Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►BLAT/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv., lart. I kushtohem me gjithçka, jepem me mish e me shpirt pas dikujt a pas diçkaje, i përkushtohem. I ishte blatuar nënës. Iu blatua familjes. I blatohej dashurisë. Iu blatua dëshirës. Unë i blatohem këtij shkrimtari.
2. pës. e BLATÓJ.
✱Sin.: kushtohem, përkushtohem, flijohem, sakrifikohem.
►JÉP/EM jovep., DHÁSHË (u), DHË́NË 1. vetv. Më tërheq shumë dikush a diçka, e dua shumë, më rrëmben; i kushtohem me zell një gjëje, kam dëshirë të zjarrtë të merrem me diçka; e lëshoj veten pas diçkaje, më është bërë ves diçka. Jepem pas nënës (pas familjes, pas fëmijëve, pas shoqërisë). Jepem pas punës (pas librave, pas muzikës, pas pikturës, pas sportit...). Është dhënë pas shkencës. Ishte dhënë pas pijes (pas rakisë, pas lojës, pas kumarit, pas qejfeve). Ishte dhënë pas lekut. U dha plotësisht (i tëri, me mish e me shpirt).
2. fig., vetv. Thyhem përpara vështirësive, përpara kundërshtarit etj. dhe tërhiqem, nuk i bëj dot ballë dikujt a diçkaje, e lëshoj veten, dorëzohem; i bie dikujt në dorë, i dorëzohem. Vendi (qyteti, fshati, kështjella) nuk u dha. S’jepem i gjallë. Iu dha kokë e këmbë. Jepet shpejt (lehtë).
3. njëvet. (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Kam prirje të veçantë për të bërë një gjë, kam aftësi për të kuptuar mirë dhe shpejt diçka, më vjen ndoresh; më shkon menjëherë në mendje, më vete mendja aty për aty si t’ia bëj, si ta zgjidh shpejt diçka. I jepet për çdo gjë. S’i jepet për muzikë. Si t’u dha? S’m’u dha t’i përgjigjesha (t’i flisja, ta lajmëroja).
4. vetv., kryes. v. III. Dukem, dal menjëherë, shfaqem papritur. U dhanë vullnetarët. U dhanë të gjithë. U dha kamioni te kthesa. U dha dita (mëngjesi). U dha në derë.
5. vetv., vet. v. III Përkulet, lakohet, epet. Jepet teli (purteka). Jepen majat e plepave.
6. pës., vet. v. III e JAP. I jepet rëndësi vlerësohet. S’i jepet besë nuk i besohet. U dha një darkë (një pritje). Jepen lajmet. U jepet ndihmë. M’u dha rasti m’u dha mundësia të bëja diçka. Jepej me qira. Jepen me shumicë (me pakicë).
✱Sin.: nepem, epem, dorëzohem, nënshtrohem, mposhtem, bie, përkushtohem, apasionohem, shtihem, prirem, dukem, shfaqem, lidhem, përkulet, lakohet, epet.
►KUSHT/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR vetv. (me trajtë të shkurtër përemërore) 1. I jepem një kauze a një ideali; flijoj veten për një kauzë a detyrë shumë të rëndësishme; i përkushtohem dikujt a diçkaje. I kushtohem artit (shkencës, gjuhësisë).
2. vet. v. III Bëhet ose zhvillohet një veprimtari për një çështje të rëndësishme me rastin e një përvjetori etj. I kushtohet përvjetorit (100 - vjetorit) të lindjes (të vdekjes).
3. pës., vet. v. III e KUSHTÓJ.
✱Sin.: flijohet, përkushtohem.
►PËRKUSHT/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. I kushtohem.
2. pës. e PËRKUSHTÓJ.
RRЁMB/ÉJ vep., ~ÉVA, ~ÝER 1. kal. Marr me dhunë diçka a dikë dhe e çoj tutje, e grabit; ia heq nga duart me forcë a kundër dëshirës, ia marr me forcë. U rrëmbenin bagëtinë. U rrëmbenin prodhimet. Ua rrëmbyem armët pushtuesve. Dikur i rrëmbenin nuset. Skifteri rrëmbeu një pulë.
2. fig., kal. I heq dikujt një të drejtë etj., duke përdorur dhunën; shtie në dorë me forcë, përvetësoj. I rrëmbyen lirinë. Ua rrëmbyen fitoren në fund të ndeshjes. Rrëmbyen pushtetin me dhunë.
3. kal., vet. v. III Merr me vete me forcë a me vrull dhe e çon tutje; e përfshin, e përlan. I rrëmbeu deti. E rrëmbeu era.
4. fig., kal., vet. v. III I merr jetën, e merr, e përlan. E rrëmbeu sëmundja. E rrëmbeu brenda pak ditësh.
5. kal. Kap diçka me vrull e shpejt, e marr shpejt dhe e shtrëngoj fort për të kryer një veprim; rrok. Rrëmbej pushkën. Rrëmbej kazmën. Rrëmbej penën (për të shkruar). E rrëmbeu për këmbësh (nga krahët).
6. fig., kal. E bëj për vete dikë, i fitoj zemrën dikujt. I rrëmbeu zemrën. I rrëmbeu me sjelljen e tij.
7. fig., kal., vet. v. III Më pushton diçka me forcë, më tërheq tërësisht, më bën t'i kushtohem me gjithë shpirt; më thith. E rrëmbeu muzika. Më rrëmbeu libri. E rrëmbeu puna. Bukuri që të rrëmben.
8. fig., kal. Nxjerr me mund e me djersë, ia marr me punë të madhe. E rrëmbejnë bukën nga shkëmbi. I rrëmbejnë tokës mineralin.
9. fig. bised., kal. dhe jokal. Kuptoj shpejt, e kap menjëherë mendimin e një tjetri. Rrëmben shpejt ai djalë. Ta rrëmben fjalën nga goja.
10. fig. bised., vet. v. III, Kap rrëshqitazi, rrok kalimthi e vetëm pjesërisht, zë. Ma rrëmbeu veshi. Ma rrëmbeu syri.
11. bised., jokal., vet. v. III Kapërcen pak nga madhësia, nga mosha etj., është pak më tepër. Rrëmben nga i ati dy gisht. Po rrëmbente nga të gjashtëdhjetat.
12. jokal., vet. v. ІІІ Peshon, rëndon nga njëra anë, anon. Kandari rrëmben pak këtej.
13. jokal. Prirem nga një anë, marr anën e dikujt, anoj. Ai rrëmben pak nga vetja.
✱Sin.: grabit, përfshij, kap.
♦ Rrëmbej (rrok) *armët. Ia rrëmbeu (ia mori, ia zhvati) nga *duart (dikë a diçka). E rrëmbeu *dredha (dikë). T’i rrëmbesh (t’i marrësh) *kokën (kryet) (dikujt). Rrëmbej (rrok) *pushkën. Më rrëmbeu (më fitoi, më grabiti) *zemrën (dikush).
SHKÉNC/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. filoz. Arti i të njohurit, sistem dijesh të krijuara historikisht, saktësia e të cilave vërtetohet dhe thellohet vazhdimisht në procesin e njohjes dhe të praktikës shoqërore. Shkencat albanologjike. Shkencat shoqërore (natyrore, teknike). Shkencat humane. Shkencat mjekësore (historike, filologjike). Shkencat e përpikta. Shkenca gjuhësore (ekonomike, ushtarake). Shkencat natyrore. Shkencat politike. Shkenca të aplikuara. Objekti i shkencës. Degët e shkencës. Përparimi i shkencës. Ligjet e shkencës. Zbulimet e shkencës. Roli i shkencës. Akademia e Shkencave. Doktor i shkencave.
2. Veprimtaria që zhvillohet në një fushë a në një degë të caktuar të dijes, e vështruar si një lloj i veçantë pune, studimet që i përkushtohen asaj. Njerëzit e shkencës. Merrem me shkencë. I hyj (i kushtohem) shkencës.
►TRÚHEM jovep., TRÓVA (u), TRÚAR 1. vetv. (zakon. me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dh.) I lutem shumë, i përgjërohem dikujt. I truhem Perëndisë. Të truhem, o Zot!
2. vetv. Jepem me mish e me shpirt pas dikujt a pas diçkaje; i kushtohem, i përkushtohem diçkaje. I truhet punës.
3. pës. e TRÚAJ.
VETËFLIJ/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR libr., vetv. Bëhem fli, bëj fli veten për interesa madhorë, jap jetën, flijohem. U vetëflijua për lirinë e atdheut. U vetëflijua në përleshje me armikun.
✱Sin.: flijohem, kushtohem, vetëmohohem, therorizohem, birrem, sakrifikohem, martirizohem.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë