Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
KOLEGJIÁL,~E mb., libr. Që përbëhet nga një grup kolegësh a specialistësh këshillues, të cilët kanë përgjegjësi e të drejta më të mëdha profesionale; që është veçori e punës me kolegë. Frymë kolegjiale. Organ (bashkëpunim) kolegjial. Në mënyrë kolegjiale.
KOLEGJIALITÉT,~I m., libr. Të qenët kolegjial; parim dhe frymë e përbashkët pune. Ruhet (mbrohet) kolegjialiteti.
KOLEKTÍV,~E mb. 1. Që lidhet me një punë a një veprimtari të përbashkët, e cila përfshin punonjës të një profesioni në të njëjtin institucion a ndërmarrje, që shpërblehen afërsisht njësoj; që është anëtar i një kolektivi; i përbashkët; kund. individual. Ndërmarrje (punë, pronë, ekonomi, vepër) kolektive. Klasa kolektive dy klasa bashkë, me pak nxënës dhe me një mësues. Në mënyrë kolektive.
2. bised. Kolegjial. Punë (vepër, frymë, përgjegjësi) kolektive.
✱Sin.: i përbashkët, kolegjial.
KËSHÍLL,~I m. sh. ~A, ~AT zyrt. 1. Emërtim i përgjithshëm për organin drejtues të pushtetit qendror ose lokal, që zgjidhet nga populli dhe ka fuqi urdhëruese e zbatuese. Këshilli i Ministrave organi më i lartë i administratës shtetërore në Republikën e Shqipërisë, kryeministria, qeveria. Këshilli i Europës. Këshilli i rrethit (i qarkut, i qytetit).
2. zyrt. Organ kolegjial e këshillues në një institucion a ndërmarrje, në një organizatë me karakter kombëtar ose ndërkombëtar, që ka karakter politik, shoqëror etj. Këshilli i Sigurimit në OKB organ i OKB-së, që përbëhet nga 15 anëtarë, nga të cilët pesë janë të përhershëm me të drejtë vetoje. Këshilli Europian organ i lartë i Bashkimit Europian që përcakton orientimet e përgjithshme politike. Këshilli i Bashkimit Europian organ qendror vendimmarrës i Bashkimit Europian. Këshilli i Lartë i Drejtësisë (në një shtet). Këshilli shkencor (pedagogjik, i profesorëve). Këshilli drejtues i partisë.
3. Lokali, ndërtesa dhe zyra ku është vendosur një organ i tillë.
ORGÁN,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Pjesë e trupit të qenieve të gjalla a e bimëve, që kryen një funksion të caktuar. Organet e brendshme. Organet e tretjes (e frymëmarrjes).
2. Institucion a forum i veçantë në administratën shtetërore ose në një nga fushat e jetës politiko-shoqërore, që kryen një detyrë të caktuar. Organ ligjvënës. Organet drejtuese (qendrore). Organet lokale (vendore). Organ kolegjial (drejt.).
3. Gazetë a revistë. Organ shkencor (letrar). Organ periodik (i përditshëm, i përmuajshëm).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë