Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DISONÁNC/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. muz. Tingëllim jo i harmonishëm i dy a më shumë tingujve të njëkohshëm ose të njëpasnjëshëm, që të vret veshin; grup tingujsh që nuk tingëllojnë bukur së bashku; prishja e harmonisë së tingujve; shtingëllim. Disonanca e tingujve. Ka (bën) disonancë.
2. let. Rimë jo e plotë e dy a më shumë vargjeve, asonancë. Disonancë e këndshme në vargjet e poezisë.
3. fig., libr. Mungesë harmonie; mospërputhje mendimesh, pikëpamjesh etj. Disonancë mendimesh. Disonancë ngjyrash. Disonancë konjitive midis trupit dhe mendjes.
PSIKOLOGJÍ,~A f. 1. Shkenca që merret me studimin e dukurive psikike të njeriut dhe me zbulimin e me përcaktimin e ligjeve të veprimtarisë psikike.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje degësh, fushash etj. të psikologjisë: Psikologjia analitike psikologjia e personalitetit. Psikologjia biologjike psikobiologjia. Psikologjia eksperimentale degë e psikologjisë që merret me shkaqet themelore të sjelljes, përmes kryerjes së eksperimenteve. Psikologjia e edukimit degë e psikologjisë që merret me hartimin e kurrikulave, të teksteve, me përzgjedhjen e metodave të mësimdhënies, me organizimin e klasës etj. Psikologjia fiziologjike psikofiziologjia. Psikologjia humane drejtim psikologjik që beson se njerëzit janë qenie unike e të pandashëm në grupe. Psikologjia inxhinierike fushë e psikologjisë që merret me përzgjedhjen e vendit të punës, me projektimin e pajisjeve, me mënyrën e kryerjes së punës etj. Psikologjia e këshillimit fushë e psikologjisë që merret me ndihmën e njerëzve me probleme emocionale, personale etj. Psikologjia klinike psikoterapia. Psikologjia e konsumit fushë e kërkimit psikologjik që merret me sjelljen e konsumatorit gjatë blerjes së një malli. Psikologjia konjitive psikologjia njohëse. Psikologjia krahasuese degë e psikologjisë që merret me krahasimin e sjelljes së kafshëve me njerëzit. Psikologjia ligjore degë e psikologjisë që studion probleme emocionale e të sjelljes së individit, që kanë të bëjë me ligjin dhe sistemin ligjor. Psikologjia kriminale (psikologji kriminologjike) nënfushë e kriminologjisë dhe psikologjisë së aplikuar që merret me studimin e pikëpamjeve, të mendimeve, të synimeve, të veprimeve dhe të reagimeve të kriminelëve dhe të dyshuarve. Psikologjia e mësimit psikologjia e edukimit. Psikologjia e mjedisit degë e psikologjisë që merret me studimin e ndikimit të mjedisit në sjelljen e njeriut. Psikologjia moshore psikologji e zhvillimit. Psikologjia organizative degë e psikologjisë së personalitetit që merret studimin e qëndrimit dhe të motivimit në punë të punësuarve. Psikologjia e personalitetit degë e psikologjisë që studion personalitetin dhe ndryshimin e tij tek individi, duke synuar të tregojë se njerëzit janë individualisht të ndryshëm për shkak të faktorëve psikologjikë. Psikologjia e sjelljes anormale fushë e psikologjisë që merret me diagnostikimin e trajtimin e sjelljes anormale te njerëzit. Psikologjia sociale degë e psikologjisë që merret me ndikimin e të tjerëve mbi mendimet, ndjenjat dhe mbi sjelljen e një individi. Psikologjia sportive degë e psikologjisë që merret me studimin dhe zbatimin e parimeve të psikologjisë në veprimtaritë sportive. Psikologjia e shëndetit fushë e psikologjisë që merret me ndikimet psikologjike në shëndetin e njeriut. Psikologjia e zbatuar psikologjia e aplikuar. Psikologjia e zhvillimit degë e psikologjisë që merret me studimin e rritjes fizike e mendore dhe të ndryshimeve sjellore te njeriu.
3. Lënda që jep njohuritë e nevojshme të kësaj shkence në shkollë; teksti që përmban këto njohuri. Teksti i psikologjisë.
4. Tërësia e proceseve psikike që lidhen me një veprimtari të caktuar e me kushte të caktuara të jetesës së një njeriu a të një grupi njerëzish.
5. Tërësia e veçorive të botës shpirtërore të njeriut a të një grupi njerëzish, formimi shpirtëror. Psikologjia e shkrimtarit (e artistit, e shkencëtarit, e fëmijës, e plakut). Psikologjia e pronarit.
TERAPÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. mjek. Trajtim apo ndërhyrje që ka për qëllim shërimin ose lehtësimin e një sëmundjeje; trajtim mjekësor për të shëruar, kuruar a lehtësuar sëmundjen e një të sëmuri; trajtim terapeutik për të ndihmuar dhe përmirësuar shëndetin; pjesë e mjekësisë që merret me trajtimin e sëmundjeve pa kirurgji. Terapi me ultratinguj. Terapi me ozon. Terapi kundër dhembjeve kronike. Terapia fizike. Filloi terapinë. Terapi intensive.
2. psikol. Proces ndërhyrjeje profesionale për të përmirësuar gjendjen mendore, emocionale ose sjellore të një individi; psikoterapi. Terapi konjitive. Terapi familjare. Terapi në grup. Terapi e sjelljes.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë