Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ARTÍKU/LL,~LLII m. sh. ~J, ~JT libr. 1. Shkrim me përmbajtje publicistike a shkencore, që trajton një çështje të caktuar dhe që botohet në një gazetë, në një revistë, në një përmbledhje, në një faqe interneti, në blogje ose në mediume të tjera dhe që ka strukturë të qartë (hyrja, tema, përfundimi); tekst që informon, analizon ose shpreh mendime mbi një temë të caktuar. Artikull kryesor. Artikull kritik (shkencor, informativ, publicistik). Artikull analitik. Artikull hulumtues. Artikull udhëzues. Artikull lajmesh. Artikull editorial. Artikull përkujtimor. Artikull gazete. Artikuj politikë. Autori (titulli) i artikullit. Përmbledhje artikujsh. Lexoj një artikull shkencor. Shkruaj (botoj) një artikull. Artikull i mirë (i dobët).
2. gjuh. Ndarje në një fjalor, pjesë e makrostrukturës së fjalorit, që përfshin fjalën titull, shpjegimet dhe të gjitha të dhënat e tjera për të; zë leksikografik, njësi leksikografike, lemë. Artikujt e fjalorit. Artikulli për fjalën. Artikull leksikografik. Radhitje e artikujve. Përzgjedhje e artikujve. Artikuj konceptualë. Artikuj alfabetikë. Hartimi i artikujve.
3. drejt. Pjesë ose nen i veçantë brenda një ligji, një akti ose një kushtetute; njësi që përmban dispozita, rregulla ose udhëzime që përcaktojnë një çështje specifike ligjore në një dokument juridik. Artikulli i parë i ligjit. Artikull ligjor. Artikulli i Kodit Penal. Artikujt e Kushtetutës. Artikujt e rregullores.
✱Sin.: shkrim, ese, kronikë, trajtesë, analizë, shqyrtim, nyjë, pjesëz, nen, pikë, klauzolë, akt, dispozitë, rregull, udhëzim.
►BË/HEM jovep., ~RA (u), ~RË 1. vetv. Ndryshoj përbërjen, përmasat, trajtën etj., kaloj në një gjendje tjetër; filloj të jem...; edhe fig. kthehem, shndërrohem; fitoj cilësi a tipare të tjera, jetoj e veproj si i tillë; kund. zhbëhet. Bëhet i butë (i fortë, i lehtë, i lëmuar). Bëhet i bardhë (i zi, i kuq). Bëhet i ëmbël (i hidhur, i kripur). Bëhet i gjatë (i madh, i hollë, i gjerë). Bëhem i mirë (i urtë, i zellshëm, i shkathët, i bukur). U bë i pasur (i varfër). U bë i njohur (i famshëm, i fortë). U bë trim (hero). U bë i mërzitshëm (rrugaç). U bë budalla (qesharak). U bë qull. Bëhet akull. U bë një metër. Bëhet palë. U bë copë-copë (retra). U bë vrima-vrima (shoshë, shportë). U bë vendi gropë (breg, rrafsh). U bë qumështi hirrë. U bë dhëndër (nuse). U bë nënë. Bëhet shprehi (zakon, ligj, rregull). U bë brumë. U bë lopë (lundër) u shëndosh shumë, u fry. U bë flakë (prush, spec, lulëkuqe) u skuq shumë në fytyrë. U bë lis u rrit shumë nga shtati. Bëhet kështjellë (kala, shkëmb graniti). U bë lolo (qole, palaço, brashnjë, leckë). U bë gogol (bubë). U bë pengesë (gardh, mburojë, barrikadë, prag, shteg). U bë simbol (flamur). U bë shembull. Të bëhet mësim! Bëhem shkak. U bë vegël e dikujt. U bë finjë toka u varfërua. U bë varr për dikë. Iu bë barku daulle (hambar, lodër) iu fry shumë barku. Iu bë qafa palë-palë. M'u bë goja helm (pleh, shkrumb). Iu bë jeta pus (skëterrë, varr). U bëftë gur! (mallk.). Arbri do të bëhet e do të zhbëhet shumë herë, gjersa të mbetet i ngulitur përjetë mbi fytyrë të dheut. Themeli çati s'bëhet. (fj. u.). Të ligut mos ia ushqe fjalën, se bëhesh shok i tij. (fj. u.). Mashë e tjetrit mos u bëj. (fj. u.). Bëhu trim të të dojë gjithë bota. (fj. u.). Njeriut iu bëj njeri, ariut iu bëj ari. (fj. u.).
2. vetv., vet. v. III Rritet dhe piqet, arrihet (për pemët, për perimet); jep prodhim të mbarë, rritet e jep prodhim; vjen. U bë gruri. U bënë shpejt qershitë (fiqtë, manat). U bë rrushi. U bënë bathët (bizelet, kungujt, pjeprat). Nuk u bë misri atë vit. Bostanet janë bërë dhe mund t'i këputim.
3. vetv. Zhvillohem, rritem ose arrij në një gjendje a në një moshë të caktuar; vet. v. III është koha, është e domosdoshme a është e nevojshme për të kryer një veprim me diçka a me dikë ose për të marrë masa; rritet, shkoj, jokal. vete. U bë burrë (plak). M'u bë mjekra. Iu bë djali shok (vëlla) iu rrit i biri e u bë burrë. U bë gruri për të korrur. Iu bë vajza për martesë (për nuse). U bë kali për shalë. U bë djali për shkollë. U bë demi për zgjedhë. U bë buka për të hedhur në furrë. Është bërë dhoma për të fshirë. U bë toka për të mbjellë. Iu bënë flokët për të qethur. Është bërë për t'u rruar. U bëfsh njëqind vjeç! (ur.). Mos u bëftë të bëhet! (mallk.).
4. vetv., vet. v. III Përgatitet; është bërë gati, përfundon, mbaron, kryhet. Po bëhet gjella. U bë dreka (darka). U bë kafeja. U bë shtëpia. Detyra u bë. Bëhem gati përgatitem. Gur, gur bëhet mur. (fj. u.) S'bëhet vreshti me urata, po me shata e me lopata. ( fj. u.). Punën, po s'e bëre, s'bëhet. (fj.u.).
5. edhe fig., vetv., vet. v. III Formohet, krijohet, ngrihet; më shfaqet diçka në trup etj.; më del, më kthehet në diçka, më shndërrohet; mblidhet, ngrihet. U bë një vrimë e madhe. U bë rrugë (shteg). U bë një vijë. U bë gropë. Iu bë koka me xhunga. Iu bënë buzët me plagë. Iu bë fytyra me puçrra. M'u bënë duart me kallo. Iu bë një gungë (një plagë). Iu bë lëkura pulla-pulla.
6. vetv., vet. v. III Ndodh, ngjan, zhvillohet, mbahet; veprohet në një mënyrë të caktuar. U bë një mbledhje. Ndeshja nuk u bë. Sot nuk u bë mësim. U bë dasmë e madhe. U bë konferenca (kongresi). U bë një demonstratë (një grevë, një manifestim). Bëhet një parakalim (një paradë). Gjyqi u bë. U bë luftë (kasaphanë). - Ç'u bë me të? - Si i bëhet? - Ç'po bëhet aty? - Edhe kjo do të bëhet!
7. fig., vetv. Vij në gjendje shpirtërore a shëndetësore të caktuar. U bë i lumtur (i pakënaqur). U bë me inat (me qejf). U bë helm (vrer, pikë e vrer). Bëhem merak merakosem, shqetësohem. Bëhem shend e verë. U bë keq u sëmur rëndë. U bë më mirë u përmirësua nga shëndeti.
8. vetv., vet. v. III Kthehet në pronë të dikujt, i përket, i takon; vlen si..., kthehet. Arti është bërë i të gjithëve. U bë qëllimi i jetës së tij. Disa pyje u bënë pronë private.
9. vetv. Fitoj një profesion, një mjeshtëri etj.; marr një gradë a një titull; caktohem, dal, emërohem në një punë a zgjidhem në një organ; marr përsipër një detyrë, kryej detyrën e... U bë mekanik (tornitor, traktorist, minator, mësues). U bë shkrimtar (piktor, muzikant). U bë mjek (inxhinier). U bë Artist i Popullit (Nderi i Kombit). U bë kryetar (drejtor, deputet). U bë dëshmitar (dorëzënës).
10. vetv. Merrem vesh a lidhem me dikë për një punë, hyj në marrëdhënie a në lidhje me të; pajtohem në mendime me dikë; bashkohem, shkoj me dikë, afrohem shumë. Bëhemi miq (shokë, krushq). U bë aleat. Bëhem me të. U bë kundër dikujt. Bëhem i shtëpisë familjarizohem. Nuk bëhen midis tyre nuk kanë marrëdhënie të mira, nuk japin e marrin, nuk hyjnë e dalin.
11. vetv. Lyhem me diçka; fëlliqem, përlyhem, ndotem, ndyhem, ndragem. Bëhem me shkumë. Bëhej me pudër (me të kuq). U bë me baltë (me pluhur, me bojë). U bë me njolla. U bënë me gjak.
12. vetv., bised. Pajisem me diçka që më mungonte; më shtohet në familje dikush që më mungonte; gjej për vete diçka, sigurohem. U bë me shtëpi. U bë me dru për dimër. U bë me orë (me biçikletë). U bë me nuse (me grua). U bë me djalë (me çupë, me fëmijë). U bë me nip (me mbesë). U bë me prindër (me baba, me nënë). U bë me vëlla (me motër). U bë me shokë.
13. vetv., vet. v. III Kalon një kohë e caktuar, mbushet një afat; arrin, është. U bënë dhjetë vjet. U bë viti (moti). Po bëhen tre muaj. U bënë tri orë. U bënë dy vjet. U bë ca kohë që... - Sa ditë u bënë? U bë një jetë e tërë. U bënë ditët. U bë koha për t'u nisur. U bë vonë.
14. mospërf., vetv., kryes. v. III Nuk është i asaj moshe a i asaj shkalle ose nuk ka atë vlerë që të krahasohet me mua; nuk është i denjë për t'u barazuar me dikë, nuk meriton të përfillet. - U bë dhe ai... - U bëtë dhe ju... - U bëre dhe ti... - U bë dhe koka e tij! - U bë veza të mësojë pulën! (iron.).
15. vetv., bised. Hiqem, mbahem si...; shtirem, shitem. Bëhej për i ditur (për i zgjuar). Bëhej për budalla (si i paditur). U bë i sëmurë (si i vdekur).
16. vetv., edhe njëvet. E shoh a e vlerësoj sipas përshtypjes sime; më duket, më del, më shfaqet, më ngjan si..., shihet, vjen. Më bëhet sikur... Më bëhet në ëndërr. M'u bë si im vëlla. M'u bë fytyra e nënës para syve. M’u bë siç e kisha përfytyruar.
17. vetv., fig., bised. Më del emri për diçka të keqe, fitoj nam të keq; më ngjitet diçka, krijohet mendim i keq rreth meje. U bë me fjalë (me llafe). U bë me njollë (me cen).
18. vetv., kryes. sh., bised. Arrijmë një sasi të caktuar, jemi (si numër); bashkohemi disa vetë, mblidhemi së bashku. Bëhemi tetë veta në shtëpi. U bëmë pesë shokë. U bënë dyqind kokë dele. - Sa thasë bëhen gjithsej? - Sa veta bëhen? Nuk bëhen shumë. U bënë njëqind lekë. Bëhen a s'bëhen dhjetë. Këtu bëhemi shumë nga fshati ynë.
19. bised., vetv. Ndodhem diku; vet. v. III gjendet, është. - Ç'u bëre? - Nga bëhet ai? Se nga bëhet. - Ç'u bënë këpucët? - Ç'm'u bë çadra?
20. bised., vetv. Lëviz, zhvendosem. Bëhu më tutje! Bëhem mënjanë. U përpoq të bëhej pak më larg.
21. bised., vetv., vet. v. III Përbëhet, ka. Fshati bëhej nga dyzet shtëpi.
22. kryes. moh., njëvet. S'kam dëshirë për diçka, nuk më pëlqen, nuk më vjen për mbarë. S'më bëhet të ngrihem. S'më bëhet të iki. S'më bëhet ta shoh. S'më bëhet të lexoj. S'më bëhet ta zë me dorë.
23. vet. v. III Vjen një mot i caktuar; krijohet një gjendje tjetër e kohës ose e mjedisit. U bë ditë (natë). Bëhet mëngjes. U bë vapë (nxehtë, zagushi, ftohtë, fresk). U bë thatësirë (lagështi). U bë mjegull. U bë errësirë (dritë). U bë qetësi (rrëmujë).
24. euf., vetv., vet. v. III Ndiqet, ethet, mbarset. Lopa bëhet.
25. vet. v. III sipas kuptimeve të foljes BËJ. S'ka si bëhet. Sipas vendit bëhet kuvendi. (fj. u.).
26. pës. e BËJ.
✱Sin.: afrohem, arrihet, arrin, bashkohem, caktohem, dal, emërohem, fëlliqem, gjendet, është, hiqem, ka, krijohet, kryhet, kthehem, lëviz, lidhem, lyhem, mbahem, mbaron, mblidhet, mbushet, ndodh, ndodhem, ndotem, ndyhem, ndragem, ngrihet, ngjet (ngjan), pajisem, përbëhet, përgatitet, përfundon, përlyhem, piqet, rritem, sigurohem, shitem, shkoj, shndërrohem, shtirem, vete, vjen, zhvendosem, zhvillohet.
♦ U bëra *akull. M’u bë *akrep (dikush). Është bërë për *arapash (dikush). Janë bërë *ashra. U bë *bajat (dikush). Iu bë *bajgë (dikujt) bised. U bë *bakër (diçka). U bëra *balonë tall. U bë *baltë (dikush). Iu bë *baltë (dikujt). U bë *barut. M’u bë *barrë (dikush). I bëhem *barrierë (dikujt a diçkaje). I bëhem *barrikadë (diçkaje) libr. U bë *batall (diçka). Është bërë *begun (dikush). U bë *behar (dikush). S’bëhet më për *bel (dikush). M’u bë (më ra) *bela (dikush). Të bëhet ç’të bëhet! le të ndodhë çdo gjë, edhe po të vejë puna keq, nuk do ta prish gjakun; tym të bëhet!; tym të dalë! (tymi le t’i dalë!); njëra të bëhet!; (edhe sikur) bota (qielli) të përmbyset!; (sikur) qeni qepën të hajë!; ku rafsha mos u vrafsha!; gjysma e mijës pesëqind!; ja hop, ja top. Mos u bëftë të bëhet! mallk. mos u rrittë a mos jetoftë gjatë! (për njerëz). U bë *bërnut (diçka). U bë *bërsi (dikush a diçka). U bë *bërryl (dikush). U bëra *bic. U bë *bilbil (dikush). U bë *bishë (dikush). U bë *bisht (i dikujt). U bë *bishtajë (diçka/dikush). U bë *blozë (dikush a diçka). U bë *bllok (me dikë) libr. U bë *bojë (dikush). U bë (doli) *bollë (diçka) krahin. U bëra *borë. Që kur është bërë *bota. Është bërë *botë (dikush). U bë *bozë (dikush a diçka) shpërf. Iu bë *brashnjë (dikujt) krahin. U bë *brez (dikush). U bë *brumë. T’u bëftë *brus! ur. U bëra *bunacë krahin. Iu bë *burg (jeta). Bëhem *burrë. U bë *byk (dikush a diçka). U bë *bythë (dikush) keq. vulg. U bëra *calik. U bë *cergë (dikush). I bëhet *cergë (dikujt). U bë *cingaridhe (dikush) krahin. U bë cipal (dikush) krahin. Është bërë *cingël (dikush). U bë *cironkë (dikush). *Copë të bëhet! U bë *cung (dikush). U bë *çeço (dikush). U bë *çengel (dikush). M’u bë *çiban (dikush) keq. M’u bë *çimkë (dikush). U bë *dangall (dikush). U bëra *daulle bised. U bë *def (dikush) keq. U bë *dele (dikush). U bëra *derr. M’u bë *derr (dikush a diçka). U bë *det. U bë *dërrasë (dhogë) (dikush). Jam bërë *diell. T’u bëftë *diell! ur. U bë për *djall (për dreq) (dikush a diçka). U bë për dreq (për *djall) (dikush a diçka). U bë një *dorë (sa një dorë) (dikush). S’bëhet *dorë (dikush). Më është bërë *dregëz (dikush). U bë *dru (dikush a diçka). U bë *dry (dikush). I bëhem *dyshek (dikujt). U bë *dhe (dikush). Është bërë *dhe (dikush) mospërf. Bëhet *dhëndër (dikush). U bë *dërrasë (dhogë) (dikush). U bë dhogë (*dërrasë) (dikush). U bë *erë (dikush). U bë *esëll (dikush). Është bërë *fare (dikush). Më bëhet *fat (diçka). M’u bë *ferrë (dikush) përb. U bë *feta (dikush a diçka). U bë *fërtele (dikush a diçka). U bë *finjë (dikush a diçka). Bëhet *fjalë (për dikë a për diçka). U bëra me *fletë. Bëhem (bie) *fli. U bë *fuçi (dikush). U bë fushë (dikush). U bë *furtunë (dikush). U bë *fyell (dikush). U bë *gangrenë (diçka) libr. Bëhemi *gardh (për diçka). U bë *gërmadhë (dikush a diçka). U bë *gisht (dikush). U bë *gogël (dikush). U bë *gogol (dikush a diçka). U bë *gorricë (dikush) bised. M’u bë *gorricë. U bë *grep (dikush). M’u bë *grep (dikush). U bë (një) *grusht (u bë sa grushti) (dikush). Bëhemi *grusht. U bë *gur (dikush a diçka). U bëfsh *gur! mallk. Është bërë *gjak (diçka a dikush). U bënë *gjak. U bë *gjalmë (dikush a diçka). S’bëhet *i gjallë (dikush). M’u bë *gjemb (diçka). I bëhet *halli (diçkaje). U bë (mori) *hamull (dikush). U bë *han (diku). U bë *haram (dikush). M’u bë *harrje (dikush) përb. M’u bë *havale (dikush a diçka). U bë për *hekura (dikush). U bë *hell (dikush). U bë *hije (dikush). Iu bë *hije (dikujt). U bë *hirrë (diçka). U bë *histori (diçka). U bë *hithërishte (dikush a diçka). Është bërë *hoshafkë (dikush) tall. Është bërë për me *hudhra (dikush). I bëhem *jastëk (dikujt). I bëhem *jorgan (dikujt). U bëra *kacek. U bë *kaçak (dikush). U bë *kaçamak. U bëra *kaçup. U bë *kala (një vend). U bë *kallam (dikush). U bëfsh *kallkan! mallk. U bëra *kallkan. Është bërë *kandil (dikush). U bë *karabojë (dikush). U bë *karroqe (dikush). Bëhem *katërsh. U bëfsh *katund! ur. Iu bë *këpucë (dikujt). M’u bë këpushë (*rriqër) (dikush) përb. U bëfsh *kërcure! mallk. U bëra *kërcu. Është bërë *kërrabë (dikush). Iu bë *kësmet (dikujt) vjet. S’u bë *kiameti! *Kiameti të bëhet! U bë *kockë (diçka). U bënë *kokrra-kokrra. M’u bë *konak (dikush). I bëhem (i dal) *krah (dikujt). U bëra me *krahë. U bëra *kripë. M’u bë (më doli) *kripë (diçka). U bë *labot (dikush) krahin. U bë *lakër (diçka a dikush). U bë *laskar (dikush) krahin. U bë *leckë (rreckë) (dikush). Iu bë *ledh (diçkaje). Është bërë *legen (dikush) përçm. U bë *legjendë (diçka) libr. Iu bë *lepitkë (dikujt). Është bërë *lepur (dikush). U bë *lesë (dikush). U bëra *lesh. U bë *lëmë (diçka). Është bërë *lëmsh (dikush a diçka). U bëfsh *lëmsh! mallk. U bë *lëndinë (diçka). Është bërë për *lëng (dikush). U bë *lëvere (dikush). Jam bërë *limë. U bë litar (*tërkuzë) (diçka). U bë *livadh (dikush). U bë *lojë (dikush). Është bërë *lugë (dikush). U bë *lule (dikush). U bë *lumë (dikush). U bë për *lumë (dikush a diçka). U bë *lundër (dikush). U bë *llucë (dikush). U bë *llum (dikush a diçka). U bë *mashë (e dikujt) keq. M’u bë *mbarë. I bëhet *mburojë (dikujt a diçkaje). U bë *mel (dikush). I është bërë *mendja... Bëhem *merak (për dikë a për diçka). Iu bë *mish (dikujt). M’u bë *molë (dikush). M’u bë *morr (dikush) përb. bised. S’u bë *nami! mospërf. U bë *narden (dikush) keq. U bë *nuse (dikush). M’u bë *njerk (dikush). Bëhem një (*njësh). Është bërë *një (me dikë) keq. Iu bëftë *njëra! (dikujt) mallk. *Njëra të bëhet! Bëhem *njësh (një). Iu bë *ombrellë (dikujt). Iu bë *opingë (dikujt). U bë *paçavure (dikush). M’u bë (më mbeti) *pajë (dikush a diçka). Bëhem *palë (me dikë). U bë *pasqyrë (diçka). U bënë *pastërma keq. Është bërë *pastërma (dikush). U bë *pazar (diku). U bë *pe (dikush a diçka). U bë *pelte (diçka). U bë *pellg (dikush a diçka). Janë bërë *pendë. U bëra *peronë. U bënë *pesë e pesë. U bë *petë (diçka a dikush). U bë *përshesh (diçka). U bë *përrallë (diçka a dikush). U bë *përrua (dikush). U bë (mbeti) *pilaf (dikush) iron. U bë piper (*spec) (dikush). Bëhem *pishman. Jam bërë *pleh. U bë *plumb (dikush). I bëhem *prag (dikujt a diçkaje). U bë *pre (dikush). U bë *pulë (dikush) mospërf. M’u bë *pullë (dikush) përb. Nuk është *punë që bëhet (diçka). U bë *pus. Më bëhet *pus (diçka). Është bërë për *pushkë (dikush). U bë *qengj (dikush). U bë *qime (dikush). U bë *qiqër (dikush). U bë *qiri (dikush). U bë *qojle (dikush) tall. U bë për (në) *qoshe (dikush). U bë *qull (dikush a diçka). U bë *qyqe (dikush). I bëhem *qyrk (dikujt). U bë *re (dikush). U bë *retra (diçka). M’u bë *retër (dikush). U bë rreckë (*leckë) (dikush). M’u bë *rrëfanë (dikush) përb. M’u bë *rriqër (këpushë) (dikush) përb. M’u bë *rrodhe (dikush) përb. U bë *rrogoz (diçka a dikush). U bë *rrugë (udhë) (për diçka). U bë udhë (*rrugë) (për diçka). U bë *rrumbull (dikush). U bëmë *sardele. M’u bë *sebep (diçka). Është bërë *skelet (dikush). U bë *spec (piper) (dikush). U bë *sterrë (dikush). U bë *sukull (dikush) krahin. Bëhet me *sustë (diçka). U bëra *shakull. U bëra për *shami. Është bërë *shirit (dikush). Më bëhet *shirit (diçka). U bëra për *shkalc. U bë *shkarpë (dikush). Më bëhet *shkarpë (diçka). U bë *shkop (dikush). U bë për *shkop (dikush). U bë *shoshë (diçka). U bë *shportë (diçka). I është bërë *shtrat (dikujt a diçkaje) keq. U bë *shuk (dikush). M’u bë *shushunjë (dikush) përb. U bë *tapë (dikush). U bë për *tellall (dikush). U bë *tërkuzë (litar) (diçka). U bë *tjegull (diçka). Është bërë *trëndelinë (dikush). U bë *trokë (diçka a dikush). U bë *trung (dikush). U bë *tufan (dikush). U bë *turrë (dikush). U bë *tym (dikush). *Tym të bëhet! *U tha, u bë (diçka). U bë *theror (dikush). U bë *thëngjill (diçka). Ta bën nën *thua (dikush). U bë *thumb (dikush). U bë udhë (*rrugë) (për diçka). U bë *ujë (dikush). U bë *ujk (dikush). M’u bë *ujk (dikush a diçka). U bë *uthull (dikush). U bë *vaj. U bë *vakëf (diku). Bëhet *varr. U bë *vegël (e dikujt). Iu bë *velenxë (dikujt) keq. Bën *vend ku s’bëhet (dikush). U bëra *verem vjet. U bë *veri (dikush). U bë (doli) më *vete (dikush). U bë *vezë (dikush). U bë për *vig (dikush). Nuk më bëhet *vonë. U bë vozë (*fuçi) (dikush). U bëra *vrer. I është bërë *xanxë (diçka). U bë *xurxull (dikush). Është bërë *xham (diçka). U bë *xhind (dikush). M’u bë *zorrë (dikush) përb. vulg. U bë *zhele (dikush). U bë *zhur (diçka).
DESHIFR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Zbërthej e bëj të lexueshëm një tekst të shkruar me shifra; arrij të kuptoj shifrat dhe përmbajtjen e një teksti të tillë. Deshifron radiogramin. Deshifroi informatat. E deshifroi me shpejtësi.
2. Arrij të lexoj e të kuptoj një tekst të shkruar me një alfabet të panjohur a me shenja të panjohura; e kthej në një gjuhë të njohur një tekst të tillë. Deshifroi hieroglifet. Përpiqen të deshifrojnë mbishkrimet etruske.
3. bised. Arrij të kuptoj diçka të shkruar me një shkrim shumë të keq a të palexueshëm; lexoj një shkrim të keq. Mezi e deshifroi recetën (letrën).
4. fig. Zbërthej e kuptoj diçka të paqartë e të errët, të fshehtë a të ndërlikuar. Mezi i deshifroi fjalët e tij.
DIKT/ÓJII vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Lexoj a them diçka qartë, ngadalë, shkoqur e me zë të lartë, në mënyrë që dëgjuesi të arrijë ta shkruajë ose ta mësojë mirë; lexoj një tekst në klasë fjalë për fjalë, qartë, ngadalë e me zë të lartë, në mënyrë që nxënësit të shkruajnë bukur e pa gabime, të ushtrohen për të përvetësuar drejtshkrimin etj. U diktoi ligjëratën (tekstin, pyetjet). Dikton me zë të lartë.
2. I kërkoj dikujt të bëjë medoemos atë që dua unë, pa marrë parasysh vullnetin ose dëshirën e tij, e detyroj dikë të veprojë si i them unë. I dikton vullnetin. U diktoi kushtet. U diktoi një marrëveshje të pabarabartë. U diktoi afatin. Ua diktojnë rrethanat (kushtet). Ua dikton nevoja.
DÚA vep., DÉSHA, DÁSHUR kal. 1. Kam një ndjenjë dashurie, miqësie e dhembshuri për dikë a për diçka, e dëshiroj me gjithë zemër, është i shtrenjtë a i vyer për mua; kund. urrej. Dua nënën (babanë, vëllanë, motrën, fëmijët). Dua atdheun (popullin, vendin, fshatin, vendlindjen). Dua shokun (mikun). - E dua shumë! S’e do gjëkundi. Duaje atdhenë si shqiponja folenë (fj.u.). Mikun duaje, nderoje, po mos e bëj zot shtëpie (fj.u.). Duaj, të të duan (fj.u.). Për t’i ndryshuar njerëzit, duhet t’i duash (fj.u.).
2. Kam dashuri për një njeri të seksit tjetër, e dashuroj. Do një vajzë. Do një djalë. E donte shumë (si i marrë). E duan njëri-tjetrin. Si më do, të dua (fj.u.).
3. Më pëlqen shumë diçka, ma ka ënda, e kam qejf; më tërheq shumë diçka, kam dëshirë të merrem me të. E do natyrën (detin). E dua punën. E dua shkencën (sportin, muzikën).
4. Dëshiroj të kem diçka që më mungon, për të cilën kam edhe nevojë, dëshiroj të plotësoj një kërkesë timen; kërkoj të kem ose të bëj diçka; kam dëshirë; më pëlqen. Dua punë. Dua pak bukë (pak ujë...). Do muhabet. Dua fjalën dua të flas. Ma do zemra (shpirti) dëshiroj me gjithë zemër (me gjithë shpirt). Ma do qejfi kam qejf, më pëlqen. – Ç’të të dojë zemra. - Kur (si) të më dojë qejfi. - Si të duash. Dua të shkruaj (të lexoj, të këndoj). Dua të ha (të pi). Dua të punoj (të shëtit). Donte të martohej. Dua të pushoj (të çlodhem, të prehem). Dua të njihem. Duan të bashkohen. Duan t'i përçajnë (të mbjellin grindje). Duan të çlirojnë vendin. Dua të di (të gjej, të zbuloj) të vërtetën. Duan të hapin një shkollë. Nuk duan të largohen. - Ku do ta nxjerrësh? Dua të të kujtoj një gjë. - Ç'doni të thoni me këtë? - Çfarë do? - Do e thua ashtu ashtu të pëlqen ty të flasësh. Do të jetojë i lirë. Bëri si deshi. - Ku të duash shko. Kur të duash. Si të duash si të kesh qejf. - Në çdo orë që të doni.
5. I dëshiroj diçka dikujt; i uroj diçka. I dua të mirën. Nuk ia donte të keqen. - Të dua të bëhesh i mbarë!
6. Pranoj me qejf a me dëshirë, dëshiroj. - A doni miq? - Po të doni (në qoftë se doni), mund të vini me ne. Vetë nuk deshi.
7. Kam nevojë të madhe për dikë a për diçka, më lipset, është i domosdoshëm a i nevojshëm për mua; e kërkoj patjetër dikë a diçka. I sëmuri do qetësi. Bima do ajër (dritë). Toka do ujë (pleh). Të lashtat duan shi. Do kujdes të madh (kohë, mundim) kjo punë. - Ç’i do ata! - S’ke ç'e do! Do krahë të fortë kazma. Shkalla e lartë do këmbë të forta. (fj. u.). Shpatullat duan këmbë. (fj. u.). Huanë mos e gëzo; ai që ta dha e do. (fj. u.).
8. Thërres dikë, e ftoj të vijë tek unë; kërkoj të më paraqitet (për një punë, për një çështje etj.). - Të do babai. E donte përgjegjësi (drejtori). - Të donte një shok (një mik...). E duan të vijë këtu (të paraqitet menjëherë).
9. vet. v. III E kërkon patjetër, e lyp medoemos, është në dobi a në të mirë të dikujt a të diçkaje, është në përputhje me diçka. E do puna është për të mirën e punës. E do nevoja është e nevojshme. E do zakoni është në përputhje me zakonin. - Ma do puna jam i detyruar të veproj a të sillem në këtë mënyrë. Si e do radha ashtu si duhet. Si ta dojë rruga si të jetë nevoja, si të jetë më mirë.
10. bised. Më pëlqen, më është bërë shprehi a zakon, jam mësuar që ndaj meje të sillen a të veprojnë në një mënyrë të caktuar, duhet a është e nevojshme të më trajtojnë në një mënyrë të caktuar. E duan me të mirë (me të butë, me të keq). E do me kobure (me revole) kokës (me kërbaç). E do me thumb. E do me mykë kokës.
11. kryes. v. III E ka hak diçka, e meriton, e kërkon vetë. Do më (dajak). Do plumbin ballit. Derri do plumb (fj.u.). Ajo kokë atë feste do ( fj. u.).
12. bised. Kërkoj një shumë a një çmim të caktuar për një mall. - Sa do për një copë? Donte shtrenjtë.
13. Duhet (përpara një pjesoreje), ështe e detyruar për t’u bërë Do bërë (do ndrequr). Do parë. Do pyetur. Do thënë troç.
14. Duhet, është e domosdoshme, është e nevojshme. Do edhe dy javë të dalë dimri. Do edhe ca ditë të piqet rrushi.
✱Sin.: dashuroj, dëshiroj, kërkoj, uroj, pëlqej, meritoj.
♦ *Aq dua! S’ma do *barku (dikë a diçka). E do me *bodec (dikush). Do *bythë (diçka) vulg. Nuk do t’ia dijë. 1. (dikush). Nuk ka frikë fare, nuk trembet, nuk thyhet; nuk i nënshtrohet askujt e asgjëje, nuk pyet për asnjë njeri. 2. (dikush). Nuk merret fare me dikë a me diçka, nuk shqetësohet e nuk interesohet kurrë për të; nuk e çan kokën; nuk e prish gjakun; nuk e prish gjumin; aq i bën (dikujt). 3. (diçka). Nuk prishet, nuk thyhet a nuk griset, i qëndron çdo force shkatërruese, rron shumë. Do *dru (dikush). Dua s’dua pavarësisht nga vullneti im ose nga dëshirat e mia, jam i detyruar të bëj a të pranoj diçka; dashur pa dashur; do të bëhet si vdekja (diçka). S’do *fjalë. E do në *gojë (dikush) keq. S’e deshi *të gjallët (dikush). E do me *hosten (dikush). E do (e ka) me *kërbaç (dikush). S’dua *llafe! S’do *mend. Ma do *mendja. E do në *pjatë (dikush). Ma do *puna. E do *qofte (dikush). Si e do *radha. Si ta dojë *rruga. Ma do shpirti (*zemra) (dikë a diçka). Këtu të dua! në këtë fjalë qendro!, mos e ndërro bisedën!; më ke dalë aty ku dua unë, këtë kam pritur; këtu më rri! E do në *tepsi (dikush). E do me *thumb (dikush).
EDHÉII lidh. 1. Përdoret për të lidhur dy përbërës të të njëjtit lloj në një fjali ose dy fjali të bashkërenditura këpujore a shtuese; e, dhe. Nxënësit edhe mësuesit. Punojmë edhe mësojmë. Lexoj edhe dëgjoj muzikë. Ha edhe flet. Natën edhe ditën.
2. Gjithashtu, ashtu edhe. Si bleta edhe mjalti. (fj. u.). Sipas vendit edhe kuvendi. (fj. u.).
3. Përdoret për të lidhur dy fjalë të së njëjtës klasë (dy emra, dy folje, dy ndajfolje, dy mbiemra etj.) që tregojnë përsëritje ose vijimësi veprimi a gjendjeje, përforcimin e një tipari etj. (në lidhjet me bashkërenditje); e, dhe. Mirë edhe më mirë. Keq edhe më keq.
4. Përdoret e përsëritur për të përforcuar kuptimin e dy mbiemrave, të dy emrave, të dy ndajfoljeve etj., zakonisht me kuptim shtues a kundërshtues; hem... hem. Edhe i aftë, edhe i ndershëm. Edhe sot, edhe nesër. Edhe për të sotmen, edhe për të ardhmen. Edhe për verë, edhe për dimër. Edhe të qorton, edhe të do. Edhe qeros, edhe fodull. (fj. u.). Edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet. (fj. u.).
5. Përdoret e përsëritur përpara emrave, mbiemrave, foljeve etj. që numërohen. I mori të gjithë me vete - edhe djalin, edhe çupat, edhe nënën, edhe gjyshin. Është e domosdoshme edhe të punohet toka thellë, edhe të thërrmohen plisat.
6. Përdoret e përsëritur para së njëjtës folje që gjithashtu përsëritet, për ta paraqitur veprimin a gjendjen si të pasigurt, të pavendosur etj. Edhe vjen, edhe s’vjen. Edhe e bën, edhe s’e bën.
7. Përdoret si pjesë e parë e shprehjeve lidhëzore lejore në fjali që tregojnë se diçka do të ndodhë, megjithëse ka rrethana penguese (edhe në qoftë se..., edhe po qe se..., edhe në..., edhe sikur..., edhe pse..., edhe sepse...). Tani nuk ka vlerë edhe në qoftë se vjen.
8. si kallëzues., mat. Shtojmë (kur mbledhim dy numra). Dhjetë edhe dy. Katër edhe katër bëjnë tetë.
9. si em. f. ~, ~JA f. sh. ~, ~TË bised., mat. Shenja e mbledhjes (+); plus.
✱Sin.: e, dhe, gjithashtu.
EKSTRÁKT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. kim. Lëndë që nxirret nga bimët, nga kafshët etj. me anë të proceseve kimike a fizike. Ekstrakt i lëngshëm. Ekstrakt alkooli. Ekstrakt uthulle. Fabrika e ekstraktit.
2. libr. Pjesë që nxirret nga një tekst i shkruar dhe që pasqyron thelbin e tij. Nxjerr një ekstrakt. Lexoj disa ekstrakte. Mund të duket si një ekstrakt nga leksionet. Një ekstrakt nga regjistri familjar.
FILOZOFÍ,~A f. 1. Shkenca e mendimit dhe e njohjes, që merret me parimet themelore të ekzistencës, të dijes, të moralit, të mendjes dhe të gjuhës. Filozofia idealiste. Filozofia antike.
2. Tërësia e parimeve metodologjike, mbi të cilat bazohet një shkencë; doktrinë filozofike. Filozofia e së drejtës drejtim në kuadër të filozofisë dhe së drejtës, ku studiohen çështje themelore të së drejtës. Filozofia e Kantit (e Hegelit).
3. bised. Lëndë mësimore që jep njohuritë themelore të kësaj shkence në shkollë; teksti që përmban këto njohuri. Programi i filozofisë. Lexoj tekstin e filozofisë. Dha provimin në filozofi.
4. bised. Tërësi pikëpamjesh a bindjesh që ka dikush për diçka. Kishte një filozofi të vetën për jetën.
5. sh. ~RA, ~RAT bised., iron. Fjalë e arsyetime të ndërlikuara që duken si të mëdha, por që nuk kanë ndonjë vlerë; teori që nuk mbështeten dhe nuk zbatohen në praktikë; teorira. Ishte i njohur për filozofira. Lëri filozofirat!
GAZÉT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Botim i përditshëm ose periodik në shumë kopje, me dy a disa fletë më të mëdha se ato të librave, që përmban lajme a shkrime për politikë, për ekonomi, për kulturë, për sport etj.; një kopje nga ky botim. Gazetë qendrore (lokale). Gazetë e përditshme (e përjavshme). Gazetë shqiptare. Gazetë e huaj. Faqet (shtyllat) e gazetës. Portal gazete. Gazetë online. Titujt e gazetës. Gjuha e gazetës. Redaksia e gazetës. Korrespondentët e gazetës. Shpërndarësi i gazetave. E mori (e ka) gazeta. Blej (lexoj) gazetën. Shkruaj (botoj) në gazetë. Pajtohem në gazetë.
2. bised. Redaksia që nxjerr këtë botim; zyra dhe ndërtesa ku është vendosur kjo redaksi. I shkruaj (i drejtohem) gazetës. Punoj në gazetë. I dërguari i gazetës.
✱Sin.: fletushkë, lëpushkë, paçavure, lëvere, redaksi.
GËLLTÍT (GËLLTÍS) vep., ~A, ~UR kal. 1. Kaloj nga goja në stomak (ujë, një ushqim etj.); përcjell, kapërdij. Gëlltit kafshatën (bukën, gjellën, ushqimin). Gëlltit një hape. Gëlltit pështymën. Gëlltit pa e përtypur. Gëlltit menjëherë (me një frymë). S’e gëlltit dot.
2. fig. Duroj pa u ndier a pa kundërshtuar diçka jo të pëlqyeshme (një fyerje, një turp, një dhembje etj.); mbaj përbrenda dhe nuk e lë të shfaqet (një ndjenjë, një mendim). E gëlltiti fyerjen (turpin). E gëlltiti dhembjen (hidhërimin). E gëlltiti zemërimin. I gëlltiti (i kapërdiu) lotët e mbajti të qarët; nuk e shfaqi dëshpërimin a mallëngjimin. E gëlltit fjalën nuk i shpëton asnjë fjalë, hesht.
3. fig., bised. Pushtoj, rrëmbej me forcë diçka; mposht, nënshtroj. Gëlltiti mjaft toka. Gëlltiti një qytet. I forti gëlltiste të dobëtin.
4. fig., bised. (zakonisht me mohim) Nuk e marr diçka për të vërtetë, nuk e ha. Nuk i gëlltiti dokrrat e tij.
5. fig., bised. (zakonisht me mohim) Nuk e duroj të më rrijë pranë a të ketë të bëjë me mua, nuk e pranoj. S’e gëlltit dot atë njeri.
6. fig., bised. Harxhon; thith, përpin. Gëlltiti gjysmën e të ardhurave.
7. fig. Lexoj me etje; dëgjoj me vëmendje të madhe; përpij çdo gjë që lexoj a dëgjoj. I gëlltiste librat. Gëlltiti çdo fjalë.
8. fig. E mbulon, e fut në brendësi; e përpin dhe e zhduk. E gëlltitën valët.
9. fig., bised. I ha (fjalët), i shqiptoj përgjysmë, jo të plota, nuk i them të gjitha. Mos i gëlltit fjalët!
✱Sin.: kapërdij, përcjell, mposht, pushtoj, çoj, shkoj, shtyj, kapërcej, duroj, nënshtroj, ha, lexoj, harxhoj, gllabëroj, shqiptoj.
♦ Ka gëlltitur (ka ngrënë) *okllainë (dikush) tall. Gëlltit pa u përtypur (dikush) nxiton dhe e bën diçka pa u përgatitur si duhet; e pranon diçka pa u menduar mirë, nuk mendon gjatë; nxitohet. Gëlltiti (kapërceu) *pështymën (dikush).
INTERÉS,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Vëmendje e kujdes i veçantë që tregoj për dikë a për diçka që ka rëndësi ose që më pëlqen, interesim; prirje drejt dikujt a diçkaje që na tërheq, dëshirë për t‘u afruar me të, për ta njohur më mirë etj. Interes i veçantë (i përgjithshëm). Interesi i fëmijëve (i nxënësve, i lexuesve). Tregim me interes. Gjë me interes gjë që të tërheq vëmendjen a që meriton vëmendje; gjë me rëndësi. Çështje pa interes çështje që nuk meriton vëmendje e që nuk na tërheq, çështje pa rëndësi. Kam (tregoj) interes për dikë a për diçka. Rritet (shtohet) interesi. Zgjon (ngjall, paraqit) interes. Pres (shoh, lexoj, ndjek) me interes.
2. Ajo që është në dobi të dikujt a të diçkaje, ajo që e kërkon e mira e dikujt a e diçkaje; gjë që të sjell përfitim; e mira, dobia. Interesa jetësorë. Interesat kombëtarë (të përbashkët). Interesi shoqëror. Interesat e atdheut (e shoqërisë). Përfaqësues (shprehës) i interesave të një klase (të një grupi, të një shteti). Ishte në interesin e tij. Kundër interesave të tij. I bashkojnë (i lidhin) interesat. Marr parasysh interesat e dikujt. Prek interesat e dikujt. Vë interesin e përgjithshëm mbi atë vetjak.
3. fin. Pjesa e fitimit që nxirret me një përqindje të caktuar për të hollat që janë vënë në bankë ose që janë dhënë hua, fitim që sigurohet nga një hua a nga një kredi e dhënë; kamatë. Interes i thjeshtë (i përbërë). Interes bankar. Kredi me interes. Hua pa interes. Merr (paguan) interesin.
KARAKTERISTÍK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Të qenët karakteristik a specifik, tërësia e vetive, e veçorive a e tipareve të karakterit të dikujt (nga ana morale e fizike, intelektuale etj.), që e shquajnë atë në dallim nga të tjerët; përcaktimi zyrtar i karakterit të një punonjësi a të një nëpunësi, që shënohet dhe mbahet në zyrën e burimeve njerëzore të një institucioni; veti.
2. Dokumenti zyrtar me këto të dhëna a veçori karakteristike. Karakteristikë individuale për veprimtarinë (për aftësinë) e punonjësve. Shkruaj (bëj, lexoj) karakteristikën e punëtorit (e nëpunësit).
3. Tërësia e veçorive më kryesore dhe dalluese të diçkaje. Karakteristikë kryesore e asaj luleje është ngjyra e bukur dhe aroma.
✱Sin.: veti, veçori, tipar.
KONTRÁT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT drejt., zyrt. 1. Marrëveshje ndërmjet dy palëve, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet me karakter juridik e ligjor; përmbajtja e kësaj marrëveshjeje, ku shënohet zbatimi, afati dhe koha sa zgjat marrëveshja. Kontratë dypalëshe (martesore). Kontratë huaje (pune, qiraje). Kontratë vjetore. Kontratë me (pa) kushte. Bëj (lidh, zbatoj) kontratën.
2. Dokumenti i kësaj marrëveshjeje. Nënshkruaj (shoh, lexoj) kontratën.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë