përjetim a përvojë emocionuese në një lidhje intime; lidhje e shkurtër dashurie, lidhje e fshehtë dashurie jashtëmartesore, tradhti bashkëshortore. Pati një aferë me dikë gjatë verës. Aferë që përfundoi me martesë (ndarje, shkurorëzim etj.). Gazetarët zbuluan aferën e tyre.
✱Sin.: sensacion, aventurë, dashuri, romancë.
AFRÉS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Afri, afrim. Jam në afresë me të. Kanë afresë të ngushtë.
2. gjuh. Lidhje e afërt që buron nga prejardhja e përbashkët gjuhësore; afri.
3. gjuh. Përngjashmim, asimilim tingullor, ndajafërsi. Afresë gjuhësh. Afresë formash gjuhësore. Afresë fonetike.
✱Sin.: afri, afrim, ndajafërsi, përngjashmim, ngjashmim, asimilim.
AFRÍ,~A f. 1. Lidhje gjaku ose lidhje familjare, lidhje farefisnie. Afri gjaku. Afri familjare. Kishte afri me të.
2. Ngjashmëri ose përputhje në veçoritë kryesore përmbajtjesore ose në formë. Afria e ideve (mendimeve, pikëpamjeve, e qëndrimeve). Afri politike. Afri fetare. Afri mentaliteti. S’ka afri me grupin e tij.
3. gjuh. Lidhje e afërt, ngjashmëri që buron nga prejardhja e përbashkët. Afri gjuhësore. Afri fonetike. Lidhje afrie.
4. përmb., bised. Të afërmit nga gjaku e fisi. U mblodh afria për dasmë.
✱Sin.: afresë, farefis, fis, familjarë, kushërinj, ngjashmëri.
ÁFËR ndajf. 1. Pranë, në largësi të vogël nga dikush a nga diçka; kund. larg. Është afër tij. Rri afër dikujt. Afër e afër shumë pranë, ngjitur me të. Banon aty afër. Janë afër. Rri afër. Bie më afër. Është më afër dera se qilari. (fj. u.).
2. Pas një kohe, pas pak kohe, së shpejti, së afërmi; pak kohë më parë; kund. larg. Tash afër. Është afër dita e dasmës. Sa afër është fillimi i mësimit?
3. Me lidhje gjaku ose me lidhje familjare të ngushta ose farefisnie; kund. larg. Është afër me të. Janë afër me rrënjë e me gjak.
4. Që nuk kanë dallime të dukshme, pa, dallime, që kanë ngjashmëri; kund. larg. Janë afër të dy. Aty afër janë ata.
5. Afërsisht. Aty afër aty përreth. Afër moshës së tij.
6. fig. Për së afërmi, drejtpërsëdrejti; duke i ndenjur pranë, me kujdes dhe me vëmendje të veçantë; kund. larg. I rri afër. E ndihmon nga afër. E ndien nga afër. Mbaj afër dikë. I gjendet përherë afër.
✱Sin.: afras, afrazi, ngjitur, bri, përbri, buzë, rrëzë, përkrah, ngatë.
♦ I gjendem afër (dikujt) jam me të në çaste të vështira dhe e ndihmoj sa herë ka nevojë; marr pjesë shpirtërisht në fatkeqësinë e dikujt; i rri (i qëndroj) afër; i gjendem (i ndodhem) pranë. Është afër *mendsh (diçka). Është më afër *mendsh (diçka). Është afër *mendjes (diçka). Është më afër *mendjes (diçka). E kam afër atje ku është (dikë) iron. nuk dua të kem të bëj më me dikë që është sjellë keq ose që më ka bërë një të keqe, nuk dua ta takoj më kurrë; nuk dua t’ia shoh sytë (dikujt). E mbaj afër (dikë). 1. E kam kujdes, e përkrah dhe e ndihmoj; përpiqem të krijoj marrëdhënie të ngrohta e afri me të; i rri (i qëndroj) pranë (dikujt); kund. i rri (i qëndroj) larg (dikujt). 2. Përpiqem të përfitoj sa më shumë prej përvojës e prej zotësisë së dikujt, e ndjek dhe e vëzhgoj që të mësoj prej tij; i rri (i qëndroj) pranë (dikujt). I rri (i qëndroj) afër (dikujt) shih i rri (i qëndroj) pranë (dikujt).
ÁFËRM,~I (i) m. kryes. sh. ~, ~IT (të) 1. Ai që ka lidhje gjaku ose lidhje familjare të ngushta me dikë, farefis. I afërmi im. Familjarët dhe të afërmit e tjerë. Bashkohem me të afërmit. Ftoj të afërmit.
2. Ai që bën pjesë në një rreth të ngushtë bashkëpunëtorësh që janë të afërt profesionalisht ose që punon bashkë me dikë në një institucion ose në një veprimtari tjetër. E kam bashkëpunëtor të afërm. Bisedo me njeriun e afërm!
ÁFËRM,~JA (e) kryes. sh. ~E, ~ET (të) 1. Ajo që ka lidhje gjaku ose lidhje familjare të ngushta me dikë, farefis. E afërmja e nënës. Erdhën të afërmet tona. U bëmë bashkë me të afërmet. I takova të afërmet e mia.
2. Ajo që bën pjesë në një rreth të ngushtë bashkëpunëtorësh që janë të afërt profesionalisht ose që punon bashkë me dikë në një institucion ose në një veprimtarinë tjetër. E kam të afërme.
AFËRSÍ,~A f. 1. Të qenët në afërsi, të qenët afër, të ndodhurit pranë, të gjendurit aty afër; të qenët në rrethinë; kund. largësi. Afërsi tokësore. Afërsi gjeografike. Afërsi e vendkalimit hekurudhor. Në afërsi afër, pranë. Në afërsi të kryqëzimit.
2. vet. sh. ~, ~TË Tokat a vendet që shtrihen rreth e rrotull një qyteti, një fshati etj., vendet aty përreth, rrethinat. Në afërsitë e qytetit (e fshatit, e kështjellës, e lumit). Në afërsitë e ishullit.
3. Afri1, 2. Afërsi gjinore. Afërsi gjaku. Ka afërsi me dikë të lagjes.
4. fig. Lidhje zemre, lidhje e afërt shpirtërore; qëndrim i përzemërt e i ngrohtë, dashuri. Afërsi shpirtërore. Afërsi zemre. Afërsi mendjeje.
5. Përafërsi. Njehsim me afërsi. Gjej me afërsi. Llogari me afërsi. Ia qëlloi me afërsi.
✱Sin.: afëri, afërmi, afërmëni, përafërsi, rrethinë, farefisni, gjini.
AKTBLÉRJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Lidhje e një marrëveshjeje për të blerë diçka; veprimi që bëhet kur kryhet blerja.
2. Dokument zyrtar që dëshmon ligjërisht një blerje (pasuri të luajtshme, shtëpi, truall, tokë etj.); akt blerjeje, marrëveshje (kontratë) blerjeje. U nënshkrua (u noterizua) aktblerja. Mora aktblerjen e shtëpisë. U pajisa me aktblerje.
ALEÁNC/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT libr. 1. Lidhje miqësore që bëjnë ndërmjet tyre dy a më shumë shtete për qëllime e veprime të përbashkëta politike dhe ushtarake; besëlidhje. Aleancë politike (ushtarake). Aleancë mbrojtëse. Aleancë dypalëshe (trepalëshe). Bën (lidh) aleancë. Hyn në aleancë. Shkëput aleancën.
2. Lidhje e ngushtë politike ndërmjet palësh a grupesh shoqërore mbi bazën e interesave dhe të qëllimeve të përbashkëta. Aleancë luftarake. Aleanca ushtarake ndërmjet disa vendeve. Aleanca e NATO-së. Aleancë bashkëpunimi. U krijua Aleanca bërthamore.
3. Marrëveshje, bashkim ose bashkëpunim mes individëve, grupeve, partive, shteteve apo organizatave për të arritur qëllime të përbashkëta. Dy partitë formuan një aleancë para zgjedhjeve. Aleanca për zhvillim e risimtari. U krijua një aleancë ndërmjet universiteteve shqiptare.
✱Sin.: lidhje, besëlidhje, koalicion.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë