Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BREZ,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Rrip i gjerë e i gjatë prej leshi, prej pambuku etj., që përdoret në disa krahina për ta ngjeshur në mes, duke e mbështjellë disa herë rreth e rreth; rrip i gjerë prej lëkure, prej metali etj., që ngjishet në mes e shërben për të mbajtur fishekë a armë, për stoli etj. Brez pambuku (mëndafshi, meshini). Brez i argjendtë. Brez burrash (grash). Brezi i martesës (etnogr.). Brezi i fishekëve (i armëve). Armët e brezit armë të vogla (si koburja, thika etj.), që mbahen në brez. Ngjesh (shtrëngoj) brezin. Zgjidh brezin. Mikja me shami pas brezi, / Zemrën flakë seç ma ndezi. (folk.). Kush vete me lugë në brez, me zahmet rri në trapezë. (fj. u.). Revolja i ka lezet brezit të trimit. (fj. u.). Mos e lësho brezin zvarrë. (fj. u.).
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta në fushën e sportit etj. Brez i bardhë (sport.) brez i sportistit të shkallës më të ulët në xhudo a në karate. Brez i kuq (sport.) brez i mjeshtrit të madh i arteve marciale. Brez sigurimi rrip që ngjeshin punëtorët në mes dhe që e lidhin te një mbajtëse e sigurt kur bëjnë punime në vende të larta; rrip që lidhin udhëtarët në automjete, aeroplanë etj. për të shmangur dëmtime fizike në rast rreziku. Brezi i shpëtimit rrip i gjerë prej gome që fryhet e ngjishet në mes dhe që shërben për të shpëtuar njeriun nga mbytja në ujë. Brez i zi (sport.) brez i sportistit të shkallës më të lartë në xhudo a në karate.
3. Rrip i gjatë e i gjerë, zakonisht i leshtë, me të cilin lidhim fëmijën në djep; ndrizë, dizgje. E lidhi (fëmijën) me brez.
4. Mes2,3. Deri në brez. Brezi i duhanit gjethet e duhanit që mblidhen gjatë një vjeljeje, fletët e një dore. Lidh brezin me shami. Ngjesh në brez. Një brez njeriu i lartë.
5. Pjesë e diçkaje (e një sipërfaqeje etj.) që ka trajtë të zgjatur e të kufizuar dhe që dallohet nga e tëra; hapësirë në trajtë rripi. Brez pyjor (kodrinor). Brez kufitar. Brez mbrojtës. Brez i bleruar. Brez i kuq (i zi, i bardhë). Brez toke. Brez resh. Brez drite shirit drite në mjedis të errët. Një brez me bojë. Brezi i uljes (i ngritjes) rrip me gjatësi të caktuar brenda aeroportit ose brenda fushës së aviacionit për uljen a për ngritjen e avionëve. Brezi i sulmit (brezi i kalitjes) (usht.) vend i pajisur me gardhe, me gropa, me tarabë, me llogore etj., ku zhvillohet stërvitja ushtarake e nxënësve në shkolla, e ushtarëve në reparte etj. Ujitje me brez. Dele me brez. Kishte rënë një brez borë.
6. Dru i gjatë a shtresë betoni që vihet përgjatë murit me qerpiç, me gurë ose me tulla, për ta lidhur ose për ta forcuar. Brezi i poshtëm (i sipërm). Brez muri. Brez hekuri (betoni). Breza kundër tërmetit. Drurë për breza. Mur me breza.
7. gjeogr. Pjesë e sipërfaqes së Tokës ndërmjet dy paralelesh ose dy meridianësh; zonë e Tokës që kufizohet nga paralele të caktuara dhe që dallohet prej zonave të tjera nga ndryshime të klimës, të bimësisë etj. Brez gjeografik. Brezi i ftohtë (i ngrohtë, i nxehtë, mesatar). Brezi arktik. Brezi tropikal. Brezi i borës.
8. Tërësia e të lindurve të një gjaku kundrejt të parëve të përbashkët; tërësia e njerëzve, që kanë pak a shumë një moshë, përkundrejt paraardhësve e pasardhësve të tyre; njerëzit e një moshe a me moshë të afërt, që jetojnë në të njëjtën kohë ose që lidhen nga veprimtaria e përbashkët, që kanë qëllime të përbashkëta etj.; brezni. Brezi i parë (i dytë, i tretë). Brezi i ri (i vjetër). Breza të gjakut (etnogr.) pasardhës nga ana e babait. Breza të gjinive (etnogr.) pasardhës nga ana e nënës. Brezat e kaluar (e ardhshëm). Breza luftëtarësh. Brezat e pasluftës. Gjatë disa brezave. Beja e rreme të ndjek gjer më shtatë breza. (fj. u.).
✱Sin.: rrip, brezar, shokë, qemer, ndrizë, dizgje, baç, çimboskë, retër, bel, ndërmjet, përmjet, rrip, rriponjë, shirit, rripëtirë, vilar, vilazë, shokë, tërthorëse, boshtivan, brezare, zonë, krahinë, vend, rajon, trevë, brezni, bark, moshë, thark, leni, pot, korë.
♦ U bë brez (dikush) u dobësua shumë, u tha fare, u tret; u bë kockë e lëkurë (dikush); u bë cironkë (dikush); u bë çengel (dikush); u bë kërrabë (dikush). M’u bë *pallaskë pas brezit (dikush). Brez pas brezi që në kohë të lashta e pa ndërprerje; nga njëri brez në tjetrin; nga brezi në brez; atë pas ati; babë pas babe; bark pas barku; djalë pas djali; bir pas biri; djep pas djepi; gjysh pas gjyshi; gjysh stërgjyshi; rrënjë pas rrënje. Nga brezi në brez vazhdimisht, pa ndërprerje, në rrjedhë të pandërprerë (për trashëgimi kulturore etj.); brez pas brezi. Brezi i qiellit astr. ylberi; shoka e kumbarës krahin. Brezi i zonjës astr. ylberi; brezi i qiellit astr.; shoka e kumbarës krahin. Hedh një brez (një shtresë) ha pak, sa thyej urinë; zë fundin e barkut. E heq brezin *zvarrë (dikush) keq. E ka barkun pa brez (dikush) ha shumë, s’ka kufi në të ngrënë, s’ngopet kurrë; s’i mbushet barku (dikujt). I ka *të shtatat në brez. Lëshon brezin (i pari) (dikush). 1. Jep shkak për grindje, hap sherr; është gati të ndeshet me dikë; kërkon gjemb për këmbë; kërkon këmbë për gjemb. 2. Bën lëshime; tërhiqet; i bën (i lëshon, i hap) rrugë (dikujt). Me *lugë në brez keq. Me *peshqir në brez keq. Rri me *duar në brez (në ijë, në mes, në gji, në xhepa) (dikush). Ia shkel brezin (dikujt) i përgjigjet ngacmimit për sherr, hyn në grindje me dikë që do të zihet; e kërkon edhe vetë shkakun për t’u grindur. Me *shpatë në brez keq. Shpëtoi me *kulaç pas brezi (dikush). Shtrëngoj brezin mblidhem e detyrohem të jetoj me më pak mjete e më keq, shpenzoj më pak para dhe rroj në kushte më të vështira; përpiqem të duroj e të përballoj skamjen duke kursyer shumë; shtrëngoj rripin; e mbledh (e rrudh) dorën; e shtrëngoj dorën. Vë (vesh, ngjesh) dy breza (dikush) bëhet burrë, burrërohet, piqet e hyn në rrethin e burrave. E zbraz *koburen që në brez (dikush) tall.
PLU/G,~GU m. sh. ~GJE, ~GJET 1. Vegël bujqësore prej hekuri, me plor të madh e të gjerë, që tërhiqet me traktor, me kuaj a me qe për të lëruar tokën ose për të hapur vija kulluese. Plug fushor (kodrinor, malor). I shkoi plugun.
2. Pjesë e parë emërtimeve për disa lloje plugjesh: Plug i lehtë plug për punime të cekëta. Plug i rëndë plug për punime të thella. Plug mbathës plug që përdoret për të mbathur bimët. Plug shkulës plug që përdoret për të shkulur rrënjë bimësh. Plug urith plug që përdoret për drenimet. Plug pa veshë. Plug gërmues. Plug disk. Plug i varur. Plug me paraplor. Plug shumëplorësh. Plug pemëtoresh. Plug për kalë. Plug thellues. Plug turjelë.
3. bised. Lërim, plugim. Plugu i parë (i dytë). Plugu i janarit është vlagë e beharit. (fj. u.).
4. Sasi dheu aq sa ngre kjo vegël në një hulli. Një plug dhe.
5. I trashë nga trutë. Është plug fare nga mendja!
✱Sin.: damalug, plugim, lërim, lëvrim.
PUSHT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Fut ushtrinë në një vend tjetër dhe shtie në dorë tokat e tij, e shkel një vend tjetër dhe ushtroj pushtetin mbi të; i heq me dhunë lirinë dhe pavarësinë një vendi a një populli, e robëroj; zë me forcë një vend; kund. çliroj. Pushtuan tërë vendin. E pushtuan me (pa) luftë. Nuk e pushtuan dot.
2. edhe fig. Arrij deri në një vend të vështirë dhe e shkel atë; ngjitem deri në një vend shumë të lartë; shtie në dorë diçka, arrij ta zotëroj. Alpinistët pushtuan majën. Aeroplanët pushtonin qiellin.
3. E kap dikë dhe e shtrëngoj fort me të dy krahët, e përqafoj dikë me mall; e përfshij diçka me dy krahët të hapur. Pushtoi të birin me mall. E pushtoi në kraharor. E pushtoi me të dy duart. E pushtoi fort. Nuk e pushtonin dot dy veta atë pemë.
4. fig. Arrij ta kap të gjithin me një vështrim. E pushtoi peizazhin detar (malor, kodrinor) me sy. E pushtoi sallën (klasën) me një vështrim.
5. edhe fig., vet. v. III Vjen, përhapet (zakonisht diçka jo e pëlqyeshme) dhe mbulon një vend a hapësirë, e përfshin të gjithë, e pllakos E pushtoi flaka. Bora pushtoi male e fusha. Mornicat i pushtuan trupin. Vendin e pushtoi errësira. Heshtja pushtoi sallën.
6. fig., kryes. v. III (zakon. me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. kallëzore) Më zë, më kap tërësisht një ndjenjë, një mendim a një gjendje, më mbërthen të tërin; më bën për vete. E pushtoi gëzimi (krenaria). E pushtoi dëshira. E pushtoi frika (tmerri, paniku, zemërimi). E pushtoi mërzia. E pushtuan mendime të zymta. Pushtoi mendjet (ndjenjat) e lexuesve.
✱Sin.: zaptoj, gllabëroj, robëroj, okupoj, shkel, zë, përlaj, gëlltit, kap, përfshij, përqafoj, rrok, mbështjell, përmbështjell, përhap, pllakos, rrëmbej, mbërthej, hipi, zatet, ndërhyj, skllavëroj, nënshtroj, arrij, ngjit, zotëroj, shtrëngoj, mbuloj, kaploj, vërshoj, regëtij, kllapos.
SPÍND/ËR,~RA f. sh. ~RA, ~RAT bot. 1. (lat. Veratrum) Bimë barishtore shumëvjeçare me rizoma të zeza, helmuese, me kërcell të drejtë, gjethe damarë-damarë të errët dhe kallinj lulesh të vogla të bardha ose bojëkafe, që rritet në toka me lagështirë. Spindrat helmuese rriten në zona me klimë të lagësht.
2. (lat. Aconitus napellus) Bimë barishtore shumëvjeçare, helmuese, me gjethe të çara thellë nga rrënjët deri te gjysma e lartësisë dhe lule vjollcë në pjesën tjetër të kërcellit; mbillet për zbukurim. Ishte një brez kodrinor i veshur me spindra të lulëzuara.
TERRÉN,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Sipërfaqe e tokës, pjesë e sipërme e tokës; tokë, reliev; copë tokë, truall. Terren malor (fushor, kodrinor). Terren i hapur (i mbyllur). Terren i thyer (i vështirë). Terren i veshur sipërfaqe toke që përmban lloje të ndryshme drurësh. Terren i zhveshur sipërfaqe toke që nuk ka bimësi të lartë, edhe pse në të mund të jetë e pranishme bimësia barishtore. Terren i fortë. Terrene sportive. Pastruan terrenin.
2. Fushë e veprimtarisë së njerëzve; fushë e veprimit të diçkaje; kushte në të cilat lind diçka, rrethanat që e ushqejnë atë; mjedis. Terren politik (ideologjik, ekonomik). Gjeti terren të përshtatshëm. Përgatit terrenin.
✱Sin.: tokë, reliev, truall, fushë, lëmë, mjedis, bazë.
♦ Fiton terren (diçka) libr. shih fiton tokë (diçka). Humb terren (diçka) libr. shih humb tokë (diçka).
TRÚALL,~I m. sh. TRÓJE, TRÓJET 1. Copë toke, zakonisht e sheshtë, për të ndërtuar, vend për ndërtim; pjesë toke që shënohet a që caktohet për rrugë, për sheshe sportive etj.; vendi që zë një ndërtesë me pjesët dhe me sheshet e saj. Truall i vjetër. Trualli i shtëpisë (i shkollës, i fabrikës). Trualli i stadiumit. Trualli i rrugës. Trualli i lagjes. Truall në shitje. Truall ndërtimi. Shitje (blerje) trualli. Bleu (shiti) një truall. Caktoi truallin. Pastroi (sheshoi) truallin. Ishte brenda truallit. Rrafshësi e truallit. Truall i rrethuar. Më shumë kushton trualli se banesa.
2. Tokë e rrahur ose e ngjeshur, që është si dysheme në shtëpitë përdhese. Truall i lyer me baltë. Trualli i përdheses. Fshiu (pastroi) truallin. Shtroi rrogozin në truall. Flinte në truall.
3. Copë toke e punuar ose që mund të japë prodhim; arë. Troje të begatshme. Troje të papunuara. Truallin kodrinor e ktheu në vresht. Për këtë truall! (bet.)
4. Tokë, dhe, shesh; vendi ku rrimë. Mizë trualli mizë dheu. E përplasi në truall. U shpërndanë nëpër truall. U ul në truall.
5. Vend, tokë; krahinë, vis; atdhe. Trualli amtar. Trualli shqiptar (kombëtar). Troje të banuara. Trojet tona. Trojet ilire. Trojet arbërore. Trojet shqiptare. Në trojet e të parëve tanë. Shkoi truall më truall.
6. Fusha e një pëlhure me një ngjyrë, mbi të cilën pikturohet a qëndiset diçka; pjesa fundore e një pëlhure me lule a me figura të tjera, që është bërë me një ngjyrë kryesore. Trualli i kaltër me lule të bardha. Qëndisi një yll mbi truallin e kuq.
7. fig. Vend ose fushë veprimi; tërësia e diçkaje, baza e tërësia e rrethanave, mbi të cilat mbështetet ose zhvillohet diçka; terren. Truall i përshtatshëm (i papërshtatshëm). Trualli gjuhësor. Gjeti truall. Krijuan truallin e nevojshëm. Mbi këtë truall u bënë studimet. S'ka truall që të lindë kjo e keqe.
✱Sin.: terren, dysheme, taban trokë, patoz, vend, tokë, arë, dhe, baltë, stere, shesh, pëllëmbë; krahinë, trevë, vis, atdhe, fushë, shtrat.
♦ I digjet (i ndizet) trualli (*toka) nën këmbë (dikujt). I dridhet (i rrëshqet) trualli (*toka) nën këmbë (dikujt). I fik truallin (dikujt) shih i fik derën2 (dikujt). Fiton truall (*tokë) (diçka). *Puna e truallit (euf.). Puth truallin (*tokën) (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë