Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AKTIVITÉT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprim, aktivizim.
2. vet. nj. Veprimtari; pjesëmarrje e gjallë në një veprimtari. Aktivitet politik (shtetëror). Aktivitet letrar (shoqëror, patriotik). Aktivitet i gjallë. Jetë plot aktivitet. Aktiviteti i tyre s’ndalet. Aktivitetet pranverore. Aktivitet intelektual. Aktivitet publik. Aktivitet kulturor (sportiv). Hidhem në aktivitet. Organizoj një aktivitet. Marr pjesë në aktivitet.
3. Formë masive e veprimtarisë në një fushë. Aktivitet kulturor (artistik, sportiv). Aktivitete shkollore (jashtëshkollore). Aktivitet edukativ. Organizoj aktivitete rinore. Marr pjesë në aktivitete.
4. Degë që kryen një lloj të caktuar veprimtarie ekonomike. Aktivitet bankar. Aktivitet ekonomik. Aktivitete ndihmëse. Aktivitet humanitar.
5. spec. Veprim i një force të natyrës etj.; veprimtari, punë e një organi të trupit etj. Aktivitet i zemrës (i trurit, i veshkës etj.). Aktivitet mendor. Aktivitet kimik (radioaktiv). Aktiviteti i izotopeve. Aktiviteti i diellit. Aktiviteti i ujit mjedisor. Koeficient i aktivitetit.
✱Sin.: veprimtari, veprim, proces, punë, gjallëri, lëvizshmëri, zell.
HIPERAKTIVITÉT,~I m. 1. libr. Të qenët hiperaktiv; gjendje ose karakteristik e të qenit jashtëzakonisht aktiv..
2. psikol., mjek. Çrregullim neuro-zhvillimor i zakonshëm i fëmijërisë, që shfaqet me nivel të lartë aktiviteti fizik, mendor, që shpesh shoqërohet me vështirësi për qetësim, lëvizshmëri e tepruar dhe vëmendje e shpërqendruar. Shkaqet e hiperaktivitetit. Menaxhimi i hiperaktivitetit. Strategjitë për trajtimin e hiperaktivitetit të fëmijëve në shkollë.
MOBILITÉT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Lëvizje e njerëzve nga një vend të tjetrin, lëvizshmëri. Mobiliteti i fuqisë punëtore.
2. Lëvizje e personave nga një institucion i një vendi në institucionin e një vendi tjetër, lëvizshmëri. Program mobiliteti për studentët. Plani i mobilitetit të stafit akademik. Mobilitetet jashtë vendit kanë përfitime në karrierë.
PALËVIZSHMËRÍ,~A f., libr. Të qenët i palëvizshëm; mungesë e lëvizjes dhe e ndryshimit; gjendje e palëvizshme e dikujt a e diçkaje; kund. lëvizshmëri. Palëvizshmëri e plotë (relative). Ruan palëvizshmërinë. Ka probleme me palëvizshmërinë.
✱Sin.: pandryshueshmëri, qëndrueshmëri.
SHKATHTËSÍ,~A f. zakon nj. 1. Të qenët i shkathët e i shpejtë në veprimet e lëvizjet që bën; tipar i atij që është i shkathët, zhdërvjelltësi; kund. ngathtësi. Me shkathtësi të madhe. Shkathtësia e duarve (e mendjes). Shkathtësi profesionale. Tregoi shkathtësi. Vepron (përgjigjet) me shkathtësi. Shkathtësi për jetën. Manovrim me shkathtësi. Shkathtësi digjitale.
2. Lloj aftësie e fituar për të kryer veprimtari të caktuara (që zakonisht lidhen me të shkruarit e të lexuarit), zotësi. Krijoj shprehi e shkathtësi. Shkathtësi në të lexuar.
✱Sin.: zhdërvjelltësi, veleti, mprehtësi, lëvizshmëri, marifet, qerratallëk, djathtësi, aftësi, zotësi.
ZHDËRVJELLËSÍ,~A f. 1. Të qenët i shpejtë, i gjallë dhe i shkathët në lëvizje e në veprime, të qenët i zhdërvjellët; shkathtësi. Zhdërvjelltësia e trupit. Zhdërvjellësia e akrobatit. Ka (fitoi) zhdërvjellësi. Lëviz (përdor) me zhdërvjellësi.
2. fig. Të qenët i zhvilluar e i shkathët nga mendja; aftësia për t'i kapur dhe për t’i zgjidhur gjërat shpejt, për të vepruar me shkathtësi e me lehtësi; shkathtësi. Zhdërvjellësia e mendjes. Zhdërvjellësia në punë. Luan me zhdërvjellësi. Për gjallërimin dhe zhdërvjellësimin e administratës. Zhdërvjellësia e klasës së re politike.
3.Vetia e diçkaje të zhdërvjellët, që është plot gjallëri e ka zhvillim të shpejtë; të qenët i larmishëm e me fuqi të madhe shprehëse. Zhdërvjellësia e gjuhës. Zhdërvjellësia e poezisë. Zhdërvjellësia e melodive popullore.
✱Sin.: zhdërvjellje, gjallëri, shkathtësi, lëvizshmëri, larmishmëri.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë