Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABSTRÁKT,~E mb. 1. Që nuk përjetohet ose që nuk ndihet me anë të shqisave, por që del me anë të përgjithësimit mendor; që nuk lidhet me objekte ose pamje të njohura dhe reale, por që është më shumë një shprehje e lirshme ose e përgjithshme e ideve, e ndjenjave ose e përvojave; që del me anë të abstraksionit dhe që mbështetet tek ai; kund. konkret. Mendim abstrakt. Nocion abstrakt. Roman abstrakt. Muzika abstrakte. Puna abstrakte (tek.).
2. Që është i shkëputur nga realiteti, që është shumë teorik dhe i papërcaktuar; që është i vështirë për t’u kapur e për t’u kuptuar. Teori abstrakte. Diskutim abstrakt. Flet në mënyrë abstrakte.
3. filoz. Që nuk lidhet drejtpërdrejt me realitetin konkret, që ekziston vetëm si ide, si koncept ose si formë përgjithshme e jo si diçka e prekshme. Koncept abstrakt. Ide abstrakte.
4. gjuh. Që emërton një cilësi, një tipar ose një veprim të shkëputur nga sendi ose objekti që ka cilësi a tipare ose nga vepruesi; kund. konkret. Emër abstrakt. Kuptim abstrakt. Fjali abstrakte. Ligjërim abstrakt.
5. art. Që ka të bëjë me një stil a shprehje artistike, që nuk përfaqëson drejtpërdrejt realitetin, por që përqendrohet në përdorimin e formave, të ngjyrave dhe të linjave për të shprehur ide ose ndjenja. Arti abstrakt. Pikturë abstrakte. Figura abstrakte. Vija abstrakte.
6. mat. Që nuk shoqërohet me emrin e njësisë së matjes ose të sendeve të numëruara; që ka të bëjë me gjedhe ose struktura që nuk ekzistojnë fizikisht, por që ndihmojnë në kuptimin e fenomeneve reale. Numër abstrakt. Madhësi (shifër) abstrakte. Algjebra si fushë abstrakte e matematikës.
ABSTRAKTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. Veprimi kur abstraktoj ose kur abstraktohet.
2. Largimi me anë të të menduarit nga vetitë, nga tiparet e nga lidhjet e ndryshme të sendeve e të dukurive konkrete dhe dallimi, veçimi e përgjithësimi i tipareve të tyre më thelbësore; përgjithësim; kund. konkretizim. Abstraktim shkencor. Abstraktim gramatikor. Abstraktim leksikor. Abstraktim kuptimor. Abstraktim matematikor (gjeometrik). Abstraktimi nga e veçanta. Bëj abstraktim.
3. psikol. Përpunim dhe kategorizim i informacionit për të arritur në koncepte më të përgjithshme që përfaqësojnë ide të shumta. Abstraktim psikologjik. Abstraktim i përngjashmimit. Abstraktim i përvojës.
4. filoz. Veçim i koncepteve dhe i ideve themelore për të ndërtuar një kuptim të përgjithshëm për botën; reduktim i përmbajtjeve të shumëfishta për të nxjerrë thelbin e saj. Procesi i abstraktimit. Abstraktim logjik. Abstraktim real. Abstraktim ideal. Abstraktim i thellë. Abstraktim i drejtpërdrejtë. Abstraktim i ideve (i koncepteve, i nocioneve etj.).
5. art. Ikje nga përshkrimi i saktë i formave dhe i ngjarjeve të njëmendta për të krijuar një përvojë më subjektive dhe të lirë të ngjyrave, të linjave dhe të formave. Abstraktim lirik. Abstraktim pamor. Abstraktim i shprehjes artistike përmes ngjyrave.
6. shkenc. Procesi i thjeshtimit të problemeve dhe i zgjidhjeve të tyre duke hequr detajet fizike, hapësinore ose kohore të panevojshme për të krijuar gjedhe ose algoritme më të përgjithshme, më të rëndësishme dhe më të zbatueshme në situata të ndryshme. Abstraktim kompjuterik. Abstraktimi i një programin softuerik.
ABSÚRD,~I m., libr. 1. Gjendje, ide ose situatë e pakuptimtë, e çuditshme dhe e papajtueshme me logjikën dhe arsyen. Absurd i vërtetë. Ndodhi një absurd. Ky vendim m’u duk absurd i madh. Situata që krijoi ishte një absurd i pastër.
2. filoz. Teori ose koncept filozofik dhe artistik, që e konsideron jetën si të pakuptimtë ose me kuptim jo të qartë, ide që mbështetet në kërkimin e një kuptimi të jetës e të botës, që mendohet se mund ta ofrojë shpjegimin e duhur. Filozofia e absurdit. Absurdi i jetës. Pranimi i absurdit. Rebelimi kundër absurdit.
3. logj. Ide që bie ndesh me arsyen ose që është e pamundur për t’u pranuar ose për t’u besuar. Të mos e pranosh gravitetin është absurd.
4. art. Rrymë artistike dhe letrare që përshkruan realitetin si të pakuptimtë ose si të çuditshëm. Letërsia e absurdit. Teatri i absurdit. Pikturë e absurdit.
ABSÚRD,~E mb., libr. 1. Që nuk ka kuptim, që është i palogjikshëm, që është në kundërshtim me arsyen dhe me realitetin, që është i çuditshëm ose i pamundur për t’u kuptuar ose për t’u besuar. Mendim (gjykim) absurd. Ide absurde. Situatë absurde. Vendim (qëndrim) absurd. Veproj në mënyrë absurde. Bisedë absurde. Sjellje absurde. Është ide absurde për t’u menduar ose për t’u besuar.
2. filoz. Që e konsideron jetën si të pakuptimtë ose me kuptim jo të qartë, që lidhet me idenë se mund të ofrojë shpjegimin e duhur ose të pranueshëm të jetës ose të botës. Diskutimet absurde rreth jetës. Kundërshtimet e teorisë absurde.
3. art. Që ka të bëjë absurdin si lëvizje artistike e shekullit XX, që i përket absurdit dhe absurdizmit. Letërsi absurde. Vepër absurde. Dramë absurde. Pikturë absurde. Piktor absurd. Shkrimtarët absurdë. Teatër modern absurd.
✱Sin.: i pakuptimshëm, i pakuptueshëm, i paarsyeshëm, i palogjikshëm, i çuditshëm.
ABSÚRDITÉT,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. vet. nj. Të qenët absurd, i pakuptueshëm, jo logjik; karakteri absurd i diçkaje. Absurditeti i ekzistencës. Absurditeti i një arsyetimi (i një mendimi, i një teorie). Absurditet pamor (vizual). Përdor absurditetin për të shprehur idenë e kaosit.
2. Diçka fare pa kuptim e jashtë mendjes a arsyes, ide absurde. E çon (e shpie) deri në absurditet mendimin. Bie prej një absurditeti në tjetrin. I dhënë pas absurditeteve.
✱Sin.: pakuptimësi, palogjikësi, çudi, çmenduri, marrëzi.
ABSURDÍZ/ËM,~MI m. 1. filoz. Absurditet. Filozofia e absurdizmit. Teoria e absurdizmit. Parimet e absurdizmit. Pasuesit e absurdizmit. Absurdizmi dhe ekzistenca e njeriut.
2. art. Lëvizje artistike e shekullit XX që paraqet botën si të pakuptimtë, shpesh me situata absurde a të çuditshme dhe me dialogë pa logjikë. Absurdizmi në letërsi dhe në art. Absurdizmi në dramën angleze. Absurdizmi i tij shquhet në dialogët pa kuptim dhe në situatat e çuditshme.
ADEKUÁT,~E mb., libr. Që përputhet plotësisht me diçka tjetër, që është i përshtatshëm, i duhur ose i mjaftueshëm për një qëllim të caktuar, që i përshtatet ose që i përgjigjet plotësisht diçkaje tjetër. Kuptim adekuat. Masë adekuate. Sasi adekuate. Shkallë adekuate. Nocione (shprehje) adekuate. Përkthim adekuat. Kualifikim adekuat. Burime adekuate. Paraqitje adekuate e njëmendësisë. Në rrethana adekuate. Në mënyrë adekuate.
✱Sin.: përkatës, i përshtatshëm, i duhur, i njëjtë, i përputhshëm, i mjaftueshëm.
AFEKTÍV,~E mb. 1. psikol. Emocional. Sjellje afektive. Në gjendje afektive.
2. gjuh. Që lidhet me situata, me shprehje, me fjalë a me kuptime që shquhen për ngjyrim shprehës-emocional. Të folur afektiv. Kuptim afektiv. Shprehje afektive.
AKCEPT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Pranoj ose miratoj diçka në kuptim formal ose zyrtar; mirëpres një propozim (mendim, sugjerim, këshillë etj. të dikujt). Akceptoj mendimin (vendimin, kontratën etj.). Akcepton opinionin e tjetrit. Akceptova ofertën pasi shqyrtova kushtet. Duhet ta akceptoj gjendjen ashtu si është.
2. drejt. Marr përsipër një detyrim të lidhur me një kontratë të dyanshme; deklaroj se do të paguaj borxhin sipas afatit të përcaktuar në kontratën e nënshkruar. Akceptoi kushtet e kontratës. Akceptoj fletëpagesën (kambialin).
✱Sin.: pranoj, pajtohem, miratoj, pëlqej, tumir, respektoj, përvetësoj, mirëpres.
ALEGORÍK,~E mb., let. Që përmban një alegori, që është ndërtuar si alegori; që ka kuptim tjetër të fshehur ose simbolik. Figurë (vepër) alegorike. Shprehje (gjuhë) alegorike. Elemente alegorike. Ligjërim alegorik. Kuptim alegorik. Personazh alegorik. Tekst alegorik. Narracion alegorik. Metodë alegorike.
✱Sin.: i figurshëm, simbolik, i fshehët, i tërthortë, i nënkuptueshëm.
ALEGORIZÚAR (i, e) mb. I shprehur në mënyrë alegorike, i metaforizuar, jo i drejtpërdrejtë, i tërthortë. Kuptim i alegorizuar. Shprehje e alegorizuar.
✱Sin.: i figurshëm, i figurativizuar, i jodrejtpërdrejtë, i tërthortë.
ALOMORFÍZ/ËM,~MI m., kim. 1. Dukuria që disa materie me përbërje të njëjtë kimike shfaqen në forma të ndryshme kristalore (p.sh. karbonati i kalciumit si kalcit ose si aragonit); ngjashmëria ose njëjtësia e dy materieve me forma të ndryshme kristalore.
2. gjuh. Të qenët alomorf; dukuria kur një morfemë shfaqet në forma e në kontekste të ndryshme, duke ruajtur të njëjtën kuptim dhe funksion. Alomorfizmi i dhanores dhe i rrjedhores.
ALUZIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. Fjalë ose shprehje me kuptim të mbuluar, e thënë tërthorazi për dikë a për diçka. Aluzion i hapur. Bën aluzion për dikë (për diçka). Flet me aluzione.
2. poet. Figurë stilistike me të cilën aludohet për dikë, për diçka ose për situata e për rrethana të kontekstit të jashtëm, duke u shoqëruar zakonisht me ironinë, me alegorinë etj. Shfrytëzoi mirë aluzionet në poezinë e tij. Aluzionet klasike (postmoderniste). Fjalimi i tij kishte aluzione të qarta. Drama përmban aluzione. Bëj aluzione.
AMFIBOLÍ,~A f., libr. 1. Të qenët i dykuptimshëm, i paqartë, ambigjen.
2. gjuh., poet. Figurë stilistike me kuptim të dyfishtë; dykuptimësi poetike, lojë fjalësh, ironi. Amfiboli sintaksore. Amfibolia leksikore (frazeologjike). Amfiboli enigmatike.
✱Sin.: dykuptimësi, dymendimësi, pakuptimësi, paqartësi.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë