Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DJA/LL,~LLI m. sh. ~J, ~JTË 1. fet., mit. Qenie e mbinatyrshme, e përfytyruar zakonisht si një njeri me brirë, me thundra e me bisht; mishërimi i së keqes dhe i ngasjes për punë të liga; shpirti i keq, e keqja, e liga; dreqi; kund. shenjt. I trembnin me djallin. Djalli s’ka dele dhe shet lesh thuhet për dikë që është shumë i djallëzuar. Djalli e solli, nëma e mori. (fj. u.). Djalli (dreqi) nuk është aq i zi sa e bëjnë (sa duket). (fj. u.). Të ligun s’e nget as djalli. (fj. u). Të lë djalli të bësh pashkë. (fj. u).
2. fig., bised., keq. Njeri dinak, shpirtkeq e smirëzi; njeri i prapë, i prirur për prapësira, dikush që e ka dreqin (djallin, të paudhin) në bark; dreq. Është djall. S’të ndihmon ai djall. Të gjithë djajtë ngjajnë. (fj. u.).
3. bised., edhe përk. Njeri shumë i zgjuar e i shkathët, njeri që i punon mendja për shumë gjëra e di të gjejë zgjidhje edhe në gjendje të vështira; njeri që di të përfitojë në çdo rast e rrethanë; dreq. Ishte djalli vetë. Është i mirë, djalli! I vjen ndoresh për të gjitha djallit. - Ç’je një djall ti!
4. bised. (me përemrin pyetës ç’ dhe me ndajfoljet pyetëse si?, ku?) Përdoret për të përforcuar shprehjen e pakënaqësisë, të mërzitjes, të zemërimit etj. - Ç’djall kërkon? - Ç’djall e pruri? (e solli?) ku e gjeti kohën tani që erdhi? - Ç’djall e shtyu të rrinte (të shkonte, ta bënte, të fliste...)?
✱Sin.: shejtan, dreq, demon, i mallkuar, qoftëlarg, largnesh, largkëtej, lanet, i paudhë, i paqenë, i papjesë, i paemër, mospastëpjesë, i padukur, i pagojë, plotgojë, hajujk, punëkeq, tartakut, brijanac.
♦ *Avokat i djallit. U bë për djall (për dreq) (dikush a diçka) u bë keq e më keq; u prish fare, u djallos; u bë për lumë. E çoi në djall (në dreq) keq. bised. 1. (diçka). E flaku tej, se nuk vlente a s’mund të përdorej më. 2. (dikë). E dërgoi shumë larg dikë, e dërgoi në një vend ku njeriu vuan e heq; e çoi prapa diellit. S’i di djalli (dreqi) përrenjtë iron. thuhet për dikë që përpiqet të shtiret sikur nuk di gjë për diçka. Djalli (dreqi) me të birin bised. të gjithë pa dallim, edhe ata që s’duhen; të mirë e të ligj. Djall (dreq, shejtan) me brirë njeri kokëfortë; njeri shumë i keq e shumë i djallëzuar. Djalli (dreqi) e di (e merr vesh)! bised. s’e kupton askush ç’është a ç’po ndodh, s’merret vesh fare; tartari e merr vesh! Një djall (një dreq) e gjysmë bised. shumë; mjaft shtrenjtë. Ç’djallin (*dreqin) ke? keq. Djall o punë! bised. përdoret si pasthirrmë për të shprehur zemërim, pakënaqësi etj. (Ikën, ruhet) si djalli (si shejtani) nga temjani (dikush) ikën menjëherë e me frikë nga diçka e keqe, largohet shpejt e shpejt i trembur; i ruhet e i shmanget me çdo kusht dikujt a diçkaje, ia ka shumë drojen. *Dredha e djallit keq. I fryn djalli (shejtani) në *vesh (dikujt). I hipën (i kërcyen) djajtë (dreqrit) (dikujt) u zemërua keq, u egërsua shumë, u tërbua nga inati; i hipën (i kërcyen) kacabunjtë. I ka hyrë djalli (dreqi) në bark (dikujt). 1. Është bërë zemërlig, smirëzi e keqdashës; nuk do t’i shohë të tjerët mirë, u dëshiron të keqen të tjerëve; është shumë i djallëzuar; është tërbuar nga inati; ka djallin (dreqin, të paudhin) në bark (dikush). 2. I ka hyrë lakmi e madhe për pasuri etj. I kalli (i futi) djallin (dreqin) (dikujt a diçkaje) bised. e la e nuk e çau më kokën për dikë a për diçka, nuk do t’ia dijë më e nuk pyet fare për të; e braktisi; nuk çau kokën (dikush); i kalli ujkun; i kalli bretkun; i kalli (i futi) murtajën; i kalli (i futi) flamën. Ç’djallin (*dreqin) ke? bised. Ka djallin (dreqin, të paudhin) në bark (dikush) shih i ka hyrë djalli (dreqi) në bark (dikujt). Ka djallin me vete (dikush) keq. është shumë dinak, është i djallëzuar e hileqar; i punon mendja gjithmonë për keq; ka djallin (dreqin, të paudhin) në bark; ka dhelprën në bark; ka shejtanin në bark. E mori (e hëngri) djalli (*dreqi) (dikë a diçka) bised. Të marrtë djalli (dreqi)! mallk. e pësofsh!, shkofsh keq e më keq! E mori (e hëngri) djalli (*dreqi) (dikë a diçka) bised. Më polli djalli (dreqi) bised. më dolën telashe e vështirësi të paparashikuara, më dolën ngatërresa të mëdha; më ndezi; gjeta belanë. Më shtiu djajtë (dreqërit) (dikush) bised. më egërsoi shumë, më zemëroi keq; më tërboi; më ngriti nervat. Shtie (fut) djallin (*shejtanin) në shishe (dikush) shaka. Vajti (shkoi) në djall (në dreq) (dikush) keq. 1. Vajti shumë larg, u zhduk e s’e shohim më; vajti (shkoi) prapa diellit. 2. E pësoi shumë keq; u keqësua fare. 3. (diçka). U prish fare, u shkatërrua sa më s’ndreqet; vajti (shkoi) në dreq. Në djall (në dreq) të vejë (të shkojë)! mallk. prapa diellit vaftë!, mos ia pafsha sytë!; prapa diellit të vejë! Zë dhe djallin për *veshi (dikush).
SATANÁ,~I m., fet. Djall. Është satana. Të ruhemi nga tundimet e satanait. Kush është satanai?
✱Sin.: dreq, shejtan, demon, brijanac, qoftëlarg, i paudhë, i lig, lanet, largkëtej, largnesh, largqoftë, ndjellakeq, hajujk, i mallkuar, i padukur, i paemër, i pagojë, punëkeq, mospastëpjesë, i paqenë, i plotgojë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë