Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BILBÍL,~II m. sh. ~A, ~AT 1. zool. (lat. Erithacus luscinia; Luscinia megarhynchos; Sylvia luscinia) Zog i vogël shtegtar me pupla të përhime në bark dhe të murrme te krahët, që njihet si këngëtari më i mirë ndër gjithë zogjtë. Zë bilbili. Kënga e bilbilit. Foleja e bilbilit. Fabula e bilbilit dhe e thëllëzës. Këndon si bilbil. O bilbil ta bëra benë, / Në ta gjetsha dot folenë.... (folk.). Nga një thellësirë, ta dëgjova zërin, / Ti ishe bilbil, më dole thëllëzë. (folk.). Fëmija është bilbili i shtëpisë. (fj. u.). Nuk këndon bilbili kur i vë galën (sorrën) pranë (në kuvli). (fj. u.). Bilbili te kafazi nuk këndon nga qejfi, po nga marazi. (fj. u.). Nuk vishet korbi me pendët e bilbilit. (fj. u.). Kur hyn sorra në trëndafil, i duket vetja bilbil. (fj. u.).
2. zool. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje të këtij zogu. Bilbil kallmishtash (i kallmishtave) (lat. Acrocephalus arundinaceus) një nga zogjtë këngëtarë më të përhapur, që dallohet nga bilbili i zakonshëm për nga gjatësia e trupit dhe mënyra si këndon. Bilbil kënete (i kënetave) (lat. Cettia cetti) zog i vogël këngëtar i viseve me klimë të butë a të ngrohtë. Bilbil uji (i ujit) (lat. Alcedo atthis) shpend me këmbë pa membranë, që kridhet në ujëra të cekëta dhe ecën në fund të tyre për të gjuajtur; bilbil peshkatar.
3. Mjet i vogël me një pip, të cilit i fryjmë për të nxjerrë fërshëllimë. Bilbil druri. Bilbili i gjyqtarit të lojës (i policit, i rojës). Bilbil fëmijësh. Fërshëllima e bilbilit. Lugë me bilbil. I ra (i fryu) bilbilit. - Bjeri bilbilit të mblidhen!
4. fig., poet. Trim; luftëtar. Nëpër shekuj krahëndritur / Trembëdhjetë bilbilat vijnë. (folk.).
♦ U bë bilbil (dikush) u ndreq, u bë si duhet, sillet mirë (për njerëz që nuk kanë qenë të rregullt); u bë lule; u bë nuse. Kur të bëhet laraska bilbil kurrë, asnjëherë; kur të bëhet grerëza bletë; kur të këndojë sorra si bilbili. Bilbil gjyzari figurë e përrallave popullore: bilbil me zë shumë të bukur, që paraqitet sikur bën çudira; fig. këngëtar me zë të bukur. (Është) bilbil nga goja (dikush) flet lirshëm e bukur, është i zoti i gojës; e ka gojën bilbil. Bilbil në kafaz njeri i mirë e i zoti, që i ka të gjitha për të jetuar, por nuk ka liri; është pa liri e pa shpresë. E ka gojën bilbil (dikush) shih është bilbil nga goja (dikush). I ka veshët bilbil (dikush) dëgjon shumë mirë, është i mprehtë nga veshët; i ka veshët pipëz. Më këndojnë bilbilat iron. kam shumë halle a telashe e nuk di ç’të bëj; më zien (më mizëron) koka; më këndojnë dyzet gjela (mbi kokë).
STRE/K,~KU m. sh. ~QE, ~QET Kasolle e vogël dhe e ulët prej dërrasash, prej purtekash etj., ku mbahen shpendët shtëpiakë. Strek i vjetër. Dhelpra kishte hyrë në strek. Pulat dolën një nga një prej strekut. Në fund të oborreve të shtëpive të fshatit ishin streqet.
✱Sin.: kotec, qymez, kaçorre, gjetkëz, flanikth, kumac, strukull, vig, koçek, haur, kasolle, kuvli, stele, strukull, jerevi.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë