Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
GJÁRP/ËR,~RI m. sh. ~ËRÍNJ, ~ËRÍNJTË [GJÁRP/ËR,~RI m. sh. ~INJ, ~ÍNJTË] zool. 1. Zvarranik pa këmbë, me trup të gjatë e të lakueshëm si të ngjalës, me lëkurë me luspa e me dhëmbë zakonisht me helm, që i mbështillet gjahut rretheqark dhe e shtrëngon. Gjarpër i madh (i gjatë). Gjarpër helmues. Gjarpër i verbër. Gjarpër me pika. Gjarpër uji. Gjarpër guri. E pickoi (e kafshoi, e hëngri) gjarpri. E zuri gjarpri Lëkurë gjarpri. Helmi i gjarprit. Rrëshqet (përdridhet) si gjarpër jep e merr në të gjitha anët, përpiqet me mënyra të ndryshme.
2. zool. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta që tregojnë lloje të ndryshme gjarpërinjsh ose kafshësh që në ndonjë farë mënyre kanë ngjashmëri me gjarpërinjtë. Gjarpër uji emërtim i përgjithshëm për lloje gjarpërinjsh që kalojnë një pjesë të kohës në ujë, kryesisht për gjueti dhe ushqim. Gjarpër i zi gjarpër me ngjyrë të errët, helmues ose johelmues, i përhapur në rajone të ndryshme të botës. Gjarpër me gjyzlykë gjarpër me syze. Gjarpri i bokës gjarpër i zi helmues i vendeve të thata. Gjarpri i rrezes nepërka e shullërit. Gjarpër minjsh gjarpër i shtëpisë. Gjarpër qorr bollë; bullar. Gjarpër shigjetë lloj gjarpri i gjatë helmues, me ngjyrë si në të verdhë, që hidhet si shigjetë. Gjarpër me hajmali gjarpër me çikë. Gjarpër me nuska gjarpër me çikë. Gjarpër deti 1. (lat. Uropterygius macularius) peshk grabitqar, i ngjashëm me ngjalën, që jeton në detet e ngrohta dhe gjuan natën, i fshehur në guva, me kokën jashtë. 2. (lat. Conger conger) ngjalë ndër më të mëdhatë e llojit të vet, ku femra mund të arrijë deri në 9 metra gjatësi dhe mund të peshojë deri në 110 kilogramë. Gjarpër gjuetar (lat. Malpolon monspessulanus) gjarpër me helm të dobët, deri në 2 metra i gjatë, me dhëmbë të kthyer përbrenda, që ushqehet kryesisht me hardhuca. Gjarpër i bjeshkës (lat. Vipera ammodytes) gjarpër helmues, me dhëmbë helmues dhe kurriz ngjyrë kafe të errët me zigzage të bardhëme, që jeton në zona të thata shkëmbore të Evropës Jugore, të Ballkanit dhe të Lindjes së Mesme. Gjarpër leopard (lat. Zamenis situla) gjarpër pa helm, deri 90 cm i gjatë, me zigzage të kuqërreme në kurriz dhe me bark të bardhë me pika të zeza, i përhapur në Evropë, në Azinë e Vogël dhe në Kaukaz; gjarpër i bukur. Gjarpër i larmë (lat. Vipera berus) gjarpër helmues, 60-90 cm i gjatë, me zigzage të errëta në kurriz, që ushqehet me brejtës e hardhuca dhe është i përhapur në Evropë e Azinë Lindore. Gjarpër i shtëpisë (lat. Zamenis longissimus) gjarpër i hollë, deri në 2 metra i gjatë, me ngjyrë hiri në të gjelbër ulliri, që ushqehet me brejtës të vegjël dhe me vezë shpendësh e zogj. Gjarpër laraman (lat. Coronella austriaca) gjarpër johelmues me lëkurë të hirtë ose të kuqërreme, që jeton në zona me shkurre të ulëta dhe që ushqehet me hardhuca. Gjarpër larisk (lat. Vipera ammodytes) gjarpër helmues shumë i rrezikshëm, 50–90 cm i gjatë, me zigzage të errëta në kurriz, që jeton në zona shkëmbore të Evropës Jugore, të Ballkanit dhe të Lindjes së Mesme. Gjarpër lumi (lat. Natrix tessellata) gjarpër johelmues, me ngjyrë të errët dhe me bark të verdhë ose portokalli me pika të zeza, që jeton pranë ujërave dhe ushqehet me peshq, i përhapur në Evropë dhe në Azi. Gjarpër me çapare (lat. Elaphe quatuorlineata) gjarpër johelmues deri në 2 metra i gjatë, me trup ngjyrë kafe me katër viza të errëta, që ushqehet me gjitarë të vegjël dhe me zogj. Gjarpër me çikë (lat. Vipera ammodytes) gjarpër helmues, me ngjyrë kafe të çelët dhe zigzage të errëta, që gjuan natën gjitarë të vegjël, zogj dhe gjarpërinj, e që gjenden në Evropën Jugore dhe në Kaukaz; gjarpër me nuska; gjarpër me hajmali. Gjarpër me lara (lat. Boiga) gjarpër johelmues, me kokë të madhe dhe ngjyra të ndryshme, që përfshin 34 lloje gjarpërinjsh të zakonshëm. Gjarpër me syze (lat. Naja naja) gjarpër me helm shumë të fortë; gjarpër me gjyzlykë; kobra. Gjarpër me zile gjarpër helmues, që ka në fund të bishtit një hapësirë konike, me të cilën bën një zhurmë tingëlluese;.
3. fig. përçm., shar. Njeri i keq e i pabesë; armik dinak. Mos i zër besë gjarprit! E zure gjarprin, shtypi kokën! (fj. u.) për të poshtrin a për armikun mos ki mëshirë. Nuk i tregon gjarpri këmbët (fj. u.) njeriu i poshtër e armiku mundohet t’i fshehë qëllimet, është fsheharak. Futi gjarprin në shtëpi futi të poshtrin, armikun, të pabesin etj. në shtëpi; futi të keqen në shtëpi. Gjarpër nën rrogoz armik i fshehur; i pabesë.
4. fig. Njeri shumë i shkathët, shumë i gjallë; trim. Përpiqet shumë si gjarpër. Është i shkathët si gjarpër.
5. bot. Pjesë e dytë e emërtimeve të pathjeshta që tregojnë lloje të ndryshme bimësh. Bar gjarpri (lat. Ceterach officinarum; Asplenium ceterach). Kërpudhë gjarpri. Lule gjarpri (lat. Colchicum). Presh gjarpri (i egër). Qepë gjarpri (lat. Colchicum). Rrush gjarpri (lat. Discorea communis).
✱Sin.: dhe, përdhes, tokës, dhetokës, përtrollës, rrëshqanës, buç, i pabesë.
♦ Ra nga *akrepi në gjarpër (dikush). Ra nga *grereza në gjarpër (dikush). Të fryftë gjarpri! mallk. vdeksh! Ta fut gjarprin në gji (dikush) është shumë i lig e i pabesë, ta bën të keqen më të madhe pa mëshirë; është shumë i rrezikshëm. Gjarpër nën gur dikush në një gjendje të rëndë a të vështirë, duke qenë ngushtë e duke vuajtur shumë; njeri në hall të madh, pa ditur si të shpëtojë nga një e keqe. Gjarpër me dy koka shih gjarpër me zile keq. Gjarpër me zile keq. armik shumë i rrezikshëm; njeri shumë i keq, i pabesë e i rrezikshëm, njeri që të bën të keqen më të madhe. *Gjumë gjarpri. E hëngri gjarpri (dikë) e gjeti një e keqe e madhe; i ra një fatkeqësi e rëndë. Heq *bishtin e gjarprit. (Janë) si gjarpri me akrepin shkojnë shumë keq njëri me tjetrin, grinden e hahen vazhdimisht; nuk pajtohen kurrë; (shkojnë) si qeni me macen; (shkojnë) si eshka me urorin (me masatin); i kanë (i kanë vënë) gjilpërat majë më majë; (shkojnë) thikë e brisk; (janë) si gjilpërat majë më majë. Mbaj (rrit) gjarprin në gji kujdesem, pa e ditur, për një njeri të keq, të rrezikshëm e të pabesë, rrit, mbroj e ndihmoj dikë, që më pas ma shpërblen me mosmirënjohje të mirën me të keqe. S’e nget as gjarpri (dikë) shih ka engjëllin në bark (dikush). Më sa ngjitet *lëkura e gjarprit iron. Nxjerr gjarprin nga vrima (dikush) s’lë gjë pa trazuar e pa lëvizur nga vendi (zakonisht për fëmijë), bën rrëmujë; s’lë dy gurë bashkë; nuk lë gur mbi gur. Ka pirë *lëngun e gjarprit (prej dikujt). E pickoi gjarpri (nën vete) (dikë). 1. Nuk i pëlqeu fare diçka, i dogji; u hodh (kërceu, hovi) përpjetë (dikush). 2. U zu shumë ngushtë, nuk vepron dot, s’del dot nga një gjendje e vështirë a e rëndë. Shkeli mbi gjarpërinj (dikush) i dolën telashe e kokëçarje të mëdha; ra në një gjendje të rëndë a të rrezikshme; gjeti belanë. Kur të shohësh *këmbët e gjarprit (e bollës). Prej *ujkut ra në gjarpër (dikush). E vret gjarprin me dorën e tjetrit (dikush) shih i nxjerr gështenjat (nga zjarri) me duart e botës (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë