Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
GJËMÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Zhurmë e fortë dhe e zgjatur, që shoqëron vetëtimën; bubullimë. Gjëmim i fortë. Gjëmim i mbytur. Dëgjohen gjëmime.
2. Krismë e fortë dhe e zgjatur, që i ngjan bubullimës; zhurmë e mbytur dhe e fuqishme, që vjen prej së largu; ushtimë; uturimë. Gjëmimi i topave. Gjëmimi i detit.
✱Sin.: ushtimë, oshtimë, uturimë, buçimë, buçitje, bumbje, gjekëtimë, gjëmë.
HORIZÓNT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. vet. nj. Vijë rrethore më e tejme në hapësirë deri ku arrin vështrimi ynë, e cila duket sikur puqet qielli me tokën a me sipërfaqen e ujërave; pjesë e qiellit që duket mbi këtë vijë. Vija e horizontit. Deri në horizont. Atje tej në horizont. Del në horizont. Nuk duket asnjë re në horizont.
2. vet. nj. Hapësirë e gjerë që mund të rrokë shikimi ynë në një drejtim të caktuar, hapësira sa sheh syri së largu. Horizont i hapur (i gjerë). Anët (pikat) e horizontit. Hapet horizonti.
3. fig., vet. nj. Rrethi i dijeve a i njohurive të dikujt; gjerësia, shkalla a niveli i këtyre dijeve. Horizont shkencor (ideologjik, pedagogjik). Njeri me horizont të gjerë (të ngushtë, të kufizuar). Horizonti i fëmijëve (i nxënësve). Zgjerojnë horizontin.
4. fig., vet. sh. Fushë veprimi a mundësi që hapet në një drejtim të caktuar. Horizonte të gjera (të pakufishme, të hapura). Çelen horizonte të mëdha (të reja).
5. astr., vet. nj. Rreth i madh i përfytyruar, që e ndan hapësirën qiellore përqark Tokës në dy gjysmërruzuj të barabartë, të cilët kanë si pole zenitin dhe nadirin. Horizont i dukshëm (i padukshëm). Horizont i vërtetë.
6. gjeol. Shtresë toke që mban pasuri nëntokësore, ujë etj. dhe që matet sipas lartësisë mbi nivelin e detit. Horizont i ndërmjetshëm. Horizont naftëmbajtës.
7. hidrol. Lartësia që arrin uji në një lumë, në një rezervuar etj. dhe që matet për qëllime të caktuara. Horizont ujëmbajtës. Horizonti i ujit.
✱Sin.: hapësirë, rreth, nivel, lartësi.
MÁJ/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Skaji më i hollë dhe i mprehtë i diçkaje, pjesa e sipërme dhe më e lartë që vjen duke u holluar; thumb. Maja e shpatës (e thikës, e bajonetës, e gjilpërës, e turjelës). Maja e gozhdës. Maja e shkopit. Majë pene pjesa e metaltë e penës për të shkruar. E bëj me majë diçka e mpreh. I bëj majën lapsit e mpreh që të shkruajë.
2. Pjesa e fundit e diçkaje që vjen e zgjatur dhe më e hollë a më e ngushtë; skaji i fundit të diçkaje. Maja e gishtit. Maja e hundës. Maja e gjuhës. Këpucë me maja. Gur me majë. Eci në majë të gishtërinjve.
3. Pjesa më e lartë e një mali, e një druri, e një trupi etj., që vjen më e ngushtë nga pjesa tjetër; pjesa e sipërme e diçkaje. Hipi në majë të malit. Rri në majë të shkëmbit. Mbjell vreshtin në majë të kodrës. Shoh nga maja e kullës (e çatisë). Hipi (u ngjit) në majë të pemës. Maja e kësulës. Nga maja e shkallës vërej bulevardin. Maja e kokës çaçka e kokës. Pa hipur në majë nuk mund të shohësh luginën. (fj. u.).
4. fig., bised. Pika më e mirë ose në niveli më i lartë që arrin diçka, kulmi. Drejt majave më të larta të diturisë. Këto poezi përbëjnë majën më të lartë të artit të tij.
5. fig. Pjesa më e mirë a më e zgjedhur e diçkaje; ajkë. Maja e miellit. Maja e djalërisë.
✱Sin.: thumb, cep, çukë, majoke, majole, majuc, cikol, xip, xipë, kreshtë, puç, shtang, skape, çupejkë, krecë, çyçë, kulm, paskajë, paskaq, paskraq, ajkë.
♦ Bën majë (diçka). 1. Nis të mbijë, sapo ka shpërthyer e po del në sipërfaqe. 2. Sapo fillon të duket së largu; shfaqet a duket tutje. 3. Duket sheshit, shfaqet haptazi. Ia bëj me majë (dikujt) e nderoj, e pres me gjithë të mirat; i bëj hatrin; kund. nuk e vë në shpatull të pulës (dikë). E bëj majë e krye (dikë) e çmoj shumë, ia vlerësoj lart meritat e cilësitë; e lavdëroj; e ngre lart. Më ra maja e gjuhës përdhe u lodha shumë së foluri për të njëjtën gjë; më vajti goja prapa qafës; më vajti (më shkoi) goja (buza) te veshi (prapa veshit); më ra goja; më zuri gjuha (goja) lesh. Ma pruri (ma solli) (shpirtin) në majë të hundës (dikush) më mërziti shumë, sa s’e duroj dot; më inatosi aq shumë sa nuk e përmbaj dot veten; më plasi shpirtin; më plasi buzën; m’u bë gur në opingë. *Breshri e rreh e hunda me majë iron. I doli *huri në majë të kokës (dikujt). Më ka dalë në majë të flokëve (diçka a dikush) më ka mërzitur shumë, s’e duroj dot, nuk e përmbaj dot veten; më plasi buza (me dikë a me diçka); ma solli në majë të hundës; ta pjek peshkun në buzë (dikush); ma poqi buzën (dikush); jam mbushur deri në fyt (me dikë a me diçka). I fërkon majat e gjilpërave (dikush) shih i hedh benzinë (vajgur) zjarrit (hedh benzinë në zjarr) (dikush). (Flet) si *e ëma e Zeqos në majë të thanës (dikush) bised. Fle në majë të dëllinjës (dikush) fle dosido, nuk ka kërkesa, e zë gjumi edhe pa rehati; bën si të ndodhet a si të vijë puna, bën si bën në çdo rrethanë a në çfarëdo kushtesh. *Fund e majë (e krye). Në *fund e në majë (e në krye). *Gjel (këndes, kaposh) në majë të plehut. *Gjilpërë pa majë. Të hedh e të pret në majë të gishtit (dikush) është shumë i shkathët dhe i fortë; duron shumë a qëndron pa u mposhtur, është më i zoti; s’do t’ia dijë, nuk ke ç’i bën; t’i ha arrat; e tredh dashin; t’i shkosh nën krah (dikujt); kund. s’ka këllqe (kërçikë, kryqe) (për diçka). Më ka hipur në majë të kokës (dikush a diçka) më ka mërzitur e më rëndon shumë, mezi po e duroj, nuk e duroj dot më; nuk më përfill fare. (Është) me dy *fara në majë (dikush) mospërf. (Janë) si *gjilpërat majë më majë. Jam në majë të gjembit jam shumë i shqetësuar e në merak të madh për diçka, s’jam i qetë fare deri sa ta zgjidh; jam mbi gjemba. Është në majë të kalit (dikush) shih është (flet) kaluar (dikush). Jam majë më majë (me dikë) nuk shkoj mirë me dikë, zihem e grihem orë e çast, jam në grindje të vazhdueshme me të; i kemi marrëdhëniet shumë të acaruara e nuk i bëjmë lëshime njëri-tjetrit; e kundërshtoj haptas e me guxim; (jemi) si gjilpërat majë më majë; shkoj majë më majë (majë e brisk. (Është, bie) shtatë *hostenë e një në majë (me dikë). (Është) tri në *degë e dy në majë (dikush) iron. (S’të jep) një majë gjilpëre (dikush) nuk të jep asgjësend, është shumë dorështrënguar; s’të jep asnjë thërrime. E ka arsyen në majë të shpatës (dikush) keq. nuk vepron me urtësi e drejtësi, i zgjidh çështjet si do vetë, sepse hiqet si më i fortë se të tjerët; është sherrxhi i madh, grindet e zihet me të tjerë për hiçmosgjë, është i gatshëm të bëjë sherr në çdo rast; e kërkon sherrin me qiri; tërheq buallin për bishti. I kanë (i kanë vënë, i shpunë, i ngritën) gjilpërat majë më majë shkojnë shumë keq njëri me tjetrin, janë shumë të acaruar, zihen e grihen dhe nuk pajtohen, nuk i bëjnë asnjë lëshim e nuk i hapin rrugë njëri-tjetrit; shkojnë majë më majë (majë e brisk); (shkojnë) si macja me miun; (shkojnë) si qeni me macen; shkojnë thikë e brisk; shkojnë gjak e lak. S’ke ku të futësh majën e gjilpërës (diku) shih s’ke ku të hedhësh mollën (diku). E ka hundën në majë të çatisë (dikush) përb. shih e mban hundën në qiell (dikush). I ka (lotët) në majë të syrit (dikush). 1. Qan lehtë, është gati të qajë edhe për gjënë më të vogël. 2. Është shumë i ndjeshëm, preket shpejt; është zemërbutë. 3. Ankohet shumë, qahet për hiçmosgjë; është qaraman. E ka në majë të gjuhës. 1. (dikush). Ta jep përgjigjen menjëherë, ta kthen përgjigjen në çdo rast, aty për aty; është i shkathët nga goja; e ka te buza. 2. (diçka). E përsërit shpesh diçka; s’e ka zor ta thotë a ta kërkojë diçka. 3. v. I. Jam gati ta them diçka, por s’e them dot në këtë çast; e di mirë, por s’më vjen ndërmend tani, nuk më kujtohet aty për aty a nuk më del nga goja; e kam në gojë; më erdhi në dhëmbë. E ka në majë të thoit (diçka) e bën pa vështirësi diçka, e ka fare të lehtë; e përballon pa u munduar fare; e zotëron mirë (një punë, një mjeshtëri); nuk e ka për gjë; e ka bukë e djathë; e ka një kafshatë bukë; e ka gjethe; s’e ka për gajle. E ka mendjen në majë të kësulës (të qeleshes) (dikush). 1. Është mendjelehtë, nuk mendon e nuk gjykon thellë; i ka mendtë në majë të thanës. 2. Mendon gjithnjë për të njëjtën gjë; i rri (i rreh) mendja në një vend (dikujt). I ka mendtë në majë të thanës (dikush) është shumë mendjelehtë e i papjekur; e ka mendjen në majë të kësulës (të qeleshes); nuk i ka mendtë në kokë. Ka tri *qime në majë (dikush) përçm. Ka tri *thërrime në majë (dikush) mospërf. E luan (e sjell) në majë të gishtit (të gishtave) (dikë) e sorollat a e tall si do vetë; ia hedh, ia punon; e vë në lojë; e luan në tel; e luan në litar. Maja e ajsbergut libr. pjesa e dukshme, më e vogël, e diçkaje të keqe a të rrezikshme, pas së cilës fshihet gjithë e keqja. Majë e brisk me inat e i zemëruar, duke e kundërshtuar në çdo çast, pa u frikësuar prej dikujt; dhëmbë për dhëmbë; brisk më brisk. Nga maja e flokut te thonjtë e këmbëve në të gjithë trupin, krejt; i tëri; tërësisht. Në majë të gishtave shumë mirë, duke e njohur plotësisht, duke e ditur ujë; përmendsh. Majë më majëI mbushur plot, sa nuk nxë më (për një enë etj.); buzë më buzë. Majë më majëII duke ia kthyer fjalën dikujt në çast, duke iu përgjigjur aty për aty; flakë për flakë. Majë mielli diçka shumë e mirë ose e zgjedhur. Maja e piramidës libr. grup njerëzish në krye të shtetit, të një partie etj., drejtuesit më të lartë, udhëheqësia; paria. Majë plori shih buzë gjyshi. Majë pa rrëzë gjë e pamundur; diçka që nuk mund të ekzistojë. Mban *draprin në thes e majën jashtë (dikush). (E mbaj) si *zogun në majë të gjembit (dikë). Më mbinë *qepët nga maja (me dikë). Ç’ngre maja e boshtit shumë pak (për ushqime etj.), me kursim, sa për të jetuar; sa për të mbajtur shpirtin; sa për të mbajtur frymën. E nxjerr në majë (diçka) e zgjidh a e përfundoj një punë, e mbaroj, e çoj deri në fund; i jap majë (diçkaje); e nxjerr në krye; ia dal mbanë (diçkaje); i jap rrugë (diçkaje); e nxjerr në dritë. E sjell (e luan) në *majë të gishtit (majë gishtave) (dikë). Shkova në majë të briskut shih shkova në teh të briskut. Shkojnë majë më majë (majë e brisk) shkojnë shumë keq njëri me tjetrin, grinden vazhdimisht; janë majë më majë; i kanë (i kanë vënë) gjilpërat majë më majë; shkojnë thikë e brisk; (shkojnë) si qeni me macen; (shkojnë) si macja me miun. Sheh gjer te maja e hundës (dikush) keq. shih nuk sheh më larg se hunda e vet (përtej hundës së vet) (dikush). Kur të shohë majën e veshit pa pasqyrë (dikush) shih kur të shohë zverkun pa pasqyrë (dikush). (Shpëtoi) për një majë gjilpëre (dikush) shpëtoi për pak gjë; (shpëtoi) për një fije floku; (shpëtoi) për një qime. I vë majën (diçkaje) e çoj deri në fund, e mbaroj; ia vë majën mullarit. S’e vë as në majë të gishtit (dikë) as që mund të krahasohet me mua; nuk hahet dot ai me mua, as që dua t’ia di për të; s’e vë as në gishtin e vogël. E vë në majë të hostenit (dikë) e tall, e qesëndis; e bën fare qesharak; e vë në bisht të lahutës; e vë në lojë. Ia vë majën mullarit e çoj punën deri në fund, e kryej ashtu si duhet; e zgjidh diçka drejt; i vë majën (diçkaje). Vë majat nga thembrat (dikush) iron. shkon andej nga ka ardhur; ia mbath, kthehet e ikë me turp; vë thembrat nga majat; vë ballin nga thembrat. Vë *thembrat nga majat (dikush) iron. Më erdhi (qumështi i nënës, shpirti) në majë të hundës. 1. Jam lodhur shumë, jam rraskapitur; s’mbaj më; më erdhi (shpirti) te hunda; më erdhi (shpirti) në fyt. 2. keq. Jam shumë i mërzitur a i inatosur me dikë a me diçka; nuk e duroj dot më, më është neveritur fare; më hipi (më erdhi) zemra në fyt; më erdhi mëlçia në grykë; më plasi buza; jam mbushur deri në fyt.
PËR pj. 1. Përdoret para një emri a mbiemri në rasën emërore a kallëzore për të shprehur një vlerësim (në kuptimin si). Mbahej për i ditur (për trim). E njihte për njeri të mirë. E mbanin për burrë të mençur.
2. Përdoret zakonisht si fjalëz përforcuese me emra asnjanës në rasën rrjedhore, në shprehje ndajfoljore me kuptime të ndryshme. Vjen (për) së shpejti. E pa (për) së largu. E vëzhgonte (për) së afërmi. E mati për së gjati (për së gjeri). E lexoi (për) së dyti. E pa (për) së pari. E ruajti (për) së gjalli. E ktheu (për) së mbari.
3. Përdoret për të ndërtuar paskajoren e foljeve. Shkuan për të punuar. Ishin të vendosur për të luftuar. Kemi të gjitha kushtet për t’u mbrojtur.
►SHFÁQ/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. Bëhem i dukshëm para të tjerëve, dal, dukem; kund. fshihem. U shfaq një ylber. Ai u shfaq në galeri me gruan e re. Përpara syve na u shfaq një luginë e bukur. Ajo u shfaq papritur. Nga m’u shfaqe përpara? Ajo nuk është shfaqur prej kohësh. Në makinë u shfaqën kokat e tyre. U shfaqën me të njëjtat rroba. U shfaq së largu.
2. vetv., vet. v. III Shihen shenjat e para, fillon të veprojë; del në pah, shihet qartë, zbulohet. Sëmundja shfaqet me temperaturë të lartë. U shfaqën kërkesa të reja. U shfaqën simptomat e para të sëmundjes. Shfaqet me tërë forcën e vet. U shfaq edhe mendimi saj. Lufta u shfaq në horizont. U shfaq prirja e saj për art. Disa rryma të reja u shfaqën në letërsi.
3. vetv. Shpërfaqem para të tjerëve, shprehem duke treguar atë që ndiej a mendoj; tregohem, dukem. Shfaqem i pakursyer për diçka. Shfaqem haptazi. Nuk shfaqet ai njeri. Zemra nuk shfaqet. Shfaqem i gëzuar (i mërzitur). U shfaq i emocionuar.
4. vetv., vet. v. III Më bëhet sikur e shikoj (në ëndërr), më fanitet si një vegim. M’u shfaq babai në ëndërr. Nuk më është shfaqur akoma në ëndërr. M’u bë sikur m’u shfaq hija e tij.
5. vetv. Paraqitem para të tjerëve për atë që jam, tregohem. Nuk u shfaq si shoqja e tyre. Nuk u shfaq si e bija.
6. pës. e SHFAQ. U shfaqën disa ide nga klasa e parë. U shfaq drama e re nga trupa e të rinjve. Filmi i ri u shfaq në kinema.
✱Sin.: dal, dukem, gjendem, përfaqem, shpërfaqem, jepem, duket, këndohet, shprehet, pasqyrohet, buthtohem, tregohem, rrëfehem, shihet, zbulohet, kuptohet, këndohet, krijohet, përshenjet, përftohet, sajohet, paraqitet, fanitet, përhihet, shpifet.
►SHÍHEM jovep. PÁSHË (u), PÁRË 1. vetv. Shoh veten të pasqyruar diku; shikohem. Shihem në pasqyrë.
2. vetv. Shoh dikë dhe ai me sheh mua. U panë sy ndër sy. U panë vëngër.
3. vetv. Takoj dikë, gjendem bashkë me të. S'jemi parë që në verë. Kur do të shihemi prapë? U pafshim shëndoshë (me të mira) ur.
4. bised., vetv. Vizitohem te një mjek. Është parë në shumë doktorë. U pa te mjeku i syve.
5. vet. v. III Vete diku; shfaqet, del në shesh, duket. S'janë parë më këtej. Është parë në Fier. Po shihen frytet e para të kësaj lëvizjeje.
6. vetv., vet. v. III Merret vesh, kuptohet qartë; merr fund, përfundon (zakonisht jo ashtu si e pritnim). U pa që s'ka për të rënë shi. U pa dhe kjo punë. U pa që s'nisemi dot sot.
7. bised., vetv., vet. v. III, kr. thj. (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Më duket, më bëhet, kam përshtypjen se është kështu a ashtu. M'u pa i sëmurë. Iu pa më e madhe. M'u pa i mërzitur. Na u panë të gëzuar.
8. pës. e SHOH. Ky dimër s'është parë. Shihet e nevojshme. Së largu nuk shihet.
✱Sin.: shikohem, vështrohem, këqyrem; takohem, vizitohem (te mjeku);
♦Jam parë *hënabrenda (me dikë). Jam parë *hënajashtë (me dikë). Jam parë *hënaprapë (me dikë). U pa *puna.
SHKËNDIJ/ÓN vep., ~ÓI, ~ÚAR jokal. 1. Lëshon shkëndija. Shkëndijojnë urët e zjarrit.
2. Lëshon një dritë të fortë a të qartë. Shkëndijon dielli. Shkëndijon shpata. Shkëndijonin yjet që nga larg.
3. fig. Ndriçon si një shkëndijë, reflekton si shkëndijë; vezullon. Shkëndijonin zjarret së largu. Qyteti shkëndijonte me mijëra dritëza. Diamanti shkëndijonte në gishtin e saj. Shkëndijonte e kuqja e fustanit të saj.
4. fig., libr. Vezullon një ndjenjë e brendshme si një dritë; shkëlqen. I shkëndijonin sytë. Sytë e saj shkëndijonin si yje. Shkëndijon si vetëtimë.
✱Sin.: vezullon, shkëndit, çikërron, cikërron, përshkënditet, xixëllon, ndrit.
SHQÚAJ vep., SHQÓVA, SHQÚAR kal. 1. Dalloj dikë a diçka me sy, e vë re, e gjej me sy (zakonisht prej së largu); e dalloj nga larg se kush është a ç'është, njoh, shëmbëllej, dalloj dikë a diçka nga dikush a nga diçka tjetër. Mezi e shquam së largu. S'ia shquante dot fytyrën nga errësira. Nuk i shquaj shkronjat pa syze. E shquaj nga të tjerët. Nuk e shquan dot pazinë nga spinaqi.
2. vet. v. III E bën që të dallohet, ka si veçori a tipar dallues themelor, shquhet. Rininë tonë e shquan fryma revolucionare. E shquan këmbëngulja dhe zelli në punë.
3. jokal. Dallohem ndër të tjerët nga një veti, aftësi a cilësi e veçantë, dallohem në diçka, shquhem. Vajza e vogël shquan nga të tjerat. Shquan për pastërti. Shquan në mësime. Puna e tij shquan.
4. jokal., vet. v. III Duket, rroket nga syri, dallohet qartë. Atje tej shquante fshati. Në gjoks i shquanin katër shenja sulmuesi.
5. gjuh. E vë një emër të pashquar në trajtën e shquar.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë