Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AR,~II m. 1. kim. Metal i rrallë e i çmuar, me ngjyrë të verdhë, që është i butë e punohet mirë dhe që përdoret për të bërë sende zbukurimi, monedha etj. ose si masë vlere; flori (simboli Au). Ar i pastër (i kulluar). Shufër ari. Monedhë ari. Medalje (unazë, kupë, dhëmbë etj.) ari. Fill ari. Minierë ari. Ngjyrë ari. I larë me ar. Vesh me ar.
2. Fill i praruar që përdoret për qëndisje; bised. veshje e qëndisur me këtë fill. Jelek ari. Qëndis me ar. I veshur në ar.
3. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme ari ose sende të tjera: Ar i bardhë kim. metal fisnik që krijon lidhjen ar, nikel e platin dhe përdoret për bizhuteri dhe si shtresë në emetimin e të hollave. Ar 12-karatësh ar me pastërti pesëdhjetë për qind. Ar 18-karatësh ar me pastërti shtatëdhjetë e pesë për qind. Ar 24-karatësh ar me pastërti mbi nëntëdhjetë e nëntë për qind.
♦ Ar i bardhë libr. pambuk. Ari i gjelbër libr. drurët e pyjeve si lëndë shumë e vlefshme për ndërtim, për orendi etj.; pyjet si pasuri e madhe. Ari i zi libr. nafta ose qymyri si pasuri të mëdha për njerëzimin. I ra ari në *ujë (dikujt). *Fjalë ari (e artë). Merr ar pa kapar (dikush) mëson e fiton mençuri nga cilido, është i hapur për të përfituar kurdoherë e nga kushdo. Të peshon me ar (me *flori). Ta shet bakrin për ar (dikush) shih ta shet sapunin për djathë (dikush).
ARGJÉND,~I m. 1. kim. Metal i rrallë e i çmuar, i butë, me ngjyrë të bardhë të shkëlqyer, që punohet lehtë dhe që përdoret për të bërë sende, zbukurime, monedha, enë etj. (simboli Ag); serm. Argjend i pastër. Kupë (lugë) argjendi. Monedhë argjendi. Shufër argjendi. Medalje argjendi. Unazë argjendi. Fill argjendi. Punime argjendi. I larë me argjend. Ngjyrë argjendi. Tregtim argjendi. Pluhura metalike prej argjendi.
2. Fill i larë me këtë metal, që përdoret për qëndisje. Qëndis me argjend.
3. zakon. sh. ~E, ~ET Argjendurina.
4. Pjesë e dytë e emërtimeve të përbëra për disa lloje bimësh. Bar argjendi bot. këputje. Lule argjendi bot.
AS,~II m. sh. ~E, ~ET 1. Letër loje, e para në ngjyrën e vet, që ka vetëm një shenjë në mes; njëshi, letra kryesore. Asi spathi (kupë). Hedh asin. Marr me as.
2. sh. edhe ~Ë, ~ËT fig. Njeri i shquar, me aftësi të veçanta në një fushë të caktuar, i pari. As i skuadrës së futbollit. As i kinematografisë. As i aviacionit.
♦ I doli asi (dikujt) libr. shih i doli fati (dikujt). Ka asin në dorë (dikush) libr. ka mjetin a mënyrën më të mirë për të bërë diçka, për të fituar a për të goditur dikë. Luaj asin e fundit libr. përdor të vetmen mundësi që kam a mjetin e vetëm që më ka mbetur për t’ia arritur diçkaje, pasi kam provuar të gjitha mënyrat e mjetet e tjera për t’ia dalë deri në fund; nuk kam ç’të bëj më; luaj (hedh) gurin e fundit; luaj letrën (kartën) e fundit. E mban (e ka) asin në mëngë (dikush) libr. ka një mjet a një mënyrë të fshehtë për ta përdorur kur duhet a në çastin vendimtar. Nxjerr asin nga mënga (dikush) libr. përdor mjetin a mënyrën më të fortë e më të përshtatshme, që e ka mbajtur të fshehtë për çastin vendimtar.
BUKURÓSH/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Vajzë a grua e bukur dhe e hijshme. Bukuroshja e vjetit (etnogr.) konkurs tradicional i bukurisë femërore në Malësinë e Madhe, që sipas traditës zhvillohet në oborrin e kishës në mbyllje të festës së Shënkollit më 6 dhjetor. - Diell, diell, / të jap një kupë miell, / - Mos ke parë bukuroshen? (folk.).
2. zool., euf. Bukël1.
3. zool. Lloj fluture me krahë të bukur.
✱Sin.: bukurane, e pashme, e hijshme, bukël.
BËRT/ÁS vep., ~ÍTA, ~ÍTUR 1. jokal. Flas a thërras me zë shumë të lartë, them diçka duke thirrur fort, gërthas. Bërtet me zemërim. Bërtet fort. - Mos bërtit, se të dëgjoj!
2. jokal. Lëshoj një zë të fortë, këlthas, klith, çirrem. Bërtiti nga dhembja (nga frika). Bërtiti me të madhe (fort, në kupë të qiellit). Qan e bërtet. Më mirë të bërtasim si macja, se të ulemi si lopa. (fj. u.). Dimri bërtet si fukarai. (fj. u.).
3. kal. E qortoj ose e shaj dikë duke i thirrur, i flas për një gabim a për një faj që ka bërë, shaj, çirrem, shahem (me dikë). I bërtiti kot (rëndë). I bërtet djalit. - Ç’pate që bërtite ashtu?! - Mos i bërtit! I bërtet së bijës, të dëgjojë e reja. (fj. u.).
4. keq., jokal. Flas ose shkruaj shumë për diçka, bëj shumë zhurmë për një çështje, duke u përpjekur me çdo mjet të tërheq vëmendjen ose të arrij një qëllim; çirrem. Bërtet me të madhe. Çirret e bërtet.
5. jokal., vet. v. III Nxjerr tinguj a zë të fortë e të lartë (për kafshët). Dhitë bërtasin e vërrasin. Bërtasin sorrat.
6. jokal. Vajtoj me zë të lartë dikë. Ja ka nisur motra e po bërtet, / Krejt me lot Gjergjin po e loton. (folk.).
✱Sin.: thërras, gërthas, këlthas, klith, çirrem, ulërij, vërras, sokëllij, piskat, gjëmoj, bëzaj, vikat.
DÁM/Ë,~AII f. sh. ~A, ~AT 1. Grua e martuar, zonjë. Damë plakë. Damë shoqërimi.
2. Grua a vajzë që vallëzon me një kavalier. Kërceu me të gjitha damat. Damat në fuqi!
3. shah. Mbretëresha në lojën e shahut. Dama e bardhë (e zezë). I mori damën. Ndërruan damat.
4. letr. Një nga figurat kryesore në lojën me letra që paraqet një grua; letra me këtë figurë; çupë. Damë kupë (spathi).
✱Sin.: zonjë, grua, mbretëreshë, çupë.
DET,~I m. sh. ~E, ~ET 1. gjeogr. Hapësirë shumë e madhe me ujë të kripur, që zakonisht është e rrethuar me tokë jo nga të gjitha anët dhe që qëndron disi e veçuar; pjesa më e madhe e rruzullit tokësor, e mbuluar me ujë të kripur. Deti Adriatik. Deti Jon. Deti Mesdhe. Deti i Kuq (i Zi). Det i hapur (i mbyllur). Det i thellë (i cekët). Det i qetë (i trazuar, me dallgë). Det i keq det me dallgë. Sipërfaqja e detit. Bregu (fundi) i detit. Ujë (kripë, rërë) deti. Valët (dallgët) e detit. Kafshë (bimë) deti. Mbi (nën) nivelin e detit. Deti është vaj deti është shumë i qetë. Deti ka dallgë. Çau (kapërceu) detin. Ra (u shtrua, u qetësua) deti. Rreh detet udhëton nëpër dete. Mori detin shkoi diku larg duke udhëtuar nëpër det. Lundron (noton) në det. Derdhet në det. E rreh deti. E zuri deti i vjen për të vjellë kur udhëton në det. E hodhëm në det e përzumë, e detyruam të ikte me det. Në det të hapur larg nga brigjet, thellë në det. Buzë (pranë) detit. Përtej (matanë) detit. Nëpër det. Në tokë e në det. Ka (ka nisur të bëjë) det deti është me dallgë. Ç'bën në det, e gjen në kripë. (fj. u.). Deti s'kalohet me këmbë. (fj. u.). Nuk soset (nuk thahet) deti me lugë. (fj. u.). S'matet deti me pëllëmbë. (fj. u.). Detit i ka hije vala, burrit i ka hije fjala. (fj. u.). Noti mësohet në det, jo në tokë. (fj. u.). Në det ta hedhësh, me ujë nuk ngopet. (fj. u.).
2. zool. Pjesë e dytë e emërtimeve të pathjeshta për disa kafshë të ujërave të kripura ose të bregdetit. Breshkë deti (lat. Chelonioidea) grup zvarranikësh detarë, me shtatë specie të njohura, që jetojnë në oqeane dhe dete tropikale e subtropikale. Dac deti (lat. Scyliorhinus caniculus) një lloj peshkaqeni i vogël, i njohur zakonisht si peshkaqeni mace, me trup të hollë, me njolla të errëta, që ushqehet me organizma të vegjël detarë. Dallëndyshe deti (lat. Exocoetus volitans) një lloj peshku tropikal, i njohur si peshku fluturues, që jeton në ujërat sipërfaqësore të oqeaneve, me aftësi për të rrëshqitur mbi ujë përmes pendëve të zgjatura të kraharorit, duke krijuar përshtypjen se “fluturon”. Kali i detit (lat. Hippocampus) specie detare, që ngjan me një kalë të vogël, me trup të gjatë dhe të mbuluar me pllaka kockore, me bisht të kapshëm, që jeton kryesisht në alga dhe korale. Kandil deti (lat. Cnidaria) kafshë detare që i përket llojit të meduzave, që lëvizin kryesisht me rrymat e ujit, me trup të butë, gjysmë transparent, me një “çadër” ose “kupë” që i jep formë karakteristike, me tentakula që mund të shpojnë dhe të lëshojnë toksinën e tyre. Lopë deti (lat. Odobenus rosmarus) një gjitar i madh detar, që gjendet kryesisht në zonat arktike, me trup të madh, me lëkurë të trashë dhe gëzof të hollë, me dy dhëmbë të gjatë që i dalin nga nofulla e sipërme. Yll deti (lat. Asteroidea). organizëm detar, me trup rrezor, zakonisht me pesë krahë, pa tru, që lëviz me sistemin vaskular ujor, që ka aftësi të rigjenerojë pjesët e humbura të trupit.
3. bot. Pjesë e dytë e emërtimeve të pathjeshta për disa bimë të ujërave të kripura ose të bregdetit. Fik deti (lat. Opuntia ficus-indica) një kaktus shumëvjeçar, me gjethe të sheshta dhe të trasha, me fruta të ëmbla, që rritet gjerësisht në zona me klimë të ngrohtë dhe të thatë pranë detit. Lakër deti (lat. Crambe maritima) bimë barishtore, me rrënjë të fortë, me gjethe të trasha, me ngjyrë të gjelbër të errët, shpesh me shije të kripur, me lule me ngjyrë të bardhë ose vjollcë të lehtë, zakonisht të vogla dhe të grumbulluara në kokrra, që rritet kryesisht në rërë ose bregdete shkëmbore. Trëndafil deti (lat. Actinia) disa lloje të anemonave të detit, me pamje të ngjashme me lule trëndafili, zakonisht me petale të buta, me ngjyra të ndritshme si rozë, portokalli, apo të kuqe, që ngjiten në shkëmbinj ose pjesë të ngurta nën ujë, me petale si tentakula, që përdoren për të kapur organizma të vegjël që shërbejnë si ushqim.
4. Pjesë e sipërfaqes së Hënës, që nuk e zënë a e zënë fare pak rrezet e Diellit dhe që duket nga Toka si një njollë e errët. Detet e Hënës.
5. fig. Shumicë njerëzish, sendesh etj.; hapësirë e madhe, e mbuluar a e mbushur me diçka, diçka e pamasë dhe e pafund. Det njerëzish. Det dritash. Det lotësh (gjaku). Një det me grurë (me lule). Në detin e luftës. Në detin e lumturisë.
6. si ndajf. Me shumicë, shumë, pa fund; plot e përplot. U bë gruri det. Rrjedh det. Ishte det ara me misër. Det është pazari.
♦ *Barkë në mes të detit. U bë det. 1. (diku). U mbush plot me ujë, u mbyt nga ujët, u përmbyt; u lag krejt, u bë qull. 2. U mbush plot me diçka. 3. (dikush). Hëngri a piu shumë, u dend, u zhdëp. Bëri detin (për dikë) e qortoi a e shau rëndë, s’i la gjë pa thënë; e poshtëroi, e njollosi; s’i la sy e faqe (dikujt); e bëri leckë (rreckë) (dikë); e bëri për në bythë të qenit (dikë). Bëri një *urë në det (dikush). As në det e as në breg. 1. Në asnjë vend, asgjëkundi. 2. Në një gjendje të paqartë, kur s’di nga t’ia mbash; pa ditur ku je, pezull, në erë; as në qiell e as në tokë (në dhe). U bë deti *kos iron. Kur të bëhet deti *kos iron. I duket deti *kos (dikujt). Në *fund të detit. I futet detit me *hosten (dikush). Të fut në det (në *ujë, në pus, në lumë) e të nxjerr pa u lagur (dikush). I futet detit më *këmbë (dikush). Hyn në det (në *pus, në lumë) e del pa u lagur (dikush). E kalon detin më *këmbë (dikush). Sa ka deti ujë e rërë shumë, në sasi të madhe; sa rëra e detit; sa bari i tokës; sa t’i gërryesh (t’i ngresh) me lopatë. E ka zemrën det (dikush) është shumë bujar, është zemërgjerë; e ka zemrën (shpirtin) të gjerë; e ka zemrën hazine. Kërkoj detin me shkop bëj të gjitha përpjekjet për dikë a për diçka; s’lë vend e mënyrë pa shfrytëzuar për t’ia arritur qëllimit, bëj të pamundurën. *Lumë e det (për lumë e për det). Merr detin (dikush) shkon diku larg (zakonisht duke udhëtuar nëpër det); merr detin në sy; (ikën) nga (ku) sytë këmbët. E mori deti (dikë a diçka) shih e mori lumi (dikë a diçka). Mori detin në sy (dikush). 1. I duket çdo gjë shesh me lule, ka besim, dëshira e shpresa të tepruara, kujton se do të bëj ëgjëra të mëdha; ia hyn një pune të madhe pa u matur mirë. 2. shih mori botën (dheun) në sy (dikush). Nuk ka marrë *kripë në det (dikush) mospërf. E mat detin me *filxhan (dikush). E mat detin me *lugë (dikush). E mat detin me *mastrapa (dikush). E mat detin me *pëllëmbë (dikush). Më ndan një det (i tërë) (nga dikush). 1. Jam shumë larg nga dikush (në hapësirë). 2. Kam mendime ose pikëpamje krejt të ndryshme nga dikush; kam gjendje shoqërore a ekonomike krejt të ndryshme; jam shumë larg tij në diçka. Ngre *kodra mbi det (dikush) iron. Nxjerr *sheqer nga ujët e detit (dikush). *Peshku në det e tigani në zjarr tall. Përzien detin me shkop (dikush) përb. është ngatërrestar i madh, bën hile e gënjen; do vetëm të grindet e të bëjë sherr; përzien e fut në sherr shumë njerëz; bën të pabërën; turbullon edhe rërën e detit; i thotë hurit “dil e mos rri në gardh”. Një *pikë ujë në det (në oqean). U poq (u puq) *qielli me detin. Prashit në det (dikush) mospërf. shih prashit (mih) në ujë (dikush). S’pyet Muçoja për *gjela deti bised. Sa *rëra e detit. Shpëtoi nga *lumi e ra në det (dikush). Turbullon (edhe) *rërën e detit (dikush) keq. E than detin me *lugë (dikush). Sa *ujët e detit. *Ujk deti.
DYRRËFÁNËSH,~E mb. Që është me dy vjega a dy veshë. Kupë dyrrëfanëshe. Enë dyrrëfanëshe.
FANT,~I m. sh. ~E, ~ET Njëra prej figurave në lojën me letra, ku është një kalorës i ri. Fant spathi (karo, kupë, maç). E mori me fant.
♦ Del (çatis) si fanti spathi (dikush) del papritur e pa kujtuar, duket kur nuk e pret, shfaqet befas. Hyn si fanti spathi (dikush) ndërhyn ku nuk duhet, përzihet atje ku nuk i takon ose ku nuk pritet; fut hundët.
FILXHÁN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Kupë e vogël prej porcelani ose prej fajance, zakonisht me një vesh të vogël, që përdoret për të pirë kafe, qumësht, çaj etj. Filxhan kafeje (çaji). Filxhan me qumësht. Lojë filxhanash luaj me filxhanë të përmbysur në një tepsi dhe përpiqem të gjej sendin e fshehur (një unazë, një kokërr misri etj.) në njërin prej tyre.
2. Sasia e lëndës sa nxë një kupë e tillë. Pi një filxhan kafe. I hedh dy filxhanë miell (një filxhan vaj).
3. Veçues prej porcelani, ku lidhen telat e elektrikut a të telefonit (zakonisht ngulet në majë të një shtylle). Vendosi filxhanët e linjave të telefonit.
4. bot. Lule filxhani. Kërcelli i lules së filxhanit.
♦ Iu bë syri filxhan (dikujt) shih e ka syrin filxhan (dikush). E ka syrin filxhan (dikush) nuk ka fare gjumë, nuk e zë gjumi; s’i mbyllen sytë, nuk fle; nuk mbyll sy1; i ka sytë xham2; numëron yjet. E mat detin me filxhan (dikush) ka shumë durim për të bërë një punë që kërkon një kohë të gjatë e mundim të madh, nuk mërzitet sado të vejë puna. Mbytet në një filxhan (me) ujë (dikush) shih mbytet në një lugë (me) ujë (dikush). Shikon filxhanët (dikush) mospërf. sikur shtie në fall, pret ta ndihmojnë të tjerët; nuk është i zoti për asgjë.
FYT ndajf., bised. Pa gjë, zbrazët, bosh. E lë fyt. Mbeti fyt.
♦ M’u bë *drokth në grykë (diçka). Iu bë *halë në fyt (në grykë) (diçka). M’u bë *lak në fyt (në grykë) shih m’u bë (një) lëmsh (në grykë). E bëri fyt (diçka) e hëngri të tërë, s’la më asgjë; e harxhoi të gjithë; e prishi krejt diçka, e shkatërroi të gjithë. Ma pruri (ma solli) shpirtin në fyt (dikush a diçka) më lodhi e më mundoi shumë, më mërziti shumë sa s’e duroj dot më; ma ka sjellë deri aty sa s’duroj dot më tutje; ma solli shpirtin në majë të hundës; ma pruri (ma solli) shpirtin ndër dhëmbë. Më doli *rryli i fytit. Nuk e duroj *litarin në fyt. Fyt më (për) fyt fytafytas, fytas. Fyt e lak me vuajtje e zor të madh, me vështirësi; me shpirt ndër dhëmbë. Sa i ha fyti me zë të lartë, me të gjithë forcën, shumë; sa i ha gurmazi; sa i ha zëri; me sa ka në kokë; në kupë të qiellit. I hidhem në fyt (dikujt) shih i hidhem në grykë (dikujt). Jam deri në fyt. 1. Jam jashtë mase i ngarkuar me punë, jam i mbytur nga punët; s’kam fare kohë të lirë; jam deri në grykë; s’kam kohë (nge) të marr frymë. 2. Jam shumë i ngopur me diçka, jam plot e nuk kam më nevojë për atë, s’dua më a s’mundem më shumë; jam i tejngopur; jam deri në grykë. E ka fytin *të gjatë (dikush). E kam litarin (lakun) në fyt jam në një gjendje shumë të rëndë e të vështirë, më ka zënë një e keqe e madhe; jam në rrezik, në çastin më të fundit; e kam litarin (lakun, thikën, halën) në grykë. E ka shpirtin në fyt (dikush) është gjaknxehtë, është inatçor i madh, merr zjarr menjëherë. *Kockë në fyt (në grykë). Iu lidh në fyt (diçka) shih iu lidh në grykë (diçka). Jam mbushur deri në fyt jam mërzitur pa masë, nuk mbaj dot më; jam zemëruar shumë, jam gati të shpërthej e të zbrazem, mezi e përmbaj veten; jam mbushur deri në grykë; më erdhi (shpirti) në majë të hundës; më plasi buza. I mbeti (i ngeci) *kocka (ashti) në fyt (dikujt). Më ngeci (më ngeli, më mbeti) në fyt shih më ngeci (më mbeti) në grykë. Të ngectë në fyt! mallk. shih të zëntë fytin! mallk. Njom (lag) fytin shih njom (lag) gojën. Me shpirt (me *zemër) në fyt. M’u tha fyti (për diçka) shih m’u tha buza (për diçka). Iu tha *pështyma në fyt (në gojë) (dikujt). I ka vënë *duart në fyt (në grykë) (dikujt). I ka vënë *këmbën në fyt (në grykë) (dikujt). I vë *lak fytit. I vuri *shkelmin në fyt (në grykë) (dikujt). I vuri *thikën në fyt (në grykë) (dikujt). I vuri *thonjtë në fyt (në grykë) (dikujt). I erdhi kocka në fyt (dikujt) është në gjendje shumë të vështirë, është shumë ngushtë para diçkaje që duhet bërë shpejt e patjetër; e ka lakun në qafë (në grykë) (dikush). Më erdhi zemra (shpirti) në fyt u zemërova shumë, s’duroj dot më, m’u zu fryma nga inati; më erdhi (shpirti) në majë të hundës. Më erdhën *zorrët në fyt (në grykë). Me *zemër (me shpirt) në fyt. E zuri (e kapi, e mbërtheu) për fyti (dikë) e shtrëngoi fort dikë të bëjë diçka që do ai, ia mblodhi keq; e vuri në gjendje shumë të vështirë, e mbërtheu mirë; e zuri (e kapi, e mbërtheu) për gryke; ia vuri (ia futi) (të dyja) këmbët në një këpucë (dikujt). Të zëntë fytin! mallk. mos e gëzofsh! (diçka që s’është jotja ose nuk e meriton); e pësofsh si mos më keq!, vdeksh!; të ngectë në fyt!; të zëntë grykën!; të ngectë në grykë! U zu (u kap) për fyti (me dikë) u grind shumë ashpër me dikë, u kacafyt; u zu (u kap) për gryke.
♦ Ja *shyt, ja fyt. (fj. u.) të dalë ku të dalë.
GJYSMËLITRÓSH,~E mb. Gjysmëlitërsh. Kupë gjysmëlitroshe.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë