Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ANALOGJÍ,~A f. sh. ~, ~TË libr. 1. Ngjashmëria që kanë sendet ose dukuritë e ndryshme në tërësi ose në disa tipare a anë të tyre. Analogji e plotë (e pjesshme). Analogji e thjeshtë. Analogji e jashtme (e brendshme). Analogji fizike. Analogjia mekanike. Analogji gjuhësore (gramatikore, leksikore, kuptimore etj.). Analogjia e kuptimit. Gjen analogji. Për analogji. Ka një analogji. Analogji e pjesshme ligjore. Mbështetem në analogji për të ndërtuar argumentin tim.
2. logj. Mënyrë arsyetimi, që mbështetet në disa tipare a në anën e ngjashme të sendeve ose të dukurive të ndryshme për të nxjerrë përfundime edhe për ngjashmërinë e tyre në anë e në tipare të tjera. Analogjia si metodë. Parimet e analogjisë. Analogji përngjashmuese. Analogji formale. Bëri një analogji. Përdor analogjinë. Analogji krijuese.
✱Sin.: ngjashmëri, ngjasi, ngjasim, përngjasim, përngjashmim, krahasim.
ANALOGJÍZ/ËM,~I m., filoz. 1. Drejtim në filologjinë klasike që analogjinë ose ngjashmërinë gjuhësore e kupton si prirje natyrore për të vendosur e për të ruajtur lidhjet e domosdoshme midis mendimit dhe praktikës. Parimet e analogjizmit. Metoda e analogjizmit. Ai mbështet analogjizmin. Përdor analogjizmin në studimet e tij.
2. Metoda e të menduarit dhe e të shpjeguarit përmes analogjisë. Përdor analogjizmin në funksionet matematikore. Sipas parimeve të analogjizmit. Rregullat gramatikore zhvillohen sipas parimeve të analogjizmit.
3. Përfundim, dëshmi ose gjykim i mbështetur në analogjinë, në ngjashmërinë, në krahasimin. Analogjizmi si strategji shpjeguese në komunikimin me publikun.
✱Sin.: ngjashmëri, përngjashmëri, ngjasi, ngjasim, përngjasim, krahasim, analogji.
AN/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. jokal. Anohem; përkulem nga njëra anë, prirem nga njëra anë, marr anë, përthyej trupin ose diçka tjetër. Anon barka. Anon nga e djathta (nga e majta). Anon nga njëri krah. Anon kali i varet njëra anë e barrës kalit. Anoj nga pesha.
2. fig., kal. Marr anën e dikujt, i jap krah dikujt ose një ane; i afrohem një mendimi; prirem nga një anë. Anon nga i ati (nga shokët). Anoj nga shumica. Anon nga ne. Anoj nga mendimi më i drejtë. Nga më anon zemra.
3. kal. Ngjaj me dikë a me diçka tjetër, afroj. Anon nga e bardha. Nga anon më shumë?
4. kal. Përkul nga njëra anë, zhvendos anën e një sendi në krahasim me vijën pingule ose horizontale, i jap drejtim të pjerrët. Anoj trupin. Anoj degët. Anoj barkën. Anoj përpara (nga e majta).
♦ Shkon nga anon *balanca (dikush) libr. I anon *zemra (nga dikush).
✱Sin.: anësoj, përkul, prirem, lakoj, thyej, përthyej, kërrus, anos, var.
ANTAGONÍST,~E mb. 1. libr. Që është në kundërshtim të papajtueshëm me dikë a me diçka tjetër; që shfaq qëndrim armiqësor, kundërshtues, ose kundërvënie; që ka antagonizëm. Veprim antagonist. Forca antagoniste. Mospajtime antagoniste. Interesa (marrëdhënie) antagoniste.
2. fiziol. Që kryen veprime e funksione krejt të kundërta në krahasim me ato të një lënde a organi tjetër të trupit. Lëndë antagoniste. Muskuj antagonistë. Ilaçe me efekt antagonist. Ndikim antagonist.
✱Sin.: kundërshtimor, kontradiktor, mospajtues, konfliktues, konfliktual.
ANTAGONÍZ/ËM,~MI m. sh. ~MA, ~MAT 1. libr. Kontradiktë e papajtueshme, kontradiktë që zgjidhet vetëm me ndeshjen e të kundërtave ose me luftë; papajtueshmëri. Antagonizmi politik (ekonomik, ideologjik...). Antagonizmat kombëtarë (fetarë). Antagonizëm interesash.
2. fiziol. Veprim ose funksion krejt i kundërt i një lënde a i një organi të trupit në krahasim me një lëndë a organ tjetër. Antagonizëm i një organi ndaj organit tjetër.
3. psikiat. Sjellje e një të sëmuri që bën veprime kontradiktore të pandërgjegjshme.
✱Sin.: papajtueshmëri, kundërshtim, mosdurim, mospajtim, jotolerancë, kontradiktë, rivalitet, armiqësi.
AQ ndajf. 1. Në një shkallë, në një masë a në një sasi të atillë, sa është përmendur më parë ose përmendet në fjalinë tjetër; përdoret me këtë kuptim si fjalë e bashkëlidhur në fjalinë kryesore (në fjalinë e varur i përgjigjet fjala sa). Edhe një herë aq më i madh se ky.
2. Në një shkallë të lartë ose në një masë a në një sasi të atillë të madhe, më shumë nga ç’mendonim ose nga ç’prisnim, shumë; përdoret me këtë kuptim si fjalë e bashkëlidhur në fjalinë kryesore (në fjalinë e varur i përgjigjet fjala sa). Aq mirë (keq). Aq afër (larg). Aq shpejt (vonë). Aq bukur. Aq i thjeshtë. Jo dhe aq. S’është edhe aq.
3. Përdoret me shkallën krahasore të ndajfoljeve e të mbiemrave me kuptim përforcues; me këtë kuptim përdoret edhe si fjalë e bashkëlidhur në fjalinë kryesore (në fjalinë e varur i përgjigjet fjala sa). Aq më tepër (më shumë). Aq më mirë (më keq). Aq më pak (më fort). Aq më i lehtë (më i vështirë).
4. Përdoret në njërën nga fjalitë e bashkërenditura kundërshtore, zakonisht me mohim, për të treguar se shkalla e veprimit që mohohet është më e ulët sesa ajo e veprimit që pohohet. Jo aq për ty.
5. Mjaft, jo shumë. Aq, jo më tepër. Aq, më mjafton.
6. Në një shkallë a masë të vogël, të kufizuar në krahasim me atë që duhet, jo më shumë; pak. Aq di. Aq kupton. Aq mendon. Aq ia pret. Aq donte. Aq priste. Aq kishte hall.
♦ Aq i ha *krahu (dikujt). Aq ia arrin (ia pret) *mendja (dikujt) mospërf. Aq i arrijnë *shkallët (dikujt). Aq më bën! s’dua t’ia di, nuk pyes për dikë a për diçka; nuk çaj kokën; nuk e prish gjakun; nuk e prish gjumin; s’më djersin veshi; nuk më plasi barku iron. mospërf.; nuk më ftohen fasulet iron. mospërf.; nuk më prishet gjiza iron. mospërf. Aq dua! këtë pres, kjo më duhej për të vepruar pastaj ashtu si di vetë. Aq i hedh *dyfeku mospërf. Aq e ka. 1. (diçka). Nuk mund të rrojë më shumë. 2. (dikush). Nuk ka fuqi a aftësi për të bërë më shumë; nuk kupton a nuk bën dot më shumë; aq ia arrin (ia pret) pret mendja (dikujt) mospërf. 3. (dikush). Nuk do shumë mund për ta nxitur për diçka (për të qarë, për t’u grindur, për t’ia hyrë një rreziku etj.); është i lehtë. Aq e ka *vrapin (dikush). Aq e kaq në një sasi ose masë të caktuar, në një madhësi pak a shumë të njohur. Në aq e në kaq rrallëherë, nganjëherë. Aq *mend ka (dikush) mospërf. Aq e pati zakon. iron. mori fund, s’vete dot më tutje; kaq e pati zakon. iron. Aq sa i peshon *djersa (dikujt). Aq i peshon *kandari (dikujt) mospërf. Aq ia pret (dikujt) keq. nuk di më shumë, aq mund të bëjë; aq e ka2 (dikush); aq mend ka (dikush) mospërf. Aq i rëndojnë *trutë (dikujt) tall. U bëra edhe një herë aq (kaq) u gëzova shumë; m’u bë zemra mal.
ÁRDHËS,~I m. sh. ~, ~IT 1. Ai që ka ardhur nga një vend tjetër dhe është ngulur në një vend të ri, banor i ardhur (në krahasim me vendësit); kund. anas. Shtëpia e ardhësit. Ardhësi foli i pari.
2. Fëmijë i një gruaje të ve a të ndarë, që kjo e merr me vete kur martohet përsëri.
3. Pasardhës, pinjoll; i mëpasëm, pasues; kund. paraardhës.
AVANTÁZH,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Epërsi mbi një tjetër, të qenët më përpara a më lart se një tjetër; gjendje ose rrethanë që i jep dikujt epërsi ndaj dikujt tjetër në një konkurrencë, garë, bisedim, situatë, lojë etj., përparësi; kund. disavantazh. Avantazh i madh (i përkohshëm). Lojë e avantazhit (sport.). Kam avantazh. Ruaj (rrit) avantazhin. Jam (kaloj) në avantazh. Avantazh konkurrues. Doli në avantazh.
2. Përfitim nga diçka në krahasim me një tjetër, dobi, e mirë. Avantazh i rëndësishëm. Avantazhe ekonomike (materiale). Ka avantazh.
✱Sin.: përparësi, epërsi, sipëri, superioritet.
BALLAFAQÍM,~I m. sh. ~E, ~ET libr. Veprimi kur ballafaqoj dikë a kur ballafaqohem me të tjerë; drejt. vënia ballëpërballë e dy personave nga organet proceduese kur vërehet se thëniet e tyre për fakte e rrethana të caktuara janë të kundërta, në mënyrë që të dalë në dritë e vërteta; veprim me të cilin merren njëkohësisht në pyetje dy persona që janë pyetur edhe më parë në lidhje me faktet e rëndësishme për të cilat kanë dhënë deklarata të ndryshme dhe kundërthënëse. Ballafaqimi me çdo problem. Ballafaqimi me popullin. Ballafaqimi i përvojës. Ballafaqimi i mendimeve (i pikëpamjeve). Ballafaqimi i dëshmitarëve. Metoda e ballafaqimit. Kërkoi ballafaqim. Bëj ballafaqimin. - Mos ki frikë nga ballafaqimi!
2. Veprimi kur përqas dy a më shumë gjëra për të gjetur të përbashkëtat dhe dallimet; vënie përballë e dy a më shumë dokumenteve, teksteve etj. për të gjetur përkimet ose dallimet a mospërputhjet ndërmjet tyre; syzim, ndërsynim. Ballafaqimi i dorëshkrimeve poetike. Nga ballafaqimi i fjalorëve dygjuhësh.
3. Veprimi kur bashkoj dy sende; bashkim a vënie buzë më buzë e dy sendeve, puthitje.
✱Sin.: krahasim, përqasje, përballje, përballim, syzim, ndërsynim, puthitje.
BANÁL,~E mb. 1. Që ka humbur forcën shprehëse për shkak të përsëritjes së shpeshtë, që është bërë bajat e pa shije; tepër i përdorur dhe i njohur prej të gjithëve; i pakripë, i dalëboje. Mendime (thënie, bisedë) banale. Krahasim banal. Është bërë banal. Ngjarje (skenë) banale. Zhargon banal. Në mënyrë banale.
2. keq. I pahijshëm, i ndyrë, i turpshëm (për fjalët etj.); që përdor fjalë të ndyra e sillet në mënyrë të shëmtuar. Fjalë (shprehje) banale. Shaka (anekdotë) banale. Sharje (shpifje) nga më banalet. Batuta (nofka) banale.
3. Që nuk ka ideale të larta; që ka shije të ulët. Njeri banal.
✱Sin.: bajat, i pakripë, i dalëboje, i pahijshëm, i ndyrë, i turpshëm.
BARAZÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Të qenët i barabartë në madhësi, në shkallë, në cilësi etj. me një tjetër, të qenët baras, njënjëshmëri; kund. pabarazi. Barazi e plotë. Barazia e forcave. Sipas parimit të barazisë. Raporte barazie.
2. drejt. Gjendje e barabartë e njerëzve në shoqëri, të cilët kanë të drejta të njëjta politike e qytetare dhe marrëdhënie të barabarta me pronën shoqërore; e drejta për të qenë i barabartë me një tjetër; kund. pabarazi. Barazi e plotë. Barazi kombëtare (shoqërore). Barazi juridike (ekonomike). Barazi para ligjit. Barazia e qytetarëve (e gruas me burrin). Barazia gjinore. Parimi i barazisë. Lufta për barazi. Duhet drejtësi, barazi, vëllazëri dhe jo djallëzi. Shkelja (prishja) e barazisë midis shtetasve.
3. gjuh. Krahasim i sendeve në shkallë të barabartë; kund. pabarazi. Shkalla krahasore e barazisë një nga shkallët e krahasimit të mbiemrave e të ndajfoljeve kur sendet a cilësitë që krahasohen janë në një shkallë të barabartë.
✱Sin.: njënjëshmëri, njëjësi, barazim, paritet.
BARAZÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur barazoj dikë a diçka me një tjetër a me të tjerë ose kur barazohem; njësim. Barazimi i plotë. Barazimi i të drejtave. Barazimi i masës së peshave. Bëj barazim. Kriteri i barazimit të pronave.
2. sport. Përfundim i barabartë i një ndeshjeje a i një loje, kur asnjëri nga kundërshtarët nuk fiton. Barazim pa gola. Goli i barazimit. Bëri barazim. Përfundoi (loja) me barazim.
3. mat. Formulë matematike që ka dy anë me madhësi e me vlerë të barabartë ndërmjet tyre; ekuacion; Barazim numrash. Barazim algjebrik. Barazim me një të panjohur. Barazim përfundimtar. Barazimi i drejtëzës (i valës, i energjisë, i kohës, i lëvizjes). Barazimi i këndeve. Shenja e barazimit. Zgjidh një barazim.
4. gjuh. Krahasim, përqasje, ballafaqim. Barazime etimologjike e toponomastike.
5. vjet. Barazi. Barazim kombëtar. Barazim ligjor. Parimi i barazimit.
✱Sin.: njësim, njëjtësim, barabitje, krahasim, përqasje, ballafaqim.
♦ Vë *shenjën e barazimit libr.
BÁZ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Pjesa e poshtme e një trupi mbi të cilën mbështetet a qëndron ai; pjesa e fundit e një trupi që zakonisht është më e gjerë në krahasim me majën; themeli. Bazë e gjerë. Baza e shtyllës (e piramidës). Baza e ndërtesës. Baza ku qëndron shtëpia. Baza e dhëmbit.
2. fig. Mbështetja kryesore e diçkaje, parimi themelor mbi të cilin ndërtohet diçka, themeli; arsyeja që shpjegon a që përligj diçka. Baza fiziologjike. Baza dialektore e gjuhës standarde. Bazë e shëndoshë. Baza e bazave. Bazat e shtetit shqiptar. Mbi baza të drejta (shkencore). Arsyetim pa baza. Mbi këtë bazë. Mbi bazën e përvojës. Mbi një bazë të re. Ka (shërben) si bazë. Kam (marr) për bazë mbështetem. Këtu e ka bazën. Nuk ka bazë. Është pa baza. Vë në bazë e marr si mbështetje. E vë mbi baza të shëndosha. Flet me baza.
3. kryes. sh. Parimet kryesore të një shkence; parimet themelore mbi të cilat ngrihet e mbështetet një dituri; njohuritë themelore të një fushe të dijes. Bazat e filozofisë. Bazat e vizatimit teknik. Bazat e astronomisë (e darvinizmit).
4. Tërësia e mjeteve, e sendeve dhe e kushteve që janë të domosdoshme për një punë a për një veprimtari; qendër e pajisur me mjetet e nevojshme për të ndihmuar një veprimtari ose për furnizim. Bazë materiale (teknike, mësimore, ushqimore, mekanike). Bazë sportive (turistike). Bazë furnizimi.
5. ek. Tërësia e marrëdhënieve në prodhim që i përgjigjen nivelit të zhvillimit të forcave prodhuese të shoqërisë në një periudhë të caktuar historike dhe që përbëjnë strukturën ekonomike të shoqërisë, mbi të cilën ngrihet superstruktura e saj. Baza ekonomike. Baza dhe superstruktura. Ndryshime në bazë. Ndërtimi i një baze të re.
6. vet. nj., përmb. Organet më të ulëta, zakonisht ato të rretheve, kundrejt aparatit qendror të administratës shtetërore e të organizatave politike-shoqërore; ndërmarrjet e prodhimit, institucionet lokale ose vartëse dhe rrethet kundrejt institucioneve qendrore drejtuese dhe qendrës; terren. Qendra dhe baza. Organet (punonjësit) e bazës. Mendimi (zëri) i bazës. Punoj (shkoj, zbres) në bazë. Vjen nga baza. Lidhem me bazën. Ndihmon (forcon) bazën.
7. usht. Vend ku janë përqendruar trupa dhe mjete ushtarake për qëllime luftarake; pikëmbështetje për nisjen e veprimeve luftarake, për furnizimin e trupave etj. Bazë ushtarake (detare, ajrore). Bazë bërthamore. Bazë raketash (nëndetësesh). Baza e nisjes. Ndërtoi (ngriti) një bazë. Mban baza. U nisën nga baza.
8. Vendstrehim i përkohshëm për njerëz dhe për mjete që shërben si pikëmbështetje për një veprimtari; vend strehimi i përkohshëm në një shtëpi. Baza e teknikës (e shtypit). Fjetën në një bazë. I ndanë (i çuan) njerëzit në baza. Kjo shtëpi ishte baza jonë.
9. Diçka që merret si pikënisje ose si njësi për matje, për vlerësim etj. Bazë e një sistemi numërimi. Marr si bazë.
10. gjeom. Brinja ose sipërfaqja e poshtme e një figure a e një trupi, mbi të cilën ngrihet pingul lartësia. Baza dhe lartësia. Baza e trekëndëshit. Baza e piramidës (e prizmit, e konit). Sipërfaqja (brinjët) e bazës. Gjatësia e bazës.
11. mat. Numri që ngrihet në fuqi.
12. gjeol. Vijë që përcaktohet në tokë si mbështetje për të formuar një trekëndësh të nevojshëm te matjet. Bazë e vogël (e madhe). Shtrij bazën.
13. kim. Bashkim kimik i cili me acide jep kripëra. Bazë e fortë. Bazë e tretshme. Bazë organike.
14. Pjesa kryesore përbërëse e një lënde të përzier. Baza e një bari. Helm me bazë arseniku. Pomadë me bazë vaji.
15. tekst. Majë. Bazë e ind. Fijet e bazës. Masur baze.
♦ Hodhi (vuri) bazat (*themelet) (e diçkaje) libr.
BRENDAGJUHËSÓR,~E mb. Që ndodh a që shfaqet brenda një gjuhe; kund. jashtëgjuhësor. Krahasim (rindërtim) brendagjuhësor. Përkthim brendagjuhësor. Gramatikalizim brendagjuhësor. Dukuri (lëvizje) brendagjuhësore. Shqyrtim diakronik brendagjuhësor.
►DALL/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Jam në një vend ku mund të shihem nga të tjerët; dukem. Aty nuk dallohej fare. Ende nuk dallohet mirë.
2. vetv., vet. v. III Jam i ndryshëm nga të tjerët, kam disa tipare e veçori të ndryshme nga të tjerët; shquhem në krahasim me të tjerët, bie në sy më shumë; del mbi të tjerët, del në pah. Dallohet nga të tjerët. Dallohet ndër shokët. Dallohet për shkathtësi. Dallohet si student i talentuar. Dallohet zëri i tij. Ishin veshur të gjithë njësoj, nuk dalloheshin fare. Ari dallohet në zjarr, miku provohet në në rrezik. (fj. u.).
3. pës. e DALLÓJ.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë