Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FAREFÍS,~I m. 1. përmb. Tërësia e njerëzve që kanë lidhje gjaku ose gjinie, njerëzit e afërm. U mblodh farefisi. Erdhi gjithë farefisi.
2. Ai që ka lidhje gjaku a gjinie me dikë tjetër. Është një farefisi im. E kam farefis.
✱Sin.: farefisni, fis, gjak, gjini, farësi, gjiri, rreth, soj, klan, gjindje, taraf, farkë, afri, derë, rregulli, njerëzi, oxhak, rod, xhins, fisanak, i afërm, kushëri, gjë.
FIS,~I m. sh. ~E, ~ET 1. hist. grup shoqëror në shoqërinë primitive me njerëz të një gjaku, me gjuhë të përbashkët e me zakone të njëjta, që formonin njësinë bazë të organizimit të jetës e të prodhimit; bashkësi njerëzish në Mesjetë që vetëqeveriseshin sipas së drejtës zakonore. Fiset ilire. Fiset eskimeze. Fise primitive.
2. etnogr. Grup njerëzish me gjuhë dhe zakone të përbashkëta, që jetojnë si një bashkësi me një prijës në krye; bajrak, flamur; oxhak. Gjuha e fisit. Udhëheqësi i fisit.
3. Grup njerëzish që rrjedhin nga një stërgjysh i përbashkët; njerëz të një gjaku, farefis; ai që ka stërgjysh të përbashkët me një tjetër, ai që ka lidhje gjaku a afrie me dikë tjetër; farefis. Fis i hershëm. Ishte fis i madh ai i gruas së tij. Fis i afërt (i largët). E kam fis. Është një fisi im.
4. Kombësi, komb. Fis i mirë. Fis shqiptari.
5. hist. Familje e pasur, që kishte një pozitë të privilegjuar në shoqërinë feudale; familje që mbahej si e mirë. Grua (vajzë, djalë) prej fisi.
✱Sin.: klan, farefis, soj, racë, derë, rod, bajrak, flamur, oxhak, skotë, farkë, xhins, komb.
♦ As *farë e as fis, as degë e as lis. Me *farë e me fis. Pa *farë e pa fis. E ka për fis (dikush) e ka zakon të trashëguar, bën si fisi i tij; ajo sjellje i shkon; i shkon për farë (dikujt); i shkon për gjak (dikujt); ia heq oxhaku (dikujt). Far e fis kushërinj. Vajti në fis (dikush) keq. sillet a vepron si i një fisi të ulët ose sipas edukatës së keqe që ka marrë; e tregon veten se nga vjen, ç’është e sa vlen.
GRUP,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Disa njerëz, kafshë a sende të mbledhur në një vend. Grup fëmijësh. 2. Sende, qenie a dukuri të bashkuara sipas një tipari të njëjtë; tërësia e pjesëve të një makine a të një mekanizmi që kryejnë së bashku një punë, agregat. Grupi i kurrizorëve (zool.). Grupet e muskujve (anat.). Grup gjaku (biol.) një nga katër tipat e gjakut te njeriu dhe te kafshët, me cilësi të veçanta të rruazave të kuqe e të serumit. Grup gjuhësh (gjuh.). Grupi i timonit (mek.).
3. Tërësi njerëzish me pikëpamje, me ide, me qëllime etj. të përbashkëta a me profesion të njëjtë; njerëz të organizuar së bashku, që kryejnë të njëjtën punë a veprimtari. Grup shoqëror. Grup artistik (folklorik). Grupi i punës. Grupe sociale. Grup etnik. Grupi i kontaktit. Grup i strukturuar kriminal. Grup parlamentar. Punë në grup.
4. usht. Njësi ushtarake, zakonisht në artileri, i përbërë prej disa baterish. Komanda e grupit.
5. sport. Numër i caktuar skuadrash që ndeshen midis tyre. Ndeshjet e grupit.
6. si ndajf. Grumbull, tufë. Dolëm grup.
✱Sin.: grumbull, masë, tubë, ekip, skuadër, familje, palë, parti, bllok, kamp, klan, fraksion, rreth, shtresë, njësi, kategori, klasë, kompleks, plejadë, repart, stan, kope, bashkë.
TARÁF,~I m. sh. ~E, ~ET bised. 1. Krahu i njerëzve të një fisi, të një ane etj. Tarafi i tyre. Tarafi ynë. Tarafi i djalit (i dhëndrit, i nuses). Tarafi i nuses përcillte kokëvarur vajzën, kurse ai i dhëndrit e priste buzagaz.
2. Grup njerëzish me interesa të përbashkët që janë lidhur me miqësi, me krushqi e që i mbajnë anën njëri-tjetrit për gjithçka; rreth shoqëror i ngushtë, bllok, takëm, klan, parti. Fryma e tarafit (keq.). Njerëz të një tarafi. Njeri me taraf njeri që ka shumë shokë e miq, që e ndihmojnë dhe i mbajnë anën; njeri me ndikim. Ka taraf të madh ka shumë shokë, miq e të afërm. U ndanë (u përçanë) në tarafe në klane. U bë me tarafin e dikujt mori anën e dikujt, mbron anën e dikujt. Edhe ai ka taraf të madh edhe ai ka njerëz, mbështetës të shumtë. Frymë tarafi përkrahje nepotike; akraballëk. Lidheshin taraf pas tarafi. Kush ka taraf, ha mish e pilaf. (fj. u.).
✱Sin.: anë, grup, sërë, dorë, tabaka, bllok, fraksion, grup, grupazh, takëm, klan.
TARIKÁT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. fet. Sekt i veçantë fetar i myslimanëve. Pjesëtar (anëtar) i tarikatit. Tarikati bektashi.
2. bised. Grup njerëzish me interesa, mendime e qëllime të njëjta; taraf, klan, rreth, grup, qerthull. Janë të një tarikati.
✱Sin.: sekt, rreth, dorë, grup, qerthull, grupim, grupazh, klan.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë