Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►NGRÍ/HEMI jovep., ~TA (u), ~TUR 1. vetv. Çohem në këmbë, merr qëndrimin drejt (për dikë që ishte ulur a kishte rënë përdhe); çohem; kund. ulem, rrëzohem. Ngrihem në këmbë. U ngrit nga vendi (nga karrigia). U ngrit nga toka (nga dyshemeja). U ngrit në mbledhje mori fjalën në një mbledhje, duke u çuar nga vendi. Ngrihem nga tryeza largohem nga tryeza, pranë së cilës isha ulur. Mezi ngrihet nga vendi.
2. vetv. Largohem nga shtrati ose nga vendi ku isha shtrirë për të fjetur, zgjohem; lë shtratin pas një sëmundjeje; çohem; kund. bie. Ngrihem herët (shpejt, vonë). Ngrihem që me natë (pa gdhirë). U ngrit i sëmuri nga shtrati (nga dysheku) nuk dergjet më i sëmurë, u shërua. Ngrihet me gjelat ngrihet shumë herët në mëngjes. Kush fle me qenin (me qentë) ngrihet me pleshta. (fj. u.).
3. vetv. Nis të eci, mëkëmbem (për foshnjat). U ngrit fëmija më këmbë. Është ngritur shumë vonë.
4. vetv., bised. Largohem nga një vend, ku banoja ose ku isha vendosur përkohësisht. U ngritën nga Tirana. U ngrit me gjithë familje.
5. vetv., vet. v. III Shton lartësinë; shkëputet nga toka ose nga një sipërfaqe tjetër dhe ngjitet lart; kund. ulet, zbret. Ngrihen retë. Ngrihen zogjtë. Ngrihet aeroplani (helikopteri, raketa, anija kozmike). Ngrihet nga aerodromi (nga pista).
6. vetv., vet. v. III Shkëputet ngadalë nga një sipërfaqe dhe përhapet në ajër. Ngrihet pluhuri (avulli, mjegulla) nga toka. Ngrihet tymi shtëllunga-shtëllunga.
7. vetv., vet. v. III Shkon më lart nga rrafshi i sipërfaqes, bëhet më i lartë ose më i bymyer; çohet, fryhet. U ngrit toka (vendi). I ngrihej gjoksi. Brumi ngrihet me maja.
8. vetv., vet. v. III Zë një vend duke dalë më lart se sendet e tjera përreth, duket mbi sendet e tjera. Atje tej ngrihet një mal (një kodër, një shkëmb). Anës rrugës ngrihej një përmendore (një lapidar). Ngrihen pallatet shumëkatëshe.
9. vetv., vet. v. III Duket në horizont, si pasojë e rrotullimit të Tokës, çohet, lind, del. Dielli ishte ngritur tashmë në kupë të qiellit.
10. vetv. Drejtoj trupin, pasi kam qenë shtrirë a i përkulur; drejtohet lart diçka që rrinte varur ose ishte e përkulur, merr drejtimin pingul. U ngrit drejt. U ngritën degët pasi i volëm frutat. U ngrit përsëri gruri pas shiut. Më ngrihen flokët (qimet e kokës) përpjetë.
11. vetv. Ngre krye, bëj kryengritje, çohem në luftë; nuk pranoj t’i nënshtrohem më. U ngritëm kundër pushtuesit. U ngrit i gjithë populli. U ngritën i madh e i vogël. U ngritën në revoltë. Një bie, mijëra ngrihen.
12. vetv., vet. v. III I shtohet madhësia, vlera, masa a shkalla, bëhet më i madh, rritet. U ngritën çmimet e frutave. Ngrihet temperatura (shtypja, trysnia). Ngrihet niveli. Ngrihet mirëqenia. Ngrihet në mënyrë të ndjeshme.
13. vetv., vet. v. III I shtohet vrulli ose shkalla e shfaqjes a e zhvillimit, i zmadhohet forca, bëhet më i fuqishëm. Ngrihet ndjeshmëria qytetare. Ngrihet gjendja shpirtërore. Iu ngritën nervat u zemërua, u nevrikos.
14. vetv., vet. v. III I shtohet forca e ndriçimit ose e zërit. Ngrihet drita. Iu ngrit zëri.
15. vetv. Marr një punë a një vend më të lartë se më parë, ngjitem. U ngrit në detyrë (në përgjegjësi). U ngrit lart.
16. vetv., vet. v. III Më rritet vlera ose rëndësia përpara të tjerëve. I është ngritur autoriteti (prestigji).
17. vetv. Fitoj përsëri vendin a gjendjen e mëparshme; përmirësoj gjendjen ekonomike; kund. bie. U ngritën pasi iu rritën fëmijët.
18. vetv., vet. v. III Krijohet, themelohet. U ngrit një grup (një rreth, një organizatë). U ngrit një biznes i ri.
19. vetv., vet. v. III Fillon, nis me forcë. U ngrit një erë e madhe.
20. vetv. E ndërpres a i jap fund një pune, të cilën e kryeja ndenjur. U ngritën nga tryeza (nga buka, nga sofra). U ngrit nga kompjuteri .
21. vetv. Para një foljeje tjetër tregon fillimin e një veprimi a një përpjekje më të madhe për të kryer diçka. U ngrit e vajti (e shkoi). Ngrihet e punon. Ngrihen dhe i flasin shokët.
22. pës. e NGRE. U ngrit flamuri. U ngritën dolli.
✱Sin.: çohem, zgjohem, mëkëmbem, shpërngulem, largohem, ngjitet, bymehet, vjen, grafullon, fryhet, duket, lartësohet, lind, del, rritet, forcohet, fuqizohet, hov, shtohet, hidhem, ngallis, zmadhohet, përmirësohem, krijohet, themelohet, piqem, zhvillohem, hipi, drejtohem, ndehem, brof, mbartem, rritem, madhohet, nis, fillon, bëhet.
♦ U ngrit (doli) nga *balta (dikush). U ngrit nga *dysheku (dikush). Ngrihet (çohet) me një gisht (diçka) është shumë e lehtë, nuk peshon shumë. U ngrit (u çua) në (më) *këmbë (dikush). M’u ngrit *mendja. M’u ngritën (m’u acaruan) *nervat. Ngrihem (çohem) *peshë. I është ngritur *qimja (dikujt). Është ngritur (është ndërtuar, është mbështetur) mbi *rërë (diçka). Më ngrihet *zemra (lart). Më ngrihet (më çohet) zemra *peshë.
PELEGRINÁZH,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Udhëtim në vendet e shenjta që bëjnë pelegrinët; haxhillëk. Pelegrinazhi i myslimanëve. Shkoi për pelegrinazh.
2. fig. Vajtja e një vargu të madh njerëzish në një vend historik, te një përmendore, lapidar etj. për ta parë e për ta nderuar. Vend pelegrinazhi. Pelegrinazhe te monumenti i Pavarësisë (te shtëpia e Adem Jasharit).
PËRKUJTIMÓR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Lajmërim i ngjitur në vende të caktuara, me të cilin të afërmit e një të vdekuri ftojnë botërisht miqtë e dashamirët e tyre që të bëjnë vizita a të mblidhen në familjen e të ndjerit për të nderuar kujtimin e tij me rastin e një përvjetori të vdekjes.
2. Lapidar, pllakë etj. për të nderuar një ngjarje a për të kujtuar një tragjedi, një të rënë etj. Përkujtimorja e paqes në Hiroshima.
3. Përshpirtje për një të vdekur. U bë përkujtimorja dyzetditore. Mungoi (Ishte) te përkujtimorja e të ungjit.
PËRMENDÓR/E,~JAI f. sh. ~E, ~ET 1. Vepër arkitekture ose skulpturë e ngritur në një vend për të përjetësuar kujtimin e një ngjarjeje historike a të një njeriu të shquar, monument. Përmendore madhështore. Përmendorja e Skënderbeut. I ngritën një përmendore.
2. Ndërtim a shkrim me rëndësi të veçantë historike a me vlerë kulturore, që ruhet si dëshmi e së kaluarës së një populli. Përmendore historike. Përmendore e vjetër e shkrimit shqip. Përmendore kulture. Mbishkrimet e përmendoreve.
3. fig. Vepër e shquar e me rëndësi të madhe që kujtohet brez pas brezi; vepër letrare me përmbajtje të thellë e me formë të përsosur. Mbeti përmendore e përjetshme. Poema “Bagëti e bujqësisë” (“Lahuta e Malësisë”) është përmendore e pavdekshme.
✱Sin.: monument, lapidar.
♦ I ngre përmendore (dikujt) libr. e vlerësoj shumë lart dikë, e çmoj, e nderoj dhe e lëvdoj shumë për punët e mira a për veprat e shënuara që ka bërë, i jap lavdi, e bëj të lavdishëm.
SAPOVENDÓSUR (i, e) mb. Që sapo është vendosur, që është vendosur pak kohë më parë. Lapidar i sapovendosur. Kundërshtuan regjimin e sapovendosur. Do të bëhej regjistrimi i popullsisë së sapovendosur.
✱Sin.: i porsavendosur, i posavendosur.
SHAHÍT,~I m. sh. ~Ë, ~ËT vjet. 1. Ai që është në dijeni të drejtpërdrejtë të një fakti (e ka parë, e ka dëgjuar) dhe thirret për të dëshmuar rreth tij, dëshmitar. Kam shahit gjithë fshatin. U thirr shahit. E morën për shahit. I duhej një shahit që e kishte parë vetë ngjarjen.
2. Ai që sakrifikon në mënyrë të vullnetshme jetën, pa marrë parasysh rreziqet, dëshmor. Ra shahit. Emri i shahitit. Shahitëve u kishin bërë një lapidar.
✱Sin.: dëshmitar, dëshmues, dëshmor, martir, veqil.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë