Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ANDRÁG/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT mit. 1. Qenie e mbinatyrshme, e përfytyruar zakonisht si një njeri me brirë, me fuqi të errët që shihet si simbol i së keqes; kafshë e zezë; e ligë, e keqe. E kishte rrokur andraga. Të marrtë andraga. Është vetë andraga.
2. fig. E ligë, e keqe. Çfarë andrage ke?
✱Sin.: djall, dreq, shejtan, lanet, qoftëlarg.
DJA/LL,~LLI m. sh. ~J, ~JTË 1. fet., mit. Qenie e mbinatyrshme, e përfytyruar zakonisht si një njeri me brirë, me thundra e me bisht; mishërimi i së keqes dhe i ngasjes për punë të liga; shpirti i keq, e keqja, e liga; dreqi; kund. shenjt. I trembnin me djallin. Djalli s’ka dele dhe shet lesh thuhet për dikë që është shumë i djallëzuar. Djalli e solli, nëma e mori. (fj. u.). Djalli (dreqi) nuk është aq i zi sa e bëjnë (sa duket). (fj. u.). Të ligun s’e nget as djalli. (fj. u). Të lë djalli të bësh pashkë. (fj. u).
2. fig., bised., keq. Njeri dinak, shpirtkeq e smirëzi; njeri i prapë, i prirur për prapësira, dikush që e ka dreqin (djallin, të paudhin) në bark; dreq. Është djall. S’të ndihmon ai djall. Të gjithë djajtë ngjajnë. (fj. u.).
3. bised., edhe përk. Njeri shumë i zgjuar e i shkathët, njeri që i punon mendja për shumë gjëra e di të gjejë zgjidhje edhe në gjendje të vështira; njeri që di të përfitojë në çdo rast e rrethanë; dreq. Ishte djalli vetë. Është i mirë, djalli! I vjen ndoresh për të gjitha djallit. - Ç’je një djall ti!
4. bised. (me përemrin pyetës ç’ dhe me ndajfoljet pyetëse si?, ku?) Përdoret për të përforcuar shprehjen e pakënaqësisë, të mërzitjes, të zemërimit etj. - Ç’djall kërkon? - Ç’djall e pruri? (e solli?) ku e gjeti kohën tani që erdhi? - Ç’djall e shtyu të rrinte (të shkonte, ta bënte, të fliste...)?
✱Sin.: shejtan, dreq, demon, i mallkuar, qoftëlarg, largnesh, largkëtej, lanet, i paudhë, i paqenë, i papjesë, i paemër, mospastëpjesë, i padukur, i pagojë, plotgojë, hajujk, punëkeq, tartakut, brijanac.
♦ *Avokat i djallit. U bë për djall (për dreq) (dikush a diçka) u bë keq e më keq; u prish fare, u djallos; u bë për lumë. E çoi në djall (në dreq) keq. bised. 1. (diçka). E flaku tej, se nuk vlente a s’mund të përdorej më. 2. (dikë). E dërgoi shumë larg dikë, e dërgoi në një vend ku njeriu vuan e heq; e çoi prapa diellit. S’i di djalli (dreqi) përrenjtë iron. thuhet për dikë që përpiqet të shtiret sikur nuk di gjë për diçka. Djalli (dreqi) me të birin bised. të gjithë pa dallim, edhe ata që s’duhen; të mirë e të ligj. Djall (dreq, shejtan) me brirë njeri kokëfortë; njeri shumë i keq e shumë i djallëzuar. Djalli (dreqi) e di (e merr vesh)! bised. s’e kupton askush ç’është a ç’po ndodh, s’merret vesh fare; tartari e merr vesh! Një djall (një dreq) e gjysmë bised. shumë; mjaft shtrenjtë. Ç’djallin (*dreqin) ke? keq. Djall o punë! bised. përdoret si pasthirrmë për të shprehur zemërim, pakënaqësi etj. (Ikën, ruhet) si djalli (si shejtani) nga temjani (dikush) ikën menjëherë e me frikë nga diçka e keqe, largohet shpejt e shpejt i trembur; i ruhet e i shmanget me çdo kusht dikujt a diçkaje, ia ka shumë drojen. *Dredha e djallit keq. I fryn djalli (shejtani) në *vesh (dikujt). I hipën (i kërcyen) djajtë (dreqrit) (dikujt) u zemërua keq, u egërsua shumë, u tërbua nga inati; i hipën (i kërcyen) kacabunjtë. I ka hyrë djalli (dreqi) në bark (dikujt). 1. Është bërë zemërlig, smirëzi e keqdashës; nuk do t’i shohë të tjerët mirë, u dëshiron të keqen të tjerëve; është shumë i djallëzuar; është tërbuar nga inati; ka djallin (dreqin, të paudhin) në bark (dikush). 2. I ka hyrë lakmi e madhe për pasuri etj. I kalli (i futi) djallin (dreqin) (dikujt a diçkaje) bised. e la e nuk e çau më kokën për dikë a për diçka, nuk do t’ia dijë më e nuk pyet fare për të; e braktisi; nuk çau kokën (dikush); i kalli ujkun; i kalli bretkun; i kalli (i futi) murtajën; i kalli (i futi) flamën. Ç’djallin (*dreqin) ke? bised. Ka djallin (dreqin, të paudhin) në bark (dikush) shih i ka hyrë djalli (dreqi) në bark (dikujt). Ka djallin me vete (dikush) keq. është shumë dinak, është i djallëzuar e hileqar; i punon mendja gjithmonë për keq; ka djallin (dreqin, të paudhin) në bark; ka dhelprën në bark; ka shejtanin në bark. E mori (e hëngri) djalli (*dreqi) (dikë a diçka) bised. Të marrtë djalli (dreqi)! mallk. e pësofsh!, shkofsh keq e më keq! E mori (e hëngri) djalli (*dreqi) (dikë a diçka) bised. Më polli djalli (dreqi) bised. më dolën telashe e vështirësi të paparashikuara, më dolën ngatërresa të mëdha; më ndezi; gjeta belanë. Më shtiu djajtë (dreqërit) (dikush) bised. më egërsoi shumë, më zemëroi keq; më tërboi; më ngriti nervat. Shtie (fut) djallin (*shejtanin) në shishe (dikush) shaka. Vajti (shkoi) në djall (në dreq) (dikush) keq. 1. Vajti shumë larg, u zhduk e s’e shohim më; vajti (shkoi) prapa diellit. 2. E pësoi shumë keq; u keqësua fare. 3. (diçka). U prish fare, u shkatërrua sa më s’ndreqet; vajti (shkoi) në dreq. Në djall (në dreq) të vejë (të shkojë)! mallk. prapa diellit vaftë!, mos ia pafsha sytë!; prapa diellit të vejë! Zë dhe djallin për *veshi (dikush).
SATANÁ,~I m., fet. Djall. Është satana. Të ruhemi nga tundimet e satanait. Kush është satanai?
✱Sin.: dreq, shejtan, demon, brijanac, qoftëlarg, i paudhë, i lig, lanet, largkëtej, largnesh, largqoftë, ndjellakeq, hajujk, i mallkuar, i padukur, i paemër, i pagojë, punëkeq, mospastëpjesë, i paqenë, i plotgojë.
SHEJTÁN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT mit., fet. 1. Qenie e mbinatyrshme, e përfytyruar zakonisht si një njeri me brirë e me bisht, me shputat e këmbëve mbrapsht e me thundra; mishërimi i së keqes dhe i ngasjes për punë të liga, shpirti i së keqes; djalli, dreqi; euf. i paudhi, qoftëlargu, largqofti, laneti, sheleg përroi; kund. shenjt. Lojë e shejtanit. Vrapon si shejtani. Sillet si shejtan. E nguc shejtani. Ka marrë mendjen e shejtanin. Shejtani kur s’ka punë, rreh të birë (fj. u.).
2. fig., thjesht., keq. Njeri dinak e shpirtkeq, njeri i prirë për prapësi e për të ngatërruar të tjerët; djall, dreq. Është një shejtan ai, që... I bënte presion ai shejtan. Është shejtani vetë.
3. thjesht., edhe përk. Njeri shumë i zgjuar e i shkathët, që është i zoti t’ia dalë mbanë në të gjitha rrethanat, njeri që i punon mendja për shumë gjëra e që nuk ia hedh dot askush. Je një shejtan i madh (i vogël ti)! fëmijë trazovaç që s’lë dy gurë bashkë. - Hajde këtu, more shejtan! Gjuhën brisk e kishte shejtani. Iku po u ndier shejtani.
4. bot. (lat. Cuscuta europaea) Barishte helmuese, kuskuta, bari i shejtanit, helmëz, bari i dreqit. Mos e prek shejtanin se të helmon. Shejtani është bimë helmuese. Helmi i shejtanit.
5. si mb. Që është i zgjuar e i shkathët, i zoti. Djalë i zgjuar e shejtan. Shejtan djalë. Më tepër shejtan se budalla.
✱Sin.: djall, dreq, i paudhë, qoftëlarg, largqofti, prefitgjarrugën, gjofterrëfeja, lanet, çapkën, qerrata, kuskutë, helmëz, flokështrigë, beshtë.
♦ Ia bëri *pajë shejtanit (dreqit) (dikë). Ka bërë *shkollën e shejtanit (dikush) keq. I fryn shejtani (djalli) në *vesh (dikujt). I ka hyrë shejtani (*djalli, dreqi, macja, maçoku) në bark (dikujt). Është *i mejdanit dhe i shejtanit (dikush). (Është) si shejtani i përroit (dikush) është shumë i djallëzuar e zemërlig; ta fut gjarprin në gji; t’i mbin hudhrat së prapi. Nuk ia jap shpirtin shejtanit nuk pranoj të bëj punë të rënda ose të lodhem shumë, dua ta ruaj e ta kursej veten; nuk shkatërroj shëndetin për dikë a për diçka që s’e vlen; nuk ia shes shpirtin shejtanit; s’e kam marrë shpirtin me qira. Ka *hise me shejtanin (dikush) keq. E ka shejtanin (djallin, dreqin, macen, maçokun) në *bark (dikush). Ka lindur përpara shejtanit (dikush) keq. është dinak i madh dhe shumë i prapë; ia kalon edhe shejtanit në djallëzi. I ndez *qiri shejtanit (dikush) keq. *Pjellë e shejtanit (e keqe) përb. Shejtan (*djall, dreq) me brirë. Shejtan budalla njeri i zgjuar, por që hiqet sikur s’kupton a sikur s’di, ai që shtiret si budalla e ta hedh. Shejtani as korr e as kopaçit (as mbjell e as korr) thuhet për dikë që nuk punon, po merret me llafe, flet gjithnjë me romuze për të tjerët; njeriu i keq nuk bën kurrë ndonjë punë të dobishme. (Ikën, ruhet) si shejtani (si *djalli) nga temjani (dikush). Ia ka shitur shpirtin shejtanit (dikush) keq. 1. Është njeri i lig, që ka lënë mënjanë çdo parim e normë të moralit, që s’njeh nder e njerëzi. 2. E ka lënë veten të vuajë e të mundohet shumë pa shijuar asnjë gëzim e kënaqësi të jetës. Shtie (fut) shejtanin (djallin) në shishe (dikush) shak. është shumë i shkathët e dinak, ia hedh kujtdo, bën edhe të pamundurën; e fut (e shtie) hostenin në thes; e fut (e shtie) minaren në thes. Theu *këmbën e shejtanit (dikush) shak.
TARTAKÚT,~I m. 1. Sëmundje e rëndë që u bie njëthundrakëve e që shfaqet me të dridhura të mëdha. U ra tartakuti kuajve. E fshiftë (e zëntë, e preftë) tartakuti! (nëmë)
2. përb. Njeri i ulët, njeri i keq, shejtan, lanet. Ik more, tartakut!
3. bised. Të ftohtë i madh që na jep të dridhura. I hyri tartakuti. E preu tartakuti.
4. bised. Frikë e madhe. U hyri tartakuti.
5. mospërf. Dreq, djall. Ç’tartakut ke? Ku tartakutin është? Tartakut qe kjo punë. U kalli tartakutin.
♦ Më hyri tartakuti (dikujt) kam shumë ftohtë, dridhem nga i ftohti. Të marrtë tartakuti! mallk. vdeksh! Na preu tartakuti i kemi keq punët, e kemi pisk, jemi në rrezik. Tartakut me bojë keq e më keq, s’ka ku të vejë ë keq. E zuri tartakuti (dikë) u tremb shumë, po vdes nga frika.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë