Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
SAKAVÍC/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT Sëpatë e vogël me bisht të gjatë, që e ka mykën të kthyer si kërrabë për të kapur dhe ulur degët e pemëve. Pret degët me sakavicë. Çan dru me sakavicë.
✱Sin.: sëpatë, sake, sakicë, naxhake, cakorre, çokë, kepore, nagaçe, sakë, latë, latoshe, latore, latushë, balltje, balltuke, qylyke, qafore.
SËPÁT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Vegël dore prej hekuri me teh të mprehtë nga njëra anë, me mykë nga ana tjetër dhe me një vrimë ku futet bishti prej druri, e cila përdoret për të prerë dhe për të çarë dru. Sëpatë e mprehtë. U gjet një sëpatë e lashtë prej guri. E mbante me kujdes presën e sëpatës. E kishte vrarë bishti i sëpatës. Sëpata e druvarit. Mprehte sëpata. Çaj dru me sëpatë. I ra me sëpatë cungut.
2. Vegël e tillë me qafë e me bisht të gjatë, që përdorej si armë lufte dhe për t'u prerë kokat të dënuarve me vdekje. Luftëtar me sëpatë. I druheshin sëpatës së xhelatit.
✱Sin.: sakicë, sakavicë, naxhake, cakorre, çokë, kepore, nagaçe, sakë, latë, latore, latushë, latoshe, balltje, balltuke, qylyke, qafore.
♦ I ra sëpata në *gur (dikujt). Del si *lisi para sëpatës (para sharrës, para farkës) (dikush). Si *lata edhe sëpata keq. E mban sëpatën nën *gunë (dikush). E pret *lisin me një sëpatë (me një të rënë) (dikush). E pret *malin me një sëpatë (me një të rënë) (dikush). Ia preu me sëpatë (dikujt) ia tha hapur, ia tha copë; nuk ia zgjati, nuk i dha mundësi të kundërshtonte a të parashtronte arsyet e veta për diçka; ia preu shkurt e pa mëdyshje; e kundërshtoi prerazi dhe ashpër; nuk i bëri asnjë lëshim; ia preu me thikë (me brisk). Nuk i pret sëpata (dy herë) në një vend (dikujt) nuk thotë të njëjtën gjë dikush, e ndryshon mendimin shpesh; flet kot e pa lidhje, llomotit vend e pa vend. Qan *pylli për sëpatë. (Shkoi, humbi) si sëpata pa bisht (dikush a diçka) humbi krejt dhe kot, shkoi dëm, pa i hyrë në punë askujt; (shkoi) për dhjamë qeni; (shkoi) si qeni në vresht (në rrush) (dikush); (humbi) si pluhuri në erë; e mori ora e ligë (dikë). Me sëpatën e dardharit haptas, drejtpërdrejt e trashë, pa i rënë rrotull, prerazi e vendosmërisht; pa kursyer asnjë dhe asgjë. Me sëpatë të madhe me kërcënime; me dhunë, me forcë. I vuri sëpatën (diçkaje) shih i vuri kosën (diçkaje). E vret mizën me sëpatë (dikush) e tepron në mënyrën a në mjetin që zgjedh për të bërë diçka të vogël; i zmadhon tepër gjërat; gjuan një zog me top. S’i zë sëpata në një vend (dikujt) nuk i qëndron fjalës së dhënë, sillet e flet si t’ia dojë puna; nuk e mban fjalën, nuk është i qëndrueshëm e i besës, e dredh; s’ka lidhje burri (dikush) përb.; (është) mësallë me dy faqe (dikush); e kthen pjatën nga të katër anët (dikush) keq.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë