Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
HERËPASHÉRSH/ËM (i), ~ME (e) mb. [lexo: HERË-PAS-HÉRSHËM] Që ndodh a që bëhet kohë pas kohe, që përsëritet herë pas here; që ndodh a bëhet rregullisht e në mënyrë të përsëritur. Takime të herëpashershme. Detyrat (masat) e herëpashershme. Krasitja (harrja, ujitja) e herëpashershme. Reshje (shira) të herëpashershme. Luftërat e herëpashershme.
✱Sin.: i herahershëm, i kohëpaskohshëm, përsëritës.
HÓP,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Kohë shumë e shkurtër a copë e vogël kohe, kur ndodh diçka, copë here, çast; herë. Një hop më parë. Në atë hop. Qëndroi (priti, u mendua, heshti) një hop. Mbeti një hop pa folur. Për një hop u step. Pas një hopi mori rrugën. Qëndroi për disa hope më këmbë. U mbështet një hop te dera. Këtë hop nuk do të vijë.
2. Lëvizje e menjëhershme përpara a lart duke u hedhur, kërcim i menjëhershëm përpara. E arriti me katër-pesë hope. Me dy - tri hope i ngjiti shkallët. E hodhi hendekun me një hop.
3. fig. Rritje e vrullshme a zhvillim i menjëhershëm i diçkaje, përparim i madh e i dukshëm. Hop i madh (i vrullshëm, i shpejtë). Hop i ri cilësor. Hopi i prodhimit. Bëri një hop të madh (të dukshëm) përpara.
4. filoz. Ndryshim rrënjësor i menjëhershëm i cilësisë së një sendi a të një dukurie, si formë e përgjithshme e kalimit nga një gjendje cilësore e vjetër në një gjendje cilësore të re. Hop i menjëhershëm (me shpërthim). Hop pa shpërthim. Zhvillim me hop.
5. vet. sh. Gjallërim i kohëpaskohshëm i një pune, zhvillim me ngritje e me rënie, me ndalesa e me ndërprerje, përparim jo i njëtrajtshëm në një punë a veprimtari. Punon (mëson) me hope. E bën diçka me hope. Luan me hope.
6. Pjesë e vogël dhe e ngushtë e një trualli, copë e vogël toke. Një hop vend.
✱Sin.: çast, herë, kohë, kërcim, rritje, zhvillim, truall, terren.
PËRSËRÍTËS,~I m. sh. ~, ~IT 1. Ai që thotë a që bën edhe një herë ato që ka thënë ose që ka bërë më parë; ai që e thotë ose e bën diçka më shumë se një herë. Përsëritës i gjërave të ditura.
2. Nxënësi a studenti që përsërit klasën ose vitin shkollor; mbetës. S’kemi përsëritës në klasë.
3. drejt. Ai që e bën rishtas fajin e mëparshëm ose një faj tjetër, recidivist. Dënimi i një përsëritësi.
✱Sin.: mbetës, recidivist, përsëdytës, përdytës, i herahershëm, i herëpashershëm, i kohëpaskohshëm.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë