Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ADMINISTRATIVO-TERRITORIÁL,~E mb. Që ka të bëjë me administrimin territorial të tokave në një shtet, në një krahinë, në një prefekturë, në një bashki, në një lokalitet etj. Ndarja administrativo-territoriale. Struktura administrativo-territoriale. Aspekti administrativo-territorial i ndarjes së shtetit. Njësi administrativo-territoriale.
ADMINISTRÁT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT drejt. 1. Sistem ose formë e organizimit dhe e drejtimit të veprimtarive shtetërore, publike ose private që përfshin planifikimin, koordinimin, mbikëqyrjen dhe kontrollin e funksioneve të ndryshme për të siguruar që veprimet e veprimtaritë të jenë efektive; sistem i organeve shtetërore ose organet ekzekutive-urdhërdhënëse, që ushtrojnë pushtetin shtetëror në formën e kësaj veprimtarie. Administrata shtetërore. Administrata publike. Administrata private. Administrata e re (e vjetër). Administrata qendrore. Administrata komunale. Administrata gjyqësore. Organet e administratës së shtetit.
2. Njësi organizative e sektorëve të veprimtarive publike, si të ekonomisë, të shëndetësisë, të arsimit, të kulturës; organi drejtues i një njësie të tillë, së bashku me aparatin përkatës; zyrat e një ndërmarrjeje, të një biznes, të një institucioni ose të një shërbimi shtetëror; ndërtesa e këtij organi ose e këtyre zyrave; institucionet dhe shërbimet që drejtojnë dhe organizojnë politikat dhe programet qeveritare. Administrata e Kryeministrisë. Administrata e Ministrisë së Drejtësisë. Administrata e Universitetit. Administrata Akademike. Përgjegjësi i administratës. Punonjësit e administratës. Zyrat e administratës.
3. përmb. Tërësia e nëpunësve, që veprojnë në administratën shtetërore ose në institucione të tjera publike e private. Administrata e Bashkisë (komunës). Administrata e shërbimeve publike. Administrata e institucioneve shkollore. Shkurtoj administratën. Plotësoj administratën. Administratë e tejngarkuar.
4. Organet që ushtrojnë pushtetin në një krahinë ose në një vend të pushtuar dhe veprimtaria e tyre. Administrata ushtarake.
AGRÁR,~E mb., bujq. 1. Bujqësor. Vend agrar. Krahinë agrare. Bankë agrare. Sistemim agrar.
2. Që ka të bëjë me bujqësinë ose me pronësinë mbi tokën, me zotërimin dhe shfrytëzimin e saj, me çështje, me aktivitete ose me politika që kanë të bëjnë me prodhimin bujqësor, me ndarjen e tokës dhe me shfrytëzimin e saj për bujqësi. Reformat agrare. Politika agrare. Zhvillimi agrar. Marrëdhëniet agrare. Ligj agrar.
ALPÍN,~E mb. 1. Që ka të bëjë me alpet, i alpeve; që është i mbuluar me male të larta. Krahinë alpine. Brezi alpin. Borë alpine.
2. Që rritet ose që gjendet në alpe; që është karakteristik për alpet. Bimësi (lule) alpine. Kullota alpine. Livadhe alpine. Klimë alpine. Të ftohtë alpin.
3. Që është përshtatur për kushtet e alpeve; që vepron ose që kryhet në kushtet e alpeve. Çantë alpine. Këpucë alpine. Ski alpine. Rrëshqitje alpine.
ALSASIÁN/E,~JA f. sh. ~E, ~ET Banore a vendëse e Alsasës, krahinë në verilindje të Francës, ose ajo që e ka prejardhjen nga Alsasa.
ANEKS/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Bashkoj me dhunë një vend a një krahinë të pushtuar me një vend tjetër. Aneksoj një zonë strategjike. Aneksoi një pjesë territori shtetit të vet. Aneksoi dhunshëm një pjesë të madhe territori. Ushtria aneksoi krahinën kufitare.
2. Ia shtoj si aneks diçkaje; i bashkëngjit një shtojcë. Ia aneksova një pjesë ballkoni kuzhinës.
✱Sin.: ngjit, shtoj, bashkëngjit, bashkoj, pushtoj.
ÁN/Ë,~AI f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Pjesa e një sendi ose e një vendi, që gjendet më larg nga mesi i tij; skaj, buzë, pjesa ku mbaron sendi a vendi; pjesa e majtë a e djathtë e një sendi, e një objekti ose e një vendi, krah. Ana e djathtë (e majtë). Ana e arës (e lumit). Ana e pëlhurës (e lakrorit). Anët e një barazimi (mat.). Në anën e rrugës (e tryezës). Në (nga) të gjitha anët. Sa nga një anë në tjetrën. Kthehem nga ana tjetër. Marr anët qethem anash. U morën anët u morën krahët, i rrethuan. Nxjerr në anë. Anë për anë buzë më buzë. Më një anë mënjanë.
2. Hapësira a trualli në një krah ose afër skajeve jashtë kufijve të një sendi a vendi; hapësira a vendi në një drejtim të caktuar, si edhe vetë ky drejtim. Në këtë anë të shtëpisë (të fshatit). Nga ana e malit. Katër anët e horizontit. Ana e shiut (e mesditës) jugu. Ana e borës veriu. Ana e diellit lindja. Ana e detit perëndimi. Më atë anë matanë. Anë e më anë anembanë. Në të katër anët kudo, në çdo vend. Nga të katër anët nga çdo vend, nga të gjitha drejtimet; në të gjitha vendet ose drejtimet. Anë e kënd (skaj, e cekë) anekënd.
3. E ndarë në një banese a në një shtëpi; dhomë, kthinë. Sa anë keni? Anë e vogël (e madhe). Fle në anën e gjyshes.
4. Faqe e një trupi, njëra nga sipërfaqet kufizuese të një sendi. Ana e mbarë (e prapme, e pasme). Ana e kundërt (e murit). Ana e sipërme (e poshtme). Ana tjetër. Anë mali. Ana e padukshme e Hënës. Anë më (për) anë tejpërtej, tejendanë.
5. Krahinë, vend, vis. Në (nga) anët tona. Në ato anë. Banorët e atyre anëve. Është nga ana jonë. Është i asaj ane.
6. Skaji më i largët i një vendi, i një hapësire; fundi, mbarimi i diçkaje. Në anë të dheut (të botës). S’ka anë. Pa anë e pa fund. Nuk i gjendet ana. Në anë të anës shumë larg. Nga ana e anës nga vise shumë të largëta.
7. Palë, njeri a grup njerëzish, që i kundërvihen një pale ose një njeriu a grupi tjetër. Anët kundërshtare. Ana paditëse. Ana e djalit (e vajzës). Ana jonë (e atyre). Në anën e popullit. Marr anën e dikujt radhitem përkrah një tjetri në mendime e veprime, bëhem me dikë.
8. Anësi, pajë, hatër. I mban anën dikujt ia ka hatërin. Mban anë. Kam anë më mbajnë pajë, më përkrahin, më mbështesin, më ndihmojnë.
9. Pjesë përbërëse e diçkaje, element i një çështjeje, i një vepre etj.; tipar, veçori që karakterizon diçka. Anët e mira (e dobëta, e këqija, e errëta). Ana praktike (formale, teorike). Ana politike (shoqërore, ekonomike, etike, morale.) Ana objektive (subjektive). Ana fizike (trupore, shpirtërore, mendore, ndjenjore). Ana tjetër e çështjes. Zëvendës për anën mësimore (shkencore, administrative).
10. Pikëpamje; kënd vështrimi. Nga ana e jashtme (e brendshme). Nga ana parimore (teknike). Nga ana sasiore. Nga çdo anë.
11. Gjysma e barrës së kafshës së ngarkuar, njëri krah i barrës së kafshës. Ana e mushkës. I ngre (i mbaj) anën. E ha ana i rëndon më shumë njëra gjysmë e barrës, i varet barra nga njëra anë.
♦ Anë më (për) anë tejpërtej, tejendanë; nga çdo anë. Në anë të anës shumë larg; s’dihet se ku; në fund të botës; në anë të dheut. Nga ana e anës nga vise shumë të largëta; nga të gjitha anët. Në atë anë fli! iron. mos e fli mendjen, nuk është ashtu si kujton ti; mbaj po deshe atë mendim a qëndrim e prit më kot; në atë krah fli! iron. Në anë të dheut shumë larg; diku shumë larg; në fund të botës; në anë të anës. Pa anë e pa fund (pa fund e pa anë) shumë i gjerë, që s’ka kufi, i pamatshëm; pa cak e pa anë. Ana e keqe euf. djalli; i paudhi. Pa anë e pa krye (diçka) shih pa anë e pa fund. Nga një anë të puth e nga tjetra të kafshon (dikush) keq. është njeri me dy faqe, që hiqet në sy sikur të do, kurse nga ana tjetër ta bën të keqen; të vret natën e të qan ditën; ditën të lëpin këmbët e natën të ngul dhëmbët. Në anën tjetër të barrikadës libr. në anën e kundërshtarit; në kampin e armikut. Ana tjetër (e kundërt) e medaljes libr. e kundërta e asaj që duket ose që njihet a që pranohet si e vërtetë; ana tjetër e çështjes; pjesa më e keqe a vetia më e dobët e diçkaje. Bluan mbi anët (dikush) keq. shih i tërheq (i heq) kërraba nga vetja (dikujt). Pa *cak e pa anë. Dal në anë shpëtoj nga një gjendje e keqe; kapërcej një vështirësi; dal në breg; ia dal në krye (diçkaje). S’do t’ia dijë (s’dëgjon) nga ajo anë (dikush) nuk i bën përshtypje a nuk i trembet fare diçkaje; nuk i intereson a nuk e shqetëson fare asgjë; nuk çan kokën. Dy anët e një medaljeje libr. dy njerëz të njëjtë a dy gjëra të njëllojta, të lidhur ngushtë, që s’mund t’i dallosh e s’mund t’i shkëputësh. Fut *ujë në të katër anët (diçka). Ia gjej anën (diçkaje). 1. Gjej mjetin a mënyrën për të zgjidhur diçka a për të mbaruar një punë; ia gjej veglën; ia gjej vjegën; ia gjej rrëfanën; ia bëj rrethin. 2. (dikujt). Gjej rastin për të kërkuar diçka prej një njeriu a për t’i bërë diçka atij; gjej mundësinë a kohën e përshtatshme. S’ia gjej (dot) anën (diçkaje) nuk di nga t’ia nis një pune; nuk ia dal dot mbanë, nuk e kryej dot një punë; s’ia gjej (dot) fillin. Nuk i gjendet ana. 1. (diçkaje). Është shumë e gjerë diçka, është e pakufishme, s’i duket fundi. 2. Nuk ke ku e kap; është bërë copë-copë (për rrobat etj.). 3. (dikujt). Nuk kuptohet dikush ç’është; nuk dihet ç’bën a ku ndodhet. Më ha ana (më dikë). 1. Prirem, anoj nga dikush; më heq ana (më dikë); i mbaj anën (dikujt). 2. Kam dyshim te dikush për diçka. Më heq ana (më dikë a më diçka) prirem, anoj nga dikush a nga diçka; më ha ana (më dikë); i mbaj anën (dikujt). Nuk ka anë e udhë (diçka) nuk gjen dot arsye për ta shpjeguar, nuk përligjet; nuk mund të pranohet, nuk ka kuptim; nuk ta rrok (nuk ta kap) mendja. S’ka anë e vend (dikush) e dua shumë, është shumë i shtrenjtë e i dashur për mua; e kam dritë në sy (dikë); e kam shpirt (dikë); e dua (e ruaj) si dritën e syrit (e syve) (dikë). Në të katër anët kudo, në çdo vend; gjithandej; te lind e te perëndon. Nga të katër anët nga çdo vend, nga të gjitha drejtimet; gjithandej. Në të katër anët e botës (e dheut) kudo, në çdo vis, në gjithë botën; te lind e te perëndon. Nga të katër anët e botës (e dheut) nga çdo vis, nga të gjitha vendet, nga gjithë bota. E kthen *pjatën nga të katër anët (dikush) keq. Marr anën (e dikujt) bëhem me dikë, radhitem përkrah tij, e përkrah, e ndihmoj a e mbroj; i mbaj anën (dikujt); i bëhem (i dal) krah (dikujt); mbaj (marr) krahun (e dikujt). Më merr ana. 1. Anohem padashur, përkulem anash gati për t’ u rrëzuar; më ha ana. 2. Bie nga shëndeti; plakem e rrëgjohem. I marr anët (dikujt) shih i marr krahët2 (dikujt). Ia marr anën (diçkaje) shih ia marr dorën (diçkaje). E mori me anë (dikë) ia mbushi mendjen a e zbuti duke e marrë me të mirë e me lajka të vazhdueshme, ia ktheu mendjen urtë e butë, e bindi dhe e bëri për vete; e bëri që t’ia plotësojë dëshirën a kërkesën, të pranojë diçka, të ndryshojë në sjellje etj.; ia hëngri kokënII (kryet) (dikujt); ia hëngri zemrën (shpirtin). I ka marrë *pisha nga të dy anët (dikujt a diçkaje). Mban anë (dikush) nuk është i paanshëm; nuk është njeri i drejtë, përkrah zakonisht pa të drejtë dikë; mban hatër; mban pajë. I mbaj anën (dikujt) e përkrah dikë, mbështet mendimet e veprimet e tij; e mbroj zakonisht pa të drejtë; marr anën (e dikujt); më heq ana (më dikë); i mbaj pajë; e mbaj me hatër (dikë). I mbajnë anën e lëmshit (njëri-tjetrit) iron. nuk ndahen nga njëri-tjetri, mbajnë shoku-shokun, përputhen e pajtohen njëri me tjetrin; i kanë pipëzat (pipat) bashkë; kanë lidhur pizgat (në një) mospërf. I është nxehur *masha në të dyja anët (dikujt). E nxjerr në anë. 1. (dikë a diçka). E shpëtoj nga një e keqe, e ndihmoj të kapërcejë vështirësitë. 2. (diçka). E përfundoj, e çoj deri në fund, e kryej me sukses. I pret *shpata (palla, kordha) nga të dyja anët (djathtas e majtas) (dikujt). Nuk i pret *tehu në asnjë anë (në asnjërën anë) (dikujt). I pret *thika (vetëm) në njërën anë (dikujt). S’pyet nga ajo anë (dikush) s’ka frikë a nuk do t’ia dijë fare për diçka; nuk i trembet asgjëje. Nuk shkon asaj ane (në atë anë) (dikush) nuk merret fare me diçka, nuk e cek fare, as nuk i vete mendja ta prekë a ta zërë në gojë; e anashkalon. Tërheq nga ana e vet (dikush) shih i tërheq (i heq) kërraba nga vetja (dikujt). S’më vajti as në një anë (një ushqim a pije) hëngra, por nuk u ngopa; hëngra pak, dua edhe më për të ngrënë; s’më vajti as në një vesh. E vuri kapuçin në një anë (dikush) shih e hedh (e vë) qeleshen (festen, kapelën, kësulën, takijen) mbi sy.
ANËSÓR,~E mb. 1. Që gjendet në anë të një vendi a sendi, që ndodhet në krah; që vjen nga anët; i anës. Faqe anësore. Vijë anësore. Rrugë anësore. Derë anësore. Mure anësore. Krahinë anësore. Gjethe (rrënjë) anësore (bot.). Gjyqtar (lojtar) anësor (sport.). Goditje anësore. Zjarr anësor (usht.).
2. gjuh. Që shqiptohet duke kaluar rryma e ajrit anës gjuhës kur kjo puqet me dhëmbët ose me qiellzën e fortë. Bashkëtingëllore anësore (p.sh. l, ll).
3. fig. Që është i dorës së dytë, që nuk zë vendin kryesor; që nuk prek thelbin e diçkaje, që e kap cekët, anash. Problem anësor. Temë (çështje) anësore. Dukuri anësore. Në mënyrë anësore.
ARBËRÉSH,~E mb. 1. Që banohet nga arbëreshët e shpërngulur prej tokave me shqiptarë në mesjetë; që ka të bëjë me arbëreshët, që është krijuar nga arbëreshët ose që është veti e arbëreshëve; i arbëreshëve. Krahinë arbëreshe. Fshat arbëresh. Ngulimet arbëreshe. Grua arbëreshe. Letërsia (poezia) arbëreshe. Të folmet arbëreshe. Kostum arbëresh. Shkrimtar (poet) arbëresh.
2. vjet. Shqiptar.
3. krahin. Që ka të bëjë me një pjesë të Labërisë së Vlorës, i arbëreshëve të Labërisë. Gra arbëreshe.
AREÁL,~II m. sh. ~E, ~ET libr. 1. Tërësi hapësinore, kohore dhe biologjike në sipërfaqen e Tokës, pjesë e caktuar e gjeosferës në të cilën lloji, përmes bashkësisë së tij, ose individi realizohet si vazhdimësi hapësinore e kohore; hapësirë shtrirjeje. Areal i madh (i vogël). Areal i kufizuar. Areal gjeografik.
2. gjuh. Hapësirë ose zonë ku takohen veçori të një të folmeje, të një nëndialekti a të një dialekti. Areal gjuhësor. Areal dialektor. Areali i shtrirjes së habitores në shqipen.
✱Sin.: hapësirë, sipërfaqe, zonë, krahinë, regjion, rajon, territor, lëmë, fushë.
ÁSHPËR (i, e) mb. 1. Që e ka sipërfaqen me të dala të vogla, që nuk është i lëmuar në të prekur, që të gërvisht lëkurën kur e prek; kund. i butë. Letër e ashpër. Lëkurë (pëlhurë) e ashpër. Duar të ashpra. Çarçaf i ashpër. Dërrasë e ashpër.
2. Që është i fortë, që nuk përkulet në të prekur, i kreshtë; kund. i butë. Lesh i ashpër. Mjekër (qime) e ashpër. Furçë e ashpër.
3. Me thërrmija a me kokrriza të mëdha, jo i imët, i trashë. Miell i ashpër. Sheqer i ashpër. Rërë e ashpër.
4. tekst. Që sapo ka dalë nga tezgjahu dhe nuk është përpunuar më tej. Pëlhurë (beze) e ashpër. Fill i ashpër. Prodhime të ashpra.
5. Që është me male të larta e me shkëmbinj të thepisur, i thyer, i vështirë për t’u kaluar (për një vend); kund. i butë. Vend i ashpër. Male të ashpra. Krahinë e ashpër. Natyrë e ashpër.
6. fig. Që shoqërohet me të ftohtë të madh, me ngrica e me stuhi dëbore (për motin); kund. i butë. Mot i ashpër. Dimër i ashpër. Klimë e ashpër.
7. fig. Që është shumë i rreptë e i përgjakshëm; që bëhet me vështirësi dhe me mundime të mëdha, që është plot ndeshje e përpjekje të vështira. Luftë (përleshje) e ashpër. Ndeshje e ashpër. Jetë e ashpër. Kushte të ashpra. Konkurrencë e ashpër.
8. fig. Që i mungon butësia; që nuk sillet me dashamirësi, i vrazhdë; që shpreh rreptësi, i rreptë; kund. i butë. Prind (mësues) i ashpër. Sjellje e ashpër. Fytyrë e ashpër. Zë (ton) i ashpër. Fjalë (përgjigje) e ashpër. Bëhet i ashpër.
9. fig. Që godet rëndë e pa lëshime. Kritikë e ashpër.
10. fig. Që kërkon zbatim të përpiktë e pa shmangie; i rreptë, i shtrënguar. Ligj (rregull) i ashpër. Disiplinë e ashpër. Dënim i ashpër. Masa të ashpra. E vërteta e ashpër.
11. Që është i fortë, por i cilësisë së dobët e me shije të keqe, jo i këndshëm në të ngrënë a në të pirë; i dobët, i varfër nga përmbajtja ushqyese. Raki (verë) e ashpër. Duhan i ashpër. Ushqime të ashpra ushqime të thata për kafshët, si kashta etj.
✱Sin.: i rreptë, i vrazhdë, i egër, gërvishtës, i vështirë, i tharë, i plasaritur, i grathët, i carangthtë.
AUTONÓM,~E mb., drejt. 1. Që ka të drejtën të vendosë në mënyrë të pavarur për punët e popullsisë së vet dhe të qeveriset sipas ligjeve të veta, brenda sistemit të një shteti të madh; që ka autonomi, i pavarur, sovran. Shtet autonom. Republikë (krahinë) autonome. Rajon autonom. Institucion autonom. Sistem autonom. Gjykatë autonome.
2. Që është i pavarur; që vepron vetë, pa iu nënshtruar lidhjeve me një tërësi më të madhe. Ndërmarrje (degë, njësi) autonome. Repart autonom. Ekonomi autonome. Zhvillim autonom. Veprime autonome. Automjet autonom (pa shofer). Teknologji autonome.
✱Sin.: i pavarur, i lirë, i mëvetësuar, sovran, vetëqeverisës, vetudhëheqës, vetëvendosës.
BASK,~E mb. Që lidhet me krahinën ku jetojnë baskët ose me baskët, që është karakteristik për këtë krahinë ose për baskët, i vendit të baskëve ose i baskëve; që është krijuar nga baskët. Popullsia baske. Fshatra baske. Veshje (zakone, muzikë) baske. Letërsia baske. Shkrimtarët baskë. Gjuha baske është një ndër më të vjetrat në Europë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë