Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BISED/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. jokal. Flas me një njeri a me shumë njerëz të tjerë për çështje të jetës së përditshme ose të punës, kuvendoj. Biseduan gjatë (shkurt, shtruar). Bisedoi haptas (fshehurazi). Bisedoj me shokun. Biseduan kokë më kokë (sy për sy, me zë të ulët).
2. kal. Rrah mendimet me dikë për një çështje, flas me një tjetër a me të tjerë për diçka, shqyrtoj. Bisedoj një çështje (një punë). Biseduam gjerë e gjatë. Do ta bisedojmë edhe një herë më mirë.
✱Sin.: flas, fjalos, fjalosem, fjaloj, kuvendoj, shqyrtoj, trajtoj, rrah, llafos, llafosem.
FLAS vep., FÓLA, FÓLUR 1. jokal. Nxjerr me anë të organeve të të folurit tinguj të artikuluar dhe formoj fjalë e fjali për të shprehur e për të kumtuar mendimet, shqiptoj fjalë; kam aftësinë natyrore për të shqiptuar fjalë; i shqiptoj tingujt e fjalët në një mënyrë të caktuar; shprehem në një gjuhë të caktuar, zotëroj një gjuhë. Flas shqip. Flet anglisht (frëngjisht, turqisht). Flet me zë të ulët (me zë të lartë). Flet qartë. Nuk di (nuk ka filluar) të flasë.
2. jokal. Shpreh me fjalë një mendim, një gjykim etj.; i drejtohem dikujt me fjalë; them; zë në gojë, përmend. Flas të drejtën (të vërtetën). Flet fjalë me vend. Flet gënjeshtra. Flet qartë (mirë, keq, kot, hapur, përçart). Flet shumë. Flet rrjedhshëm. Flet pa gabime. Flas me bindje. Flas me shaka. Foli me zemërim. Flet me vete. Flet nëpër dhëmbë. Mos e fol atë fjalë! Çfarë flet ashtu?
3. jokal. Marr fjalën në një mbledhje, mbaj një fjalim para disa njerëzve; zhvilloj një temë, trajtoj a shtjelloj diçka; shpreh para të tjerëve pikëpamjet e mia ose diskutoj për diçka. Flas në mbledhje (në konferencë). Flas në radio (në televizion). Na foli gjatë. Foli pa letër.
4. jokal. Hyj në bisedë me dikë, bisedoj me dikë për një çështje. Foli me shokët. Flas me telefon. Folën për të gjitha çështjet. Kemi shumë për të folur.
5. jokal. Bisedoj me të tjerët gojë më gojë për dikë a për diçka, marr nëpër gojë. Flet bota. Për këtë flisnin të gjithë. Për të flet tërë fshati.
6. jokal., bised. Bëj fjalë, grindem a zihem me dikë, përflitem. Folën e u përfolën.
7. jokal. Tregoj a shpreh me shkrim, bëj fjalë për diçka. Artikulli flet për çështje me rëndësi.
8. jokal., vet. v. III, fig. Shpreh a shfaq diçka pa fjalë, me shenja, me lëvizje; provon; dëshmon; tregon. Flisnin sytë e saj. Vështrimi (qëndrimi) i tij fliste më shumë. Flasin faktet.
9. kal., bised. Shqiptoj, shpreh me fjalë. Fëmija foli fjalën e parë. Foli fjalë me vend. Flas të drejtën.
10. kal., bised. I bëj zë dikujt, e thërras; ftoj. Foli djalit! I flas në emër. Foli të vijë!
11. kal., bised. Ngushëlloj dike në rast vdekjeje. Shkova për t’i folur.
12. kal. I pëshpërit diçka në vesh dikujt; e nxit, e shtyj kundër dikujt. I flisnin të tjerët.
13. jokal. Tregoj a shpreh me shkrim, bëj fjalë për diçka. Autori flet për çështje të rëndësishme.
14. Di të përdor; zotëroj. Flet disa gjuhë.
15. Këshilloj; qortoj me fjalë; i bëj zë; thërras; ftoj. Do t’i flas unë. Mjaft i fole djalit. I foli në emër. Më foli për darkë.
16. Pëshpërit në vesh (diçka dikujt); e nxit, e shtyj (dikë) kundër dikujt. I flisnin të tjerët në vesh.
✱Sin.: shqiptoj, fjalos, fjaloj, fjalëtoj, llafos, them, shpreh, bëzaj, bisedoj, kuvendoj, qortoj, thërres, thërras, ngushëlloj, pëshpërit, tregoj, dëshmoj, vendos.
♦ Flas pa perde flas hapur, pa rezerva. I flas derës të dëgjojë qilari. I bie pragut të dëgjojë dera. E bëj të flasë me *vete (dikë). Flasim gjuhë të ndryshme nuk merremi vesh. Flasim me nge. Flasim shtruar. Flet me *bark (dikush). Flet në *erë (dikush). Flet në *hava (dikush). Të foltë (të këndoftë) *hoxha! mallk. Flet *imët (dikush). Flet (është) *kaluar (dikush). Flet pa *kapistër (dikush). Flet (është) pa *leqe (dikush). Kur të flasin *lopët iron. Flet në *mulli (dikush). I flet *murit. Fol o gur, fol o mur. Fol me *murin! keq. Flas *ndryshe (me dikë). Flet si pasnesër flet kot, pa përgjegjësi. Flet *përçart (dikush) keq. Të foltë (të këndoftë) *prifti! mallk. (Është) fol e qesh (dikush) është gazmor e i dashur, është shumë i gjallë e i shkueshëm me të gjithë; (është) buzë më buzë. Flet e shflet (dikush) nuk e bën atë që thotë; nuk e mban fjalën; premton kot; e dredh (e përdredh) fjalën. Flet në *tym (dikush). Flet në çdo *udhëkryq (dikush). Vetë flet e vetë dëgjon (dikush) s’e dëgjon asnjëri, nuk ia vë veshin askush; flet kot; është llafazan. Kija inatin dhe foli hakun. Kija matin po hakun mos ia ha. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt sido që të jetë, duhet të themi të vërtetën. Vetë flet, vetë dëgjon s'e dëgjon asnjeri; flet kot.
KUVÉND,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Bisedë e lirë dhe e shtruar që bëhet me dikë, bisedim, bashkëbisedim; fjalë. Kuvend i gjatë. Hyri (ra) në kuvend. Zë (hap, mbyll) kuvendin. Lidh (çel) kuvend. U mblodhën në kuvend. Foli në kuvend. As fjalë, as kuvend. Bëj kuvend kuvendoj, bisedoj. E kemi bërë me kuvend e kemi bërë me fjalë. Lidh kuvendin me dikë lidh fjalën. Sipas vendit bëhet edhe kuvendi. (fj. u.). Gjej vendin e bëj kuvendin. (fj. u.). Mikut i lëshohet vendi dhe i dëgjohet kuvendi. (fj. u.).
2. Mbledhje e gjerë e popullit, ku rrihen e shkëmbehen lirisht mendime për probleme të rëndësishme politike e shoqërore; përmb. të gjithë ata që marrin pjesë në një mbledhje të tillë. U mblodh gjithë fshati në kuvend. Folën e diskutuan gjatë në kuvend.
3. etnogr. Mbledhje ku marrin pjesë burra të mençur e të urtë për të shqyrtuar e për të zgjidhur çështje të rëndësishme të krahinës, të fshatit a të fisit të tyre, edhe sipas kanunit; përmb. të gjithë ata që marrin pjesë në këtë mbledhje; pleqësi, këshill, mbledhi. Kuvendi i burrave. Kuvend pajtimesh. Në këto kuvende të pleqnarëve. U mblodh (e vendosi) kuvendi. E shtruan në kuvend. Iu lut kuvendit të pleqve. Normat e kuvendeve të burrave. Në log të kuvendit. U rrit midis kuvendit të burrave. Për kuvend janë burrat me thinja. Kuvendi i parend bahet pa mend! Trimërinë mbas lufte dhe urtësinë mbas kuvendit s’e ha as qeni. (fj. u.).
4. hist. Mbledhje e përfaqësuesve të zgjedhur të shqiptarëve ku diskutohej dhe merreshin vendime për çështje të rëndësishme, veçanërisht për kombin a shtetin; përmbl. të gjithë ata që merrnin pjesë në një mbledhje të tillë. Kuvendi i Lezhës (1444). Kuvendi i Dukagjinit (1602). Kuvendi i Arbërit (1703). Kuvendi i Flamurit të Kurbinit (1906). Kuvendi i Vlorës (1912). Kuvendi i përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit. Thirri kuvendin e quajtur “Besëlidhja e Sinjës”.
5. zyrt. Organi më i lartë ligjvënës i zgjedhur nga populli në Republikën e Shqipërisë dhe në atë të Kosovës, që përbëhet nga një numër i caktuar deputetësh me mandat katërvjeçar; bised., përmb. gjithë deputetët e një legjislature; ndërtesa ku zhvillon punimet ky organ; parlament. Kuvendi i Shqipërisë (i Kosovës). Kuvend shumëpartiak. Kuvendi u mblodh në seancë plenare. Kryetari i Kuvendit. Komisionet e përhershme të Kuvendit. Legjislaturat e Kuvendit. Deputeti më i vjetër i Kuvendit të Shqipërisë (të Kosovës). Betimi i deputetëve të Kuvendit. Lulishtja para Kuvendit.
6. Formë e organizimit të anëtarëve të një partie politike dhe të drejtimit të saj, mënyrë e bashkimit të njerëzve sipas profesioneve etj.; asamble, sindikatë. Kuvendi i nëndegës së partisë. Drejtues i kuvendit themelues të partisë. U mandatua për në kuvendin kombëtar të partisë. Kuvendi i dytë i Sindikatave të Pavarura. Kuvendi i Odës (i Dhomës) së Avokatëve.
7. Veprimtari e gjerë shkencore kushtuar një fushe të caktuar kërkimore-shkencore, ku marrin pjesë dhe paraqitin punimet e tyre studiues dhe specialistë vendas e të huaj; tubim shkencor, simpozium, konferencë, kongres. Kuvend shkencor. Kuvendi i parë (i dytë) i studimeve ilire. Kuvendi ndërkombëtar i studimeve albanologjike. Kuvend mbarëkombëtar. Kuvendi i tretë i studimeve arbëreshe. Në kuvend morën pjesë shumë studiues nga diaspora.
8. fet. Vendi a ndërtesa ku banojnë murgjit e murgeshat e një urdhri katolik; manastir; përmb. njerëzit që banojnë në këtë ndërtesë; përmb. mbledhja që zhvillojnë ata. Kuvendi françeskan (domenikan, karmelitan). Kuvendi i murgeshave. U ndërtuan shumë kuvende. E diskutuan në kuvend. Kuvendi i fretërve në Troshan.
🞺Sin.: bisedim, bashkëbisedim, kuvendim, fjalë, mbledhje, tubim, parlament, asamble, sindikatë, simpozium, konferencë, kongres, manastir.
♦ S’ha kuvend (dikush) nuk flitet dot me të, nuk i dëgjon fjalët e të tjerëve; nuk pranon, nuk bindet; s’ha (s’merr) pykë. S’ka *fjalë e kuvend (për diçka). Është i *gishtit e i kuvendit (dikush). Nuk lidhet (nuk thyhet) në kuvend (dikush) shih të rrëmben fjalën nga goja (dikush). S’rri në kuvend (dikush) nuk e mban fjalën, e ha fjalën e dhënë, e dredh; luan nga fjala. Shtrohem në kuvend (me dikë) pranoj të flas e të merrem vesh me dikë për diçka; pajtohem me të. E shtroj kuvendin (me dikë) flas qetë e me mirëkuptim me dikë dhe arrij të merrem vesh me të; flas shtruar me të. U thyen në kuvend s’u morën vesh me njëri-tjetrin, s’ranë në ujdi; u acaruan; i thartuan fjalët; kund. u shtruan në kuvend. Sipas *vendit bën kuvendin (dikush).
►LIGJËR/ÓHEMI jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR bised., vetv., Flas me dikë, kuvendoj, bisedoj; merrem vesh. - U ligjërua me prindërit (me vëllezërit)!
✱Sin.: flitet, kuvendohet, bisedohet, pleqërohet, shqyrtohet.
LIGJËR/ÓJI vep., ~ÓVA, ~ÚAR jokal. 1. Flas; flas bukur. Ligjëron bukur. Ligjëron shqip. Ligjëronin me zë të ulët. Nuk i ligjëron goja. - Të bëjmë të ligjërosh siç duam ne!
2. kal. Lexoj ose e them përmendsh e bukur një pjesë artistike përpara të tjerëve, recitoj; vjet. lexoj. Ligjëroi një vjershë.
3. Mbaj një ligjëratë a fjalim përpara një grupi të madh dëgjuesish.
4. Shqyrtoj një çështje për të nxjerrë në shesh të drejtën; e kuvendoj, e pleqëroj. E kishte zgjedhur fshati për të ligjëruar.
5. fig., vet. v. III Këndon a cicëron bukur (për disa zogj); shushurin a fëshfërin ëmbël. Ligjëron bilbili (kryeartëza). Ligjëron lumi. Ligjërojnë gjethet (drurët).
✱Sin.: flas, ligjoj, lexoj, bisedoj, shqyrtoj, kuvendoj, pleqëroj, këndon, cicëron, shushurin, fëshfërin.
♦ Më ligjëron shpirti (*zemra). Më ligjëron *zemra (shpirti).
MAJEKRÁHUT [MAJËKRÁHUT] ndajf. Duke komunikuar me zë shumë të lartë, me njërën dorë të mbështetur pas veshit. Thërrasin njëri-tjetrin majëkrahut. Kuvendoj me telefon majekrahut.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë