Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABSTRAKSIONÍST,~E mb., art. Që ka të bëjë me abstraksionizmin, që lidhet me abstraksionin; që ndjek e zbaton abstraksionizmin; që bëhet sipas kërkesave të abstraksionizmit. Arti abstraksionist. Rryma abstraksioniste. Vepër (pikturë) abstraksioniste. Artistë abstraksionistë. Piktor (skulptor) abstraksionist. Kompozitor abstraksionist. Filozof abstraksionist. Stil abstraksionist. Qasje abstraksioniste.
AKADEMÍST,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Ai që ndjek studimet në një akademi; ai që ka mbaruar një akademi. Akademist kompozitor. Akademist i artit (i teatrit, i pikturës, i skulpturës etj.).
2. Ai që ndjek, që promovon ose që mban një qasje të mbështetur në traditat dhe në metodat akademike; përkrahës i trajtimit të çështjeve në mënyrë akademike; përkrahës i stilit akademik; mbështetës i akademizmit në art, në shkencë ose në arsim.
3. Anëtar i një akademie. Akademist i njohur.
ANTOLOGJÍK,~E mb., libr. 1. Që i përket antologjisë; që ka të bëjë me antologjinë, i antologjisë.
2. Që është përfshirë në një antologji poezie, proze, drame etj. Shkrimtar (poet, prozator, piktor, kompozitor etj.) antologjik. Poezi antologjike. Minuet antologjik.
3. fig., bised. Që ka diçka të veçantë, që dallohet me diçka të veçantë, që është i tillë që meriton të hyjë në antologji. Shembull antologjik. Shkrim antologjik. Rast antologjik. Budallallëk antologjik. Paraqitje antologjike.
APASIONÚAR (i, e) mb., psikol. I pasionuar. Kompozitor i apasionuar. Ai është apasionuar pas futbollit.
✱Sin.: i zjarrtë, i vrullshëm, i afshët, i përkushtuar.
AVANGÁRD,~E mb. Që është në ballë të ndryshimeve dhe risive (artistike, kulturore, politike, teknologjike etj.), që sfidon traditat dhe marrëveshjet ekzistuese, që është nismëtar, pionier në fushën e vet duke promovuar ide dhe praktika të reja dhe eksperimentuese, të panjohura dhe të paprovuara më parë. Letërsi avangarde. Art avangard. Poet avangard. Intelektual avangard. Filozof avangard. Kompozitor avangard. Grup avangard. Teorik avangard. Teoria e artit avangard. Shkencëtar avangard. Mendim politik avangard. Lëvizjet politike avangardë.
✱Sin.: pararojë, nismëtar, prijatar, risimtar, pionier, pararendës, novator.
KOMPOZITÓR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT muz., art. Ai që bën a kompozon një këngë, një pjesë muzikore etj. Kompozitor i ri (i vjetër). Kompozitor i shquar shqiptar.
NJÓHUR (i, e) mb. 1. Që e njohim, që është njohur nga ne a nga të tjerë, që e dimë kush a cili është, si është ose i kujt është; kund. i panjohur. Fytyrë e njohur. Një fshatar i njohur. Rrugë e njohur. Krahinë e njohur. Hapa të njohur. Zë i njohur. Shkrim i njohur. Markë e njohur. Sëmundje e njohur. Bëj të njohur njoftoj, vë në dijeni, bëj të ditur, shpall botërisht.
2. Që është njohur ligjërisht; kund. i çnjohur.
3. fig. Që e njohin mirë të gjithë, që është bërë popullor me vetitë e cilësitë e mira që ka, që ka bërë emër, i dëgjuar, i shquar; keq. që e njohin të gjithë si të tillë, që është me damkë. Shkrimtar (kompozitor, këngëtar, artist, dijetar) i njohur. Melodi e njohur. Vepër e njohur. Vjedhës (hajdut, kriminel) i njohur. Agjent i njohur. Është i njohur. U bë i njohur.
✱Sin.: i ditur, i shkelur, i rrahur, i shquar, i dëgjuar, i përmendur, zëmadh, derëmadh, popullor.
ÓRIGJINÁL,~E mb. 1. Që është vërtet ai i fillimit, që është bërë a është krijuar për së pari nga dikush; që nuk është përkthim, riprodhim a kopje e diçkaje tjetër (për një vepër letrare ose artistike); që është bërë nga vetë autori. Vepër origjinale. Pjesë origjinale. Tekst origjinal. Monedhë origjinale.
2. Që shkruan a krijon në një mënyrë të vetën, që sjell diçka të re me veprën e tij; që sjell diçka të re, që është krijuar në mënyrë të re. Shkrimtar (mendimtar, dijetar) origjinal. Artist (kompozitor) origjinal. Mendim origjinal. Ide origjinale. Vizatim origjinal.
3. bised. Që bie në sy nga sjellja e veçantë ose nga qëndrimi mjaft i ndryshëm në krahasim me të tjerët, që nuk është i ngjashëm me të tjerët dhe flet, sillet a vepron në mënyrë jo të zakonshme a pak të çuditshme. Njeri origjinal.
PANJÓHUR (i, e) mb. 1. Që nuk e njohim, që nuk e dimë kush a çfarë është, si është, i kujt është etj.; kund. i njohur. Njeri i panjohur. Fytyrë e panjohur. Rrugë e panjohur. Vend i panjohur. Zë i panjohur.
2. Që njihet shumë pak nga bota, që nuk është bërë popullor, që nuk ka bërë emër; i padëgjuar; kund. i njohur. Shkrimtar (artist, kompozitor) i panjohur. Vepër e panjohur. Është ende i panjohur.
✱Sin.: i padëgjuar, i paparë, i paprovuar, anonim, i paemër, i ri, i paditur, i huaj.
PËRBOTËRÚAR (i, e) mb. Që është përbotëruar, që është bërë botëror. Shkrimtar (piktor, kompozitor) i përbotëruar. Letërsi (kulturë, trashëgimi) e përbotëruar.
SIMFONÍST,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Kompozitor simfonie a simfonish. Ai është një simfonist i mirënjohur.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë